Qeveri shumice
Astrit Lulushi
Është kohë që ka qënë, nëse do të jetë, nuk dihet. Udhëtimi në të ardhmen vazhdon të ndodhë vetëm në libra e në mendje. Koha ka vetëm dy mosha, të shkuarën dhe të tashmen, mosha e tretë nuk ekziston, por është shpikur si mënyrë për të vjedhur ëndrrat e parashikimet, për t’u dhënë skllevërve shpresë. E çuditëshme sesi koha zhvillohet. Ajo lind e moshuar, rinohet dhe vdes foshnje ose palindur, në kah të kundërt me moshën e njeriut, i cili lind, rinohet, shuhet. Koha dhe njeriu janë në luftë, ose më saktë, është njeriu skllav i kohës, e cila e ndjek atë për t’a kapur dhe njeriu gjithmonë është në mbrojtje a zmrapsje. Të dy kurrë nuk janë në pajtim, megjithatë, të dy marrin e japin, ia kanë nevojën njeri-tjetrit. Por koha është hileqare, djallëzore. Fillimish, njerëzit qeveriseshin nga një pakicë, derisa filluan të zgjoheshin e të bëheshin realistë për të parë me habi se kjo ndarje ishte e padrejtë, ata gjithmonë ishin poshtë, të shtypur dhe u përgatitën të ngrihen. Elita e kuptoi se diçka duhej të bënte, kontrollit të saj mbi shumicën po i hiqej perdja, dhe u hodh në sulm me të njëjtën armë. Ajo shpiku ‘shumicën’ e vet. Agjentë u përhapën nëpër popull dhe pasi e studiuan a manipuluan, u kthyen në bazë me një propozim: për të ruajtur vazhdimësinë e qeverisjes, elita duhej të pranonte që popullit t’i jepet emri i pushtetit, ndërsa ajo t’a mbante atë. Dhe kështu lindën administratat a qeveritë ‘e shumicēs’, të cilat, sipas kohës, reformohen në emër, në popullore, socialiste a demokratike, fjalë me bazë të njëjtë, që gënjejnë e mashtrojnë, shkatërrojnë e vrasin popullin në emër të popullit me vendim të atij vetë.
Comments