top of page

ROBERT MARTIKO, SHKRIMTAR, NË NJË ROL HISTORIK


- NGA OLIMBI DAFA:

Robert Martiko është shkrimtar, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Ambasador i Paqes Universale. Qendra e Artit dhe Kulturës Kombëtare “Margarita Xhepa” e ka nderuar me Titullin Princ i Fjalës Artistike. Me veprimtari të gjerë letrare, dallohet për tematikat me përmbajtje filozofike. Në të gjitha librat e tij spikasin karaktere të jashtëzakonshme në ditë të vështira. Luan me idenë se matanë fakteve historike, lexuesi duhet të gjejë gjëra konkrete, për ta ndihmuar në gjetjen e vetvetes dhe edukimin e fëmijëve. Te eseja “Saranda në ditë përjetësie” zbulon rolin e babait të tij, Dino Martiko, një karakter i vërtetë burrëror, që mori qytetin në dorëzim nga italianët, pa gjakderdhje. Nga ky zhvillim që morën gjërat, Saranda e vitit 1943 ka vlerë historike të madhe, sepse shpëtuan mijëra jetë italianësh. Te kujton faktin kur në Shqipëri, në ferrin e luftës, shpëtuan në Shqipëri mjaft hebrenj. Për monografinë dedikuar Lasgush Poradecit, “Qiell i rrëzuar për tokë” shkrimtari dhe poeti i dëgjuar, që kaloi vite të tëra në burgjet e diktaturës, Visar Zhiti, publikoi një shkrim në gazetën “Dielli”, në SH.B.A. Te romani artistik “Përjetësi pa kohë”, rreth ish Rusisë bolshevike, Roberti trajton një temë të pa trajtuar, me karakter antropologjik thelbësor, që njihet vetëm nga një elitë mendimi: profesorë filozofie në universitete perëndimore. Romani lidhet me Rilindjen Shpirtërore, epokë e madhe ndryshimi, një mënyrë e re e konceptimit të botës e vetvetes, që ndodhi vetëm në Perëndim. Meqenëse libri ka karakter ndërkohor, është mjaft aktual dhe për luftën që bëhet sot nga rusët në Ukrainë.


Janë të shumtë njerëzit e letërsisë dhe arteve, akademikë, që kanë shkruar për Robertin. Për të shkruar diçka “rreth të kaluarës dhe krijimtarisë së tij letrare”, përshtypja ime e parë ishte se ai hezitonte, për të shkruar gjëra për veten e vet. Më pas shtoi se e kaluara dhe krijimtaria përmbajnë Kohën dhe Artin. Kur flitet për këto, njëra e lidhur me Misterin dhe tjetra me Krijuesin, është sikur një Frymë e padukshme rivendikon të korrigjojë materien tokësore. Jo më kot thonë se shkrimtari i përngjan Krijuesit të botës. Të dy krijojnë. I pari krijoi Kohën ndërsa i dyti, nëpërmjet veprës së tij, përpiqet për të ndriçuar njeriun. Të dyja konceptet punojnë në të njëjtin drejtim, vijëdrejtë: të nxjerrin shoqërinë nga xhungla, vendlindja e parë e qenieve humane. Ëndrra universale e njerëzimit nga lindja e tij, ka qenë dhe vijon të jetë, të lidhë tokën me qiellin. Qoftë dhe në trajtën më të thjeshtë, që dëgjojmë të thuhet se të dashurit tanë, tashmë të larguar nga jeta, na vështrojnë prej yjesh të largët. Roberti e sqaron më tej këtë fakt: “Jo më kot Pitagora, foli për muzikën e yjeve ndonëse duhet të kalonin shekuj, që kjo harmoni kozmike të mos shikohej si fakt natyror, por si një realitet i brendshëm shpirtëror. Nuk bëhet fjalë për orkestra gjigante qiellore. Rëndësi primare ka se me futjen e gjërave në shpirt, filloi të ndryshonte fati i shoqërive evropiane. Do të ishte një gjë e mrekullueshme që dhe në Shqipëri, bota intelektuale të kuptonte në thellësi sesi funksionojnë gjërat. Pa konceptin e Rilindjes Shpirtërore asgjë do të fillojë të ndryshojë për tu shmangur përçarja shoqërore, vuajtjet, tragjeditë, kaosi i përsëritur në shekuj”.


Kjo pikërisht është gjëja më e rëndësishmja në aktivitetin letrar të Robertit. Për herë të parë në mendimin shqiptar përpiqet të fusë konceptin e Rilindjes Shpirtërore. Shton se është një term krejt i panjohur, me karakter ndërtues për shoqërinë. Është një farë e jashtëzakonshme mendimi, e prodhuar nga individët më gjenialë në Histori. Prej tyre shpëtoi evropiani nga Mesjeta, u çlirua nga ferri i vetvetes. Për të dalë në sipërfaqe, kësaj fare iu deshën në Evropë pesë shekuj, ndërsa në Shqipëri nuk ekziston as ideja e saj. Gjërat nuk i ndryshon Asgjëja. Teoritë se njerëzit ndryshojnë sipas ligjeve të Darvinit apo materialiste, qëndrojnë në stratosferë. Nuk ndryshojnë asgjë. Sidomos materializmin, njerëzimi e provoi në praktikë me njëqind milionë të vrarë e asgjësuar. Koha në Lindjen e Kuqe u kthye shekuj pas. Këtë fakt tejet tragjik paguan Shqipëria sot, me një shtet të paformuar kurrë, në varfëri, pasiguri, drejtësi të diskutueshme, korrupsion, emigracion të pambaruar dhe sa e sa gjëra të tjera negative... Roberti vë në dukje se as në mendimin më të lartë akademik e filozofik nuk ekziston ideja e Ndërgjegjes Historike. Nuk ka më të tmerrshme nga kjo. Asnjë libër i shkruar deri më sot në Shqipëri nuk trajton gjërat me idenë e Rilindjes Shpirtërore, Ndërgjegjes Historike, Kohës që prodhon Lirinë e Vërtetë. Nga sa shkruaj më sipër, lehtë mund të arrihet në konkluzion se te aktiviteti letrar i Robert Martikos nuk gjen thjesht idenë për tu marrë me letërsi. Ai i ka vënë vetes qëllim, nëpërmjet efektit çudibërës të Rilindjes Shpirtërore, të shoqëruar me mijëra detaje thelbësore të individëve më gjenialë të botës, të kontribuojë mendimin shqiptar së bashku me pjesën më dinamike intelektuale, për vetë të ardhmen e shoqërisë shqiptare, sot në nevojë më shumë se kurrë. Bëhet fjalë për një mision të vërtetë historik...

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page