top of page

REPUBLIKË NË QYTETTH


Vasil Vasili

Në shtëpinë me shumë sqimë të një zotërie, në tremen e saj, pashë një varëse druri të pazakontë, mbushur me kapele republike. M’u ngjit menjëherë shikimi mbi ato forma të bukura me ngjyra të errëta, të derdhura enkas për madhështi burrash. Mes tyre, një e zezë e thellë, me stof të prajtë, s’di pse e quajta Republika Numër Një, qëndronte hijerëndë si mbi kryet e një burri një e nëntëdhjetë e shtatë i lartë, i veshur me pallto të gjatë të zezë prej stofi të rëndë. Burri befas nisi të ecë. Hapi derën e jashtëme, zbriti shkallët dhe doli në rrugë. Kindat e palltos i hapen nga hapat që hedh. Midis dy kindave, duket vija e hekurosjes së pantallonave, edhe ato, me stof të errët. Është prag muzgu. Fillikatinë ia spikat jehona që lënë shojet e këpucëve të zeza. Në rrugë dëgjoheshin përshëndetje edhe pse s’kishte njerëz. Mirëmbrëma zotëri, mirëmbrëma, përshëndetje të sinqerta dhe shumë të nxehta, natën e mirë zotëri. Zërat ishin në tonin e duhur, çdo zgjatje tingulli ishte rreptësisht e kontrrolluar nga paraardhësit, të cilët kishin ditur t’i jepnin zërit një edukatë të shkëlqyer mirënjohje dhe ua kishin lënë këtyre njerëzve të sotëm, që aq besnikërisht e përcillnin nderimin në përshëndetje. Burri i përshkoi edhe metrat e fundit të shetitores dhe u fut në një rrugëz. Pak çaste më vonë, Republika Numër Një zuri vend mes shoqeve në varëse. Ngrita dorën gjer te kryet dhe, me mendjen time, bëra lëvizjen e vendosjes së kapeles dhe e përfytyrova trupin tim duke ecur në rrugë si ai burri madhështor që porsa e vendosi republikën në varëse, po u kujtova që isha në një shtëpi të huaj dhe s’duhej të shikoja me lakmi sendet e tjetrit. Dëshira më kishte dalë jashtë trupit dhe atë mund t’a kishte marrë dikush. Ngasjen për të patur një kapele republike e kisha mbajtur në largësi të dëshirës dhe rrallë, kur ajo më tundonte, isha po unë që e shtypja tundimin, por sot nxorra edhe një ofshamë. Kur e morra veten nga gjendja e sapokaluar dhe nga zbrazëtia e krijuar nga ofshama dhe, kur trupi i kishte ndëruar lëngjet e pakmëparshme, ndjeva pranë meje një zotëri me trup të imët e me gishtrinjtë e duarve shumë të rregullt që sikur plotësonin harmoninë e tij. Unë desha t’i them atij më fal, një më fal të dlirë, që të m’a pastronte shpirtin dhe të shkarkohesha nga kjo gjendje e njeriut me dëshira të paplotësuara, që kërkon t’i përmbushë në shtëpinë e tjetrit. Zotëria, për habinë time, më pyeti se cilën republikë dëshiroja. E pashë për herë të parë në sy. Andej s’vinte asnjë qesëndisje e stërrholluar. Ai po priste dëshirën time. Me siguri i kam thënë – faleminderit, zotëri! Mua, si të them, s’më shkojnë këto forma kaq të bukura, se jam njeri i rëndomtë, se flokët e mi s’mund të mbajnë një stof kaq të shtrenjtë dhe të bukur, se unë s’kam grumbulluar në shpirt dëshira kaq të mëdha... Ai ishte shumë i zgjuar për të mos rënë në kurthin e fjalëve të rreme dhe më befasoi kur më tha: “ Kam tridhjetë e shtatë vjet, që të shfaqem çdo fund vjeshte, kur drurët ndjejnë dhembjen e vetmisë për gjethnajën. Kishe parë një ditë në qytetth një burrë të panjohur me pallto të madhe të gjatë, që ecte i vetmuar për shkaqe të ndryshme të panjohura, a për shkakaqe të trubullta të dëshirës dhe të la mbresë. Ajo që të mbeti vragë në shpirt ishte hijeshia që merrte ai burrë nga kapelja e zezë republike. Sot, mund t’ja rindërtosh me përpikmëri miset që i rrezëllinin fytyrën. Veçse nga gjithë ndjesitë që përftove nga ai zotëri, ishte një krenari madhështie, që i dilte nga vetvetja dhe futej përsëri në vetvete. Sa bukur vinte kjo gjendje në sytë e tu. Hapin e kishte të gjatë, të rëndë. E përfytyrove si gjeneral utopik qytetar, që kishte pallto të zezë, të gjatë dhe republikë të vetën, që ecte në mes të qytetthit, i cili s’ishte mësuar me kësi pamjesh që vinin nga qytete të mëdhenj. Ndale dhe t’u duk gjëja më e natyrshme t’a shoqëroje me vështrim, ta thadroje në trurin tënd të ri. Në atë çast, pikërisht, atë po bëje, po e thadroje ethshëm dhe me kujdes, që kur të duhej, për shkaqe të ndryshme zemre, shijesh... t’a nxirrje të pacënuar nga kujtesa dhe ta këqyrje dhe përsëri ta këqyrje si gjedhen më të bukur njerëzore, për veshjen dhe për qetësinë madhështore. Çasti më trazues ishte kur të humbi nga sytë, në një kthinë të fundit të rrugës. Doje, që atë pamje, ta kishe gjersa kujtesa të ishte e gjallë, po e ngushëllove veten me një mendim me remb filozofik, - pamjet shfaqen vetëm përkohësisht, prandaj janë edhe aq të dashura. Diçka e panjohur me ngulm të padukur, rrekej të t’i hiqte nga kujtesa pamjet e përftuara. Fytyra e atij zotërisë, me republikë të zezë dhe me leshra të bardha mbrapa saj, të ka mbetur e pacënuar. Ti e ke mundur ushtrinë e padukur të asaj diçkaje të panjohur që sjell harresën. Ke tridhjetë e shtatë vjet që atë çast e rriprodhon besnikërisht, madje i shton atij çasti edhe disa hollësira, që të erdhën pas mahnitjes së parë dhe, kujtesa t’u bë krejt e lirë për të shijuar me të gjithë fuqitë e saj atë pamje, në çdo çast, pas çdo viti. Dhe mbete, që atëherë, me një republikë në shpirt, me veshjen dhe me shpirtin e saj. Çdo vjeshtë, kur drurët e pemëve mbeteshin cullak, të kujtonte si asnjëherë pamjen e atij burri. Zotëria që më fliste mbërtheu kopsën e sipërme të xhaketës. Unë s’po kuptoja si ja kisha shitur falas gjithë të fshehtat e mija këtij njeriu trupimët. Duke folur ai largohej, gjersa pamja e tij u tret. Një çast dyshova se zotëria që më foli ishte kujtesa ime. Vetëm për një gjë jam i sigurt, do krijoj historinë time të republikës. Askush s’ka të drejtë të më qortojë se jam shumë i vonuar në vendosjen e republikës. Edhe çasti, edhe mosha ime është të marr një vendim pa brerje ndërgjegjeje. Tani edhe unë do jem një republikë.

Në shitoren e sendeve të madhështisë, kështu e përfytyroja, u drejtova në kthinën që dëshiroja. Shitësi, kur hyra, me mundim e ndryu habinë, por u kujtua se ishte aty për të shërbyer dhe se unë si blerës isha zotëria i tij. Në mendjen time gjithçka qe e paravendosur. Unë s’isha në shitore që të bleja një bastun të punuar me shije, me unaza metalike, as të kërkoja një kapele të thjeshtë me strehë, asgjë nga sendet e luksit, që ishin me shumicë këtu, s’dëshiroja. Kisha ardhur të përmbushja një dëshirë të kahershme, që i kishte qëndruar trimërisht rënimit të kujtesës, prandaj i thashë me ton të plotë, dua një kapele republike të zezë, me stofin më të mirë, me numur pesëdhjetë e gjashtë. Shitësi tha një siurdhron miratues dhe, pas pak, erdhi duke zbrazur lëvdatat më të shkëlqyera për mallin që po merrja dhe e mbylli ligjërimin me fjalët, e denjë për shkallën më të lartë. Bëra provën para pasqyrës, pagova dhe dola. Asnjë pengesë s’kisha tani, qoftë edhe formale. Kostumin e kisha në varëse, gjithashtu edhe pallton e zezë, të gjatë, dhe leshrat e bardha, i kisha. Ishte ora dhjetë e paraditës së djelë, në fund muaji, kur u shfaqa në qytet i veshur me kostum republikan. Nuk u ula për kafe, si përherë, por vijova ecjen i vetëm në shëtitore. U përhumba në vetminë time, i ngazëllyer, që kisha mundur ta sillja dëshirën brenda vetes, i lumtur, që isha sot një republikë e këtij qyteti, si edhe disa, që ishin bërë të tillë para meje. Lëvizja, por asnjëherë s’do jem në gjendje t’i shpjegoj vetes se, ku e kisha marrë atë mënyrë të ecuri të sigurtë, atë vështrim që shikonte me siguri timonieri dhe njëherësh, syçeltonte edhe brenda vetes. Ecja me qetësi paqeje dhe trupi im i imët s’e ndjente peshën e palltos së gjatë. Unë kam një botë të çiltër, gati fëminore, që s’më lejon t’i shikoj gjërat seriozisht. Unë s’jam gjak dimri. Lëngjet e trupit tim janë gjithnjë të ngrohtë sikur kanë pirë mistikën e verës. Edhe një përshëndetje, që më bëhet në rrugë, më duket si nderimi më i lartë. Sot kam edhe diçka tjetër, veç vetes time të sotme, kam shumë dëshirë të vjetër. Sot jam unë dhe dëshira e vjetër që ecën. Përherë jam dikushi i pavënre i qytetthit. Kam kuptuar, që kam ardhur në lojën e logut të jetës të plotësoj nevoja të vogla. Sot jam dëshira e vetvetes. Pasca, kur ende s’isha dehur me lumturinë time, vërrjeta se njerëzit më shikonin me habi, me ndrojë, madje me frikë dhe me gjithçka të dyshimtë që ka grumbulluar kafka brenda. Ngadalësonin hapat, më këqyrnin me një vëmendje që s’i shpëton dot as një hollësi e pavënre. Një vemendje e tillë s’përshkruhej në asnjë zej njerëzor, por njerëzit e paskeshin dhuratë nga e kaluara e tyre shumë e gjatë dhe e turbullt. Besonin se nën atë petk isha unë, po s’e besonin, që atë petk e kisha veshur unë. Përsëri më këqyrnin vështrimin, nëse ai kishte marrë trajtë marrëzie apo ishte thjeshtë vështrimi, që kishin parë tek unë, një ditë më parë. Lëkundeshin në mendimet e tyre, vinin në provë kujtesën, siguroheshin, që habia e tyre ishte edhe e të tjerëve dhe ndjeheshin më të sigurtë, më shpotitës dhe atëherë shpërthenin: “Uaaa, ky qënka Bardhyli! Si qenka tjetërsuar, i shkreti!” Më kishin kaluar përskaj disa miq, që më njihnin çdo shenjëz të fytyrës. Ata qenë befasuar edhe më tepër me petkat e mia. Pikërtisht atëherë, nga mospërfillja e tyre, fillova ta ndjej veten ligsht. Po i afrohesha metrave të fundit të shëtitores, por asnjëri nga të njohurit e shumtë s’më përshëndeti. Kisha pritur, që sot njerëzit e qytetthit të gëzoheshin, të ndjeheshin krenarë për mua, që isha bërë një republikë si muzikanti plak, që i shpërndan tingujt e muzikës lirshëm, që vë në krye republikë me ngjyrë të çelur dhe vesh këmishë me katrorë, xhaketë ngjyrë mjalti, mbath këpucë të bardha dhe vendos kravata me ngjyra të forta dhe asnjëherë s’ja shtrëngon nyjen. Ç’qenka ky qytetth? Si s’e paskam njohur shpirtin e tij? Një herë të vetme në jetë desha të vesh petkat e republikës, po qytetarët, bënë gjasme sikur s’më njihnin. Te ne, qënka shumë herët të veshësh petka të tilla. Do shkoj të djelën e fundit të muajt të fundit të vjeshtës, të shëtis në kryeqytet. Atje do të më mirëpresin. Ishte viti i tridhjetë e shtatë, që e shikonte ëndrrën e makthshme në qytetthin e tij, përskaj një lumi të bukur.

Patra 2004

93 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page