top of page

Rilindja e emrave


Rilindja e emrave


Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh


Vite më parë, gjithkush ndjente krenari legjitime, teksa kalonte pranë maternitetit “Koço Glozheni” në Tiranë, dhe në hyrje të tij shikonte këndin me emërtimin sinjifikativ “Krenar për emra shqiptarë”. Me shpresën dhe dëshirën që prindërit e fëmijëve t’i referohen historisë së kombit shqiptar duke i trashëguar pasardhësve të tyre historinë e kombit tonë, synohej në këtë mënyrë ruajtja e identitetit kombëtar.

Këtë krenari unë e kam ndjerë dhe e ndjej sa herë takoj kushëririn tim të parë, që mban emrin e gjyshit nga bababi, Sahit Rama, si dhe mbesën (vajzën e madhe të vëllait) që trashëgon emrin e gjyshes time, Hane Rama.

Unë nuk e kam njohur gjyshin me emrin Sahit, pasi nuk kisha lindur, por ngazëllehesha kur më tregonin për të, se, ishte burrë i zgjuar e i besës dhe se si të tillë, e mbante në konakun e tij të burrave filozofi e prijësi popullor Dine Hoxha. Krah tij, gjyshi im kishte luftuar trimërisht kundër pushtuesve serbë.

Po ashtu, gjyshja, Hane Rama (Kaziu), është një memorie e udhërrëfyes për mua, vëlla Selimin, për motrën, Bajden dhe sidomos për dy djemtë e mi, Bledarin e Arlindin. Nga ajo trashëguam virtytin më të shtrenjtë njerëzor, pastërtinë fizike dhe shpirtërore. Se në të vërtetë, nuk ia gjeje shoqen në tërë krahihën tonë të Muhurrit, Luznisë e Katër Grykëve, si pastërtore e rrallë. I ndrisnin xhupa e pushterka si dhe këmisha e bardhë si bora, edhe kur gatuante petën me hithra, edhe kur thurte për ne triko e çorapet me spikë.....edhe kur na merrte për dore për tek dajë Ibrahimi (Kaziu) në Arap të Poshtëm, ku kalonim shumë këndshëm pushimet dimërore dhe një pjesë të pushimeve të verës.

Mirënjohje, në emër të familjes tonë të madhe, meriton edhe kushëriri i parë, Latifi, për përjetësimin e emrit të xhaxha Seferit, duke ia vënë atë djalit të tij të dytë. Është një emër që na bën krenar, jo vetëm si familje por edhe si fis e gjithë fshatin tonë të vendlindjes, Muhurr. Sepse xhaxha Seferi e shkroi me gërma të arta emrin e tij në altarin e lirisë, si ish-partizani e korrieri trim i brigadës së 18-Sulmuese partizane, ku mori pjesë trimërisht në të gjitha luftimet e kësaj brigade heroike.


Një shembull tjetër, po në këtë këndvështrim është edhe ai i kushëririt të katërt Shpëtim Rama, që trashëgoi emrin e gjyshit të tij, Faliut, duke ia vënë atë djalit të tij, emigrant i ligjshëm në Britaninë e Madhe. Ndaj dhe me përkedhëli, sot i thërrasim trashëguesit e këtyre emrave: gjysh Sahiti, gjyshe Hanja, mixha Sefer e gjysh Faliu. Kjo, edhe për faktin se aktualisht, sa herë takoj kushëririn tim Sahitin (e ri) që me punë e përkushtim të rrallë ka krijuar një familje solide, timembësë Hanen si dhe Seferin (të riun) më vijnë ndërmend gjyshi e gjyshja dhe xhaxha Seferi, si shembëlltyra të një të shkuara të lavdishme.

Kështu më ndodh edhe kur takoj kushëririn e parë nga nëna, Maliq Hoxha, që trashëgon emrin e gjyshit nga Zall Dardha. Edhe atë s’e kam njohur fizikish (pasi nuk kisha lindur). Por ndjehem krenar që gjyshi im ishte kushëri i Ali Bajram Hoxhës, njërit prej “15 burrave të dheut”. (Në maj të vitit 1921 dheu - Kuvendi i Dardhës kryesohej nga: Medi Kaca, Sadik Çera , Hysen Bara, Can Gjoka, Hysen Ndreu, Muharrem Ndreu, Hysni Kaca, Ali Bajram Hoxha, Hazis Poleshi, Ramadan Cani, Selim Hysa, Misim Ahmeti, Demir Sula, Shaban Kazia e Cen Rasha). Gjyshi im Maliq Hoxha, si edhe dajat: Selman, Nuredin, Riza, Zenel e Haxhi (si edhe nëna Mide, mbesë e klerikëve me emër Ymer e Veli Shehu të Reçit) trashëguan nga të parët urtësinë, mençurinë e trimërinë, ashtu si edhe përfaqësuesi i tyre në 15-shen e Dheut, Ali Bajram Hoxha.

Zona e Zall-Dardhës njihet në histori për këtë institucion të veçantë popullor, për Kuvendin e “15 burrave të dheut”. Në fakt ky Kuvend, i njohur shkurt vetëm si “Dheu”, ishte mbledhje e kryetarëve apo e përfaqësuesve të 15 fiseve të zonës. Kuvendi “Dheu” zgjidhte probleme të ndryshme të fshatit e të fshatarëve, merrte vendime për mbarëvajtjen e punëve në zonë, caktonte rregulla apo bënte kanunin e vendit, shqiptonte masa, dënime apo gjoba… Vendimi i Kuvendit apo i “Dheut” ishte ligj!


radita e ndërtimit të marrëdhënieve në mënyrë demokratike është e spikatur, ku vlen të përmendet lidhja e besës së “15 burrave të dheut” dhe nën shembullin e tyre shmangia totale e zakonit të gjakmarrjes në ditët e sotme.

Të rritur me Korabin përballë, bijtë e shquar të Zall Dardhës kanë marrë prej malit madhështor cilësitë e qëndresës dhe kryelartësinë në karakterin dhe shpirtin e tyre.

Ashtu si e gjithë Dibra, edhe kjo trevë ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri, por edhe i identitet kulturor. Jo pa kuptim ata Kuvendin e tyre të burrave e quajtën “Dheu”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti. Tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, është ndër shembujt më të shquar të përgjegjësisë atdhetare, të organizimit dhe qeverisjes vendore.

Sot unë ndjehem vërtetë krenar që këtë histori ma rrëfen mjeshtërisht studenti i shkëlqyer i fakultetit të gjuhëve të huaja Zenel Rifat Hoxha, i cili trashëgon emrin e dajës tim, Zenel Maliq Hoxha. Dhe jo vetëm ai, por edhe Selman Hoxha, emigrant në Gjermani që trashëgon emrin e dajë Selmanit (të vjetër), që ishte imam i gjithë Dardhës, që nderohej e respektohej nga i madh e i vogël në këtë zonë…apo edhe më i vogli, Nuredin Naim Hoxha, që trashëgon emrin e dajë Nuredinit, i njohur si burrë i mexheliseve në Dardhë, Reç e Çidhën.

Gjithkush do të ndjehej krenar me emrat Skënder, Mujë, Shpend, Zaho etj. E kush nuk do të krenohej me vëllezërit poetë, publicistë e analistë ndër më të mirët në rang kombëtar, Skënder e Mujë Buçpapaj; me poetin, prozatorin e esseistin e mirënjohur (autor i më se 60 librave) Shpendi Topollaj; me prof.asoc.dr.Zaho Golemi, studiues dhe promovues i qindra dëshmorëve të kombit, të cilët padyshim trashëgojnë emrat e të parëve të tyre.

Një tjetër shembull i spikatur i trashëgimisë së vyër familjare është deputeti Lavdrim Krashi. Në Londër, ku për më se dy dekada bëri karrierë të shkëlqyer si funksionar i administratës britanike, ai do të bënte emër në diasporën shqiptare edhe për faktin se trashëgoi emrin e babait të tij, Mersimit, duke pagëzuar me këtë emër kuptimplotë djalin që lindi atje. Dhe ka të drejtë të krenohet me të, sepse babai i tij, Mersim Krashi respektohej e nderohej, jo vetëm në Çidhën, por në gjithë Dibrën për vlerat e rralla njerëzore e intelektuale që mishëronte dhe përçonte kudo.

Krenari legjitime ndjejnë edhe Razie e Aleks Sula, për faktin se Aleksi e trashëgoi emrin e babait të tij, ikonës së këngës epike e qytetare dibrane Qerim Sula, duke pagëzuar me këtë emër djalin e sapolindur në SHBA, ku ato jetojnë prej vitesh si shqiptaro-amerikanë të denjë.

Po ashtu, poeti i mirënjohur Hamdi Skeja, pohon se e ka trashëguar emrin e babait të tij, Tahirit (ndër burrat e shquar të Kalasë së Dodës e gjithë Dibrës), duke ia vendosur këtë emër të birit.

Një tjetër emër i trashëguar nga të parët e tij është Isuf Koçi i Bulqizës. Populli, e përjetësoj në memorien e vet djalin e tij që bëri aq shumë për vendlindjen. Edhe sot, në oda burrash, pohohet: Djalë si Isuf Koçi, nuk i vjen më Bulqizës! Po. Ai ishte dhe mbetet simbol i vlerave më të mira njerëzore dhe intelektuale, mishërues dhe përçues i mençurisë dhe urtësisë dibrane. Këto virtyte e shoqëruan si kuadër e drejtues shembullor, qoftë në ish-kooperativën bujqësore dhe në fermën e Fushë Bulqizës të cilën e drejtoi me kompetencë e profesionalizëm deri në fundin e sistemit monist. Kur drejtonte Isuf Koçi, kooperativa dhe ferma patën nivelin më të lartë të zhvillimit të të gjitha kohërave.

I solla këta shembuj, për faktin se fëmijët shqiptarë duhet të mbajnë emra shqiptarë, ata duhet të kenë kuptim pasi emri është elementi i identitetit personal por edhe atij kombëtar. Duhet të marrë fund huazimi i emrave të huaj të importuar nga telenovelat turke apo filmat grekë.

Ishte vërtetë tragjike ndrrimi i emrave të emigrantëve tanë që shkuan në Greqi pas ’90-tës. Dhe më absurd qenë vendimet e këshillave bashkiakë në ato vite, duke legjitimuar ndryshimin e emrave (ndonëse u vinin në ndihmë atyre).

Nëse solla si shembull frymëzues deputetin Lavdrim Krashi, është vërtetë dramatike mosruajtja e traditës së vendosjes së emrave shqiptarë fëmijëve të tyre që lindin në emigracion. Ashtu siç nuk tingëllon për mirë huazimi në sistemin monist i emrave të udhëheqësve botërore, si përshembull emri Marenglen, si përbashkim i fjalëve të para të emrave të klasikëve të Marksizëm-Leninizmit (Marks, Engels, Lenin).

Identiteti kombëtarë është elementi i cili bart me vete peshën historike të cilido prej nesh. Duhet të ndërgjegjësohemi për t’i trashëguar fëmijëve dhe brezave të ardhshëm emra për të cilët duhet të krenohen dhe tregojnë me po aq krenari identitetin kombëtar.

Më së miri këtë e argumenton prof. dr. Ago Nezha. Pas një takimi të organizuar në Prishtinë (korrik 2018) me qytetarë kosovarë që kanë emra nga krahina e Labërisë, prof Nezha, në një artikull të botuar në gazetën “Dita” ka pohuar se po të heqësh një paralele në sfondin e emrave që kanë shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë, vëren ndryshime të pakrahasueshme. Kjo sipas tij edhe për faktin se vetëm Kosova ka mbi 7000 vajza e gra të quajtura Vlora, ndërkohë që pjesëmarrësit në këtë takim mbanin emra nga gjithë gjeografia e krahinës së Labërisë, duke filluar nga Labëri, Labe, Lab, Labeat-e, Laberion-a, Vlora, Vlona, Aulona,Vlonjat, Vlorian-e, Vloriat-e, Saranda, Delvina, Gjirokastra, Gjirokastrit-e, Gjinokastra, Argjira, Argjiro, Himara,Vjosa, Orik, Çamëria, Shqipe, Shqiponjë, Shqipdon, Shqiprim, etj. Kosovarët i janë përgjigjur edhe pa zë gjenocidit serb, me shtesën natyrore të popullsisë. Nuk është e rastit që masivisht familjet e tyre kanë lindur pesë, gjashtë, shtatë e më shumë fëmijë. Janë të njohur tashmë emrat nostalgjikë të fëmijëve kosovarë, për djem si Berat, Shkëlzen, Tomorr, Korab dhe për vajza si Vlora, Saranda, Valbona, etj., që janë shumë të përhapur në këto treva shqiptare.

Takimin e përshëndeti Akademiku Rexhep Qosja, i cili theksoi se: “emrat janë pasuri e madhe kombëtare. Emrat mbajnë vulën e traditës, zakoneve, kulturës, psikologjisë, botëkuptimit, historisë dhe filozofisë popullore”.

Gjithashtu, referuar kombeve të qytetëruara si Franca, Spanja, Gjermania, prof. Nezha evidentin faktin se ato i ruajnë me fanatizëm emrat, gjuhën dhe zakonet e tyre. Franca ka shkuar edhe më tej, duke nxjerrë ligje që nuk lejojnë vendosjen e emrave të huaj në mjedise publike.

Emigrimi masiv i të rinjve shqiptarë ka shkaktuar një plagë të rëndë jo vetëm social -ekonomik për vendin tonë, por edhe identitare, pasi atje ku kanë emigruar pjesërisht vërehet fenomeni i ndryshimit të emrave dhe asimilimit të gjuhës shqipe nga gjuha e vendeve rezidente.

Trendi për të përdorur emra të huaj pritet të vazhdojë ndërsa emrat shqiptarë për të sapolindurit bëhen gjithnjë e më pak të dëshiruar. Për këtë fënomen intelektualët janë të shqetësuar. Edmond Dragoti, profesor sociologjie në Universitetin e Tiranës, është shprehur në një intervistë për BIRN se trendi ndaj emrave të huaj nisi dekada më parë në Shqipëri dhe tani është në kulmin e tij, Dragoti e konsideron fenomenin një trashëgimi të keqe të të kaluarës komuniste në Shqipëri, kur emrat e huaj për të sapolindurit ishin të ndaluar dhe t’i vije fëmijës tënd emrin e një ylli të famshëm kinematografie apo autori nënkuptonte telashe të mëdha politike për familjen.

“I gjithë frustrimi për pamundësinë për t’u vënë fëmijëve të tyre emrat që ata dëshironin shpërtheu pas viteve 1990, kur Shqipëria hapi kufijtë. Liria e re e pakufizuar dhe pakontrolluar shumë shpejt e tejkaloi nevojën për një identitet kombëtar,” argumenton ai.

Shkrimtari i mirënjohur Agron Tufa, ish- profesor letërsie në Universitetin e Tiranës, është dakord me këtë. Ai ka thënë për BIRN se fenomeni i emrave të huaj është një goditje për identitetin kombëtar.

Ky fenomen është i rrezikshëm për identitetin dhe kulturën tonë dhe dëmton rrënjët tona,” citoi ai. Ai e shikon trendin si një formë verbërie dhe mendjelehtësie prindërore që po i ushqen shtirje të rinjve shqiptarë

“Emrat e huaj u vendosen fëmijëve si një manovër për të ngritur statusin e familjes dhe për ta bërë më të butë procesin e integrimit,” thotë ai. Tufa e konsideron modën të padobishme dhe një turp, duke marrë parasysh faktin që shqipja është një nga gjuhët më të vjetra dhe më unike në Europë

“Gjuha jonë është shumë e pasur, plot ngjyra dhe të jep mundësi të mrekullueshme për emra të mirë ndërsa ruan gjithashtu traditën, identitetin dhe kulturën. Ajo që po ndodh tani është vërtet një tradhti e identitetit tonë,” citoi ai.

Dr.Imer Pira, në librin e tij në dorëshkrim “PËR DIBRËN DHE DIBRANËT NDËR SHEKUJ”, ndër të tjera shkruan se deri në fillim të shek.XXI (e në vazhdim disi) u ruajt tradita duke i vendosur djalit të porsalindur emrin e babës. Kështu emrave tre germësh të brezit të tretë të tij iu shtuan disa germa në fund, duke përmendur zakonisht pararadhësin në fillim por edhe në fund në disa raste.

Për shembull: Sal – Sali; Sel-Selman; Sul-Sulejman; Sef-Sefedin; Has-Hasan; Dan-Ramadan: Ose: Sel-Vesel; Dull-Sadull; Dik-Sadik; Xhep-Rexhep; Met-Mehmet; Sul-Resul etj.

Këtë evoluim ai e shpjegon me ndikimin e ndryshimeve ekonomiko-shoqërore e kulturore, si dhe me urrjetjen për prapambetjen e trashëguar në këtë sens.

“Në vitet e pasçlirimit, krahas ndryshimeve ekonomiko-shoqërore ndryshoi edhe koncepti mbi emrin, duke u vendosur fëmijëve të posalindur emra të pemëve, luleve, maleve etj.

Ndërkohë lindën edhe emra të rinj më të moderuar si: Çlirim, Bashkim, Lirim, Agim, Afrim, Kujtim, Gëzim, Fitim, Nderim, Ilir, Fatos, Sokol, Korab, Tomorr, Agron, Dritan, Besnik, Luftar, Pëllumb, Petrit, Defrim, Besim, Fatmir etj.

Kurse për femrat lindën emrat e rinj si: Lirie, Lufta, Gëzime, Afërdita, Kujtime, Drita, Vera, Pranvera, Fitore, Flora, Lumturie, Lume, (emra lulesh) Lule, Manushaqe, Vjollca, Violeta, (zogjsh) Kumurie, Dallëndyshe, Fllanzë, Shqipe, Shqiponjë, etj”,-shkrian dr.Imer Pira. Gjithsesi ai shpreh keqardhje që po shkojnë drejt harresës emrat e vjetër, si: Hasan, Hysen, Imer, Avdi, Zenel etj..

Emrat dhe gjuha, janë binomi esencial i identifikimit kombëtar, një pasuri kombëtare që duhet ruajtur e transmetuar brez pas brezi. Por të dy këto simbole, sipas prof.Ago Nezhës, veçanërisht në Shqipëri janë goditur rëndë. Kur takohesh me një europian, aziatik apo afrikanë,-thotë prof Nezha, nëpërmjet emrit të tij menjëherë e kupton identitetin kombëtar.

Ky fenomen nuk ndodh në Shqipëri, pasi emrat e fëmijëve tanë janë shartesa e nën shartesa të kombeve, llojeve e racave të ndryshme, që duhet përkthyes ti kuptosh. Ndërsa emrat kosovarë janë një shembull i traditës i vlerave të popullit tonë, që duhet përshëndetur dhe përgëzuar si një trashëgimi kulturore atdhetar, në Shqipëri, tendenca për të vënë emra të huaj manifestohet dukshëm jo vetëm te fëmijët, por edhe te institucionet private, lokalet, e deri te emisione televizive. Kjo është një përgjegjësi e shoqërisë shqiptare, por edhe e qeverive në këto 30 vjet që nuk kanë treguar vëmendje për këtë fenomen që e gërryen pa mëshirë çështjen e identitetit kombëtar.

53 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page