top of page

QAJ, DHE TI QAN FILLIKAT


QAJ, DHE TI QAN FILLIKAT

Mihal GJERGJI


“Të rrosh, a të mos rrosh?” Kjo është dilema hamletiane. Edhe njerëzore. Ka vetëm dy rrugë; të bëhesh pardon ose shërbëtor. Dhe padron s’mund të bëhesh lehtësisht. Duhet ta flakësh ndershmërinë. Veset duhet të bëhen ushqimi yt i përditshëm. Atëherë shoqëria të pranon, sepse bashkëudhëtarja jote është pasuria, të cilën mund ta bësh në njëmijë mënyra. Ndryshe duhet t’u shërbesh të tjerëve, si punëtor me mëditje. Të rrosh, por të pranosh fatin tënd prej të përunjuri. Shteti s’të lejon ti shërbesh vetëm vetes tënde. Edhe ai kërkon pjesën e tij. Kush je ti, që mund të guxosh të zgjedhësh, të kërkosh minimum jetik, prona dhe punë, liri mendimi, liri fjale dhe publikimi? Ti je askushi. Ti vetëm duhet të dëgjosh dhe të bindesh. Mos e kthe kokën mbrapa. Nga kujtimet e hidhura shtohen lotët. Po lotët e tu s’i blen askush. (Sikur të shiteshin lotët!). Mos kërko largësitë me shikimin tënd, as lartësitë. Rruga nëpër të cilën do ecësh është paracaktuar. I vogli ecën me këmbët e madhit. As lutje s’duhet të bësh. Mos u gënje nga kryqet dhe minaret. Lutjet e tua s’dëgjohen. As pranohen. Zoti, janë “Ata” lart. Mos guxo të pyesësh se kush janë ata, ç’emra kanë, ç’bindje, ç’përkatësi. Çfarë gjaku, kombësie apo shtetësie, s’është puna jote. Ti je kurrkushi dhe duhet të ruash masën. Kufiri yt është dera e kasolles, porta e bunkerit, hyrja e pallatit apo ara ku duhet të rropatesh. 1Vetëm kaq. Mund të flasësh me veten, por me zë të ulët, se shqetëson të tjerët. Edhe mund të shkruash, vetëm kujdes; zgjidhi fjalët, emrat, foljet, përemrat –veçanërisht ata pronorë. Konsultou me ligjin. Hapi defterët e shtetit dhe mos harro; ruaje masën. Mos vallë do ndryshosh botën me mendimet e tua? Sigurisht që jo. As Marksi s’mundi. Kush e konsideroi Robespjerin, Dideroin, Volterin, Hegelin, Dyringun, Fojerbahun? Kush i referohet Shopenhaurit? Vetëm rinia, por të rinjtë le ta mbushin shportën e ëndrrave, s’ka problem. Kupën e zhgënjimit do ta pinë më vonë, por do ta pinë ama, kjo është e sigurt. Ja pra, këto mjaftojnë që ti të mësosh se çfarë duhet të shkruash. Unë jam me thinja dhe vazhdoj të bëj gabime. Shkoj në shtëpinë botuese për të publikuar librin e radhës. -Posi, më thotë pronari. Në dorë mban shishen e rakisë, mbush kupat dhe më fton të ulemi. Nuk pi, i them, jam në punë.–Mbajmë raki të mirë si fshat, vazhdon bisedën efendikoi me mbiemrin Vllah-mos! Vërtet, ai s’vlen as për kundërshtar, jo për vëlla. Shtypshkronja e tij është një thertore e frikshme, një kasaphanë. Brenda saj, seicili mund të bëjë çdo punë, por asnjerën të saktë. Largohem me barrën e trishtimit me vete. Trokas te një tjetër shtëpi botuese. Ai që fton myshteritë është një fshatar me emrin e një poeti të madh, i cili i ka kënduar bukurisë shqiptare, por vetem emerin kane te perbashket, asgje tjeter! Pyetja e parë që bën zotëriu është për shkollimin, pastaj për publikimet. Ndërsa s’ka drojë të njihet me materialin pa të pyetur fare. Vazhdimi i bisedës është më interesanti. Më lë të kuptoj që di të përzgjedhë autorët, të ketë klasë të lartë, të marrë diçka nga lavdia e tyre. Pret të ringjallet Homeri, të trokasë në zyrën e këtij mjerani dhe t’i kërkojë ndihmë për të botuar “Iliadën”. Çudi! Të dështuarit në fushën e artit, janë bërë tregtarë të kulturës. Një i tillë i paskrupullt është edhe ky, zotua pa zot. Ndjehesh si në kullën e Oroshit. Përballë ke bajraktarin e radhës. Hija e kanunit nderet si qefin mbi bukurinë e artit. Ndërsa unë vazhdoj me këmbëngulje në rrugën time. Shkruaj për vendin tim pa nguruar aspak, me shkronja të mëdha: “Shqipëria jonë”, për visaret e saj, për mënçurinë e këtij populli fatgremisur, për filozofët, mendimtarët, shpirtin e tij prej floriri. Shkrimin tim e merr gazeta, e faqos, pastaj kujtohet për emërin e autorit dhe ndalon. Diskutojnë krerët e redaksisë në orët e vona, si ilegalët. Mos u bëni kurreshtar të dini se kush ishin; ‘koçimarja’, ‘thana’ apo ‘kumbulla’. S’ka rëndësi. Lëngu i tyre, po të fermentohet, të deh, të heq turpin, të bën të flasësh shpenguar. Punë e madhe, le të jetë ora 19 apo 20. Gjëndet koha për ta shtypur gazetën. Vendosin lente zmadhuese. Ou! Paska shkruar për Sami Frashërin, kërkon të na prishë marrëdhëniet vëllazërore me Turqinë…Ka bërë objekt gjykimesh shenjtërinë e malit të Tomorrit, djepin e Dodonës pellazge. Po kjo do mjaftonte të mërzisnim fqinjin jugor, të na mallkonte ‘Fortëlumturia’ e tij…Paska shkruar për bujqit dhe blektorët, për nënat dhe fëmijët e shkollave…Ky është poet rrebel, është kritik që di të maskojë qëllimet me fjalë të bukura, lexohet nga një masë e madhe. Të mos ta publikojmë…Kështu vendosën “Ata” të redaksisë. Dhe kanë të drejtë. Askush s’pengon të shkruash, por unë s’rrëmova në kujtesë. Fajin e ka pleqëria! Asnjë gjëmb në këmbë s’të hyn nëse shkruan për cicat e top modeleve, për tangat e këngëtareve, për shalët e miseve. E kush s’i ka lakmuar ato? Shumë Çezarë janë vithisur mes atyre shalëve. Shumë mbretër, që s’i thyente shpata, pikërisht atje kanë nënshkruar kapitullimin. Keni shëtitur në metropolet e botës? Keni parë kund ndonjë shitore të reklamojë apo shes moral? Ende s’janë hapur të tilla. Bukuria femërore meriton të reklamohet, por unë s’paskam sy për ta parë. Dhe këto shkrime kërkohen nga të gjitha gazetat, lexohen me një frymë, pëlqehen nga të gjithë. Mos vallë Migjeni e bëri mbretin e kohës së tij të mbytej nga dëshpërimi, oborrtarët të shikonin me dhëmbshuri shitësit e qymyrit? Jo dhe jo! Gjëja që nuk ndreqet, hidhet. Kështu thotë populli, dhe unë i besoj atij. Sa herë jam betuar me veten se duhet të këndoj, gjithmonë më pushton harrimi. Kur shkoj të paguaj kredinë në bankë, lekët e dritave, gjobat e makinës, taksat e gjelbërimit (!) gjithmonë harroj të këndoj. Mirë të më bëhet. Njeriun e trishtuar s’e duan as në familje. Atë që i këndon krenarisë apo dhimbjes, s’ka arsye ta dojë botuesi. Ne vetëm duhet të këndojmë. Unë fillova, që sot. Dhe këtë punë do bëj çdo ditë, çdo orë. A nuk shkruante poetja e mirënjohur amerikane Ela Uellërej: “Qesh dhe bota qesh me ty/ Qaj, dhe ti qan fillikat”. Këto vargje i recitoi në një tribunë festive. Dëgjuesit e saj ishin ushtarët e kthyer nga fronti i luftës. I buzëqeshi fitores dhe atyre që i prisnin familjet. Askush nuk është aq i pasur sa mund të jetojë pa buzëqeshjen tuaj. Ndodh vetëm një moment, por efekti i saj zgjat shumë dhe lë gjurmë të thella. Dhe më e cuditshmja, nuk është mall tokësor, që të shitet apo blihet me dollarë. S’mund të grabitet apo të merret hua. Është falas, mos e kurseni. Ndodh të shikoni njerëz të trishtuar, kalimtarë apo hallexhinj që nxitojnë. Ata kanën harruar të buzëqeshin, ndoshta nuk munden. E ka pushtuar dëshpërimi. Pikërisht kjo kategori kanë shumë nevojë për buzëqeshjen tuaj. Provojeni dhe keni për të parë. Mirësinë e tyre do ta ndajnë me ju. Ata s’kanë prona dhe biznese, por kanë një shpirt bujar. Te njerëzit e varfër e ndërton strehën bujaria. Unë kam njohur shumë milionerë që hanë vetveten, e si mund t’i kursejnë të tjerët. U jam larguar me shpresën se do shpëtoj prej tyre. Mirëpo ata shfaqen përsëri; në porte, banka, dogana, aeroporte, në plazhet e zgjedhura enkas, ndërsa në zyra gjenden me shumicë. U kam buzëqeshur që të shpëtoj prej tyre. Në sytë e atyre grabiqarëve kam parë pamjen e dikurshme fëminore. Edhe ata kujtohen se dikur kanë qenë njerëz, jo përbindësha, kanë provuar gëzimet e jetës. Tashmë janë rrënuar. Lakmia i ka mbytur me litarin e saj. Kanë mbetur kufoma të zbrazura që kundërmojnë. Edhe toka ndotet prej kërmës së tyre. Po s’kemi c’bëjmë. Ata gjënden mes nesh. S’kemi fuqi për ti zbuar, as për ti tjetërsuar, sepse pabarazia shoqërore është krijuar njëherë e përgjithmonë. Jemi të detyruar t’u buzëqeshim, në emër të jetës dhe të paqes, për të cilën kemi aq shumë nevojë.

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page