-Phu, tru i mykur!- shau me vete. Ashtu bënte shpesh e më shpesh kohët e fundit për shumë nga organet e trupit të tij, që po e linin njëri pas tjetrit. Kur nuk e shikonte mirë diçka, atëherë i hakërrehej syve me të shara nëpër dhëmbë:
-Phu, sy budallenj!
Kur nuk e dëgjonte mirë diçka, atëhere shante me inat:
-Yyy, veshë për t’i grirë me gërshërë e t’ua hedhësh derrave!
Po ashtu, ai shante me vete e shfrynte edhe për këmbët, të cilat mezi e mbanin, kur hypte e zbriste nëpër shkallë, edhe për dhëmbët, që i lëviznin lirshëm nëpër gojë e nuk ia bluanin mirë ushqimin, apo për duart, që i dridheshin për kiamet, kur mbante lugën e gjellës a filxhanin e kafesë.
-O zot, po më lënë të gjitha menjëherë!- thoshte me vete e ky fakt e dërrmonte shpirtërisht.Por më tepër inatin e kishte me kokën, ku ndodheshin organet më jetësore: trutë, sytë, veshët, dhëmbët. Kësisoj koka i dukej sikur qe bërë diçka pa vlerë në trupin e tij, si diçka e tepërt. Diku rrotull vërtiteshin ushtarët turq. Ishin me mijëra. Si një lukuni egërsirash, që skërmitnin dhëmbët çdo çast, me sytë gjithë ligësi nga ai, nga pashai që s’po jepej! Si një kope ujqërish, që i vijnë rrotull një gjahu të vështirë, me sy të skuqur prej urisë, të cilët mezi prisnin që ai të dorëzohej e ata pastaj, hopa, do t’i hidheshin përsipër. Mes tyre ndodhej edhe ai, kryeujku, Hurshid Pasha, komandanti turk, të cilit sulltani vetë i kishte dhënë liri të plota, të bënte gjithçka, të harxhonte para me thasë, të bënte premtime, të gënjente, të përdorte dhe autoritetin e tij si sulltan, vetëm e vetëm që të sillte në Stamboll kokën e pashait të Janinës!
-Ah, ai kopili i Hankos, do të më shohë!..- hahej sulltani nëpër vete. Brenda konakut qetësia ishte e frikshme e Ali Pasha në ato çaste kishte rënë rob i asaj qetësie. Prej tij pritej një vendim, një fjalë e vetme e pastaj shumë gjëra do të ndryshonin, për të mirën ose për të keqen e tij e të gjithë pashallëkut, këtë do ta tregonte koha. Aty jashtë po priste me durimin e ujkut i dërguari i Hurshid Pashës, Mustafa Pasha. Nga kampi turk ai kishte ardhë deri aty në ishull me dy barka, shoqëruar nga një shpurë e vogël ushtarësh, nga më të përgatiturit. Priste fjalën e pashait të Janinës për dorëzimin e kështjellës, sepse sulltani, që zoti e lartoftë, e kishte falur. Ja, shumë shpejt, Hurshid Pasha do t’ia sillte fermanin, të cilin e kishte firmosur vetë sulltani për faljen e jetës së tij.
Brenda në kështjellë pashai shqiptar kishte mbajtur ushtarë të zgjedhur e besnikë, të komanduar këta nga kryebesniku i tij Selim Çami. Dhe këta rrinin me ura të ndezur në dorë, gati për t’i dhënë flakën fitilit, i cili do të ndizte shpejt dhjetra fuçi të mëdha baruti e kështu ajo kështjellë në pak minuta do të hidhej në erë e gjitha, njerëz e pasuri!
Pashai mori frymë e psherëtiu me dhimbje, pa ditur ç’të bënte. Mësomë si të bëj tashti, moj Hanko, foli me vete. Ishte hera e parë që i drejtohej për ndihmë shpirtit të nënës së vdekur prej kohësh. Fjalën e saj e kishte dëgjuar gjithnjë kur qe i ri. Me fjalën e saj qe bërë ai që ishte. Atëhere, shumë e shumë vite më parë, pa i mbushur akoma katërmbëdhjetë vjeç, kishte mbetur pa babë, i braktisur nga dy vëllezërit dhe pa pasuri. Ajo, hankoja, e pat mësuar se si të çante në jetë, si të bëhej trim, por më tepër si të ishte dinak. Shtatë hile, një trimëri duhen në këtë jetë! Dhe ai ashtu kishte vepruar. Ashtu bëri shokë shumë, u tregua trim mbi të gjithë ata e me ta i qe sulur Tepelenës. Kishte vrarë me dredhi kundërshtarët e vet, mes tyre edhe dy vëllezërit që e braktisën, më pas i qe sulur Janinës, duke përdorur një ferman falls nga sulltan Abdyl Hamiti. Pastaj, hëm, pastaj i qe hapur rruga e lavdisë. Kish marrë nam të madh dhe e kishin quajtur Robin Hudi i Ballkanit, por ai nuk ndjeu asgjë nga ai epitet, sepse as nuk ia dinte kuptimin atyre fjalëve. Nuk e kishte hequr shpatën nga dora. Edhe natën atë e mbante nën jastëk.
Mirëpo tashmë Hankoja qe kallur në dhe s’e ndihmonte dot. Sulltanët nuk falin kurrë, i tha vetes. Sepse ata mbahen në këmbë me koka njerëzish. Të kisha dy kokë, të paktën, dhe, eh, ia jepja njërën me dëshirë sulltanit. E, duke menduar ashtu, i sëmboi diku prapa kokës, në qafë..Kishte tri rrugë përpara: ose të luftonte deri në fund, por i rrethuar e dinte që bashkë me të do të vriteshin qindra njerëz; ose të hidhte në erë kështjellën me dinamit, ku përsëri do të humbisnin shumë jetë njerëzish; ose të dorëzohej e të pranonte faljen e sulltanit, që donte të thoshte të shkonte me këmbët e veta e ta vendoste kokën në trung, që t’ia ndanin atë nga trupi me një të goditur të shpatës..
Në ato ditë të vështira, Ali Pasha ndihej i ngopur nga jeta, madje i velur me gjithçka: me pasuri, me lavdi, me gjak, me qejfe. Por sidomos me gjak. Oh, e kishte marrë njëqindfish hakun e nënës e të motrës me hormovitët. Dhe motra nuk qe më tepër se pesëmbëdhjetë vjeçe. Atëhere e kishte zënë aq keq sëmundja e gjakut Alinë, sa që kishte vrarë e prerë edhe gra e fëmijë bashkë me burrat, me sy të errësuar nga ndjesia e hakmarrjes së egër, kishte rjepur e kishte pjekur kufoma njerëzish, pa iu dridhur aspak zemra e qerpiku.
I mbështetur, me gjithë peshën e viteve që mbante mbi vete, trupi i tij i bëshëm, veshur me rroba të shtrenjta, binte në kontrast me kokën e vogël, me flokët fare të shkurtër, ngjeshur mes dy supeve si me dhunë. Duan kokën time, mendoi ai hidhur. Duan kokën time, që t’ia dërgojnë sulltanit. E ç’e do sulltani këtë kokë, që s’është më e zonja të bëjë diçka? Tamam si një enë që rri gjithmonë e mbushur plot, herë me ujë, herë me lëngje të ëmbla e herë me të tharta e të idhta, ashtu dhe koka e tij kishte qenë gjithmonë plot: herë me mendime të guximshme, herë me mendime të bukura e herë me mendime tinëzare e ogurzeza. Deri tashti ai kishte sharë pjesë të veçanta të kokës së tij: sytë, veshët, trutë, gojën ose këmbët. Kurse në ato çaste ai po shante e po mallkonte me vete kokën në tërësi, pa çka se ajo i dhimbsej shumë. Por, përderisa të gjitha pjesët e saj qenë bërë të padobishme, e ç’i duhej më ajo kokë? Një kokë e cila rëndon kot mbi supe, tha me vete. Një kokë që rëndon kot mbi supe nuk ka vlera as për të zotin, as për të tjerët! Sepse, koka, po qe se mbetet bosh, atëherë ekziston kot, ashtu siç na rri mbi trup një çiban. -Eeehh!- psherëtiu thellë plaku. Por befas, si për ta ngushëlluar disi veten, diku në një qoshk të trurit të mpirë i feksi një mendim i çuditshëm: duke e mbajtur akoma atë kokë mbi supe, ai do të ishte gjithnjë i rrethuar nga ushtritë e sulltanit. Pra do t’i duhej të luftonte dhe të derdhte e të derdhte akoma gjak njerëzish, nga të dyja palët, edhe nga ana e turqve, por edhe nga ana e shqiptarëve. Ah, gjaku! Ngjyra e tij e ndezur nuk po i shqitej nëpër ëndrra. Çdo ëndërr që shikonte, kishte ngjyrë të kuqe. Madje, edhe kur nuk shihte ëndrra, gjë që po i ndodhte shumë shpesh ditët e fundit, shiriti bosh i gjumit i dilte pa figurë, por me sfond të kuq! Kurse, po ta flak tutje këtë kokë matufe, arësyetonte ai, atëhere këtu mbaron gjithçka. S’ka më telashe, s’ka më fermane nga sulltanët e Turqisë! Ka vetëm paqe, gjumë të përjetshëm, gjumë të gjatë, oh, të gjatë pafundësisht, me të gjitha ngjyrat e luleve. Por do të më quajnë frikacak, do të më shajnë “plak matuf”, shtoi pastaj në mëdyshje. Do thonë që pashait të lavdishëm të Tepelenës i hyri lepuri në bark dhe e pranoi faljen e sulltanit...Thellë në skutat më të errëta të trurit, ai e merrte me mend që Padishahu kurrë nuk do t’ia falte shkëputjen prej tij. Pashai tepelenas nuk ishte budalla, që të mashtrohej nga një “ferman” i tillë. Megjithatë atij ia kishte qejfi që kjo gjë të ishte e vërtetë. Kështu, duke e pranuar atë ferman si të vërtetë, ai dëshironte, në radhë të parë, të shkëputej nga ethet e gjakut. (O zot, sa gjak kam derdhur!) Pastaj, mjaft ishin shuar shqiptarët nëpër luftra me turqit, por edhe me njëri-tjetrin. Së fundi, duke pranuar atë ferman si të vërtetë, ai gjykonte se mbase sulltani mund ta bënte zemrën gur për të, tashmë që Aliu ishte me një këmbë në varr!
Jashtë, rrotull tij, vërtiteshin ata, lukuniae ushtarëve me çallma. Ata nuk i hante malli e meraku për kokën e tij. (Ehu, sa koka kishin prerë ata në Shqipëri e gjetkë!) Vetëm se e donin atë kokë t’ia dërgonin sulltanit të tyre, që kështu pastaj të merrnin shpërblimin e madh që ai u kishte premtuar. Vetëm një kokë, koka e tij, e Ali Pashait të madh të Tepelenës, kishte marrë vlerën e hatashme të mijëra kokave të atyre që luftonin përkrah tij, apo të atyre që ishin prerë në të dyja palët, për të mbrojtur ose për ta vrarë atë njeri. Aliu shquante turbull silueta të frikshme, dëgjonte turbull ca krisma të largëta, përzier me këngë ushtarësh. Jashtë festa ishte futur edhe mes ushtarëve turq, edhe atyre shqiptarë. Paqja është bërë, thërrisnin nga të dy anët dhe njerëzit këndonin e kërcenin, shqiptarë e turq, në ekstazë atë ditë të ftohtë shkurti të vitit 1822. Sulltani, që Allahu ia shtoftë ymrin, thoshnin nga pala tjetër, e ka falur me gjithë zemër Ali Pashën! S’ka më luftë! Jemi të gjithë miq e vëllezër! Dhe vijonin të këndonin, i jepnin dorën njëri-tjetrit vëllazërisht, përqafoheshin e putheshin, si nuk ishin puthur kurrë, derdhnin edhe lotë gëzimi! Por e gjithë kjo zallamahi atje jashtë atij nuk i bënte ndonjë përshtypje, madje i ndillte kob. Zemrën e kishte të ftohtë akull. E vetmja vatër e trurit të tij, që akoma punonte, ishte ajo që kishte të bënte me kujtimet e së kaluarës. Kurse vatrat e tjera, që kishin të bënin me të ditës dhe me të pastajmen, nuk funksiononin, ishin bllokuar. Dhe kështu pashait s’i mbetej gjë tjetër, veçse të bridhte në ato minuta tepër të rënda nëpër kohërat e shkuara. Për vite e vite me radhë e bëra zap këtë krahinë, kujtoi, me sytë gjysmë të mbyllur. Me dhunë e me zjarr, nënshtrova fshatra të tërë. Fitova gjithçka që desha për vete. Por edhe këta njerëz i shkëputa një herë e mirë nga Orienti, i bëra të ndihen të lirë e t’i kthejnë sytë nga Oksidenti. Kujtoi njërën pas tjetrës të gjitha të mirat që i kishte sjellë vendit të tij, duke e bërë Janinën një qytet të madh e të bukur, duke hapur aty gjimnazin Zosimeja, duke vendosur lidhje me Francën, Anglinë, por edhe me Rusinë e largët, edhe me vetë Turqinë, duke ngritur gjykata të tipit evropian të të tri shkallëve; kishte sjellë specialistë nga të gjitha fushat prej këtyre vendeve. Kishte arritur të vendoste qetësinë e rregullin në zotërimet e veta dhe kishte bërë të lulëzonte tregtia. E kishte zgjatur hijen e tij të pushtimeve në jug deri në Athinë e në veri deri në Durrës. Me mua ata fituan lirinë, që e kishin humbur prej kohësh, tha me vete, duke thithur fort tymin e duhanit. Por a qe e mjaftueshme kjo për shqiptarët? Sepse, vërtet kishin qenë të lirë nga sundimi turk, por çfarë kish sjellë kjo në jetën e tyre? Çfarë? Asgjë. Më parë detyrimet e ndryshme i merrte sulltani, kurse më pas ato i kam vjelë unë vetë.Varfëria e mjerimi zotërojnë po aq brutalisht sa dhe shpata ime. Sepse shqiptarët vërtet e duan lirinë, gjykoi ai, por një liri ku të jenë të qetë të punojnë e të jetojnë për vete, jo për të tjerët, qoftë ky edhe i gjakut të tyre! Duke vijuar zanatin e luftës për një kohë të gjatë, populli im harroi zanatin e punës, harroi të jetonte për familjen e tij, për prindët, për gruan e për fëmijët e vet. Eh, moj kokë, shfryu me vete i dëshpëruar pashai i Tepelenës e në çast iu kujtua ajo thënia e mençur: ”Koka bën, koka pëson!” Por ai nuk arrinte dot të bënte bilancin e bëmave të tij, se çfarë kishte bërë më tepër, të mira apo të këqija. Zemra ia donte të thoshte që kishte bërë të mira. Sepse, a ka prinjës shteti të ketë udhëhequr pa bërë edhe të këqija?! Sidomos me kundërshtarët e tij? Ata që kërkojnë të ta rrëmbejnë kurorën. Me ta vepron ligji i pamëshirshëm:”Po nuk i zhduke, do të të zhdukin ata ty!” Ashtu nis e ashtu vazhdon ajo punë. Kurse më pas i pata të gjitha. Ose, më mirë, gati të gjitha.Vetëm gjumin e rehatshëm jo. Makbethi vrau gjumin. Ali Pashai vrau gjumin. Në rini ai bënte gjumë të ëmbël, me ëndrra të bukura. Deri para dhjetë vjetësh bënte gjumë plot ëndrra të tmerrshme: ngjitje të mundimshme nëpër një mal të lartë, tepër të lartë, duke mbajtur mbi kurriz një peshë të rëndë. Tamam si Sizifi i grekëve të lashtë. Ashtu i ndodhte edhe atij, me të vetmin ndryshim, që, bashkë me peshën në kurriz, rrokullisej dhe ai vetë poshtë në hon, për t’ia rinisur prap e prap ngjitjes, me synimin për të arritur në maja, gjë që nuk kishte ndodhur në asnjë ëndërr. Kurse tashti në pleqëri nuk shihte ëndrra fare e kjo ndodhte, sepse nuk bënte gjumë të qetë.Vetëm në minuta të veçanta të natës, pranë mishit të ngrohtë e të butë të trupit të gruas së tij, Vasiliqisë,(sepse nuk flinte kurrë vetëm,) ai binte në gjendje kllapie ose gjysmëvdekjeje. I bëhej një makth i tmerrshëm në fyt, i bllokohej fryma e në çast hidhej përpjetë në shtrat, duke u qetësuar disi tek shihte trupin e bardhë, krejt lakuriq të së shoqes, e cila flinte aq ëmbël, ëmbël, për ta pasur zili. O zot, po më vjen fundi!- mërmëriti me dhimbje.-Do t’i lë të gjitha këto mirësi, që i pata risk nga zoti! Të gjitha. Edhe florinjtë, edhe tokat, edhe famën, edhe gruan e fëmijët, edhe haremin..Dhe, kur agonte, i gëzohej si fëmijë ditës së re. (Ah, sa do të dëshironte mos kishte fare natë, por vetëm ditë!) E ndiente kokën aq të rëndë, sa mezi e mbante mbi supe. Atëherë niste e pinte lloj-lloj ilaçesh, të ardhura nga Franca posaçërisht për të. Ato ia hiqnin përkohësisht dhimbjet, shqetësimet. Por, oh, do të vinte shumë shpejt nata tjetër, pastaj tjetra, tjetra...Netët e ferrit! E gjithë jeta e tij mund të përmblidhej në dy tabllo: ditët e parajsës dhe netët e ferrit! O zot, më ndihmo të shpëtoj nga ky ferr!- u lut plaku me zë fare të ulët. Dhe, fill pas lutjes, para syve iu shfaq një glob i madh, por që në fakt ai e kuptone që ishte koka e tij, me përmasa të përçudnuara. Ajo kokë që e kishte ngjitur deri lart në fronin e pashait. Ishte ajo kokë që kishte terrorizuar qindra e qindra ushtarë turq. Por ajo kokë kishte terrorizuar, në të njëjtën kohë, edhe njerëz të racës së tij, madje edhe njerëz të fisit e të familjes së vet! Si dreqin më shkoi kjo jetë kështu?- mërmëriti nëpër dhëmbë.- Përse u dashka që tashti në pleqëri të mbaj mbi kurriz të gjithë gjynahet e bëra në jetë? Dhe ashtu, gjysmë zgjuar e gjysmë gjumë, iu bë sikur...u gjend në një kopësht të madh, mbjellë me bostane. Por befas aty kokat e bostaneve u shndërruan në koka njerëzish e ai thirri me zërin e shpirtit:“Po koka ime? Ku është koka ime?” Dëgjonte si në përçartje daullet e gëzimit të paqes, që vinin turbull nga jashtë, por vetë ndihej si në një vaskë me ujë të ftohtë. Për një çast i erdhi në mendje ta bindte veten se e gjitha kjo nuk ishte, veçse një ëndërr e keqe dhe iu kujtua një përrallë me gomarin, i cili, kur iu sul ujku për ta shqyer, belbëzoi me vete:”Ishallah, o zot, jam në ëndërr!” Por këtu s’kishte ëndrra.Gabimi i madh qe bërë, ai tashmë kishte dalë nga kështjella në ishull! Tigri plak kishte dalë nga pylli e kishte përfunduar në kafaz! Pashai plak ndihej i ligështuar në shpirt, i poshtëruar deri në thonjtë e këmbëve nga mashtrimi që i kishin bërë. Po, shumë i kishte lakmuar paratë, fitoret, lavdinë, gratë. Në gjithë vitet e jetës për to kishte luftuar. Por i kishte dashur edhe njerëzit, njerëzit e tij, ata me të cilët i bashkonte gjuha, zakonet, kujtimet. Sidomos ushtarët e tij trima dhe besnikë. Bashkëluftëtarët e tij më të afërt: Thanas Vajon, Zylyftar Podën, vëllezërit Zosimea, Tahir Abazin, dy djemtë e tij po aq trima, Myftarin e Veliun. Ata kurrë s’e kishin lënë në baltë. Por edhe pashai qe treguar zemërdhembshur e dorëlëshuar me ta.Tamam si prind i tyre! Ata luftonin, bënin roje si qen për të ruajtur jetën e tij, thesaret e sarajet e tij. Jepnin edhe jetën për pashanë e tyre, e vërteta ishte kjo! Megjithatë, megjithatë ai e ndiente që nuk kishte arritur dot të hynte në zemrat e tyre. Po, mund të kishte hyrë në mendjet e tyre, por jo në zemrat. Që ata të bënin be “Për kokën e Pashait!”, ashtu siç bëjnë të gjithë “Për kokën e babait!” ose “Për kokën e nënës!” Kokë e mjerë!- foli me vete, mbase për të njëqindën herë,- s’je e zonja as për vete e jo më për të tjerët! Dhe, në se nuk arrita dot të hyj në zemrat e këtyre njerëzve me jetën e me bëmat e mija, le të hyj, së paku, me kokën time, me dorëzimin tim, i vetëtiu nëpër kokë ky mendim. Kështu mbase njerëzit e mi do të çlirohen më në fund nga një betim i mundimshëm. (Ja, po gëzojnë jashtë e po kërcejnë nën ritmin e daulleve, të dehur nga gëzimi i paqes me turqit. Po nuk është paqe kjo, o njerëz!) Do më falenderojnë me gjithë zemër që shpëtuan nga shumë detyrime e do jenë të lirë t’i kushtohen më tepër familjes, grave e fëmijëve të tyre. Duke u marrë me luftë, ata kanë harruar të punojnë tokën, erën e djersës së punës. Le të përveshin mëngët e t’i vihen punës, të punojnë tokat e lëna djerrë dhe të mbjellin grurë e misër..
Pas kësaj ëndrre tronditëse, pashai plak provoi një çast dobësie nëpër të gjitha gjymtyrët e trupit, kur hapësira përreth iu mbush me ngjyrat e ylberit. Zemra iu zbut krejt, iu qullëzua e ai e harroi krejt brengën, harroi natën e frikshme, të kaluarën e tij, nënën, gruan, fëmijët, florinjtë, haremin e sarajet e mrekullueshme...Sytë iu lëbyrën nga lotët. Dhe i erdhi mirë kështu, se u ndie i qetë, me mish e kockë, ngaqë kishte shumë e shumë vite që nuk kishin nxjerrë lotë sytë e tij. Nuk i fshiu ato lotë, por i la t’i rridhnin nëpër faqet e fishkura, deri poshtë në mjekërr. Gjithë kafkën e kokës e ndieu të mpirë, bosh. E rroku të gjithë hapësirën e dhomës me një shikim të vetëm, pastaj, nëpërmjet dritares, edhe qiellin e kaltër jashtë, psherëtiu me uturimë, ofshani thellë, si kurrë ndonjëherë e më në fund mërmëriti me vete, sikur po lutej:
-Me vullnetin e allahut të plotfuqishëm, le të lëshohet kështjella!..
Kurse rojes që i rrinte pranë, i bëri shenjë me dorë që t’i afrohej. Kur tjetri u ndodh në çast përpara tij gjysmë i përkulur, pashai hoqi ngadalë nga gishtat dy unazat e florinjta njërën pas tjetrës, ia lëshoi atij në pëllëmbë e i mërmëriti me zë të mekur:
-Këto unaza dërgoja shpejt Selim Çamit në kështjellë!..
Ky ishte mesazhi sekret për të dorëzuar kështjellën! Befas Ali pashë Tepelena u ndie krejt i boshatisur në brendësi të trupit dhe ajri i futej e i futej brenda krahërorit, duke e fryrë atë si një tullumbace të madhe. Në ato çaste atij iu duk vetja pa peshë, koka sikur iu shkëput përgjithmonë nga trupi dhe mori rrokullimën diku lart a poshtë, shumë thellë, ohoooo, në një humnerë të mistershme...
Comments