RIGJETJE METAFORASH SI NË DRITË SIRIUSI


Prof. dr. Zejnepe ALILI REXHEPI


Vëllimi poetik “Lundrimet” - Agim Mato

Them se nuk ishte rastësi nderimi i poetit sarandiot, Agim Mato, me çmimin më të lartë - Mjeshtër i Madh,

vlerësim nga presidenti i Shqipërisë!

==========================

Ishte (20) qershor kur më ra në dorë ky libër, vlerat e të cilit me shumë kënaqësi do të përpiqem t’i shpalos edhe para jush, lexues.

Titulli i librit “Lundrimet...” është i thellë, përmbledhës i disa simbolikave që në çast të kthen në lundrimin metaforik të jetës së poetit..., atij pelegrini që nuk lodhet kurrë së kërkuari lirinë, edhe kur ajo dergjej nën grilat e viteve të mbrapshta. Një libër i vogël, i këndshëm në dukje, botuar nga “Milosao”, Sarandë 2014..., por që të duhet mjaft kohë po ta lexosh me vëmendje, madje një udhëtim i tërë si ato lundrimet e ngadalta të anijeve në kohët e largëta.

Kishte ca kohë që kishim arritur në Restorant “Dunavë”, në Gjilan, ku do të mbahej Manifestimi poetik “Trekëndëshi Poetik i Paqes” dhe pritej që çdo çast të arrinin poetë nga trevat mbarëshqiptare. Për pak çaste drejt tavolinës sonë, të vendosur pranë dritares, prej ku shiheshin pamje të mrekullueshme të natyrës, ishin drejtuar Agim Mato dhe Pandeli Koçi (Sazan Goliku), dy njerëz të mrekullueshëm, poetë të çmuar...., përderisa dëgjova zërin e Matos, me atë urtësinë që e shquan atë si njeri e krijues:

- Keni të fala nga Timoja!

- Faleminderit shumë, janë kujtime të bukura ato të “Takimit Poetik Jonian”, ia ktheva!

E pasi shkëmbyem ca fjalë mirësjelljeje, më ofroi një libër...

Sapo doli nga shtypi - më tha!

Po të hedhësh një vështrim mbi ballinën e librit “Lundrimet...” vë re që është vendosur një ilustrim tejet i thjeshtë..., por që të rikujton shprehjet: “E bukura fshihet në thjeshtësinë e gjërave, sikurse madhështia në vetë modestinë”. Në ca vija të thjeshta ilustrohet deti me dallgët e tij që përshkohen nga fluturime pulëbardhash..., pastaj varka në ardhje e vajtje, më shumë në vajtje mërgimtarësh, njerëzish me fate të mohuara dhe aty pranë një sy pulëbardhe ndoshta..., mbase ai Diell që nuk e braktisi kurrë shpresën për mbijetesë, as ëndrrën e poetit Agim Mato. As atëherë, kur ai i jetonte vitet më të errëta të jetës! Në brendi të vargjeve do të gjesh një inventar të tërë ballafaqimesh emocionale, si rishfaqje e ngarkesave shpirtërore dhe preokupimeve shoqërore. I këtillë është vëllimi më i ri poetik “Lundrimet”.

Në këtë vëllim vërtet e gjen atë zërin e thellë sa vetë thellësia e detit, e tok me zërin e poetit edhe mendimtarin a njeriun e vetëdijshëm për ecurinë e jetës, me tërë realitetin e hidhur, pse jo edhe të bukurën si perceptim?! Kahe këto, nëpër të cilat ditë për ditë rrjedh koha, jeta në Shqipëri, fati i shqiptarit mbetur si i ngujuar midis kohës dhe vendit, e që pavarësisht se si të trajton, nuk guxon ta braktisësh kurrë... Aty ke gjakun dhe erën e tokës që do.Nisma e librit na bën pjesë të një monologu ideo-përçues tejet të ndjeshëm për një kohë trazimesh emocionale, shprehur me atë të pakrahasueshmen metaforë “Detin”. Deti del një simbol shumë i qartë dhe me madhështinë e tij e përvetëson poetin: “Më mbuloje atëherë me shkumë/ dhe lëpija kripën tënde/ së bashku me lotët”... “Isha mësuar me shijen e tyre, mësuar me hidhërimet,/ të cilat më dukej se kurrë nuk do të më ndaheshin” (5). Një fat i përbotshëm ky, parë si dallgëzim detesh, që e trazon jetën dhe me vete bart të shumtat ëndrra.

Poeti, jep mesazhe jetike, me anë reflektimesh përsiatëse lirike të disa cikleve: “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”, “Shtëpia ime prej deti”, “Kryqëzimi im”, “...Dhe prisje lejlekët”, për ta përmbyllur te “Cikli i fundit”... Në to, ndihet se “ndryshimi duhet ndodhur këtu në këtë tokë”, jo gjetiu duke u vendstrehuar larg pulsimeve të këtij dheu. Ndonëse, dilemat bashkëjetojnë me ne, poeti sjell një dozë optimizmi, që edhe errësira të zbehet nga cazë dritë xixëllonjash: “Ti më pyete: ka ende xixëllonja tek atdheu ku rron” (27)... I këtillë është lundrimi shpirtëror i poetit Agim Mato.

Në poezi, vihet re po ai guxim krijues që i përmbush poetët e mëdhenj: Bodler, Alan Po, Lorka... që do t’i përvijonte shprehja: “frikë nuk pata më, se mos më dëgjonin të tjerët”. Këtu shpaloset shpirti poetik i një poeti të distancuar nga maniret dhe luksi i kohës... Po a nuk e pohon këtë vetëdijshëm vetë poeti, në përkufizimin titullor të ciklit -I “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”, përderisa shkruan: “U frenua verbimi brenda meje/ dhe një puhizë e lehtë shprese/ filloi të shtyjë dy vela të bardha/ për të mbërritur në farin e vetmuar/ ku rroja si një eremit deti i harruar/ nga lutjet dhe blasfemitë e të tjerëve” (11)?! Me gjuhën e veçantë të shpirtit të krijuesit, ai e sfidon kohën “e lig”, sepse furtunat s’duhet qenë të përhershme me goditjet e tyre mbi jetën e akëcilit.

Në leximin e poezive të Matos, domosdo përfytyron një kritikë filozofike, ku ndërlidhen përvoja jetësore dhe ajo letrare, si pështjellime të hovit jetësor e letrar. Kjo filozofi, është si të thuash, dhe vetë nisma e strukturimit poetik që ndiqet më pas, jo vetëm nga individualiteti shpirtëror, por edhe nga raporti universal i vrojtimit mbi letërsinë dhe njohjen mbi artin. Diapazon i gjerë njohjesh dhe temash e përcjell atë.

Identifikimi i vërtetë i poetit, përkapet në strofën: “Ç’dramë? - të them unë. Pa shikomë,/ nuk të dukem si një pyll i djegur nga rrufetë e fatit/ A nuk e sheh se përditë mbledh hirin tim/ dhe ua hedh sërish shpresave për t’i rritur nga e para” (12). Si mesazh më vete, një hidhërim që ngërthen dhjetëra pyetje retorike, ndodhet në poezinë me titullin e njëjtë që përmban cikli i parë “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” (16).

Gjakimi për qetësinë parajsore e bën poetin që të pyesë: “Kur do të lundrojë i qetë shpirti im?”, sado që poetët janë të butë në shpirt, por të rrufeshëm në fjalë, sikurse në vargun “A flasim për rreziqe?” ku poeti sajon këtë pyetje retorike, teksa unë po në këto vargje do kërkoja lidhjen e poetit me yjet, këtë dritë universale që nuk njeh shuarje si vetë Siriusi, megjithëse në zërin poetik sikur ndihet një drithërimë e llojit: “Planeti me dritë të zezë” - ku ndodhet?! Pse ndihej gjëmimi i Osumit, pse flurudhat mateshin me zogjtë?”. Përgjigja del vetvetiu. Sipas poetit, ajo vjen për një “Asgjë” vetëm. Çudi, shkruan poeti: “Si rroje kështu mes asgjësë...?! (24).

Një tjetër ndjesi e bën të veçantë emocionin dhe vargun e Matos: “Të thashë:/ ndihem si gjysmëperëndi/ nga përkujdesja,/ nga drita e syve të tu/ dhe tërë qenia jote!” Është ajo ndjesi që pëshpëritet nën hiret e magjisë së Erosit, mjafton një fije shprese, sado e vogël të jetë, për ta frymëzuar që të shkruajë: “Ti erdhe!/ Një himn oshëtiu brenda meje/ dhe bëri që Fenksi të ringjallej,/ të përplaste krahët, të shkundte hirin prej tyre/ dhe të kapte kuotat që pata dëshiruar” (29). Po nga kjo magji, poeti lidh ura përjetimesh me përzierje ëndrrash: “Zotat deshën të ishim larg/ dhe derdhën energjitë mbi mua/ të ngre këtë urë qiellore të poezisë,/ që përshkëndit hapësirat deri te metropoli ku rron/... Vete e vjen ti nëpër atë urë drite/ ku bien gjethe hëne e luspa yjesh”. Janë vargje tejet të ndjeshme, ku arti gjen shkrirje në ndjenjën e poetit sikur vetë Zotat deshën të ngrenë po ata altarë poetikë. Po, jo gjatë, sepse para dashurive të mëdha poeti ndihet si “zog i tretur” (34) dhe ashtu i plogështuar shkruan: “Zëri yt u derdh si një shushurimë valësh./ Mund edhe të mos kishe ardhur/ dhe gjërat mund të kishin mbetur si më parë” (35).