top of page

Prurje e re tipologjike e Astrit Lulushit


Prurje e re tipologjike e Astrit Lulushit


Fatmir Terziu


Astrit Lulushi[1] me librin e tij të ri “Realitet dhe vetëdije“ (2023) të botuar nga „Tirana Times“ e Jerina Zaloshnjës ka prekur në rreth tetëdhjetë stacionime të vogla rrënjësore teorike, thelbin e asaj që përshkojnë tre fushat e filozofisë. Kështu ky libër me gjetjet dhe shpjegimet e autorit hyn dhe zhbiron nga: Teoria e Realitetit: Ontologjia[2] dhe Metafizika[3]; Teoria e Dijes: Epistemologjia[4]; Teoria e vlerës: Aksiologjia. “Realitet dhe vetëdije“ kërkon më tej dhe sjell për lexuesin mjaft arsye që shkojnë dhe pikëtakojnë substancat kundrejt procesit, ku natyrshëm aspektet e filozofisë së shkrimit përgjigjen hera-herës nëse të gjitha këto janë gjërat themelore, pra substanca të përmbajtura në vetvete, të vetë-mjaftueshme dhe të përjetshme, apo po ndryshojnë procese, të ndërvarura nga njëri-tjetri.

Duke ditur se filozofia e substancave rreket dominuese në tërsinë gjeografike, autori mes prurjeve të tij sjell mjaft shembuj të substancave, ku lexuesi kupton atë që sillet dhe sqarohet tek Zoti: i përjetshëm dhe i pandryshueshëm, tek shpirtrat: të përjetshëm dhe të pandryshueshëm, apo dhe me atomet: nuk krijohen dhe nuk mund të shkatërrohen. Edhe pse autori nuk merr në konsideratë procesin dhe filozofët e procesit në shkrimet e tij mjaft herë të publikuara tek Fjala e Lirë në Londër dhe në disa raste dhe në këtë libër e në disa nga librat e shumtë të tij, na afron mundësinë të shijojmë gjeografikisht Filozofët e procesit, të cilët nga Evropa dhe Amerika janë: Heraklitus, Hegel, Bergson, Whitehead dhe Hartshorne, nga hapësira Aziatike: Budizmi, Daoizmi dhe Konfucianizmi dhe pjesa tjetër Abrahamike kundër feve aziatike.

Në tërësinë substanciale të “Realitet dhe vetëdije“ ka në thelb nëntekste që shkojnë tek pyetje të ndyshme të realitetit „organik“ apo „atomist“. Dhe kështu duke lexuar shprehim intuitën tonë të perceptimit, klasifikimit, mendimit në siluetën e pyetjes a kishin të drejtë të lashtët të shihnin shoqërinë dhe realitetin si një trup të gjallë, apo kishin të drejtë filozofët modernë kur menduan se ne jemi më shumë si atome „sociale“ që kërcejnë në hapësirën boshe të shoqërisë, e cila në tërësinë e shkrimeve shkon më tej e më tej, derisa në shtysën për ta lexuar sërrish këtë autor mjaft studiues, të përkushtuar në këndin e vetë personal, por dhe me një shije përzgjedhëse. Autori në këtë libër na sjell në mënyrë efikase edhe një pikë tjetër të rëndësishme filozofike që mbështetet tek pikëpamjet hierarkike kundër egalitare të shoqërisë, sikurse ndodh tek „Baza“ (fq.22) apo edhe „Ndërgjegje“ (fq. 132).

Duke vazhduar tek „Ndërgjegje“ Lulushi sjell në vëmendje „Në të shkuarën besohej se realiteti fizik që përjetojmë ekziston i pavarur nga vëzhgimet tona. Me fjalë të tjera, ekziston një realitet material aktual.“ Pra që në gjuhën filozofike nënkupton thelbin e problemit mendje-trup. Në këtë thelb, apo problem hyjnë: Materializmi, që ka vetëm materie dhe mendja nuk është gjë tjetër veçse qelizat e trurit që ndezin. Po ashtu hyn dhe zbërthehet edhe Dualizmi, që ka substancë mendore përveç substancës materiale. Në këtë mënyrë e në shkrime të tjera të “Realitet dhe vetëdije“ ndjejmë Idealizëm/Mentalizëm/Spiritualizëm, pra ato që natyra themelore e realitetit i konsideron se janë mendja, ose shpirti. Ndërsa dihet se materia është derivat, ose iluzion, autori tek „Ndërgjegje“ na sjell efektin e thelbit që sqaron „Vetëdija është misteri i mistereve. Është e vetmja gjë e njohur drejtpërdrejt për ne. "Nuk ka asgjë aq të paimagjinueshme se sa materia e vetëdijshme për veten e saj” (Blaize Paskal).

“Realitet dhe vetëdije“ në tërësinë e tetëdhjetë kapjeve ndalet shkitazi edhe tek monizmi neutral, ku vetë natyra themelore e realitetit nuk është as mendja as materia, ndoshta energjia, duke na tejçuar më pas tek natyra njerëzore. Esetë dhe temat e tij „I qenësisshëm“; „Ku u varros Aleksandri i Madh“; „Natyra dhe ne“; etj., na japin ide dhe njohuri në këtë qasje, por dhe na arsyetojnë me shumë guxim udhën për të mësuar se cila është marrëdhënia midis arsyes, vullnetit, emocioneve dhe imagjinatës. Me këtë rast në disa pika ky libër është një çelës për të hyrë në arkivën e madhe të leximeve të shumta që me dijet dhe shijet e veta autori i ka racionuar dhe stacionuar të bëhen të lehta e të lexueshme.

“Realitet dhe vetëdije“ i autorit Astrit Lulushi edhe pse i njohur në ëprditshmëri tek „Fjala e Lirë“ në Londër, në atë që duhet theksuar për lexuesin tashmë me grumbullimin në libër të të gjitha shkrimeve të tij, mundëson më gjerë të kuptohet se a janë njerëzit në thelb të mirë, të këqij, kombinim i të dyjave, apo asnjëra, a është vullneti i lirë, apo përcaktohet nga shkaqet dhe kushtet pararendëse (determinizmi), apo edhe a është shpirti i pavdekshëm? A ka një jetë e përtejme, apo kjo jetë është gjithçka që ekziston. “Realitet dhe vetëdije“ është një kënd tek vetë ajo që quhet Teoria e Dijes, ku lexuesit, të interesuarit, autorë, kërkues, studentë, pedagogë e të tjerë rreket tek rrethrotullimi jetik se si dhe çfarë mund të dimë. Në këtë pikë hyn natyrshëm vetë racionalizmi, të cilin me mjeshtëri e bën të ndjeshëm e të qartë Astrit, duke na ritreguar shkurt, saktë dhe bukur se njohuria e vërtetë tashmë ekziston në shpirtin e njeriut si njohuri „e lindur“. Platoni mban qëndrimin më radikal për këtë çështje, por Aristoteli qëndron si një kompromis midis racionalizmit dhe empirizmit. Sakaq empirizmi, pra njohuria vjen kryesisht nga përvoja dhe pesë shqisat nuk mund të lihet më njanë pa u ndeshur tek „Realitet dhe vetëdije“. Ne mund të shtojmë mjaft emra, por ndalemi tek Epicurus, John Locke dhe David Hume. Locke besonte se mendjet tona janë si „tableta bosh“ dhe përvoja „shkruan“ në mendjen tonë, ashtu siç shkruajmë në një dërrasë të zezë. Për të nuk ka njohuri të lindura.

Do të shtoja para se ta përfundojë këtë ndalesë tek „Realitet dhe vetëdije“, libër tek i cili kam shkruar dhe Parathënien[5], edhe disa segmente tek vetë Teoria e Vlerës, që spontanisht dhe jo pak herë ceket nga Lulushi. Në këtë pikë janë Etika, që ricakton vlera për individin “Çfarë duhet të bëj si individ?“, është Filozofia Sociale dhe Politike, pra vlera për shoqërinë, ose më saktë „Çfarë duhet të bëjmë së bashku?“ dhe së fundi Filozofia e Artit dhe Estetika, saktësisht vlera në artet e bukura dhe bukuria natyrore.

Të gjitha këto e mjaft të tjera e bëjnë “Realitet dhe vetëdije“ një prurje të re, të munguar, të sistemuar, logjike dhe të domosdoshme. “Realitet dhe vetëdije“ dhe autori i saj, që tashmë ka dhe „Kalendarin Historik“ në duart e lexuesit, natyrshëm kanë bërë detyrën e tyre humane, por ajo që shkon më tej është nxitja të lexohet dhe të mirëkuptohet në thelb mundi.

[1] Astriti është autor i disa botimeve të tjera të veçanta, si ”Ndjenjë realiteti”, ”Pak ndryshe”, ”63 soneta të Shekspirit”, ”Kujtesë lirie”, ”Zhgënjime sporadike”; „Kalendari Historik” etj …. të cilat janë pritur mirë kur kanë shkuar tek lexuesi në këto vitet e fundit. [2] Ontologjia (greq. ὄντος, ontos - qenie; dhe λογία, logia - fjalë, dituri, mësim) është studimi i konceptimeve të realitetit dhe natyrës së të qenurit. Në filozofi, ontologjia është studimi i qenies apo ekzistencës dhe formon lëndën themelore të subjektit të metafizikës. Ajo orvatet të përshkruajë apo vendosë kategoritë bazë dhe marrdhëniet e qenies apo ekzistencës për të përkufizuar vehten dhe llojet e vehtjeve brenda sferës së saj. Si subjekt filozofik, ontologjia merret me përdorimin e përpiktë të fjalëve si përshkruese të vehtes, apo realitetit. [3] Metafizika është dega e filozofisë që studion natyrën themelore të realitetit. Këtu përfshihen parimet e para të: qenies ose ekzistencës, identitetit, ndryshimit, hapësirës dhe kohës, shkakut dhe pasojës, domosdoshmërisë, aktualitetit dhe mundësisë. [4] Epistemologjia (greq. "ἐπιστήμη" - besim, dituri ; dhe "logos" - fjalë, kuptim, shpjegim, ose teoria e diturisë është një degë e filozofisë perëndimore që studion natyrën dhe qëllimin e diturisë. Fjala epistemologji u përdor për herë të parë nga filozofi skocez Xhejms Frederik Ferrier. Në filozofinë indiane, përdoret fjala "pramana si e barasvlershme me epistemologjinë. Epistemologjia merret me studimin dhe rishqyrtimin e natyrës së diturisë dhe marrëdhëniet e saj me të vërtetën, besimin dhe shfajësimin (përligjen). Ajo gjithashtu merret me prejardhjen e diturisë, pyetjen „çfarë është dituria?“, „si fitohet ajo?“, „çfarë dijnë njerëzit?“, dhe skepticizmin e pohimeve të diturive të ndryshme. [5] Terziu, Fatmir: Shih “Parathënie: Jeta është e papërpunuar… ” (fq 3-5)

41 views1 comment

1 commentaire


Diamanta Zalta
Diamanta Zalta
29 juin 2023

Po! U gezova shume kur para tre ditesh mora nje sms suprize, qe vinte nga shume larg , nga pertej Oqeanit . Ishte kopertina e librit te fundit te Astrit Lulushit , e pa shoqeruar me asnje fjale . Keshtu eshte Astriti , i pa buje , pa mburrje , flet me veper dhe cilesi njerzore . Kjo suprize me ndryshoi programin , nga udhetimi ne Rome- Vatikan , me duhet te rikthehem ne Atdhe , per te marre librin e tij , ne Librarine ne kryqezimin e rrugeve te 21 dhjetori Tirane , prane shkolles 9 vjecare Sabaudin GABRANI . Atje i shet ´´TiranaTimes ´´ librat e tij . Sa mire! Sa bukur ! Nje risi tjeter do…

J'aime

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page