Ramadan Ademi njeriu që ‘ndërtoi’ Shqipërinë
Kështu njeriu që ndërtoi Shqipërinë ende s’ka një respekt modest sot, të paktën një emër rruge në Elbasanin që e varrosi me aq respekt...
Prof Dr Fatmir Terziu
Elbasani ende i ka veprat e duarve të tij. Ende tek Vyshkat dhe Haxhiademët, apo tek Nosët duart e tij mbajnë artin e mjeshtërinë e viteve që ai ngriti në këmbë ndërtesat me stilin qytetar. Ende ... kujtohet nga ata që e njohën dhe folën me krenari e madhështi për të...
***
Ishte trokitja ime e parë në atë shtëpi. Ishte trokitja e lehtë, emocionale. Trokitje që u ndodh shpeh të dashuruarve që kërkojnë dorën e së dashurës. Për mua ishte thuajse e njëjta gjë edhe mes kurreshtjes për vajzën që më kishte bërë për vete, por edhe me kureshtjen për të njohur përtej avllisë së kësaj shtëpie. E kisha parë nga larg. E dija se aty banonte e dashura ime, ajo që do të udhëtonte në labirinthet e mia të jetës. Nuk dija për rrjedhën e kësaj shtëpie tipike me gurë të gdhendur, por me kopësht e bahçe të mbytur nga pemët gjithëstinëshe. Nuk dija për historinë e kësaj shtëpie të ndërtuar në një vend kaq tërheqës, tipike elbasançe, pas ish godinës së Ndërmarjes “Rruga Ura”, sot Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit. Dhe trokitja ishte aq e lehtë sa as vetë nuk e di pse ndodhte kështu... Dhe ndërsa nuk prita të trokisja për së dyti, aq sa të ulja e të ngreja sërrish dorën, dera u hap dhe ... përballë derës kryesore në bahçen e mbuluar nga hardhitë e rrushit ishte ulur i mirënjohuri i arsimit, Thoma Deliana. “Thoma Deliana ka lindur në vitin 1924 në Lagjen Kala të qytetit të Elbasanit. Ish-ministër i Arsimit dhe i Kulturës së Shqipërisë.”- mendova nxitimthi. Përse të jetë dhe ndodhet ky këtu? Pikërisht në një ditë të tillë për mua?!
Por, ndërsa unë kisha ngulur gjetkë vështrimin, vetë Thomai u ngrit nga vendi dhe sikur të ishim njohur më parë foli: “Jam në shtëpinë e mikut tim të paharruar. Baba i thërisnim të gjithë. Eh, na griu malli more ... Ndjesë i pastë shpirti mjeshtrit Ramadan Hajdar Ademi... Prej atij kam shkollën, jetën dhe ... natyrisht prej atij zotërie të ndëruar i kam të gjitha...Ndryshe sot të isha diku një grumbull dheu pa emër...”. Pas përshëndetjes, kaq u desh që biseda të kalonte në një udhi tjetër. Fjalët i takonin atij që kishte ngritur këtë shtëpi, atij që kishte lënë emrin e tij anembanë Shqipërisë. Dhe ai që fliste ishte Thoma Deliana...
Jeta dhe rritja e specialistit
Ramadan Hajdar Ademi ka lindur në fshatin e njohur të ustallarëve dhe mjeshtrave të ndërtimit, Trebisht Bala, të Dibrës më 14 Maj 1900. I lindur në një familje me tradita të hershme ndërtimore, nga i ati Hajdari dhe e ëma Hafize, që kishin vite që ndanin jetën e tyre mes Vlorës dhe Dibrës, natyrshëm ai nguli në mendjen e tij atë pjesë të qytetërimit vlonjat, që herë pas here ngulitej në mendjen e tij nga bisedat prindërore. I ati i tij bashkë me të vëllanë e babait të tij, Iliazin kishin edhe një përvojë tjetër, pasi ata kishin qenë edhe sipërmarës të njohur edhe në Selanik. Por udhëtimet e të atit e kishin bërë edhe më shumë të rrëndësishme që jeta familjare të shpërngulej herë pas here dhe të ndërronte stinë jete, sa në njërin qytetërim dhe në tjetrin. Ramadan Ademi nisi kështu të hynte rrjedhave të jetës që në moshë të re. Shkollën e nisi me gjuhën turke dhe në moshën 12 vjeçare ai nisi të mësonte edhe greqishten në Selanik. Kur mbushi 17 vjeç, pikërisht në vitin 1917-të, i ati i tij, sipërmarësi i dëgjuar Hajdar Ademi vdes dhe varroset në Selanik. Ramadani, vetëm një djalosh shtatëmbëdhjetëvjeçar, lë në mes studimet dhe punën dhe kthehet tek e ëma, ku më pas bëhet edhe kujdestar i familjes në moshë të re.
Duke parë kushtet e familjes, pa baba tashmë, ai mori rrugën e jetës dhe iu përvesh zanatit të specialistit të ndërtimeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kështu çekiçi dhe mistria u bënë pjesë e fateve të tij për të siguruar bukën e gojës, ushqyer familjen dhe mbajtur edhe vëllanë e tij më të vogël, Rasimin. Nisi punën në Elbasan, Durrës, Tiranë, Kavajë duke iu bashkëngjitur njerëzve të fisit dhe atyre që i ati i kishte mbajtur me bukë e punë.
Lufta dhe jeta e tij
Lufta e gjeti të pjekur. E kthyen nga udha kur ai u bë gati të bëhej pjesë e saj. “Ti je jetim dhe ke një mal hallesh mbi kurriz..., mësohet ti kenë thënë, ndaj duhet të shohësh jetën dhe familjen”. “Kështu u rrit dhe u burrërua më tej Ramadan Ademi”,- na shtoi në bisedën e tij të qetë Thoma Deliana. Por ai nuk ia doli lehtë. Banesa e tij në Dibër digjet tre herë dhe kështu ai e kishte të pamundur qëndrimin.
Duke shtuar më tej rrjedhën e bisedës mësojmë se gjatë viteve 1940-43 Ramadani u detyrua të shkonte për të punuar në ndërtime bangash dhe objektesh të ndryshme, pasi ato kërkonin specialistë të përkushtuar. Bangat si objekte të rëndësive të veçanta kërkonin specialistë të gdhendjes dhe skalitjes së gurëve dhe kështu ai me një ekip të vetin, ndërtoi më pas bangat e Elbasanit, Durrësit dhe Tiranës. Ai shkriu tërë mundin dhe talentin e tij në specialitete të ndryshme të Punëve Botore që shtrinin punimet në rrugët e Elbasanit dhe të Durrësit. Si i talentuar në vitin 1941 ai mori titullin e lartë “Mjeshtër i Dalluem i Punimeve me Kualitet Ndërtimi”. Dhe pas marjes së titullit titullarë të asaj kohe e dërguan në Vlorë. Atje gjeti edhe një emër tjetër sipërmarësi, Nuredin Sinanin dhe u angazhua në ndërtimin e objekteve speciale si Banka e Vlorës e mjaft objekte speciale në Dhërmi e në bregdet. Aty merr edhe një emër tjetër. Kështu ai mbetet ‘Mjeshtri i Zanatit të Ndërtuesit”, i pari me dokument zyrtar në Shqipëri. Atij pas këtij vlerësimi i afrojnë edhe banesë në Vlorë, ku banoi mbrapa Hotel Sazanit tek ish magazina e usta Nuredinit, edhe ky një emër sipërmarësi i njohur në Vlorën e asaj kohe. Kështu Vlora iu bë atij vendjeta e fiksuar në mendje. Iu bë atij pjesa ku fitoi dashurinë dhe simbolikën e jetës. Pjesëjeta më e dashur e jetës së tij...
Kur emri i tij i duhej zyrtarëve
Por Vlora ishte vetëm për pak vite. Emri i tij iu duhej zyrtarëve të kohës dhe ata nuk pyesnin për sakrifica. I martuar dhe me fëmijë tashmë ai u dërgua të bëjë rolin e kryespecialist në Botoren e Elbasanit, aty ku edhe nis kalvari i një jete të mbytur nga hallet dhe dertet e dy djemve të tij, Njaziut dhe Mehmetit dhe shtatë vajzave të tij. Ai tashmë si drejtues dhe kryespecialist nis ndërtimin e Urës së Murrashit në Librazhd, në vitin 1944, një vepër kjo me rëndësi të veçantë për kohën. Ai e ndërtoi atë me elementë beli, pa pasur vinça e makineri e duke i tërhequr elementet nga Elbasani me një traktor të vjetër. Ky objekt varej direkt nga Ministria e Ndërtimit e asaj kohe. Në këtë sektor duhet theksuar ka punuar edhe Kamber Shevroja, që më vonë edhe ky u vlerësua për punën e tij dhe përgjegjës teknik ka qenë Vait Sinani, një emër tjetër i fushës së ndërtimeve. Kamber Shevroja gjithmonë shprehej: “Ramadan Ademi duhet peshuar me flori. Shqipëria duhet ti bëj monument!”
Dhe ashtu ndodhi në udhën e tij duke fituar titullin e Inxhinierit asistent, duke dhënë kontribut në ndërtimin e urave të Shkumbinit, kolektorit të Elbasanit, Gorgës, Manazeres dhe Zaranikës. Ai ishte mjeshtri që vuri çekiçin e parë në ndërtimin e kanalit Shkumbin - Cërrik – Dumre, kanalit “Naum Panxhi”, por edhe në ndërtimin e Kombinatit të Drurit, Kombinatin e Sheqerit Maliq, oxhakun e Fabrikës Korçë, ndërtimin e banesave në Elbasan tek “1 Maji”, ndërtoi objekte të rëndësishme si klubin “Dinamo” afër Bobolles tek Rrapi, ndërtoi spitalin Efektiv pranë ullishtave të Elbasanit në vitin 1956, në vitin 1957 filloi ndërtimin e banesave tek Ura e Zaranikës dhe grupin e banesave tek Rrapi i Bobolles, (sot Arka e Kursimeve), Spitalin Psikiatrik në vitin 1959, objektin që quhej Sajdeja e Duhanit, Fabrikën e Tullave tek Ura e Shkumbinit me inxhinierë bullgarë etj. Qindra e qindra objekte speciale në gjithë Shqipërinë e asaj kohe. Kështu njeriu që ndërtoi Shqipërinë ende s’ka një respekt modest sot, të paktën një emër rrugë në Elbasanin që e varrosi me aq respekt... Duhet shtuar se në këtë kohë ai ishte drejtues dhe kishte teknik Faslli Ajazin dhe normiste Liljana Hyskja, Ferat Shahinaj ka qenë specialist. Gazetat bënin punën e tyre: “Duararti i ndërtimeve..., mjeshtri i lindur, ... etj”. Vetëm të hypurit në pushtet heshtnin. Heshtnin se nuk donin emra të tillë, më së shumti ata që nuk kishin idenë e ndërtimeve.
Më tej ai iu kushtua edhe familjes. Edukoi tetë fëmijë. Dy djemtë Njaziu, inxhinier ndërtimi dhe Mehmet Ademi aktor i tetarit “Skampa” dhe vajzat mjeshtre në ushqimin social të Elbasanit u bënë krenaria e tij deri sa ai ndërroi jetë në moshë të re. Varrimi i tij mbahet mend edhe sot e kësaj dite në Elbasan. Ai u krye nga shteti dhe nderimi iu bë vetëm pas vdekjes. Korteshi i ceremonisë mortore u fiksua për herë të parë në fotografi...
(Njërën po e publikojmë për lexuesit tanë: Nga kortezhi i ceremonisë mortore të Mjeshtrit Ramadan Ademi i njohur si Ramçe Hajdari)...
Comments