Pushka vret një, fjala vret njëmijë...

Me vra dikush shpifësin, gjakun ia ka, po të gjithë i thonë: “Të lumtë pushka”!


Abdurahim Ashiku

Mendim Kryeministri ynë, çdo ditë e më shpesh, del në publik e citon sure të Kuranit e të Biblës duke kënduar herë si mysliman, herë si katolik, e herë si ortodoks për të na mbush mendjen se edhe Zoti është kundër shpifjes e ligji i tij është Ligj i Zotit. E drejtë e tij është por përpara se ti drejtohet qiellit le ti drejtohet tokës, le t’i drejtohet mençurisë së popullit shqiptar, mençuri që e ka mbajt gjallë e nuk ka mundur me u asimiluar nga asnjë barbar.



Një burrë i vjetër që “Ndante kanune”, në pamundësi shëndetësore për të shkuar në një kuvend popullor, e porosit djalin: Para se të ikësh, merr me vete një metër, një kandar dhe një shkop të thatë thane të mprehur nga të dy anët. Me metër mat vendin ku do të ulesh.... Me kandar pesho fjalën para se ta nxjerrësh nga goja... Me shkopin e thanës përpara se t’ia ngulësh tjetrit, ngulja vetes...

* * *

Populli e ka mat kurdoherë fjalën që ajo të mos vrasë. Në popull has rëndom, në biseda të përditshme e në kanune shumë shprehje të mençura që lidhen me fjalën e dalë nga gjuha që siç thotë Ezopi, “është gjëja më e mirë në botë sepse me gjuhë mund të flasësh për dashurinë, për lumturinë, për natyrën e bukur, për shoqërinë e mirë... por njëkohësisht gjuha është gjëja më e keqe në botë. Gjuha shpall luftërat, gjuha ndan njerëzit. Me ndihmën e saj shumë njerëz gjithë kohën flasin veç marrëzira. Këta njerëz të bardhën e bëjnë të zezë, të drejtën të shtrembër, të mirën të keqe...” E para po bëhet gjithnjë e më e rrallë në shoqërinë e kohës që jetojmë, kurse e dyta ka pushtuar kuvendin, median, llapën politike majtas e djathtas. Ajo ka hedhë rrënjë në foltoren e kuvendit, në gazeta, portale, në rubrika televizive “opinion”... duke vrarë pa mëshirë njeriun pa mburojë. Populli, më shumë se për gjithçka në kulturën e tij historike, për fjalën e rëndë, shpifjen, ka vendosë kanune që e kanë mbajtur në këmbë në rrjedhën e historisë duke mos u asimiluar... Ai thotë: Fjalën mate shtatë herë, dhe preje njëherë... Mos shti kurrë pa e vu për syri... Bëje rob fjalën mos të të bëjë rob ajo ty... Kafshatën e madhe haje, fjalën e madhe mos e fol... Nëna e çdo belaje, është fjala... Fjala është si bleta: ka mjaltin, por ka edhe zeherin... Pushka vret një, fjala vret njëmijë... Plaga e pushkës shërohet, plaga e fjalës nuk shërohet kurrë... Fjalën e keqe, edhe me e mbyllë në dyzet dryna, del... Fjalën e keqe nuk e mbyt deti, nuk e vret rrufeja, nuk e djeg zjarri...

* * * Kryeministri Rama nguli këmbë dhe e detyroi Kuvendin të miratojë projektligjin për të dënuar penalisht të gjithë ata që shpifin. Reagimet menjëherë mbinë siç mbinë grami e talla në arë për ta mbytë e tharë misrin. Të djathtët si gjithnjë dolën menjëherë ta kundërshtojnë. Doli edhe një aktor në një rol që të bënte të tundje kokën e të kujtoje italianin Malombra në romanin “Qyteti i fundit” të Petro Markos tek përsëriste pa pushim: “povero noi!” Doli edhe një shkrimtar, ish ministër, diplomat “pa portofol” e tha: (citoj) Është një përpjekje e kryeministrit për të larguar vëmendjen e medias, opinionit publik, ndërkombëtarëve nga skandali i madh. Nuk mund ta përfshijë në kodin penal shpifjen. Është e qartë dhe e padiskutueshme....” Presidenti i Shqipërisë nuk e dekretoi ligjin... Tjerrja mbi furkë pa bashkë vazhdon... Pyes: A duhet të ketë një ligj që të dënojë penalisht të gjithë ata që shpifin, të gjithë ata që e hedhin fjalën e rëndë, pa mend në kokë? Thuhet që Gjermania e ka një ligj të tillë, ligj që të dënon deri në tre vjet privim lirie po qe se shpif, po qe se nuk e mban llapën brenda zgavrës së gojës dhe nuk e nxjerr “pa e matur shtatë herë”. Përgjigjen gjykoj që të mos e kërkojmë tek fjalët “pa kandar” të politikanëve shati i të cilëve tërheq gjithnjë nga vetja, as median e shkruar e televizive me lopatë për të varros gjithçka. Ta kërkojmë në urtësinë që i ka dhënë në shekuj e mijëravjeçarë populli, me fjalën monument. Shtjefën Gjeçovi në mbledhjen dhe kodifikimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit duke folur për nderin ku “secili e ka për vedi e nuk mund të përzihet kush” thotë: “Dy gisht nderë ka seicili në lule të ballit. Seicili mbahet i mirë dhe i thotë vedit “Jam burrë” e i thonë “A je burrë”. “Ndera, vijon Gjeçovi, i merret burrit me i thanë kush se rrenë faqe burrave të mbledhun në kuvend. Me e pshty, me iu matë (E matmja si e ramja, e ramja si e vramja)... ( E drejta zakonore shqiptare f. 105) Në Kanunin e Dibrës (Xhafer Martini) “Fjalë e randë” (faqe 555) nuk quhet vetëm ajo që thuhet syndërsy, por edhe ajo pas shpine”. “Shpifja është një veprim i ulët: burri me dy gisht nder në ballë nuk shpif kurrë. Me vra dikush shpifësin, gjakun ja ka po të gjithë i thonë “të lumtë pushka” “Për shpifje të randa që bajnë me fjalë krejt katundin, shpifësi ndahet “Për mort e për dasëm”. “Në kuvend fjala e randë nuk falet kurrë. Kuvendi të shamit i ve nderin në vend: fjalërandit i mba armën e e përzë prej kuvendit: Në ndonjë rast i djeg edhe shpinë”. Me shembujt e mësipërm, shembuj që i gjen në të gjithë kanunet ( Kanuni i Dukagjinit, i Dibrës, i Skënderbeut, i Labërisë...) populli me mënyrat e veta i ka vënë fre fjalës së rëndë, llapës së nxjerrë një pashë, shpifjes deri në përzënie nga fshati e djegie shtëpie. E quaj me vlerë që para se të hartojmë ligje (çfarëdo ligji), të lexojmë dhe reflektojnë me fjalën shekullore të popullit, fjalë që e ka mbajt në këmbë duke i dhënë krah e mend në betejën për mbijetesë. Një ligj për t’i thënë ndal shpifjes, ndal fjalës së rëndë në Kuvendin e Shqipërisë, në gazeta e televizione, e quaj të domosdoshëm ashtu siç quaj të domosdoshëm një nen për gjakmarrjen me dënim kapital çka do të hapte dyert e shtëpive ku ngujohen fëmijë e vajza të reja. Dhe, të gjithë, kuvendarë e gazetarë, përpara se të flasin e të shkruajnë të kujtojnë porosinë e plakut për të pas gjithnjë me vete Një metër, një kandar dhe një kunj të thatë thane të mprehur nga të dy anët”... Presidenti e ktheu ligjin mbrapsht në Kuvend. Mirë bëri. Ai ligj ka nevojë të mbështetet në tokë, në përvojën shekullore popullore për luftimin e thashethemeve, shpifjeve, përfoljeve... Pa këtë mbështetje ai është pa efekt... Evropa është shekuj para nesh (vetëm 61 vjet universitet kemi) e rruga drejt saj duhet matur me hapin tonë e jo me hapin e saj.

#Abdurahim #Ashiku Athinë, janar 2020

24 views

Shkrimet e fundit