
TRE POEZI NGA MYSLIM MASKA.
TI S’ERDHE…
Ti s’erdhe
Të më lehtësohej sadopak
Dhembja.
Më erdhi hëna,
Më puthi më përkëdheli dhe iku…
Më mirë se ajo kush e di
Ç’është vdekja dhe jeta,
Gjersa çdo dy javë
Rilind dhe rivdes…
Kapa aq sa munda rreze të saj,
Ndërsa përkëdhelja
Trupin prej balte
Të babajt.
Dhe qava:
Për babanë,
Për hënën,
Po edhe për nënën,
Që m’u bë prej dhimbjes
Sa një çupëz e vockël
Veshur me të zeza…
BISEDË ME QENUSHIN KUPER…
E di Kuper?-
Më je mik zemre,
O bukurosh i vogël, i dlirë dhe fin.
Sa e kupton
Që në shpirt kam dhembje,
Sy përlotur me gjuhë më lëpin.
Befas më ngjan
Se dhembjen ma heq
Me doçkat e buta si mëndafsh.
A nuk është e tmerrshme
Të të kuptoj një qen
Më mirë se njerëzit rreth e qark?
Eh, ta dije, Kuper,
Ç’ligësi ka kjo jetë:
Ka njerëz që s’janë sa një e qindta jote.
Ta thotë xhaxhi Lymja
Dhe kjo është e vërtetë….
RANË KAMBANAT…
Ranë kambanat
Të gjithë qenë të shurdhër!
U ndez fanari jeshil,
Të verbër qenë të gjithë!
Ra nata e tha:
“Me të verbër e të shurdhër
Si mund të çel drita?”…
E dëgjova dhe qava
Sa dhe qielli u rrëqeth:
Lot të nxehtë yjesh
Pikuan shpirtit tim
E më përvëluan…