top of page

“QËNDRONI NË SHTËPI!” KORONOVIRUSI DHE…KARADINA…


Kristo Zharkalli

NGA KRISTO ZHARKALLIU…

Kemi kaluar shumë furtuna në jetë. Një jetë të gjatë plot kujtime,plot ngjarje tragjike dhe ë bukura. Jeta e njeriut nuk është njëngjyrëshe. UNë e fillova jetën fill pasa mbarimit të luftës por njoha dhe egërsirat e luftës. Ngjarja e pare që më kujtohet ishte kur një aeroplan gjerman nisi të mitralojë shtëpitë tone…dhe ajo që më bëri të më kujtohet më shumë është kur xhaxhai im, sapo doli tek dera që të shikonte se ç’po bëhej,një plumb e zuri në ballë thua se mitraleri gjerman e kishte marrë në shënjë dhe pastaj…pastaj gjaku i tij që na spërkati ne të tre djemt e vegjël-të një moshe katërvjeçare- kur ai u kthye dhe ra mbi ne atje pranë vatrës.. Pastaj lufta mbaroi dhe fituan parizanët…Fillimisht u gëzuam- tani që mbaroi lufta çdo gjë do të rregullohet, thoshin të mëdhenjtë se ne nuk kuptonim shumë gjëra-u gëzuam se gjermanëte egër ishin larguar dhe “djemt e maleve” kishin zbritur në qytete dhe kishin marrë pushtetin….Por ky gëzim nuk mbajti shumë. Si u duk “djemt e malit” nuk kishin armiq vetëm pushtuesit e huaj, por dhe familjet e kamura, si ishte famija jonë..Kësisoj filloi një luftë e re kundër nesh, më e egër se ajo me gjermanët se tani na luftonin vetë njerëzit tanë…Papritur u shpallëm armiq sepse ishim të pasur..

Kjo luftë kundër nesh zgjati më shumë se ajo me nazifashistët…Nuk mjaftonte që na “shtetëzuan” të gjithë pasurinë, por na kërkonin dhe para-tatime të tmerrëshme për kohën e luftës- duke bërë llogari analfabetësh. Dhe ne nuk i kishim ato që na kërkonin! “Nuk i jipni? Arrestoheni! Në shtatë penxheret!”(ashtu quhej burgu i tmerrëshëm në kalanë e Gjirokastrës..) Vit për vit dhe diçka të keqe zbulonin që të na ndiqnin,poshtëronin torrturonin. Nisën ndjekjet, burgime-im atë vdiq në burgu e Vlorës në vitin 1951- dhe ne,fëmijë dhe gra domosdo internim…Patos-atje ishim kur vdiq Stalini!-pastaj Shtyllas Levan…Aty sikur nuk ishte keq-nuk vuanim nga uria të paktën- por patjetër na shikonin vëngër se qënkeshim familje e “prekur”! Familje e internuar, e shpërngulur!(Asnjëherë nuk kam mundur të kuptoj se ç’do të thotë “I prekur” Mos ishte ndonjë sëmundje e pashërueshme? Ku ta dish se si punonte mëndje e ish djemve të malit!) Vetëm një gjë ishte e sigurtë: ishte “e pashërueshme!” Kudo që shkonim, cilën do derë që trokisnim na thoshin:Jeni familje e prekur! Akoma dhe kur na lejuan të ktheheshim në Voskopojë-ish vëndbanimi i paraluftës i familjes- edhe atje na thane:jeni familje e prekur! Duket se kjo sëmundje ishte tepër e rëndë dhe ngjitëse se pse nuk na pranuan as në kooperativën e urisë të Voskopojës… Madje dhe në shkollën e natës me zor dhe me ryshfet (ndërhyri Riza Kodheli ish mik i vjetër i babait) munda të regjistrohem. Por çka! Njëfarë qetësie sikur kishim gjetur- duke bërë gjithfarësoj pune:në minierën e Mborje- Dreovës, në fabrikën e përpunimit të qumështit në Maliq dhe në fund- edhe njëherë me ndërhyjen e Rizait-punëtor krahu në kampin e punëtorëve në Voskopojë ku mundja të ndiqja dhe shkollën e natës…por ku u desh të vazhdoja shkollën ne mesme ,si nxënës i shkëlqyer më thane: jo, je nga familje e prekur… Pastaj? Pastaj filluan përsëri ndjekjet madje donin të më ngatëronin e me “komplotin” e Teme Sejkos,të cilit as emrin nuk ja kisha dëgjuar…Megjithatë i kaluam të gjitha derisa një ditë nuk m’u durua dhe u a mbatha këmbëve…mora arratinë.

NË BOTËN E ASHTUQUAJTUR “E LIRË”…

Kishim dëgjuar se vendet kapitaliste ishin “Vende të lira”! Veçse Greqia bënte përjashtim edhe për botën e lirë; Greqia nga hera ka përbërë “përjashtim” se vend ballkanik që është… Pra edhe këtu fillova një peripeci tjetër. Kush të do dhe kush të beson kur vetë vendi yt të dëbon me shqelma,ose ,më keq, përpiqet të të zhduke nga faqia e dheut? Në këtë botë të lirë, unë besoja se menjimënd mund të thoshje gjithçka, të shkruaje mendimin tend pa ngurrim e frikë! Ç’naiviteti! Në botën komuniste në se ankoheshe kundër pushtetit, ishe armik, ishe reaksionar ishe antikomunist; në vendet demokratike-të flasim për Greqinë- po të ankoheshe, po të kritikoje qeverinë në pushtet aty këtu të cilësonin armik i kombit dhe…komunist! Kësisoj filloi faza e dytë e jetës sime “në botën e lirë” ku po ndiqesha se nuk pajtohesha plotësisht me pushtetarët. Dilnin grekët nëpër rrugë e protestonin? Dilja dhe unë bashkë me ta! Veçse dosja ime po trrashej mbushej me “fakte” të tjera për veprimtarinë time anti…kombëtare! Pastaj erdhi junda fshiste.Këta nuk bënin shaka! Në Shtyllas apo në Grabjan komunistët?Në ishullin e shkretë,në Jaro fashistët e demokracisë perendimore! Për disa vite nga burgu në internim dhe kur ishim të lirë na lejonin të grumbullohesim deri tre (3) vetë, ndryshe quheshim protestues dhe policia e ushtria ishln të autorizuar ose të urdhëruar, të përdornin të gjitha mjetet akoma ndhe armët e zjarrit.. Ishin kohra të çuditëshme rinore që i kalonim me guxim dhe shpresë se një ditë diçka do të ndryshonte. Për të mirë! Dhe ndryshoi! Duke u pëpjekur e duke “luftuar” ja arritëm të përmirësonim jetën. T’u ndërtojmë fëmijëven një jetë dhe të ardhme më njerëzore pa pasur frikën e policit apo kujtdo, mjafton të punojnë me ndershmëri..

Të gjitha këto i kaluam shumë here buzëgaz, me besim e optimizëm. Sepse kishim miq e shokë, kishim njerëzit që donim afër. Në përqafim, një puthje sikur na i hiqte hallet nga supet. Akoma dhe kur nuk lejoheshin më shumë se tre veta,takoheshim njëherë me dy, here tjetër me dy të tjerë,por takoheshim,përqafoheshim (përqafimin nuk e kishte ndaluar as junda fashiste, si nuk e kisnin ndaluar as komunistët që dikur kishin zbritur nga malet…) Ishte një jetë e vështirë por që mund të kalohej me njerëzit e dashur…Nuk kishe frikë se do te sëmureshe dhe do të mbetesh vetëm…kishe kaq njerëz të dashur përreth që do të kujdeseshin, do të të ndihmonin e inkurajonin…Por kur i kishim të gjitha këto nuk i kuptonim,na dukeshin gjëra të natyrëshme. Dhe ja një ditë na u shfaq…KORONAVIRUSI… që na erdhi andej nga thellësia e Azisë, nga Kina e largët (sot asnjë vend nuk quhet i “largët”) ashtu si na kishte ardhur komunizmi nga Rusia e largët e atëherëshme. E, thamë u shfaq në Kinë..është larg nga ne.. Por …ç’ne! Ky virus i mallkuar po vërshon në të gjithë botën dhe nuk ka të ndaluar akoma. Dhe ç’na thonë?

QËNDRONI NË SHTËPI! MOS KONTAKTONI ME NJERËZIT TUAJ! MOS U PREKNI- MOS U PËRQAFONI- MOS PUTHNI MBESAT DHE NIPËRIT! RREZIKOHENI!...Duke i dëgjuar këto këshilla të rrënqethen mishtë! Thua, sa mirë ishte me komunizmin, sa mirë me fashistët e jundës, ata nuk të ndalonin (veçse në se të kishin mbyllur në ndonjë qeli) të përqafoje dhe puthje njerëzit e dashur. Më pyeti mua ky koronevirus i mallkuar se si mund të qëndroj mbyllur në shtëpi,si mund të duroj pa puthur Kristinën, Stefaninë dhe Aleksandrin e vogël? Unë kur shkoja dhe i takoja dhe i përqafoja, thoshja: ju jeni si ishte Toka Nënë për Anteun! Mirrja fuqi nga dashuria e tyre, nga përparimi i tyre! Dhe tani më thonë: QËNDRO NË SHTËPI! RREZIKOHESH! KORONAVIRUSI NUK BËN SHAKA ME TË MOSHUARIT! Dhe pse? Ç’mëkata kemi bërë ne të moshuarit? Kërkojnë të na ngushëllojnë me teknologjinë er e. Ja, thonë mund të shohësh djalin dhe Aleksandrin nëpërmjet internetit në SKYPE nga Zvicra, ose me celularin në video! Teknologjia ka bërë dhe bën çudira…mund të bisedoj në skype me Stefaninë me Kristinën e më kë të dua kudoqoftë…Kur ka bërë të gjitha këto çudira si nuk mund të ndalin epideminë e koronovirusit që të mos jem i detyruar të qëndroj mbyllur në shtëpi,pa guxuar të hyj në ashansor, të dal në rrugë, të marr urbanin dhe të shkoj tek mbesat?

Patjetër bota kalon ditë të vështira që të mos themi të rrezikëshëm. Lufta kundër këtij virusit të panjohur (që ka të ngjarë të jetë prodhuar në ndonjë skutë ushtarake për luftë kimike!) është e vështirë dhe jam i bindur se njerëzimi edhe njëherë do të ftitojë. Ndoshta do të vonojë pak, por fitorja është e sigurtë. Dhe ne “të moshuarit” që jemi më të rrezikuarit të bëjmë durim dhe të kujtojmë të kaluarën me nostalgji dhe, akoma dhe njëherë të kemi besim tek forca e njeriut që patjetër është e mbinatyrëshme shumë here.

TË QËNDROJMË NË SHTËPI PRA! DHE KUR NUK KEMI TË BËJMË DIÇKA MË TË MIRË TË LIDHEMI ME TELEFON ME NJERËZIT TANË TË DASHUR DHE…PSE JO, ME PAK DURIM TË NDJEKIM DHE PROGRAME TELEVIZIVE!

URime dhe durim për të gjitghëtë moshuarit..

KRISTO ZHARKALLI , Athinë 17 mars 2020.

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page