Përse Edi Rama nuk e meriton një mandat të tretë!
(Kujtesë për të gjithë votuesit shqiptarë për një reflektim serioz në ditën e zgjedhjeve të 25 Prillit. Përse Edi Rama nuk e meriton një mandat të tretë…?!)
NGA ILIR ÇUMANI Fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit tashmë i erdhi fundi. Të dielën, qytetarët shqiptarë do ti drejtohen kutiave të votimit për të zgjedhur se cila forcë politike do të qeverisë vendin në 4 vitet e ardhshme. Përveç militantëve të deklaruar, simpatizantëve dhe idhujtarëve të liderëve tanë politikë, ka edhe shumë votues nga ata që konsiderohen si pjesë neutrale e zonës gri, që ende janë të pavendosur, të frustuar, të presionuar dhe të shantazhuar, pse jo edhe me largim nga vendi i punës nëse nuk mbështesin dhe votojnë për kandidatët e “Rilindjes” në pushtet. Por, mes tyre ka edhe të shitur e të blerë, nga gjithë farëlloj sekserë e matrapazë votash që gëlojnë gjirizave të partive e partiçkave, nga i gjithë rrjeti infrastrukturor i nëndheshëm i patronazhistëve spiunë, e ku ta di unë se çfarë…!!!
Forcat politike konkuruese tradicionale, por, edhe ato më të reja, pjesëmarrëse në këtë garë fushate, me tam - tame e premtime pafund manifestuan para sovranit plotë hijeshi e nur dominancën e tyre, shfaqën me sa mundën dhe si mundën të gjitha hiret, sharmin dhe koloritin e tyre në këtë “festë” elektorale. Partitë dhe partiçkat e shumta në numër, premtuan dhe ç’farë nuk premtuan para mbështetësve dhe simpatizantëve të tyre, njëlloj sikur ti kishin përballë vetes për herë të parë këta votues, (a thua se elektorati nuk i njeh…!). E mbi të gjitha, partitë u zotuan në këtë fushatë se kësaj radhe e kanë prej vërteti, se të gjitha premtimet e pambajtura dhe ato punë që nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë e marra së bashku në këto 30 vjet, kësaj here e kanë marrë seriozisht dhe se patjetër, çdo gjë pas 25 prillit do të bëhet realitet, nëse votuesit do ti besojnë X apo Y force politike! Me një butafori e pompozitet të ethshëm elektoral në këtë kohë flame e pandemie, pamë e çfarë nuk pamë përmes pjesëmarrjeve masive të militantëve e simpatizantëve, të rreshtuar dhe të vendosur me dekore e skenografi spektaklesh televizive nga liderë që në diskursin dhe retorikën e tyre politike nuk e patën seriozitetin e duhur dhe nuk mundën të prezantonin asnjë program konkret dhe të qartë para elektoratit, si një sinjal shprese se diçka do të nis të lëviz dhe të ndryshoj në këtë vend. Në gjithë këtë festival shfaqjesh e butaforie mes aktorësh politikë të vendit, mes zhurmës së madhe propagandistike e mediatike, si rrallëkush mes të ngjashmëve spikati edhe ai, i madhi i të mëdhenjve, gjigandi i aktrimit, karizmatiku më joshës, më agresivi dhe më imponuesi, Kryeministri ynë kokëfortë e inatçor, Edi Rama. Duke qenë se Kryeministri me profesion nga e shkuara e tij i përket botës së artit, ai e njeh mirë magjinë dhe fuqinë që ka kjo fushë, efektet që arti shkakton përmes fuqisë interpretuese të fjalës në publik, sidomos kur ndërvepron e ndërthuret bukur me politikën. Dhe këtu, për hir të së vërtetës dhe pa i hyrë në hak, ndryshe nga liderët e tjerë që e kanë qeverisur vendin në këto 30 vjet, por edhe prej homologëve ballkanik, duhet thënë se Edi Rama ka qenë dhe është më i suksesshmi dhe më fatlumi. Sepse askush si ai nuk di të magjeps aq tundueshëm turmat me pamjen dhe artin e gojëtarisë, askush si ai përmes propagandës gëlbesiane nuk di të shkëpusë aq natyrshëm dhe aq magjishëm njerëzit, pa e kuptuar, ai i largon prej realitetit ku jetojnë duke të çuar në një botë “ideale” dhe ireale edhe përmes tekonologjisë së fundit 3D..!!! Rama, duke mos qenë mirëfilli një politikan sojliu, që të njoh të gjitha skutat e dukshme dhe të padukshme të politikës, si, edhe duke patur vështirësi në zotërimin e artit të diplomacisë, ka ditur ti kompensoj këto mangësi përmes reflekseve të sqisës së gjashtë dhe artit që ai zotëron dhe që di ta bëj shkëlqyeshëm sipas mënyrës së tij. Sepse, ai është piktor, aktor, këngëtar, rrëfenjës ezopian, prezantues spektaklesh, humorist, klloun cirku, akrobat, balerin, pantomimist, skenarist, regjisor, skenograf, producent, prestidigjitator, (këtë të fundit e zotëron në perfeksion të shkallës më të epërme). Me një fjalë, ai është një fenomen i vërtetë, që të magjeps dhe të sugjestionon në sy të të gjithëve, ai mbetet një showmen i admirueshëm për publikun politik, por jo atë artitik. E theksoj: për publikun politik që janë militantët, idhujtarët, servilat, hipokritët, spiunët dhe lëpirësit që e rrethojnë ngado dhe kudo, të cilët me aradhën e panumërt të krijesës së tij politike që e pagëzoi me emrin “Rilindje”, qysh ditën kur morri frenat e drejtimit në krye të Partisë Socialiste, përbëjnë aureolën e “shkëlqimit” të tij në politikën e mjeruar shqiptare. Kryeministri Rama, në 23 vitet e karrierës së tij politike, ka dëshmuar se është lideri dhe politikani më infantil dhe më i dështuar i tranzicionit shqiptar. Me modelin e një lideri të mllefosur e intaçor, autokrat dhe arrogant, askush si ai nuk e kriminalizoi kaq shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk dua të marrë përsipër që të rendis në këto radhë rekordet e pafund të zullumeve, bëmave dhe gjëmave që Edi Rama me të tijët, me veprimet dhe mosveprimet e tij dhe në abuzim të plotë me pushtetin i ka shkaktuar kaq shumë dëme dhe vuajtje vendit dhe popullit shqiptar. Ato, tashmë janë publike dhe dihen botërisht. I dinë të gjithë shqiptarët. I di çdo plak dhe i ri, i di edhe foshnja e palindur në barkun e nënës. Por, do të ndalem në disa episiode të fundit që prekin drejtëpërsëdrejti jetën e çdo qytetari. Nën keqeqeverisjen e Edi Ramës, hendeku i varfërisë së tejskajshme është thelluar edhe më shumë, ky hendek ka arritur kuota të larta për frymë. Njerëzit ankohen se të ardhurat që disponojnë nuk u dalin as për bukën e gojës dhe se 60 % e popullsisë tashmë jeton nën nivelin e varfërisë. Njerëzit janë të dëshpëruar e të pashpresë, flasin me vete dhe janë të përfshirë në një depresion kolektiv dhe kronik duke vuajtur sëmundje të ndryshme të shëndetit mendor. Turizmi është lënë në mëshirën e fatit dhe rënia ekonomike e shqiptarëve nuk jep asnjë shpresë për tu vitalizuar, ndaj dita ditës shqiptarët i drejtohen emigracionit sipas proverbit biblik: “Nga sytë, këmbët”. Vetëm në këto 8 vjet të qeverisjes së Rilindjes vendi është shpopulluar frikshëm, është boshatisur nga plotë 500.000 shqiptarë të ikur nëpër botë të cilët nuk kanë më dëshirë të rikthehen dhe të ndëtojnë jetën dhe të ardhmen e familjeve në vendin e tyre. Edhe më i frikshëm është pohimi e OKB – së, që ka deklaruar se deri në vitin 2100 Shqipëria do të ketë vetëm 930.000 banorë. Kjo është një tendencë dhe një fenomen që në fakt ka vite që ka nisur, si një proces pa kthim shpopullimi në vendin tonë. Padyshim, ky proces shpopullimi është shfaqur edhe më dukshëm në këto 8 vjetët e qeverisjes kakistokrate e të korruptuar të Edi Ramës, me një strategji fare të qartë dhe të pastër politike nga ana e tij, duke përfshirë së pari largimin e opozitarëve dhe kundërshtarëve të rregjimit të tij, me synimin e vetëm për ta patur edhe më të lehtë betejën elektorale, për rrjedhojë, edhe sundimin e tij sa më gjatë në pushtet! Deklaratat e Kryeministrit Rama kohët e fundit se, mirëpret në vend të qytetarëve dhe të rijnve shqiptarë çdo shtetas nga Bangladeshi, Siria dhe Afganistani, për ti zëvendësuar këta të rinj shqiptarë që ai me pushtetin e tij ua ka shuar të gjitha shpresat që të jetojnë në vendin e tyre me dinjitet, është një kambanë alarmi për gjithë shoqërinë, por edhe për atë pjesë të përgjegjshme të klasës politike, dhe, pikësëpari edhe për institucionet e rëndësishme të sigurisë tonë kombëtare. Diversioni politik i Edi Ramës, shantazhimi që ai u bën të rijnve shqiptarë si Kryeministër i vendit, se, përmes politikave që do të aplikojë, do të mund të zëvendësoj bijtë dhe bijat e këtij trualli, (Shqipërisë) duke importuar me shumicë krahë të lira pune nga vëndet e botës së tretë për të vetmen arsye se, ndryshe nga shqiptarët që kërkojnë një pagë më të mirë dhe një jetë më të dinjitetshme në vendin e tyre, ata nuk kanë pretendime për pagë dhe nuk do të mund të ngrenë zërin që ti kërkojnë llogari despotit tonë autokrat për të drejtat e tyre në punë, për faktin se nuk dinë të flasin shqip, tregon se çfarë rreziku potencial përfaqëson në vetvete një individ si ai, që përmes pushtetit absolut mban peng një popull të tërë dhe të ardhmen e një vendi ...! Është i freskët dhe është bërë viral në rrjetet sociale videoskandali i bërë publik nga gazetari investigativ Artan Hoxha, që bën fjalë për 100.000 mijë aplikime të qytetarëve shqiptarë për legalizimin e banesave të tyre. Me zë të pastër e të qartë kreu i ALUIZNIT Artan Lame pohon se është udhëzuar dhe është dakortësuar me Kryeministrin Edi Rama se ato shtëpi do të mbahen pezull deri pas zgjedhjeve, dhe se ato nuk do të legalizohen kurrë, por në ardhmen do ti nënshtrohen procesit të prishjes. Një marrëzi dhe cinizëm malinj me kaq shumë urrejtje patologjike që buron nga një mëndje djallëzore, sa dinake, aq edhe e ligë e tinëzare, nuk mund ta gjesh në asnjë mëndje të sëmurë të cilitdo politikani autokrat e sundimtar që gjendet në çdo cep të rruzullit tokësor! Ky është rreziku më i madh që i vjen një shoqërie si kjo e jona. Është tepër e frikshme kur mendon se kush na ka qeverisur në këto 8 vjet dhe se ç’farë përfaqëson një individ që ka administruar dhe administron jetët tona, të fëmijëve tanë, fatet e vendit, dhe që tashmë pa iu dridhur qerpiku kërkon edhe një mandat të tretë për të qeverisur! Askush si Edi Rama, nuk u dëshmua kaq dukshëm si politikani që shquhet për mungesën e empatisë në aspektin njerëzor, si njeri dinak, pa shtyllë kurrizore, i pa ndjeshëm dhe i padhembshur, duke aplikuar politika të ashpra dhe mjaft represive ndaj shtresave të dobëta dhe më të pambrojtura të shoqërisë, me synimin e vetëm pasurimin dhe fuqizimin ekonomik të një pakice dhe grushti njerëzish e oligarkësh pranë tij. Konfuci, një nga filozofët dhe humanistët më të shquar të qytetërimit kinez dhe i mbarë njerëzimit, thotë: “…I vetmi test për një sundues të mirë është ai i suksesit në rritjen e mirëqënies së njerëzve të zakonshëm… Tjetër test nuk ka! Por, a mundet një njeri i poshtër të shërbejë në qeverisje? Jo. Ai shqetësohet për marrjen e një diçkaje dhe menjëherë pasi është vënë në zotërimin e saj, ai shqetësohet për mundësinë e humbjes. Për sa kohë ai shqetësohet për humbjen e saj, nuk do të ndodh asgjë për t’u treguar. Atëherë, çfarë mund të bëjë ai?” Dhe le të kthehemi në atmosferën e zgjedhjeve. Fushata mbaroi. Edi Rama, përveç mungesës së llogardhënies dhe mungesës së një programi konkret politik dhe ekonomik për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit, si një detyrim moral dhe politik për tua paraqitur shqiptarëve se kush do të jetë e ardhmja dhe zhvillimi i vendit në 4 vitet e ardhshme, preferoi me arrogancë e mospërfillje të refuzoj hapur ftesën e bërë publike disa herë radhazi nga kreu i opozitës Lulzim Basha për një ballafaqim para të gjithë shqiptarëve, si një mënyrë komunikimi, transparence e llogaridhënie se çfarë ka bërë ai si Kryeministër i vendit gjatë 8 viteve të qeverisjes së tij. Gjatë gjithë turit të tij elektoral, ai u përballë ku mundi dhe si mundi me dhjetra e dhjetra panele gazetarësh, jo për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre që zbulonin hapur skandalet e pafund dhe aferat korruptive të qeverisë së tij, por për të bërë monologje dhe aktrim prej snobi kauboj, duke i marrë disa herë me radhë të gjitha studio televizive si një showmen e gaztor mediatik që gajas jo vetëm gazetarët në panel, por të gjithë shqiptarët të cilët sy e vesh në këto kohë qameti pas tërmetit dhe pandemisë i kanë nga Kryeministri i tyre. Tha e çfarë nuk tha përmes monologjeve pafund, duke fyer dhe bullizuar edhe ata gazetarë që i drejtonin pyetje të cilat nuk i pëlqenin midesë së Kryeministrit. Përmes të gjitha ekraneve televizive, (shumë prej tyre të blera dhe në dispozicion të propagandës së qeverisë dhe të Kryeministrit Rama), nga mëngjesi e deri në darkë u servireshin shqiptarëve si opium dhe shpëlarje truri me spektakle butaforike të Rilindjes, me një dekor dhe një prapavijë rekuizite të mahnitshme, plot ndriçim dhe me shumë efekte kinematografike, nga ato që edhe regjisorja e famshme gjermane Leni Riefenstahl do ti kishte zili, kur gjatë kohës së nazizimit ajo realizonte kreveprën e saj kinematografike, dokumentarin e saj të mirënjohur “Triumf i Vullnetit”, një dokumentar i cili vendosi standarde të reja në botën e filmit si një vepër tipike, qëllimi i të cilit ishte të tregonte madhështinë e Rajhut të Tretë të Partisë Nacionaliste dhe liderit të saj Adolf Hitler. Estetika e atij filmi ka të bëjë me një nivel tejet të lartë të shprehjeve artistike, e padyshim edhe në aspektin vizual. “Triumfi i Vullnetit”, përmes qasjes dokumentareske i bën një përmbledhje të paradës së Nyrenbergut në vitin 1934, me rastin e “Ditës së Partisë”. Përveç paradës, nëpërmjet fragmenteve, filmi ndjek Kongresin e Partisë Punëtore Nacionalsocialiste gjermane, të mbajtur për një javë rresht. I xhiruar në 12 skena, kjo vepër dy orëshe e Riefenstahl, koncentrohet në përcelljen e atmosferës gjatë ngjarjeve disa ditore, me qëllim që të përcjellë emocione të fuqishme në popull për përkatësinë kombëtare, të përcjellë krenarinë dhe guximin për triumf. Përmes një sërë fotografish dinamike ku insistohet të imponohet ndjenja e identifikimit me idenë, kombin, gjë që ka të bëjë me fazën inicuese të krijimit të një mase popullore, e cila pa mëdyshje do ta ndiqte hap pas hapi liderin dhe do të kontribuonte në zbatimin e politikës shfarrosëse të Hitlerit mbi rracat njerëzore. Propaganda ishte një nga mjetet efikase me të cilat njeriu më i urryer i të gjitha kohërave Hadolf Hitler mbajti në këmbë pushtetin e tij tiranik, duke i sjell një vuajtje dhe dëm të madh jo vetëm Gjermanisë, por mbarë njerëzimit. Për këtë arsye, edhe regjisorja e famshme Leni Riefenstahl, pas pushimit të Luftës së Dytë Botërore u arrestua si personi që jo vetëm e adhuroi Hitlerin, por se me artin e saj brilant frymëzoi, glorifikoi dhe ngriti një piedestal kultin e një individi gjakatar dhe një nga regjimet më monstruoze në historinë e njerëzimit. Ajo, gjatë gjithë jetës së saj, u përbuz nga të gjithë, u abandonua, u izoliua dhe u la plotësisht në harresë nga shteti, nga bota e artit dhe nga e gjithë shoqëria gjermane, si një shpagim, duke bërë një jetë të zbrazur e vetmitare derisa vdiq në të 90 – tat e saj. Mirëpo, ngjarje të tilla në vëndet me demokraci të brishta ku ngrejnë krye rregjimet autokratike të shoqëruara nga korrupsion politik, kanë gjasa të përsëriten nëse kombet dhe popujt harrojnë historinë dhe të shkuarën e tyre, nëse bien në gjumë dhe viktimizohen nga tirani dhe tiranë të kohëve moderne. Padyshim, edhe në kohët e sotme, tendencat që shfaqin regjimet autokratike dhe diktatoriale janë të tilla kur ato shfaqen dukshëm nga lidera autokratë, duke u kamufluar përmes mjeteve të sofistikuara propagandistike, ato janë një rrezik evident për të cilin të gjithë duhet të shqetësohemi dhe të tregohemi vigjilent. Kryeministri Rama, përmes ngritjes së makinerisë së frikshme propagandistike në funksion të ruajtjes së pushtetit të tij autokratik dhe të korruptuar, nuk bën gjë tjetër, veçse ushqen dhe mban gjallë grykësinë, sundimin dhe narcizimin e tij patologjik. Ai, padyshim, kurrsesi nuk mund të bëhet një Riefenstahl dhe as një Hitler, jo dhe jo! Thjesht, Rama ka qenë dhe mbetet një aksident në politikën shqiptare, një politikan i dështuar, kokëfortë dhe arrogant, një lider i korruptuar dhe i papërgjegjshëm, që të gjitha zullumet dhe mëkatet e tij përmes keqpërdorimit të pushtetit politik i mbulon me propagandë e spektakle kllounatash, kudo dhe ngado shkon e shkel këmba e tij, nëpër sheshe e bulevarde, në stadiume dhe ekrane televizive, nga mëngjesi dhe deri në mbrëmje. Ashtu si dikur, zbutësi i famshëm i kafshëve Tahir Baçova argëtonte fëmijët në çadrën e Cirkut të Tiranës, edhe Edi Rama sot, me spektaklet e tij propagandistike, i rrethuar nga patronazhistë e sahanlëpirës të pushtetit të tij, zhvillon anë e mbanë vendit show të pafundëm si një gaztor dhe klloun i politikës. Ai vetëm gajas të gjithë shqiptarët e lodhur e të abuzuar nga pushteti i tij i kapur dhe korruptuar duke i bishtënuar të gjitha përgjegjësive e llogardhënieve gjatë kësaj fushate elektorale. 25 prilli, ashtu siç theskoi edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim, është një shans i madh për të sjell një ndryshim, është Dita e Madhe reflektimit dhe e ndëshkueshmërisë më shembullore që sovrani duhet ti bëjë pushtetit autokratik dhe korruptiv të një despoti sundimtar!
Comentários