
Retë janë si limoni
Nga Fatmir Terziu
E di, Ti tërheq vellon zvarrë
në majë të Tomorit
fytyra e diellit
shtrydh nga larg
bulëzat që varen gjerdan,
degëzimet rrjedhin të fryra
bashkë dëgjojmë një kitarë,
dhe bulëzat ruza të bardha në qafë
vallëzojnë të dremitura
ndërsa heshtja qeras pa fjalë
buzët e tua të etura.
Era bredh shpatull mbi shpatull
spatula shpërndan bojë të paparë
për të vizatuar dy shpirtra të çmendur
u dashka shtrydhur një mal.
Eja! Eja! Si era …
… nëse lë trëndafilin e butë mënjanë
dashuria është si kjo shtrydhje atje lartë
qëndro pranë e më pranë,
ndërsa Tomori
rishkruan enkas me laps:
retë janë si limoni!
Mall
Nga Fatmir Terziu
Ndjeva një lule që shpërndante nektar
ndjeva një gur që pëlciste si strall
ndjeva një ditë që rrezatonte dritë
ndjeva një vegim që të zgjonte Ty
sa shpejt më mbete në sy.
E në të gjitha më pas ndjeva në refren
një karrocë, një makinë, një tren
të gjithë shpërndanin tingullin e kumurive
bashkohej ky korr në aeroplanin në lartësi
fshinte pluhurin në xhamin e tij ...
2020
Egnatia
Nga Fatmir Terziu
Ke mbetur brenda një blloku shënimesh
brenda një libri me fjalë nga malli
ke mbetur Ti
ke mbetur brenda një flete letre të bërë nga pranvera
nga vjeshta më duhen miliona rrufe të të ndjej
brenda një libri më vete
të të zbërthej
brenda një muzeu të mbuluar nga gjethet
brenda një milionë viteve
që drillen nga ethet.
Ke mbetur
ke mbetur brenda një xhami larg ujit,
brenda një loti të dehur
ke mbetur mbi gjurmën e kalit të të huajit
në kalldrëmin me gurë të vdekur.
Kishe mbetur dhe ishe tretur
mbi shtratin e një Kalaje në dëshpërim,
kishe mbetur një shtambë që shtronte miliona pyetje
ndërsa hapja sytë këtë agim
plot etje.
2019-2020
Shiu që na lag
Nga Fatmir Terziu
E gjitha shkon në një pikë
pastaj vetëm pikë
pikë
pikëz…
ndjek retë tinëz e qielli tkurret
tkurret përsëri
në ndjesi
në sy
mbetesh vetëm ti e bardhë borë
derisa më tretesh e tëra në dorë.
Dhe unë
të korrigjoj duke menduar akoma më shumë,
mbrolën që zbret si një alarm,
pastaj vendos një maskë,
të mas forcën e frymës në çdo rast,
meteorë që bien, muskuj zanorë që çirren,
kuajt dhe era,
kaçurrelat e dendura që shpërdridhen,
dhe mjaft ngjyrime që rrethsillen,
në një pikë,
një pikë,
një pikëz…
dhe unë vazhdoj të të shoh tinëz
në një udhë të madhe plot meteor
ku shkuljet zhurmojnë, dhimben, përmallen,
me zërin e tyre njerëzor.
E pastaj me gishta
mas litarë të hollë e të trashë
rënien e ujtë dhe faturat si bisha
pastaj qielli tkurret,
tkurret,
tkurret më shumë,
kur të shoh gëzohem,
bërtas në gjumë,
me sytë hapur
shoh se notojmë si shkumë
mbi dy dete,
mbi një lumë…
…e unë jam në kulmin e dritës
në një pikë,
pikë
pikëz…
mbi një varkë
bulëza solemne të harlisura që shkrihen
me shiun që na lag.
2020