top of page

RIZGJIM PRANVEROR


Vullnet Mato


Ngazëlloj duke soditur rizgjimin e natyrës,

në këto çaste pranverore, kaq solemne,

kur toka e përgjumur, fillon lan fytyrën,

në dushin e madh, çudibërës të rrezeve.

Fshesa e rrezeve, si amvisë e kujdesshme,

nis të fshijë dheun nga errësira dimërore,

zbulon dalëngadalë konturet e djeshme,

kredhur në plehërishtet e blozës stinore.

Shtron udhën dhe fton diellin të dërgojë,

ngrohtësinë jetëdhënëse, të munguar.

Toka e përgjëruar, nis vishet të nusërojë,

në dasmën e madhe, të blerimit të lulëzuar.

Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet,

dhe nisin të stolisen para pasqyrës së qiellit.

Kumbullat sykaltra, përshkëndisin petalet,

për të pritur vizitën madhështore të diellit.

Zogjtë e tulatur, nëpër degëzimet blerore,

shkundin gjumin nga puplat, me cicërima,

qingjat e fjetur staneve, nëpër bregore,

përshëndesin rrezet diellore, me blegërima.

Gonxhet mes gjetheve, nisin rihapin gjinjtë,

dhe fillojnë të shkundin kristalet e vesës,

grunjërat e mëndafshta, drejtojnë kallinjtë,

të luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes.

Gjithë hapësira e përgjumur dimërore,

tashmë shfaqet madhërisht, në ripërtëritje,

me buisjen e re, të bisqeve pranverore,

mbushur plot e përplot, me qumësht drite...

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page