1.
Retë mbi Himarë
Nga Fatmir Terziu
Po të mos ishin retë mbi Himarë,
padyshim mund të shkoj drejtpërdrejt
zgjedh yjet në plan të parë
një nga një
nga ky qiell i sertë,
bëj me to një gërshetë
në flokët e tu të gjata
mbi valët e bardha
ku deti shtrihet si një qilim mëndafshi blu
sa më i ndjeshëm bëhet,
sa më bukur që shihet,
shoh historinë që fshihet
ndjej kohën që zhbëhet.
A kam arritur akoma?
Vetëm iki në thellësi të ndjenjës
më lër të përhapem në pastërtinë e kaltër
mbulesën e shtruar në mikpritjen e lashtë
në mes të hartës
jam ende duke ecur pa fjalë.
Edhe nëse bie shi,
retë mbajnë peng vetveten mbi Himarë
dhe një tufë pulëbardhash,
si një ogur i mbarë,
mbeten mysafirë në sytë e mi,
ndërsa shkruaj vargjet e bardha
për këtë poezi.
2.
Guri i Qafës së Muzinës
Ai tregon përrallat e shiut
nën çatinë e vjetër të shtëpisë.
Nga kërcitja tingëllon melosi vetë
sikur zëri i tij në ngjitjen e rëndë,
është vulosur në timbrin e përjetësisë
në këngë.
Kur e pashë për herë të parë
kisha humbur në mendime,
se si ishte i lindur me fat
të rrëmbej mjeshtërinë e ustallarëve
e të bëhej palë me mushtin e baltës amtare
duke zgjuar çdo pranverë mes dritës
në Qafë të Muzinës.
Tani një relike enigmatike pas xhamit të makinës,
mbase ritregon përralla të tjera
të Gurit të Qafës së Muzinës
dëshminë e gjendjes në këtë, festën e tij të fundit,
ai e përgatit veten për jetën e re në një shtëpi,
me petkun e tij të ri,
një gjuhë të re me kurorën e tij
për të mbuluar këtë çati.
3.
Bistrica
Çfarë e dallon këtë lum?
Dy hidrocentrale dhe një udhë,
një kanal,
një ndalesë e harruar peshku,
një rezervat.
Lënia e një lumi në shpërdorim
është një mision i gabuar,
si mielli, derdhja e tij rrugëve nga një thes i grisur
i ngarkuar një kali të harbuar.
E ndjej përcëllimën e një trofte në zjarr
për të ushqyer miqtë
dhe për të të fshehur në tym
një faqe të grisur të historisë.
Çfarë është një lum i harruar?
Dy dehje
dhe një i dehur.
Ju do të habiteni
ndërsa do të shkulni thinja të lagura
nga ikja në kohë të shkuar,
mbi lëvozhgën e një veze të ngjyer për Pashkët.
Dhe në rrjedhë të kësaj legjende,
historie,
pagëzohet me Ujë të Bekuar
bija e një perëndie.
Çfarë është bija e një Perëndie?
Dy gjinj,
një bark me të ardhmen e pastër brenda.
Në këto rrugë me dredha
ku tërhiqet e përhumbet vetvetja
si skaji i një fustani,
asgjë më shumë se kalvari i një lumi
vetëm disa kujtime mbi udhë lashtësie,
në këtë rresht të kësaj poezie.
Timo Merkuri
Fotografitë me duken te freskëta, apo eshte efekt i cilësisë. Urime per lirizmin poetik.
Lame Fandi
Frymemarrje e gjere dhe lehtësuese e shpirtit nga nje triptik mozaikor poezish. Pergezime, Fatmir!
Kostandin Vogli
Mjaft bukur. Nje kenaqesi ndjeva per keto poezi. Ose per kete cikel poezish te hedhura keto tre dite. Nje perle per bukurite e rivieres dhe te tjerat, Muzine, Bistrice e fameshme. Suksese.