
QAZIM SHEHU GIJOTINA
U rrëqetha mbi gijotinë,
Në mëngjes drejtova shpinën
Dhe kokën mbi supe s`e gjeta…
Ajo plotësonte vitrinën
Me koka të prera…
Në haësirë të mendimit
Sëpatë e saj prêt,
Kokat që vërtiten
Me një mendim inert.
Hiq e prit koka si në gjendje lufte,
Edhe pse ato rrinë mbi supe…
RRATHË VETMIE
Vetmia rrathë rrathë
Na shtrëngon trupin…
Shtrydh ajo ngadalë
Helmet që s`na humbin.
Helmi del e ngjitet kërpudhë idilike,
Askush prej tij nuk vritet,
Kur gjen një mike…
AJO RE…
Shkon të fshijë ballin e diellit ajo re
Në një homazh lirik,
Si shami lektisje e vë re
Si një shall mitik…
Dhe tretet ajo ngadalë
Brenda kokës së tij,
Kaq djersë e valë
Brenda rrezes shkrin..
Ku shkoi ajo re
Qe apo nuk qe
Shtrydhur nga dorë e zemrës
Lagur nga mall i pafaj
Ja, kur vrejtet diell
Ndrit hije e saj…
TRËNDAFIL I HEDHUR
Një dorë kish hedhur një trëndafil
Në rrugë…
A ish një përbetim kurorëshkelësi
Në avull dështimi shuar
A një përbetim sahanlëpirësi
Që lule mban në duar..
Çfarë mund të ishte ende ai trëndafil
Këputur me nxitim,
Për të shkuar atje ku zënë fill
Përbetimet me trishtim?
Mos një pendim,
Se dikush lulen nuk e meriton as në varrim…
+++
Gjeta një trëndafil dhe thellova
Pandehmat e kota,
Me to lulet urova:
Të lulëzojnë për plagët tona…
SUPET
Zgërdhihet e korruptuar lavdia,
Në tradhti supesh të mpira.
E sup e sup dhe hapi, tapa tup,
Hap e hap dhe supi nuk ngjitet më lart;
Kështu të dështuar mbajmë
Sa pesha që nga supet s`i ndajmë.
S`dihet kur do t`u shpëtojmë çlirimit të supeve
Skupeve,trukeve dhe nxitimit
Të disave që supet tonë rëndojnë,
Dhe për pak kohë të gënjyerit qetësojnë…
PUTRAT GODITËSE TË VITEVE
Mbulesë e gabimeve të mia
Zbuluese e tyre me takt e pa takt…,
Gjëmon gjaku i dashurive
Në damarin për parainfarkt.
Putrat goditëse të viteve
Sjellin shpesh tek ne kafshën
Sa më tepër dashurisë i avitemi
Se bëkemi më njeriun,po fantazmën…
Poeti Qazim Shehu, i heshtur, si thjeshtësia, vetëm me pak vargje, të stërpikura me dritë rrëzëllore, u përcjell lexuesve nëntekstin poetik:
S`dihet kur do t`u shpëtojmë çlirimit të supeve
Skupeve, trukeve dhe nxitimit
Të disave që supet tonë rëndojnë,
Dhe për pak kohë të gënjyerit qetësojnë…
Pra, lexuesve u bën thirrje me art: o bashkatdhetarë, o njerëz, o shqiptarë! Bëhuni vetvetja, për të mos i lejuar ata që keni në krye, të cilët, me enciklopedinë e mashtrimit, nuk ju lejojnë supet t’i drejtoni.
Eshref Ymeri