Bedri Halimi; “SYTË E MALLIT”, poezi, botoi “SHKYP” – 2019
Me Bedri Halimin (1963) dhe poezinë e tij takohem në mënyrën më të dëshiruar, ku dashuria njerëzore lidh dy kahet e baraspeshimit të kësaj mrekullie vargjesh plot jetë. I njohur për auditoriumin artdashës, me tituj të shumtë veprash letrare, prej dekadash, me aktivitetet e pandalura në frymën e artit e të kulturës, prurjet e tij në botën letrare dhe artistike inkurajojnë edhe gjenerata të reja krijuesish, veçanërisht nga trevat prej nga vjen edhe vet autori.
Veçantë, nga gjithë veprimtaria e tij krijuese letrare dhe ajo studiuese, poezia e ka vendin e saj meritor në opusin e tij krijues prej dekadash, për aq sa është i pranishëm në botën e letrave. Këtij vargu veprash poetike i vijnë edhe “Sytë e mallit”, për ta kundruar botën imagjinative, jo vetëm përmes vargut, po edhe me ndjeshmërinë e drithërimat e zemrës, me butësinë e njeriut dhe mallin e pashuar për asnjë çast. Kjo, mbase edhe do të jetë gjithë rruga që ndjek vargu poetik i Bedri Halimit, për tu ngopur ajër nga fryma e erosit, që gurgullon nëpër kapilarët e gjakut të qiltër të shpirtit, me afshin e pashuar stinëve të jetës.
Drithërima universale që e “mbajnë zjarrin ndezur”
Poezia “Ti e mbanë zjarrin ndezur” që mund të konsiderohet programatike, si nismëtarja e gjithë lëndës poetike në këtë përmbledhje, sikur e provokon pambarim poezinë - epilog “Të dashuroj sërish për herë të parë”. Krejt kjo “vegëz” e ndërlidhjes vjen si preambullë e poezisë që do ta takojmë gjatë gjithë rrugës së “shfletimit” të librit poetik “Sytë e mallit”. Ky mendim vjen si një rikthim i kujtesës nga e para, që nënkupton se asnjëherë nuk mbaron dashuria e poetit, as atëherë kur e ka mbyllur një kapitull jete, të shprehur përmes vargjeve plot zjarr që djeg përbrenda unit të tij krijues, as kur ka kaluar një moshë, tashmë. Në fakt te dashuria, mosha është e përjashtur gjithmonë! Këtu pajtohet edhe vargu kryeneç i Bedri Halimit, rrugëtimi i të cilit sikur nuk din të ndalur.
“Po dashuria ime ç’qe?
Rrjedh si lumë
Përditë e më shumë
Athua paskam shkelur në hijen tënde?
Urë e dritës sime?”
(“Ti e mbanë zjarrin ndezur”, fq. 5)
Kështu, poeti shpreh besimin se gjithmonë “Pas hijes tënde do bredh/ Edhe kur fryn era”, me gjithë pengesat që mund të dalin në jetë; ai aludon në pambarimin e kësaj dashurie, me premtimin se “Do endem rrugicës së pranverës/ Dritë t’i bëjmë natës jetime”, një gjetje e mirë poetike kjo, për të shprehur fuqishëm ndjenjat e pashuara të dashurisë. Kjo si duket mbetet rruga dhe synimi i veçantë, përmes të cilit vazhdon të dashuroj me fuqinë e mrekullisë edhe përmes vargjeve, si parafytyrim, që vjen si simbolikë e pranverës, stinës së bukurisë që do ta përcjell në vazhdimësi.
Në kontest të kësaj ndërlidhje, si rrumbullaksim i pranueshëm i dy skajeve, citoj vargjet: “Asnjëherë s’të kam parë trishtueshëm/ Pëllumbeshë e rrugës sime” (“Të dashuroj sërish për herë të parë”, fq. 166). Kjo, mbase e përmbyll qëndrimin e pathyeshëm, duke shpërfaqur në pambarim dashurinë ndaj një figure që do t’ia bën të pandalshme këtë ecje, deri në adhurim.
Korrespondimin mes këtyre dy poezive, si përkufizime të qëndrueshme të një paraqitje të mirë e sforcojnë vargjet përmbyllëse: “Të dashuroj sërish për herë të parë/ Si era që përkund thekrën”, (po aty, fq. 166), për të mbetur gjithmonë i ndezur mes tyre ky zjarr dashurie.
Kështu, që në fillim poeti shprehet se “E dua buzëqeshjen tënde”, me besimin e ndërsjellë, prej nga gjatë gjithë rrugëtimit poetik, do ta takojmë të hapur, plot ëndrra, premtime, dëshira, e mbi të gjitha, ai nuk ngurron të ngris lart “Himnin e jetës”, që siç do ta shpreh këtu: “Mendoj për stacionet e mëngjeseve/ sonte është mbrëmja jonë/ Si ngushëllim këndojmë me gëzim/ Himin e jetës” (po aty, fq. 9). Padyshim, poeti nuk mund të mos e shpreh gëzimin, këngën, klithmat, e herë – herë edhe të ngushëllohet për situatat që do ta preokupojnë, por gjithnjë me qëllimin e vetëm, që dashuria të mbetet fryma e përhershme që e mbanë gjallë vargun e tij. Ky hymnizim përcillet gjithandej në poezitë me motive dashurie. Nuk ka asnjë dyshim, se kjo poezi rrjedh nga thellësia e zemrës, duke prekur gjithçka që e identifikon unin krijues në përcaktimin e paraqitjes sa më unike të personazhit të vetëm, dashurisë, që ndonjëherë e kërkon edhe në thellësitë e tokë-shpirtit të tij, duke e shprehur besimin se “Gjeta derën e minierës”, apo personifikimin e syve me shkrepjen e dashurisë. Bedri Halimi nuk ngurron ta identifikon edhe vetëveten, kundruall shprehjeve e epiteteve që i jep bashkëbiseduesit në poezi, për ta mbajtur gjallë e të pamposhtur besimin se edhe ai ka detyrimet e tij, që para çdo furtune të ndieshme e shpërfaq me fuqinë e vargut, si “ushtari i zjarrit të pashuar”, që nuk ndalon të “Laj borxhin e fjalëve lutëse/ Për të mbetur gjallë/ Të mos thahet Fara e Fatit/ T’a gjejmë shpirtin aty ku dhemb” (“Të këndojmë këngë për vete”, fq. 23).
Poaq i trazuar është uni i tij në kërkim të qetësisë shpirtërore, që nuk pushon asnjëherë, derisa në një çast do të shprehet:
“Nëpër botë kërkova shtëpi
E gjeta në zemrën tënde
Kurrë më
Larg njëri tjetrit
Nesër përsëri është ditë”
(“Shtëpinë e gjeta në zemrën tënde”, fq. 41)
Me agun e ditës, poeti vazhdon përsëri e përsëri rrugëtimin në prekjen e hyjnisë, atë frymë që do ta përcjell si një bashkudhëtar I pandalur, edhe atëherë kur “Këndojmë këngën në ardhje”, edhe në çastet kur dëshirojnë “Ta shuajmë mallin e gjurmëve të mëkatit”, me fiksimin për dëshirat, që gjithnjë i synon “Ta shijoj magjinë e buzëqeshjes sate” për tu shfajësuar me ftesën që ia dikton zemra: “Eja strehohu në buzëqeshjen e zemrës sime” se “pa leje preka gjethet e tua”. Një rrugë plot ngjarje e sprova, e bënë të dëshiruar këtë poezi, e cila në brendinë e saj ka mrekullitë e jetës dhe ëndrrat e pambarim, që do t’i mbruaj në jetën e tij, poeti.
Ecja e vazhdueshme rrugës së trasuar të dashurisë, ku poeti nuk do të zgjedhte as kohën, as situat, as stinët. Edhe në netët e vona, ai do të pres gjatë e do të shpreh “Lojën e dashurisë”, që nuk dyshon se i përket vetëm asaj “pa alternativë”, për t’ia thënë hapur se “Dialog do bëjmë sonte” por “Titull nuk do t’i vëmë natës”. Në një kohë të tillë, nuk rresht së shprehuri ftesën e pafund, duke e përçuar si refren: “Ftesë të bëra sonte/ Flokëgjata e verës/ T’a shkruajmë dhembjen/ Pa lotin e mbramë/ Pa protesta pasive” (po aty, fq. 51). Kjo, mbase tregon synimin e tij, që ta vazhdoj këtë lojë në pafundësi, pa kujtuar ndarjen që përshkohej nga lotët. Loti sikur qëndron pezull si hije dhe gjithmonë e kërcënon poetin, duke i dhënë shkas të kërkoj parreshtur forma e mënyra, shprehje e gatishmëri që ta çoj tutje këtë frymë dashurie, pa mos e duruar as edhe një element ndërhyrjeje, që do ta shkatërronte, deri në një pikë loti, si kujtim i një ngjarje që ka ikur. Edhepse autori do të ndien njëfarë sigurie pas gjithë këtyre ftesave, ai përsëri i sugjeron “Sonte mos më le vetëm”. Kjo mbase flet mjaft për besimin dhe frikën, njëkohësisht, që këtu interpretohen dy anët e një dashurie, ku besimi dhe frika qëndrojnë si dy skaje të kundërta, me mëtimin që ta mposhtin njëra-tjetrën. Kjo retropasqyrë e kundruar në vazhdimësi, e cila paraqet dy kahet e dashurisë, në poezinë e Bedri Halimit, ndjek kursin e pandryshuar, pothuajse deri në mbyllje të librit, për të ndërtuar fuqishëm një “poemë për dashurinë”, siç shprehet Flora Brovina, në një vështrim kritik për këtë poezi. Ky ndërtim poetik me të gjitha vlerat, rreziqet, dyshimet dhe pasigurinë që mund të kanosen në çast, e deri në sublimen, dashurinë e ngulitur në thellësinë e shpirtit, qëndrojnë të palëkundura, sepse vetëm “Me ty dashuri/ Sytë kafshohen duke u puthur/ E duke trokitur në zemrën tënde/ Me supin e kohës sonë” (po aty, fq. 54). Kjo që do ta thotë poeti, nuk i mjafton për ta krijuar besimin në plotni, prandaj në një çast tjetër do ta përforcoj besimin me veprime të tjera, që e përshkojnë dashurinë, sepse “Buzëqeshja jote - banesë e shpirtit tim”, në vazhdimësi synon ta mbajë sa më afër, deri në shpirtin e tij, banesën e sigurtë, prej nga nuk do të lejohet të shpërngulet për asnjë çast të vetëm. Gjetjet poetike që i sjell këtu Bedri Halimi, mëtojnë ta sendërtojnë baraspeshimin e asaj që u tha përmes shembujve e citimeve të shumta, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e fjalës poetike. Këtë mendim e përforcon deri në plotni poezia “Dashuri e një jete apo jetë e një dashurie”, që vazhdon të ruaj baraspeshën e veprimit të këtyre poezive, që pikturojnë dashurinë, me lulet, ngjyrat, gjembat, me gjethet që e përshkojnë hijeshinë e vargut, deri në krijimin e një fushe të bleruar dashurie, që di ta sjell këtu poeti.
Bedri Halimi nuk ndalon ta pagëzon me shumë emra e epitete dashurinë e tij, që farfurinë në jetë e në ëndrra të pafund, si: Gurrë e dashurisë, Zogëz e ngujuar, Stina ime, Penelopa ime, Liqeni i dashurisë, Lirika ime, Shatërvani i etjes, Pulëbardha ime, Shkëndija ime, Valltarja ime, Mjellmë e bardhë, Perëndeshë e ëmbël, Flokëverdhë e bukur, Valltarja ime, Vashë e Diellit, Nuse e qiellit, Perëndeshë e urtisë, Bukuroshe e fjetur, Pulëbardhë me krah, etj. që do t’i takojmë përgjatë gjithë librit të ndërtuar prej njëqindëenjë njësi poetike. Poaq funksionale e bëjnë vargun edhe toponimet e shumta reale dhe të sajuara nga imagjinata e poetit, si: Te Kroi i bardhë, Lugina e Diellit, Shtigjet e blerta, Te Guri i Shpuem, Guri i dashurisë, e shumë të tjera, që mbizotërojnë gjithandej ku poeti do ta identifikoj portretin e saj, me bardhësinë që nuk shterron, me diellin, që edhe në thellësitë më të mëdha shkëlqen me rrezatimin engjëllor prej dashurie.
Binomi i dashurisë
Dashuria, si yshtje e vargut të Bedri Halimit nuk ndalon të futet labirintheve të jetës, të shtegtoj gjithandej kah mund të preket ndjeshëm pulsi i zemrës së “lënduar” dashurisht. Ky varg gjithësesi shtron rrugë e hap shtigje të pafund deri te pikëtakimet e panumërta të frymës që valëzon me qëllimin e vetëm, bashkimin e mendimeve, dëshirave dhe ëndrrave, përtej përditshmërisë plot sfida e obligime në jetë. Këtu arrijnë pikëpjeken e bukura dhe besimi, dy elemente që kurorëzojnë binomin e dashurisë. “Mikpritje të bëj te shkëmbi/ Me këmishën e dimrit/ E urta, e mira – Mollë” (“Mikpritje të bëj te shkëmbi”, fq. 63). Kjo zënje prite, reflekton si mikpritje e befasishme “E kur të vijë mëngjesi/ Gjurmët do t’i fshijmë/ Me kujtimet e natës së kaluar”, duke rikujtuar se “Pranë teje edhe të tjerë shohin ëndrra” (po aty, fq. 63). Por, ai nuk do të ndaloj këtu, meqë synimi i tij duhet të arrijë pikën e saktë të qëllimeve. Prandaj, ai do ta kërkoj të bukurën edhe shumë më larg se kaq, madje edhe përtej oqeanit, për ta prekur ndejshëm unin e tij prej të dashuruari pambarimisht. “Unë kërkoj diçka në oqeanin e qiellit/ Çfarë bëjnë ata që s’dinë çka është dashuria” për t’i dhë përgjigjen e hidhur, se ata “E kapin përdore tragjedinë/ Kafshohen duke u puthur” (“Të kërkoj në oqeanin e qiellit”, fq. 64), me besimin se është ai që ka zënë pusinë “Te gryka e burimit/ Pa maskë” dhe përfundimisht shpërfaq guximin: “U ngrita të betohem në ty/ Në dhembjen e dashurisë” (poa ty, fq. 64”. Poetit sikur nuk i mjaftojnë këto veprime. A ai nuk pushon së vrapuari për ta zënë “kohën në ardhje”, meqë po i ndodhin befasi nga më të ndryshmet:
“Ç”po ndodh me ne o Zot
Më lini të qaj e të digjem
E t’ia nis nga fillimi valles
E të bjerë shi e borë
Diçka do të lind nga gjaku im”
(“Vrapojmë të zëmë kohën në ardhje”, fq. 92)
Një citim i vargjeve që në vazhdimësi tingëllon si simfoni e pambarim, do ta fuqizonte binomin e dashurisë edhe më: “Ne dy – dy trupa/ Të së sotmes/ Që kurrë ndarja s’na pret/ As nga lumi i turbullt”. (“Ndarja kurrë s’na pret”, fq. 111). Poaq fuqishëm reflektojnë edhe poezitë: “Është zjarri që na përtrinë”, ”Nuk je bimë që do hije”, “Lule në rrezen e zemrës”, “Të pashë ëndërr”, etj. që tashmë kanë krijuar “rrjetën” e depërtimit shpirtëror –poetik dhe padyshim qëndrojnë bukur në familjarizimin e tyre si çasje të qëlluara tematikisht.
Syri si objektiv dhe frymëzim
Simbolika e gjithë materjes poetike të librit, identifikohet me titullin “Sytë e mallit”, që përshkruan pothuajse në saktësi ndiesitë e autorit për sytë, si organe të të pamurit, të vrojtimit, të vigjilencës, që të gjitha s’bashku përbëjnë fuqinë narrative të vargut të kësaj përmbledhje poezish, kryesisht me motiv dashurie. Poeti, që në fillim jep kordinatat e pikëtakimit, pikërisht “Te pragu i derës/ Erdhe si gjethe e këputur”, për ta ndier afrinë e saj, pa mos i kursyer fjalët më të zgjedhura, që këtu shprehen përmes syve:
”Sytë e mallit tim
Të përshëndesin mbrëmjeve
Elegji i këndojnë gjelbrimit
Me ngjyra të lazdruara
Reprizë i bëjnë kujtimit të këputur"
(“Sytë e mallit tim”, fq. 66)
Poeti, shkon edhe më tutje në krijimin e fjalëve dhe shprehje nga më të spikaturat, prej nga veçuam vargun “Unë gjahtari i fluturës”, me të cilin personifikon fuqinë e besimit tek vetja e tij, se dashria është gjithnjë në fluturim, rreth së cilës duhet durim që ta pikasësh. Ajo vjen krahlehtë, e kujdesshme dhe plot ngjyra, që farfurijnë rrreth e përçark, duke yshtur edhe poetin në çdo çast, meqë aty sheh ngjashmëritë mes tyre: “Dhe çdo gjë n’a ngjanë”. (po aty, fq. 66). Syri, si fuqi joshëse nuk njeh kohë as kushte. Ai edhe në errësirë do të depërtoj thellë në shpirtin që e pikas: “Të gjeta sërish/ Peisazh pas mensnate/ Si mos të flas me ty/ Duke dëgjuar këngën që na pëlqen”, për të shpalosur botërisht se në situata të tilla “Botën e shohim / Me sytë e zemrës/ Lajmë borxhet e dashurisë/ As heshtje – as harrim/ Këngë rinie deri në amshim”, (“Me sytë e zemrës lajmë borxhet e dashurisë”, fq. 142). Ky rinim do ta përcjell në vazhdimësi poetin, ndonëse mosha ecën, por “Syri i zemrës” nuk ndryshon për asnjë çast ta shoh ashtu të rinuar e plot vrulle jete personazhin që pikon dashuri.
Me këtë tematikë, ku syri është objekti dhe frymëzimi që e mbanë pezull muzën krijuese të Bedri Halimit, takojmë edhe poezi tjera, si: “Sytë tu-shkrepje dashurie”, “E kërkoj veten në çerpikun tënd”, “Me ty unë shoh më larg”, “Të pashë ndërr”, “Me sytë tu nisem nga fillimi”, “Syri i dritës sime”, “Me syrin tënd kthehesh në etjen time”, etj.
“Trokas në Portën e zemrës sate”
Ndodh që përcaktimi i një pike të qëllimshme të fiksohet për kohë të gjatë, duke imponuar kushtimisht arriitjen e cakut, pavarësisht rrethanave që krijohen. Mbi këtë supozim e gjejmë edhe pikësynimin e vargut të Bedri Halimit, që parreshtur ngulmon në arritjen e një caku, duke lëvizur gjithçka që takon, me guximin të “Trokas në Portën e zemrës sate”, edhe si i paftuar, por “Duke menduar në bukurinë tënde”, do t’i rrëfehet personazhit të tij. I joshur nga ajo bukuri, me ngulm do të vazhdon: “Rrëfehem edhe për gotën e zbrazët/ Për kaltërsinë e shpirtit/ Për të paplakurën time” (po aty, fq. 116), i trazuar nga ndiesia shpirtërore. Është normale, që në momente të tilla mos të shoh asgjë tjetër, veç rinimit dhe bukurisë që e rrethon, pa mos ia ditur as kohës, as moshës, e asnjë fenomeni tjetër, duke e përforcuar bindjen e poetit se gjithmonë pjesë e pandarë në jetën e tij është dashuria, si promotori më sublim i ruajtjes së freskisë shpirtërore. Edhe atëherë kur do ta ftonte “Eja te porta e shpresës”, të njëjtin synim do ta kishte:
“Eja pra te porta e shpresës
Të flemë
Me pejsazhin e zjarrit
E djeshmja në ikje
Korr fatin e së nesërmes”
(Po aty, fq. 117)
Ky zjarr vazhdon të brambulloj para çdo porte që do ta mësyn poeti, për të trasuar rrugën e pakthyeshme që “Më nxit të jam poet/ Përjet i mbytur/ Pas teje”. Përjetësia si fiksion i ndryshon gjithçka në jetë për tu kthyer në një poet, që do t’i këndoj asaj, pas së cilës do të shëndërrohet në varg, në rimë e në melodi të përhershme, për tu pehatur ëmbëlsisht mbi oqeanin e pambarim të valëve të jetës.
Karavanit të këtij rrugëtimi i bashkohen edhe poezitë: “Sa shumë të prita duke të kërkuar”, “Pranë teje – sjell pranverën”, “Jeta jonë s’është vetëm një imazh”, “Hape derën të hyj lumturia”, “Jo vetëm sonte jam në mbretërinë tënde”, etj. Prandaj, me të drejtë e them se kjo ndjenjë e përcjell në vazhdimësi përgjatë gjithë lëndës poetike të librit.
Erosi i mallit të pashuar
Bedri Halimi luan mirë rolet e tij në Teatrin e dashurisë, prej nga do të aktroj jetën si dashuri, dhe dashurinë, si pjesë e pandarë e jetës. Ai do të mposht gjithcka që e rrethon në pengimin e ndërtimit të Tempullit të vërtetë të dashurisë. Në përkufizimin e këtij mendimi do të veçoja poezitë, që shquhen për trajtimin dhe, sidomos për simbolikën e titujve, që me një ndërlidhje të përbashkët e sajojnë një poemë të vetme, e cila nga vargu në vargun tjetër, formon kompozicionin e një karavani të pashkëputur të përshkrimeve, ndiesive, dëshirave, ëndrrave, që do të përfytyrohen në kujtesën e poetit, prej nga si në një ditar personal kujtimesh, i sjell ngjarjet e fiksuara përmes imagjinatës së tij, për të ndërtuar një poezi të vetme të dashurisë, që gjithnjë e ndien, e prek dhe nuk rreshtë së shikuari me “Sytë e mallit”.
Sipas asaj që takojmë në këtë libër, duket se kjo materje duhet të ketë kaluar nëpër “sitat” profesionale për ta sjellur tek lexuesi sa më të “qëruar” nga ndonjë primesë eventuale drejtshkrimore. Poashtu, venerohet një përkushtim i mirë në “paisjen” e bollshme me trope e figura, që denjësisht do ta fuqizojnë gjithë lëndën poetike. Kjo përkujdesje, si nga trajtimet tematike, poaq edhe nga fryma e mesazhit që e përshkon, e bën edhe më të dëshiruar për lexuesin e pasionuar.
Kaq përmallshëm derdh mallin në një mallim sysh, gjithandej fushës së pafund, prej nga bredh dashuria, për të lënë hapur portën e tij prej krijuesi, që parreshtur të futen vargje e fjalë me ngjyrimin e dashurisë, si një pathos i veçantë i krijimtarisë së tij të paheshtur, madje edhe përmes ëndrrës, si pikëtakim i shpeshtë i këtyre meteorëve, që rrezatojnë dritë dashurie.
Komentarai