top of page

Raki „Rigoni“


1.

Raki „Rigoni“

Fatmir Terziu


Stina rri në heshtje mes nesh si një përrallë

shishja endet në brendësinë e saj si një baladë.


Mendjet tona po përhumben në mendim të thellë

a mund të themi pa filluar se jemi të pirë,

më besoni,

ngrejmë dolli me raki rigoni.


A mund të ngrihet një dolli me një lëng të tillë

gota brenda saj përpihet si Bota

e tretur po emocionon ndjesinë,

dhe mendimin në infinit,

mushkonjat klithin nën petromaks pa frikë

jemi në Butrint.


Midhjet në pjatancën e madhe

lëvrijnë si hapësira skaj më skaj

qielli është tymosur nga një cigare

që digjet në vetminë e saj.


Sekreti nuk ka asnjë lidhje me të,

misteri vazhdon

Shishja ka mbaruar. Fjalët janë thënë. Shkojmë.

Ndërsa drejtohesh nga dera,

me ty end tehin e saj vetmia,

sytë fiksohen shkitazi mbi disa kuti:

„Made in Butrint, Albania“

„The destination: Australy“.




2.

Ksamil


Çfarë e tundon një kamarier në orët e vona?

një pije që e mërzit atë,

ai shpëlan pjatat, duke hedhur një vështrim

tek klientët që gërhijnë në tavolinat e tyre,

duke u rikthyer në lajmin e djeshëm,

ekrani bën garë me tik-taket

Skambil është emri i hershëm,

me Zogun janë lidhet faktet,

Ai e ngriti fshatin e djeshëm

kur u rishkroi të përzënëve fatet

nga Varfani i kazasë së Gumenicës-Çamëri.


Duke rregulluar përparësen e tij për ditën që vjen,

gërvisht në bllok, ai shkruan faturat dhe shukërima

përcjell retë që kalojnë derën

dhe zogjtë në pragjet e dritareve pa zë,

duke vazhduar këngën e atyre që i kanë lënë,

këngët e atyre që nuk do të kthehen më.


Flitet instiktivisht në këto këngë

i kanë këto rakia dhe kënga

ai shkund kokën me më pak serbes

duke ndarë lodhjen si gllënjkë nga gllënjka

me dolli të tillë deri në mëngjes.


Dil o Yll i mëngjesit dil,

si atëherë mbi Skambil!



3.

Gumenicë


„Heshti Gumenica, ullinjtë zgjoi Filati,

Malit të Bozhurit iu rregjua shtati“ (Popullore)

****


Zëri është si një vajzë e lindur nga valët e tretura

largët në blunë që çmallet

kornizë e skalitur,

gurrë e hijshme e së cilës është e njohur për shtojzovalle

që këndojnë në det

…dhe përfundojnë në male.

Zëri është si një vajzë e cila, del në muzg,

do të kalojë dallgët e pastra të Jonit

me lotin e kristatë të qiellit

nën ombrellën e hënës

në agim, mban në hapësirë dritë të pastër,

e tret me mallin e nënës,

kush do të pi për kujtimin e babait,

pi një gllënjkë nga lumi i Kalamait.

Zëri është si një vajzë nga kordoni i gjelbër

mban rrathë të farkëtuara nga këngët e Jonit

një palë vathë nga shiu i stinës

një gjerdan të endur nga mëndafshi i një ninulle

që u pasua brezave dita-ditës.


Zëri është e gjitha. Bukuritë

të gjitha hijeshojnë kopshtin e bekuar

me lulet e tyre shumë ngjyrëshe të dashurisë,

…dhe fshin sytë e lotuar, mbetesh i hutuar

ke puthur ajrin në Gumenicë.

146 views2 comments

2 Comments


Kostandin Vogli

Me pelqeu vazhdimi me poezi te tjera nga Saranda dhe Igumenca. Kaltersia e Jonit ta paska ngopur shpirtin. Urime Fatmir Terziu mjeshter.

Like

Timo Merkuri

Shume bukur. Timber jonian pranveror qe ne shume se nje kureshtje te ndjell kaltërsi ne shpirt. Urime mik.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page