RINDËRTIMI I FYTYRËS


Odise Kote

-tregim-


Mos e dëgjo atë lajkatar - tha urtia e vjetër dhe u hoq mënjanë. Ai iu merr mendjen dhe zogjve që fluturojnë. Udhëtarët që kaluan andej pari, nuk e dëgjuan. As qytetarët e thjeshtë. As bashkëpunëtorët, të afërmit, komshinjtë. Asnjëri syresh nuk e dinte se drita që lëshonte ajo këshillë, do t'i ndiqte pas. Lajkatari, "rrebeli" pa kauzë, manipulatori i parrëfyer ndonjëherë nga anët tona, siç i ngjiti me shpejtësi skëterrë shkallët e pushtetit, po aq shpejt u rrëzua. Menjëherë, duartrokitësit, grackëngritësit, ata që e ndiqnin pas, e braktisën. Bëmë rrugën e gabuar - thanë. Erdhi koha që e kuptuam se duhej të ktheheshim dhe u kthyem! Për dreq, ishte njëri prej tyre që nuk u kthye. Një i padukshëm. Pa fytyrë. Unë jam besniku yt - i tha të rrëzuarit. Pavarësisht se poshtërsitë dhe pabesitë e tua nuk i lajnë dot pesë përrenjtë dhe lumi i qytetit tonë. Po je me fat; njerëzit e qytetit tonë e kanë të dëmtuar kujtesën. Harrojnë shpejt. Unë nuk iki prej teje! I rrëzuari, na kish qëlluar prej racës së njerëzve që nuk nxjerrin mësime dhe e durojnë deri në fund zjarrin djegës, ndaj i erdhi për osh ligjërimi në vesh, i papritur i qënies së padukkshme. Më thuaj, ç'duhet të bëj? Jam gati - foli i vendosur i rrëzuari prej pushtetit, por zëri i tij ishte zgavër, veshur plot rënkime nga dhimbjet e eshtrave të thyera prej rrëzimit. Së pari, do të heqësh dorë nga çdo e vërtetë, sidomos në qytet - urdhëroi i padukshmi. Ashtu? - fytyra e gërvishtur keqas mori formën e cenit të dukshëm. E çara tejpërtej faqes sikur u thellua edhe më shumë. Më pas u nxi. Po disa nga ata më njohin ...- dhe fjala i mbeti në grykë si halë peshku. Ndonjëherë njerëzit nuk duan të dëgjojnë të vërtetat sepse nuk duan të shkatërrojnē iluzionet e tyre - i tundi gishtin vendosmërisht para fytyrës ai i padukshmi,i cili prej atij çasti fitoi fuqinë e një padrinoje. Ca dromca të vogla ndërgjegjeje që e pickuan të rrëzuarin aty këtu në trurin e çoroditur, e humbën aty për aty kuptimin e tyre, pasi në sytë e tij u ndez flaka, ajo flaka e ripërtëritjes së pushtetit nga e kishin rrëzuar kollotumba. Por... - nuk e guxoi më tutje fjalinë, pasi flakën në sy ia kishin pikasur mirë. Do të kesh një fytyrë tjetër - e urdhëroi padrinoja. Fytyrën e parë njeriut ia jep Zoti. Fytyrat e tjera i zgjedh vetë. Ditë për ditë. Vendos çdo ditë nga një fytyrë të re. Sipas motit dhe kohës. Po mua më njohin ...! - gati ulëriti i rrëzuari, dhimbjet e të cilit e penguan piskamën e tij të çirrte faqet e turpit. E ç'rëndësi ka kjo. Ti ke hequr dorë nga e vërteta. Apo u pendove? Të gënjej... të mashtroj akoma? Për këtë dhe më rrëzuan... Mashtrimi që na lartëson ka më shumë vlerë se sa e vërteta vulgare - foli shpejt me rrokje si krismë. Pas këtyre fjalëve, sytë e padrinos u bënë kërcënuese. Në ata sy kishte dritë dhe hije. Konture veprimi. Pas ndalesës së shkurtër për të kuptuar kahjen, nuk vonoi pyetja pasuese e tij që i ra si shpatë mbi kokë të rrëzuarit. Dëshiron të hakmerresh apo të iki? Dua, po si...? Fare e thjeshtë - mori frymë i lehtësuar padrinoja i të rrëzuarit. Do të rindërtojmë fytyrën tënde! Nga e para. Po... po... si ...? - dhe shkumëra e mërmërima i ngecën në grykë mjerimtarit. Do të gënjejmë dhe vetë pasqyrën - gjëmoi në ngazëllime padrinoja. Pastaj, si t'i piqej një mendim filozofi në kokë, iu drejtua viktimës së rradhës. A e di ti se krijimi lindi si zanafillë e mosbindjes? Jo, nga ta di ...kush të ma tregonte... - folën të budallallepsura sytë e të rrëzuarit që ngjanin si të sapodala nga barku i mërzisë. Si ta gënjejmë pasqyrën? Fare kollaj! Kjo ishte fusha ku mjeshtëria e padrinos nuk njihte kufi. Një maskë të re, buzëqeshjen e duhur, pasi njerëzit duhet të binden që është prej mishi e gjaku dhe pastaj ... Çfarë pastaj - nuk duroi dot i rrëzuari që për herë të parë guxoi të trashë zërin ankues. Tani po. Ky je ai që dua - u gazmend përbrenda padrinoja. Këshillat e mira nuk jepen pa e kapërcyer malin e paturpësisë, - dhe qeshi kinse që dhembi i floririt në gojë të fekste atë ndriçimin e duhur. Nuk priti përgjigje prej viktimës, por siç dinte manipulonte e ngrinte në këmbë skelën e rindërtimit, e vuri të rrëzuarin në punë. I rrëzuari u bind si skllav. Tani ke dhe diçka tjetër për të bërë; i tha skllavit. Mbështille si gjëagjëzë të shkuarën tënde e shko ta hedhësh në koshin e madh të mbeturinave të qytetit. Kur i rrëzuari u nis për te koshi i madh i mbeturinave të qytetit, padrinua ndezi puron e trashë për të shijuar një nga triumfet dhe kënaqësitë e rradhës. I rrëzuari u kthye shpejt. Në ballë i vizatohej nxitim. Tani të nisim Rindërtimin e Fytyrës - lëshoi tym të murmë prej puros padrinua. Më thuaj si...si do ta bësh...? nuk duroi dot, ndërsa në fytyrë sespe iu ngjit hidhërimi. E qeshura e tjetrit me kërkëllimë e thërmoi krejt padurimin e të rrëzuarit. Kaqol - shau nën gjuhë padrinua kur ndjeu që trurin e monstrës përballë e kish pushtuar zymtia. Kur ti të rrëzonin duartrokitësit e tu, ata që kanë vetëm dy fytyra: Vdiq mbreti, Rroftë mbreti! unë mendoja ringritjen tënde, fytyrën tënde të rradhës, të pestën, të njëqindën, të njëmijtën. Gjeta dhe historinë e duhur për fytyrën e re që po ringremë. Cilën ...? Atë historinë që banorët e qytetit tonë duhet ta besojnë. Atyre do t'iu vijë keq për ty, do të të mëshirojnë. Viktimat adhurohen! Do të të duan më shumë se më parë - e shprazi hapur gjithë metodikën e rindërtimit të fytyrës, pa iu dridhur qerpiku prej kërcënimit të rrezikshëm të pendimit të tjetrit. Tjetri ishte prej mishi të dobët, një i vdekur që s'e dinte që është i tillë, pa emër e ndërgjegje, që do t'i bindej prej atij çasti vetëm urdhërave të padrinos. Pasi i spjegoi hollësisht se ç'duhej të bënte, sipas metodikës së lashtë, ndjeu befas se një brisk i hollë dyshimi e preu keqas. E preu kur pa që lëkura e fytyrës së të rrëzuarit që mezi ç'priste të ngrihej, kishte marrë aromën e dheut, plehut, të kufomës. Të duhurën. Po sikur...? Dyshues si përherë, fërkoi duart gjithë nyje dhe u betua se do ta ndiqte këmba këmbës fatin e të rrëzuarit kur të rimerrte pushtetin. Boshësia e tij i duhej atë çast, dhe ajo qe gati, e ngrirë, drithmë e ftohtë, pa vlerë. Ashtu si e kishte modeluar; pa nerva e ndijime njeriu, gjahtar e tinzar pas mëkatit të rradhës! Mbaruam? - psherëtiu i lodhur fytyrërindërtuari, si të kish përshkruar një hapësirë ferri, të pamatë e muzgullore. Eja më përqafo - ia ktheu Lugati, padrinua që shfaqet pranë çdo rrëzimi. Sigurisht gjithnjë i maskuar me fytyrën e ëngjëllit...

15 views

Shkrimet e fundit