top of page

° PËRJETIME NGA BUNECI.


Mentor Serjani

• Nën perëndimin dehës të diellit.

• Plazh ekzotik i virgjër.

• Këtu, ku iluzioni dhe endërra, janë të verteta.


Në grykën e Sase dhe luginën e Bunecit sasanjotët e piqerasiotët kanë pronat dhe bizneset e tyre, por edhe plazhet e tyre. Por ata kanë njëkohësisht edhe bashkëjetesën e tyre shekullore, trashëgiminë e tyre shoqërore e fetare, që shkëlqejnë që nga thellësitë e shekujve si unaza të arta. Kemi qënë dhe jemi , një e të pandarë, që nga krijimi i vendbanimeve, që nga mesjeta e këtej brenda një njësie administrative. Kur Piqerasi ka qënë qëndër komune, para 1944-ës, fshati ynë Sasaji, ishte fshati më i afërt me të, nga të gjithë fshatrat e tjerë. Kemi mësuar në një shkollë 8-vjeçare gjithë jetën, me piqerasiotët. Pra fëmijëria jonë është e përbashkët me ta, argetimet në plazhin e Bunecit kanë qënë dhe janë edhe sot, mjaft tërheqëse e të dashura me ta, që nga koha e rinisë. Kujtimet bëhen më të dashura sa më shumë jeta dhe koha ecin përpara. Kemi qënë dhe jemi një, që nga krijimi i kooperativës bujqësore të bashkuar, më 1960, si dhe në një komunë para Çlirimit. Kur dy kooperativat tona të veçanta u bashkuan, kooperativa u quajt Miqësia shqiptaro-kineze; Ajo e Borshit u quajt '’Miqesia shqiptaro-çekosllovake '', etj. Çdo kooperativë, në atë kohë, do të mbante emrin e një demokracie popullore. Bashkë ishim edhe si sektor, Piqeras-Sasaj, kur i gjithë Bregdeti u bë Ndërmarrje Bujqësore Shteterore, më qëndër në Lukovë.

Gjithashtu kemi miqësi e krushqi me njëri-tjetrin, jemi zotër të vëndit në konaket tanë dhe në sinoret tona, pra jemi si njësi të barabarta të një konfederate. Mbështetemi fort, përjetësisht në vargmalin Konjak-Lavan. Në këtë grykë bien në sy: -Buneci midis gjelbërimit dhe kaltërsisë qiellore e detare; Dielli, ajri, uji Lumi, Mali, Plazhi Ekzotik, Turizmi i dikurshëm (Hotel-Kasollet), tëndat dhe Kampi i Pionierëve, repartet e ushtrisë, festat që organizoheshin, bizneset, Qëndra Industriale, infrastruktura mbështetëse (porti, rrugët, ujësjellësi, elektriku, etj). Vendbanimet e hershme këtu,gjiri,Hec-et, flora dhe fauna, kanë një bukuri të rrallë.

TOKA, pengu ynë dhe preja e pushtetarëve pengoi zhvillimin e turizmit, bile e frenoi fare atë dhe punësimin. Gjëndja e 30-të viteve të fundit më keq se koha e Zogut. Fabrika e vajit Sasaj, stacion i linjave interurbane, linja e interkonjeksionit, kanali vaditës, lidhen me Grykën e Bunecit dhe luginën e Sase, por edhe me të tjerat, si: Mirjani (Lapardhaja), fidanishtja e dikurshme e perimeve, si dhe vetë ato vende si promovuese të antologjisë '’Shtigjeve të Vendlindjes'’, vepër e poetëve dhe prozatorëve të Rivierës. Plazhi i Bunecit, një hapësirë joshëse që shtrihet midis Kodrës së Drurit nga ana e Piqerasit dhe Majes së Kashtares të Sasajit dhe Hundës së Vigjave në Lukovë.

Këtu, në Bunec ,valët joshëse shtyhen lehte gjatë bregut te detit nga një fllad i ngrohtë veror. Këtu vala me bregun janë nën një përqafim e puthje të ëmbël e të përjetshme.

-Nuancat e ngjyrës '’blu’’, të veçanta e të jashtëzakonshme. Gjelbërimi natyror i përhershëm i rri mbi krye, si një simbiozë organike e veçantë, e papërsëritshme, ashtu si vetë Riviera. Dikur mbi të binte drita e verdhë vezulluese e portokalleve e limoneve, me ngjyrën e gjelbër, të thellë, gati në të zezë të ullinjve, që përbënin një kontrast ylberesh në gjethet, me një spektër të pafund të dritës gjithëditore. Sëbashku me perëndimin e kuqërremtë, që flakëron në hapësirat e pafund det-qiell, duke ia lënë vendin një muzgu të artë që vjen, me daljen pas malit të hënës pesëmbëdhjetë ditëshe. Pikërisht, ky moment i bukur e romantik, këtu në Bunec, të shpie tek thënia e bukur e Dostojevskit, për brigjet greke të Jonit, (që janë të përafërta me ato shqiptare), i cili thotë:

«____... Është një cep magjepsës i Arkipelagut Jonian: ujëra blu, ledhatues, ishuj, shkëmbinj, brigje të lulëzuar, një panoramë magjike në largësi, një perëndim dielli trullosës; s'kam fjalë për ta përshkruar; Këtu është djepi i qytetërimit Europian; Këtu janë zhvilluar skenat e para të mitologjisë; Këtu është parajsa tokësore; Këtu kanë jetuar njerëzit fisnikë; Zgjoheshin e flinin të lumtur e të pafajshëm; Gëmushat mbusheshin me këngët e tyre të gëzuara; Energjitë e virgjëra digjeshin në dashuri dhe gëzime të çiltra… Dielli lante me rrezet e tij ishujt dhe detin, i lumtur që rrëzëllinte mbi fëmijët e vet të bukur! Ëndërr magjike! Iluzion i bukur…!»

Këtu, në këtë plazh, dikur, ngriheshin tënda dhe kasolle (strehéza estetike), para viteve '90-ë, të ndërtuara me kallama, thupra druri, fier e bimë makjesh karakteristike që përbenin një mjedis shumë të këndshëm në anë të detit, një turizëm i thjeshtë, por i gërshetuar me traditën, që sot nuk ekziston. Ajo pjesë e detit na dukej jona përjetësisht, sikur na i kishte falur vetëm ne, Zoti i Madh! Gjithashtu, përdornim gjethet e gjëra të bananeve, të mbjella eksperimentalisht, në vitet '80-ë në Lapardhá. Pas vitit 1982, kur banda diversioniste e Xhevdet Mustafës, shkaktoi trazira, me masat që u morrën për forcimin e regjimit të kufirit, këto kasolle, (strehëza estetike, por mjaft klimaterike), u ndaluan, duke u ndaluar edhe fjetja në anë të detit, duke vendosur edhe orare të qëndrimit në det dhe rërë. Kjo në atë kohë u përjetua shumë dhimbshëm për ne! Plazhi kaloi menjëherë nën regjimin e një brezi kufitar, zone kufitare!

Kujtoj me nostalgji, përmallim, por edhe ngazëllim për brezin tim, ato çaste të lumtura, që i kam jetuar në moshën më të bukur, atë të rinisë. Kujtoj këto evenimente të thjeshta, por modeste, të embëla, por të madhërishme nga ana estetike e ndjenjave dhe e mbresave. Kampet për pionerë ngriheshin në Gonè të Piqerasit, kufi me territorin e fshatit tonë në Bunec. Këtu pionerët e shkollës 8-vjeçare '’Vasil Laçi'' dhe ata të shkollës fillore '’Naim Frashëri''Sasaj, zhvillonin veprimtari kulturore-sportive, kryesisht, not në det. Shpenzimet i paguante kooperativa bujqësore, që kishte caktuar një fond të posaçëm. Këto veprimtari udhëhiqeshin nga mësuesit, të organizuar dhe mbështetur nga pushteti vendor. Në luginën e Bunecit dhe në grykën e Sase kishte gjallëri, funksiononte fabrika e vajit, e pijeve dhe e ëmbëlsirave, porti (pontili i vogël), ku ngarkoheshin anijet me agrume, ankorohej ndonjë peshkarexhë apo edhe anije luftarake, gjate ndonjë stërvitjeje të zakonshme, H/C-et, posta e kufirit ,regjimenti bregdetar, reparti ushtarak i zbulimit, etj. Këtu ishin punësuar edhe disa punëtorë që punonin në këta sektorë, nga të dyja fshatrat tona, Piqeras e Sasaj. Këtu nuk do t’i përmënd të gjithë, por vetëm tre bashkëmoshatarë të mi. Në fillim si sekretar rinie e më pas si brigadjer bujqësie, isha i ftuar në festat që organizoheshin nga regjimenti bregdetar (bateria) në Bunec, me rastin e 10- Korrikut, festes së themelimit të Ushtrisë Popullore, ku shoku im i moshës Qëndro Rezvani, ishte shef i radarit. Por edhe më 25-prill isha përsëri i ftuar pasi edhe këtu, ndodhej me detyrë shofer ;shef i shërbimit të kufirit (që patrullohej me skaf), Robert Duka.

Njëzet e pesë prilli, në atë kohë, ishte festa e forcave të Kufirit në RPS të Shqipërisë. Kënaqësi e veçante ishte edhe kur në port mbrinte bashkëvendësi tjetër, Artan Memi, zëvendëskapiten i anjes tregtare «Haxhi Shehu», në kabinën e së cilës, fjeta një natë. Artani kish mbaruar Akademinë Ushtarake të Marinës, në Vlorë, me rezultate të shkëlqyera. Për shkak të një letre anonime nga fshati, për punë biografie, nuk u lejua të lundronte në ujërat e jashtme, por vetëm në ato të brëndshme. Vdiq aksidentalisht në Itali, pas viteve'90-të. I paharruar qoftë kujtimi i tij. Këto ishin momente shumë të bukura, por për shkak të një realiteti shqiptar të prapambetur për atë kohë, nuk mundem as t’i incizonim as t’i regjistronim, që t’i kishin kujtime të arta për kohën e rinisë sonë. Buneci është fshat shumë i hershëm, si gjithë fshatrat e tjerë të Bregut të Jonit. Ai u shua rreth viteve 1745-1760 nga një epidemi kolere. Tokat e këtij fshati u blenë nga fshati ynë Sasaj nga Kallapodhajt e Delvinës, çiflik i të cilëve ishte Buneci. Buneci në Mesjetë kishte në varësi Sasajin, Piqerasin, Badhrën, varësi administrative që kanë ndryshuar gjatë shekujve, duke bërë që këto komunitete, kerë të vareshin nga njëri e herë nga tjetri fshat, pra një lloj rotacioni administrativ. Në këtë plazh dhe këto mjedise u pershtatëm, u rritëm, dhe u zhvilluam edhe ne. Aty ku fillon jetën ka edhe dashuri për ta mbyllur atë. Tamam ashtu siç thoshte Çajupi:

- «Ku rrej me gaz e me shpresë/// Ku kam dëshirë të vdes».

Dikur, në këtë gji të bukur, ishte edhe një ujësjellës, për furnizimin e anijeve me ujë. Asgjë nuk ka mbetur, përveç ndonjë fotografie që e deshmon këtë. Brezi im këto vepra i ka parë me sy dhe i ka rregjistruar në memorje. Por, pse Buneci është lënë në harresë sot? Po infrastruktura, po ndërtimet? Pse? Sepse toka nuk i është kthyer të zotit? Me sa duket politikanet po i ruajnë si asete të tyre? Baballarët tanë vdiqen! Avash-avash po afrojnë për të vdekur edhe bijtë e tyre! Të tjerët që vijnë pas, një pjesë nuk i dinë se ku i kanë pronat e baballarëve e gjyshërve, një pjesë ndodhen jashtë vëndit dhe po punojnë për të jetuar, kurse një pjesë nuk kanë të ardhura financiare për të përballuar të ardhurat financiare që duhen në përpilimin e dokumenteve. Dhe së fundi, qysh nga ligji famekeq i 1991-it, kanë dalë një mori e madhe ligjesh, aktesh normative e udhëzime të lloj-llojshme që e kanë futur problemin e tokës në atë batak që mund të dalë vetëm me revolucion të armatosur. Në administratën vendore dhe qëndrore janë krijuar aq vështirësi sa që është e pamundur të të zgjidhet një problem që të takon me ligj, po nuk shkunde të gjithë Xhepat e palltove e pandallonave me hastar jashtë.

Pra, duke u mohuar pronarëve të ligjshëm dhe historikë, pronat e tyre, këta '’kapso’’ politikan të qelbur, me apo pa mjekër e mustaqe, qerozë apo leshtorë, xerkderra apo qafëhollë si lejlekë, ndrikulla apo spitullaqe, çerçele apo turtulidha, synojnë ta marrin pronën e tjetrit, qetë-qetë me konsumimin e moshës, brezave dhe kohës! Pra «gjoja» përpiqemi, por qytetari breth me «torbën» bosh dyerve të zyrave të «kriminelit» shtet! Ky është Tranzicioni shqiptar, kjo është Katovica, kjo është fara që mbolli «zëholli» i poshtër dhe i fundit komunist, Ramiz Alia, që na la «amanet» Sali Berishën dhe Fatos Nanon, të cilët, lanë pas me qindra e mijëra këlyshë meshkuj e femra, nga të gjitha rracat e ngjyrat!!! Edhe pak, biznese, Hotel-Restaurante që kanë ngritur sasanjotet e piqerasiotët, me shumë vështirësi të mëdha, operojnë në kushtet e mbijetesës. Ky është Bregdeti Jonian, ku rrezet e diellit dhe rëra, janë shëruesit më të shëndetshëm, më të lirë dhe më të thjeshtë, ashtu si dhe uji dhe ajri i freskët e i pastër për mushkëritë, jodi i detit për gjëndrat tiroide etj. Ky plazh me rërë të imët, me zaje të madhësive mesatare, me ngjyra të ndryshme, të sjellë nga përrenjtë që zbresin nga mali i Lavanit, u japin, jo vetëm anës së detit një bukuri të rrallë, por edhe fundit të detit (deri aty ku depërton syri i njeriut), një rrezatim shumëngjyrësh. Dikur amatorët e peshkimit kënaqeshin duke shijuar peshkun dhe ngjalën e këtyre anëve. Ngjalet ziheshin më shumë në Moçale, sidomos nga Zenel Rezvani dhe Rakip Memi. Lumi vet, ka një bukuri të rrallë, nga të dy anët me drurë frutore, po ashtu edhe nga drurët pyjorë të lartë si, rrapi, e buta (shparthi), Selvia, mëni, ilqet, shelgjet etj. Këta drurë dhe këto pemë, krijojnë hije të dëndura e shumë të freskëta që të kujtojnë pyjet e Amazonës. Gjatë viteve '90-të e më pas, flora dhe fauna e gjirit të Bunecit u demtua nga gjuajtja me dinamit. Më pas shteti e normalizoi këtë veprimtari shumë të dëmshme. Gryka e Sase dhe lugina e Bunecit ishte e mbushur me shumë pemë frutore, agrume, ullinj. Nga këto ekzistojnë vetëm ullinjtë dhe tek-tuk ndonjë agrume, kurse pemët e tjera si, mollë, dardhë, fiq, pjeshkë, xinxife, bajame, kumbulla, zerdeli etj ose janë tharë, ose janë prerë nga pakujdesia. Tek-tuk duken edhe disa rrënjë hardhi.

Këto pemë ishin të zgjedhura dhe ishin sjellë nga të parët tanë, shumë vite më parë, nga vëndet e largëta. Me kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm, keto pemë frutore do mbillen prapë se i do tradita, i do vendi, i duan njerëzit. Edhe pse kemi diell nuk ngrohemi se nuk e shfrytëzojmë energjinë diellore. Edhe pse kemi ujë të bollshëm nuk pijmë se nuk kemi vepra marrjeje e investime. Edhe pse kemi ajër, nuk ngopemi frymë sepse vendi është i ndotur, se mungojnë «landfillet».

Si përfundim dëshiroj të jap disa mendime: E PARA:

- Pse të mos vihen në funksionim, bile edhe të asfaltohen, rrugët e brëndshme të dikurshme që lidhin buzën e detit, duke filluar nga Shkalla e Borshit, Piqeras, Sasaj, Lapardha, Lukovë (poshtë Hundës së Vigjave)?

- Po kështu të ndërtohet e re rruga Lukovë -Shpellë- Krorëz, Kakome.

- Të ndërtohet rruga Kapo Qefal- Sarandë e mandej në vazhdim deri tek Kepi i Stillos. Një pjesë nga këto janë të hapura, se kanë qënë rrugë ushtarake. Do të dilnin rrugë mjaft të bukura buzë detit, do ishte një perlë e vërtete për gjithë Bregdetin e Poshtëm (Borsh- Sarandë), por edhe për gjithë Rivierën Shqiptare.

DHE E DYTA:

- Kam një ide sikur Tunelin e Kardhiqit ta lidhin me rrugë tokësore me Tunelin Tatzat- Sasaj, me rrugën tokësore ekzistuese e mandej me tunelin e Llogarasë me destinacion Vlorën. Banorët do lëviznin më lirisht si në drejtim të Vlores e më tej Tiranës, por nga ana tjetër, më shpejt e më shkurt drejt Kakavijës.

Shpresojmë të behen, shpresojmë t’i shijojmë normalisht bukuritë tona, të na kthehet prona dhe të mos na dalë prapë ndonjë «i paudhë», si Covid19-ta.


Lapardha: Tokë e bardhë (rreth e rrotull pyll

- rerë; Tokë e ardhur për të punuar.

- E la -bar- (djerrë, të papunuar)

Mirjan: - Perimorja (mirë janë). Maro-Mari- Jani (emër pronari).

• Pikërisht këtu në Bunec, do të drekonim edhe me miqtë tanë, Spiro Laska e Halil Shabani, së bashku me vellain, Idealin dhe djalin tim Ronaldon, në ekspeditën shkencore, që ndërmorëm, për eksplorimin e burimeve, shpellave, vëndbanimeve të vjetra, të Harcës dhe Bunecit, si dhe rikonicionin në terren si dhe për gjeomorfologjinë e tyre, gjatë viteve 2018-2019-2020.

Mentor Serjani, 2020.



153 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page