top of page

PSE METAT IDRIZI ISHTE MË KURAJOZ SE UNË?!




Shqiptaro-amerikani Metat Idrizi më ka tërhequr vemendjen në një nga koncertet e organizuara në Sarandë nga Unionit Artistik Shqiptar, që zhvillohet përvitshëm në fundqershor si një fiksion simbolik për Çamërinë, masakrën zerviste ndaj saj, vlerat e magjishme të kulturës, këngës dhe valles çame. Ky aksion artistik, që është ideuar dhe drejtohet nga zotërinjte A. Haklaj dhe M. Kureta është një event i rëndësishëm në dobi të kulturës kombëtare, pasi shëtit të gjitha trevat etnokulturore, sensibilizon, ringjall, evidenton dhe promovon vlera të reja. Pavarësisht elementëve të përsëritur dhe rutinorë ideja e këtij aksioni artistik ka në gjenezë një mision të bukur, i cili vështirë të kompromentohet. Një prej të veçantave të tij janë njohjet e reja. Kështu kujtesa ime shqisore dhe emocionale fiksoi Metat Idrizin si një ikonë interesante dhe në lëvizje. Ai rrinte në këmbë, me flokë të gjatë ende të zinj, i mbështjellë me flamurin kombëtar dhe me thirrje të herëpashershme dukej sikur thoshte: Jam Unë, ai dikushi që kaloi kufirin. Tani jam kthyer këtu, në mezin tuaj, në sytë tuaj, në shpirtart njerëzorë që më duan dhe i dua!

Këtu problemi komplikohej paksa, pasi unë kam një ndjesi neverie ndaj falcitetit, ndaj asaj që nuk është e natyrshme. Thashë se Metati mbështillej me flamurin kombëtar ashtu si mbështillen politikanët tanë me një fjalor demagogjik pseudodemokratik për të fshehur korrupsionin dhe shijen e tjetërsimit të trojeve kombëtare. Kështu, padashur figura e Metatit tek unë luhatej mes dy ndjesish. Artistikisht më pëlqente, sepse ishte figurë e bukur, impresionuese dhe interesante, të ngjallte kërshëri, gjë që e konstatova veçanërisht në sytë e fëmijëve, nga pikpamja intelektuale e konsideroja aktin e tij si një përpjekje për të rënë në sy, për t’u evidentuar. Dhe kjo më krijonte një hijesim të asaj çka më dukej interesante, ishte si të thuash një dritëhije, një dyzim vlerash që padashur më shqetësonte. Por rastitisi ta njoh këtë njeri dhe të korregjoj me këtë prezantim gabimin tim, të paktën për Metatin. Ai nuk është një figurë fiktive dhe impozante, por një qenie njerëzore origjinale dhe e konsoliduar. Tashti që kam pirë disa kafe me të dhe kam kaluar disa herë nëpër duar librin e tij “Dikush kaloi kufirin”, kam krijuar bindjen se Metatin ja vlen ta njohësh!

Natyrisht shqipja e Metatit nuk është aq e kultivuar, ka ngjyrime dialektore dhe mjaft gabime drejtshkrimore, që fillimisht më shqetësuan. Korrektimi letrar dhe redaktimi i një libri të tillë është shpesh një punë raskapitëse dhe e padukshme, por e domosdoshme. Është njësoj sikur të pastrosh barërat e këqija: egjrin, krislën dhe gramin nga një arë me grurë. Por në grunajat e pranverës ka edhe llapsana, që janë aq të shijshme dhe lulëkuqe si bimë medicinale me vlerë dhe natyrisht grurë, shumë grurë, grurin e bukës sonë të përditshme! Në këtë pikëpamje, libri i Metatit promovon një vlerë dhe na lë një mesazh, na kultivon ambicien, na rrit kurajon dhe na mëson ashtu si Diogjeni të ndezim qiririn dhe të kërkojmë njeriun...

Dhe Metati është njeri në kuptimin e plotë të fjalës. Të pakënaqur me komunizmin ka pasur shumë në Shqipëri dhe në të gjitha vendet ku ai rrënjoi, por të paktë kanë qenë ata që e kanë artikuluar protestën, kanë shkruar apo janë tubuar kundër diktaturës, pasi ata që e njihnin më mirë ishin intelektualët, ata intelektualë që tani drejtojnë të gjithë spektrin politik shqiptar si kryetarë partish, ministra dhe deputetë, ata që kanë studiur në Rusi, Kinë, Francë, Vendet nordike etj. por që kishin dy të këqija të përbashkëta: ishin konformistë dhe frikacakë! U kujtuan ta luftojnë ideologjinë komuniste kur kalit i ranë patkonjtë. Kjo është arsyeja e vërtetë pse Shqipëria dhe shqiptarët që janë në etnogjenezë një popull vital, pengohen nga vullnetsëmurët edhe në demokraci, për të qenë në pararojën e progresit.

Edhe unë kam folur kundër falsitetit të sistemit komunist, e kam ndjerë në lëkurë persekutimin politik që iu bë familjes së hallës sime, që e kishte bashkëshortin të dënuar me grupin e Teme Sejkos, por nuk kam vepruar; edhe unë kam tentua disa herë ta kaloj kufirin, se kam qenë i pakënaqur me vendin e punës, një student me rezultate shumë të larta u caktova për të punuar në një fshat të kufirit ekstrem të Jugut, në Janjar, por e vërteta është se s’kam qenë aq trim dhe aq kurajoz sa Metati, se trimi nuk duket në fjalë, por në vepra! Kjo është një arsye më shumë përse e respektoj dhe e vlerësoj Metatin, kurajon e tij qytetare, shpirtin e tij të sakrificës, pasi ai me përvojën e tij njerëzore në këtë libër promovon vlera të qëndrueshme të personalitetit njerëzor.

Ai e quan këtë libër novelë, por e vërteta është se këtu veç rrëfimit dhe aventurës, që janë thelbi i novelistikës, ka edhe publiçistikë, vjersha dhe akte domumentare; shenime të të tjerëve, opinione dhe vlerësime. Me këtë strukturë ky libër vlerësohet si kompleks në formë dhe transparent, tepër transparent në përmbajtje. Mos kërkoni këtu ju lutem dëshmi të karakterit historik, pasi ai nuk është libër shkencor, historik apo politikologjik. Mos kërkoni gjithashtu vlera letrare të qëndrueshme, përveç detajeve mbresëlënëse që paraqesin interes. Por në të nuk mungojnë zhbirimet psikologjike, koloritet përshkrimore, deduksionet logjke dhe kujtimet interesante. Për një gjë tashmë jam krejt i bindur, nëse dje, dikush kaloi kufirin, sot shumëkush do të gjejë veten në këtë kalim; do të ripërjetojë luftën e motiveve dhe dilemat e dikurshme; por në analizë të fundit do të thotë atë që them edhe unë:

Meta Idrizi ishte më trim dhe më kurajoz se unë!

54 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page