TRIP-TIK ME DËBORË
FIROMAT PUTHEN MBI XHAM
Tring-tring gazmojnë zilkat e akullta,
veshur gjithësia me të argjendëta leskra.
Këtij dimri të vonë pse m'u fanit,
ajo, që më donte, e unë s'e desha?
Era lëpin xhamin e ftohtë,
psherëtimat çajnë terrin e dimrit.
Dashuria e paprekur ëndërrkot,
një zog përpëlitet mes pyllit...
Kush ma solli sonte kaq pranë?
Ç'kanë që gazmojnë zilkat në korie?
Shoh dy firoma që puthen mbi xham,
siç puthen në dimrin e vonë hijet...
Ç'DIMËR MARROK BËN NË ALASKË
Ç'dimër marrok bën në Alaskë!
bardhësi vrastare;
në shtrat të florinjtë,
trupin e akulluar m’a shkrin një kuqalashe 1),
hiri i verdhë mbulon thëngjijtë...
Londoni i lodhur,
mbështjellë me lëkurë,
Ma shkul veshin e thërret fort:
-Ëndërra me flori pashë e unë,
iku një shekull e nuk zgjohem dot!
Krisi qielli;
ciflosen yjet,
Kashta e Kumtrit mullar mbi Dauson.
Habitem:
"Kaq larg,
o Thani,
ç’dreqin ke kërkuar?!"
dhe Hëna anemike mbi mua mërmëron...
PYLLI YNË FLE NËN BORË
Në sqetullat e bardha dremit nata,
sheh ëndrra të bukura me Prill e Maj.
Kra- krau kërcasin degët e thata,
krasitja e mban pyllin gjallë.
Le të zhytem në gjumin e thellë. pres të vijë gjoksbardha nuselalë, Nginjur me nektar e vesë, të dimërojmë në një zgavër... Na e shprishën gjumin drerët me brirë, hareshëm kumbojnë zilka e këmborë. E ç'ë se një shekull më vonë jemi gdhirë?, Pylli ynë fle nën borë...
Comments