Ramazan Hushi: Akullore me dashuri
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 1 hour ago
- 7 min read

Akullore me dashuri
Edhe pas perëndimit të diellit, atje larg, ku qielli bëhej njësh me detin Adriatik, horizonti akoma ishte i përflakur prej ngjyrës së tij të florinjtë. Ajo ngjyrë vinte deri aty në qytetin bregdetar dhe sikur bëhej pjesë e asaj mbrëmjeje korriku, ku rrugëve u jepnin jetë lëvizjet e shkujdesura të njerëzve, me zërat e tyre jetësorë, si dhe zhurmat e makinave që mbushnin trafikun, përzier me cërr-cërret e papushuara të bilbilëve të policëve rrugorë, që lëviznin kudo. Kuptohet, stinë plazhi, kishin ardhë plot refugjatë, por edhe turistë të shumtë për pushime. E gjitha kjo gjallëri jo e zakonshme, ishte tamam shenja e stinës së verës, ishte vera vetë. Dhe i gjithë ky dekor magjepsës plotësohej më së miri anekënd nga mbulesa madhështore e qiellit, nëpër sipërfaqen e të cilit, sikur të ishin mbjellë gjatë ditës, si me magji po mbinin me shpejtësi yjet njëri pas tjetrit.
Por, sidomos, pjesa më e mrekullueshme e kësaj mbrëmjeje verore magjike ishin dy vogëlushë të ulur në stolin përballë nesh. Unë me një tjetër pensionist, që e kisha takuar aty rastësisht, qemë ulur bashkë, ndërsa dy fëmijët i kishim afër. Mes nesh, pleq, e atyre dy fëmijëve, shtrihej një hapësirë kohore prej gati gjashtë dekadash. Ishin nipi dhe mbesa e moshatarit tim, me të cilin qemë ulur në një stol. E vogla ishte vajza, jo më tepër se katër vjeçe, e urtë, e ndrojtur, me flokë të verdhë dredha-dredha, si kukullat. Kurse djali ishte pak më i madh, ndoshta nja dy vjet a më pak, tip i gjallë, që nuk mund të rrinte një çast pa lëvizur, gjë që e bënte gjyshin të nxehej e herë pas here t’i fliste ashpër. Por ai si duket ia kishte pirë lëngun zemërimit të gjyshit, sepse ishte i përkëdheluri i tij i parë. Edhe djaloshit ia kanë lënë flokët të gjatë, si të ishte vajzë. Pa marrë leje fare, ai u ngrit disa herë nga stoli e shkoi tek shtërvani i madh aty afër dhe përpiqej me majat e gishta të vegjël të prekte sipërfaqen e ujit, por nuk e arrinte dot. Gjyshi u kishte dhënë të dyve nga një banane në duar e ata e hanin me kënaqësi, por edhe llafoseshin me zë të lartë, me atë gjuhën e tyre, që të kujtonte cicërimat e zogjve. Në ato çaste po provoja një lloj xhelozie thuajse fëminore, jo për moshën e atyre fëmijëve, por për moshatarin tim, që po i gëzohej nipit e mbesës së vet, kurse nipat e mbesat e mia po rriteshin atje në Itali. Dhe ishte pikërisht ajo ditë, kur gruaja, duke parë lulet që po rriteshin e harboheshin në oborr, më kishte thënë e mërzitur: “Eh, ç’kohë të keqe po jetojmë, more burrë! Po shohim se si rriten këto lule e pemë në oborr e nuk shohim dot se si po na rriten nipat e mbesat tona atje në kurbet!...”
Pastaj si duket dy fëmijët përballë nesh u mërzitën aty ulur në stol dhe zunë të loznin rrotull nesh si dy keca të vegjël. Mirëpo gjyshi i tyre na paske qenë nevrik i prapë, ai nuk ishte i durueshëm me kalamajtë dhe i mërziste ata çdo çast me fjalët “Mos këtu!... Mos atje! Jo, uluni aty ku ishit! Uluni shpejt! Ah, do ju çoj në shtëpi, nuk ju marr herë tjetër këtu tek sheshi, keni për ta parë!” Madje ai i qortonte shpesh ata edhe me fjalët “majmun, shejtan”, gjë që mua nuk më pëlqeu aspak, por nuk ia bëra këtë vërejtje atij , thjesht nga ndrojtja, nga që nuk njiheshim mirë bashkë, nuk e dija se çfarë tipi ishte dhe mund të mos i pëlqente vërejtja ime. Dhe, pas atyre fjalëve qortuese, që nuk i kanë hije një gjyshi të vërtetë, si për të justifikuar nervozizmin e tij të papërmbajtur, drejtohej me sytë nga unë e më thoshte: “Hë, e shikon apo jo?! Janë të prapë këta fëmijët e sotëm! Nuk e njohin as frikën, as turpin. Eh, ku-kuuu, me kohën tonë! Kemi qenë shumë të urtë ne atëhere! Edhe i marr mbrëmjeve këtu në lulishte, pranë shatërvanit, edhe pendohem pastaj që i mora, sepse më mërzisin shumë. Janë të prapë, s’i duroj dot!” Sakaq kaluan afër nesh një grup të rinjsh gjimnazistë, djem e vajza, me zëra gazmorë e të qeshura të zhurmshme, kurse bashkëbiseduesi im shfryu i pakënaqur: -I dëgjove?
-Çfarë?- e pyeta
kot.
-Ata,
pra, djemtë e vajzat që kaluan këtu afër nesh!- Fliste me ton të dukshëm pakënaqësie.- Ah, këta të rijtë sot! Janë pa frena fare! Nuk dinë çfarë është mirësjellja, edukata! Dikur ne... Desha t’i them me të qeshur:” Ke të drejtë ti, or mik, që flet kështu për nipat e mbesat tuaja apo për këta të rinjtë që kaluan afër nesh! Po t’i kishe edhe ti fëmijët e tu në kurbet, nuk do të të bënte zemra të flisje kështu!” Megjithatë nuk më zemëroi inati i tij. Çdo njeri gjykon aq sa ka formimin e kulturën e tij. Madje po e vështroja buzagaz nëpër fytyrë dhe s’di përse sytë më shkuan tek lulishtja në anën tjetër të bulevardit, ku tërhiqte vëmendjen e të gjithëve obelisku i madh, me dy fasha gjarpëruese kuq e zi, si fjongo vjzash, i cili më krijonte përshtypjen se ai kishte qenë aty gjithnjë, sikur të kishte mbirë nga toka; erërat e ftohta e rrihnin çdo vit, por nuk arrinin ta thanin dot e ai ngrihej e ngrihej sërish, mbuluar me guaskën e heshtjes e thjeshtësisë së tij.
Në një çast dëgjoj bashkëbiseduesin tim të më thotë: “I shikon ato dy vajzat aty përballë nesh? Unë ia kthej shkurt me një “po” gati pa zë, me mendimin që ai njeri me siguri do më ngjallë ndonjë tjetër pakënaqësi, si ato të mëparshmet. Siç dukej, ai nuk hiqte dorë nga mendimet e tij: -Këto vajzat e gratë e reja sot, që thua ti, e mbajnë trupin të dobët, hanë pak, bëjnë ushtrime nëpër palestra ose dalin e bëjnë ecje, vrapime çdo ditë në periferi të qytetit, sepse duan të ruajnë linjat, se vetëm ashtu pëlqehen nga meshkujt. Kurse krejt ndryshe ka qenë në kohën tonë, atëhere, ti e di, pëlqeheshin më shumë femrat e shëndetshme!
I lodhur duke e dëgjuar atë njeri, desha ta kundërshtoja këtë radhë e t’i thoja: “ E çë, pastaj? Mos do ti që ato të shëndoshen si pata e të bëhen me bark e tule qysh në këtë moshë?!” Por në ato çaste nipi e mbesa e tij erdhën tek stoli ynë gjithë poterë dhe gjyshi zuri t’i përkëdhelte me fjalë të ëmbla. Sidomos mbante më afër nipin, të cilit i përkëdhelte kokën e donte ta puthte në faqe, por ai me kryeneçësi i shmangej buzëve të gjyshit. Ah, kanë të drejtë që bëjnë ashtu me ne pleqtë, gati të gjithë fëmijët në botë! Kuptohet përse.
-Hë, pra, ma lër të ta puth faqen, se ma ke si gurabije!- po i thoshte ai nipit afër veshit, por vogëlushi hë-ë, e kundërshtonte i vendosur, lëvizte sa andej-këndej. Atëherë plaku përdori një “taktikë” tjetër, gabim në të cilin bien shpesh disa gjyshër. I tha nipit me ton lutës: -Më lër të ta puth faqen! Të kam xhan shumë. Po më lejove të ta puth faqen, atëherë do të të blej një akullore!-duke gjykuar që ai i kishte shumë qejf akulloret e kështu do ta kandiste nipin t’ia afronte faqen. Por jo, nuk ndodhi ashtu. Vogëlushi, si një kec i pabindur, e rrotullonte kokën e i shmangej puthjes së gjyshit. Faqja e tij nuk po i dorëzohej kurrësesi buzëve të fishkura të plakut. Atëherë ky i bëri një premtim më të pëlqyeshëm: -Hë, do ma japësh ta puth faqen? Do të të blej një akullore të madhe me tre racione!
Më bëhej edhe të qeshja, edhe të inatosesha me këmbënguljen e mërzitshme të moshatarit tim, kurse vogëlushi, i mësuar si duket, as që i vinte rëndësi lutjeve të tij, por qëndronte indiferent. Por mua më bëri përshtypje një skenë tjetër aty: pashë mbesën e vogël, e cila e kishte ndjekur me sy të dëshpëruar lutjen e gjyshit dhe refuzimin këmbëngulës të vëllait të saj. Ishte fjala për një puthje. Për një puthje kemi nevojë të gjithë në jetë. Puthjet na e zbukurojnë jetën. Por puthja nuk lypet, as nuk blihet me para a me dhurata. Vogëlushja e kishte ndjekur me interes këtë skenë dhe, kur vuri re që vëllai i saj nuk po ia plotësonte dëshirën gjyshit, ajo shpejt iu afrua e iu ngjesh e tëra nëpër trup atij e i pëshpëriti gjoja në vesh, por fjalët e saj i dëgjova edhe unë, i dëgjoi edhe vëllai i saj:
-Gjyshi, më puth mua në faqe e ma bli akulloren!... Ato fjalë të vogëlushes nuk shprehnin xhelozi, ato ishin artikuluar vetëm si një lutje për t’i kushtuar vëmendje e dashuri edhe asaj, jo vetëm vëllait, se edhe ajo kishte nevojë për përkëdheljet e për puthjet e gjyshit të saj. Në fillim plaku matuf qeshi me zë, me sytë drejtuar nga unë e më tha: “E shikon sa e zgjuar kjo e vogla?!” Por shumë shpejt qeshja i ngriu nëpër buzë, fytyra e tij mori çuditërisht një hije trishtimi dhe, i prekur thellë nga lutja e saj, e shtrëngoi me dashuri kokën e mbesës së vogël në gjoksin e tij. E mbajti ashtu për disa sekonda, mendueshëm, e puthi lehtë në kokë, pastaj m’u drejtua e më tha:
-E dëgjove ç’më punoi mbesa apo jo? Më qëlloi mu në zemër me ato fjalë të bukura! Më dha mend, ore, më dha mend kjo vogëlushe katërvjeçare!
“Mirë ta bëri, plak matuf e injorant” - iu përgjigja në heshtje.
Pas pak, të dy vogëlushët qenë ulur në stolin përballë nesh e po thithnin me zell të madh akulloret nëpër kaushë. Kurse plaku, nga ana e tij, puthte nëpër flokë herë njërën e herë tjetrin, me sytë gjithnjë nga unë. Por ato sy s’di përse m’u dukën të turbullt në ato çaste. Kurse unë po mendoja me vete që shpesh njeriu mund të lodhet edhe duke dëgjuar profkat e dikujt që ka pranë, dhe në kokë më erdhi mendimi i çuditshëm, që të rriturit, sidomos femrat, ta japin puthjen vetëm me kushte, kurse fëmijët jo. Dhe me vete po thoja, gjithashtu, që edhe ne të rriturit, madje edhe ne të moshuarit, mund të mësojmë nganjëherë prej fëmijëve. A mos ndodh kjo sepse njeriu, kur plaket, bëhet përsëri fëmijë?









Comments