top of page

PROFESOR REXHEP HIDA, NDEROHET ME TITULLIN “FISNIKËRIA E TIRANËS”


SHPENDI TOPOLLAJ




Shkoj nga Durrësi në Tiranë me shumë dëshirë, sa herë më ftojnë nëpër organizime ceremonish, ku nderohet ndonjë personalitet i shquar i çfardo fushe qoftë. Italianët kanë një sentencë kuptimplotë: “Më mirë në jetë një kompliment, sesa pas vdekjes një monument”. Dhe duke vepruar në vazhdimësi kështu, është për t`u përgëzuar kryesia e shoqatës “Tirana” që herë pas here vlerëson ato figura që kanë dhënë gjithçka kishin në shërbim të qytetit dhe atdheut të tyre. Kjo edhe për faktin se tregohet shembulli i cili duhet ndjekur nga brezat. Rexhep Hida, personaliteti i zgjedhur kësaj radhe, pa dyshim që e meriton si rrallëkush titullin që ju akordua, pasi ai prej një kohe të gjatë ka realizuar një nga punët më të domosdoshme për ndriçimin e mendjeve të shqiptarëve, atë të përzgjedhjes, përkthimit dhe botimit të veprave të pa vdekshme të atyre mendimtarëve që janë pjesë e rëndësishme e kulturës dhe filozofisë botërore. Mendoni për një çast, se çfarë shërbimi i kanë bërë vendit tonë, intelektualët si Ismet Toto me shokë të cilët aty nga mesi i viteve tridhjetë, bënë të mundur sjelljen në gjuhën shqipe të heronjve të mendimit, atëherë kur Shqipëria po dilte nga obskurantizmi mesjetar. Duke polemizuar me mikun e tij Friedrich Waismann - in, austriaku Karl Raimund Popper është shprehur se “Unë e shoh filozofinë plotësisht ndryshe. Unë besoj se të gjithë njerëzit janë filozofë, edhe pse disa janë më shumë filozofë se të tjerë”. Me këtë bindje ka punuar kudo që ka qenë Rexhep Hida, deri edhe te çelja e Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, kur ka zgjedhur për t`u marrë aq seriozisht me veprën e Konfucit, Marsel Proustit, Jean Pol Sartre, Franz Kafka, Alber Camy, Sigmund Freud, Erih Fromm, Fridrih Nietzsche, Carl Gustav Jung, Fjodor Mihajlloviç Dostojevski, Max Weber e deri te mistiku indian Acharya Rajneesh (Osho), (paçka se e ka quajtur Nënë Terezën si mashtruese, pasi mashtronte sipas tij, edhe vetveten), apo ato të shkrimtarëve të mëdhenj si Pushkin, Erih Maria Remarque, Anton Çehov, Stefan Sweig, Sollzhenjicin (përkthyer mjeshtërisht nga Nikolla Sudar, një tjetër fisnik i pa lodhur), pa përmendur shumë nga autorët tanë. Xhon Stjuard Mili, i biri i filozofit tjetër, ka pohuar se “vetëm njerëzit që zhvillohen në liri, duan të japin ndihmesën e tyre në progresin e shoqërisë”. Dhe po ta ndjekësh me vëmendje dhe dashamirësi rrugën krijuese të shkrimtarit, përkthyesit dhe botuesit Rexhep Hida, pinjollit të një familje atdhetare, me babanë oficer të kulturuar dhe gjyshin ministër të Qeverisë Demokratike të 1924 - ës, do shohësh se ai lirinë, jo sot që kohët fatmirësisht kanë ndryshuar, por gjithmonë e ka pasur së brendshmi. Ajo i vinte natyrshëm, pasi ai e dinte mjaft mirë se teoritë i kanë paraprirë si revolucioneve ashtu edhe këtyre ndryshimeve. A nuk e dimë edhe ne, ndikimin që pati, fjala vjen, iluminizmi me idetë e veta në tranformimin historik, social dhe politik të Francës? Dhe a nuk qenë vetë francezët që pasi kishte vdekur në vitin 1778, Jean Jacques Rousseau, heroin e mendjes për revolucionarët, e hoqën nga kopshti i Tyilerive gjashtëmbëdhjetë vjet më pas, për ta shpënë me krenari në Panteon? Më mirë se kushdo e ka vargëzuar Naim Frashëri ynë këtë ndikim: “Evropë e shkret` atëherë, / Ishte për djall e për lumë, / Pritte Ruson e Volterë, / Ta zgjonin nga ky gjumë”. Po a nuk e provuam edhe vetë ne shqiptarët këtë, kur vendosëm të hanim bar dhe parimet të mos i shkelnim? Ndofta nuk është vendi të zgjatemi për rolin e filozofisë në gjithë rrugëtimin e shoqërisë njerëzore, por nuk mund të mos kujtojmë edhe atë që ka bërë miku ynë Rexhep Hida, me tre librat e tij dy gjuhësh “Ç`thonë dhe ç`kërkojnë kosovarët”. Ai dha në to, dhe në plot shkrime të tjera, mendime të vyera, por edhe i tregoi botës poshtërsitë që i bëheshin një populli paqësor nga pasuesit e teorive famëkeqe, njësoj si të hitlerianëve, të Vasa Cubriloviçit, atëherë kur Akademia jonë e Shkencave ishte në letargji olimpike. E gjithë ajo që ka bërë Rexhep Hida, sepse më sjell ndërmend se synimi i tij është të ndërgjegjësojë sado pak të tjerër për atë që porosiste Benedikt Baruch Spinoza se “Njeriu nuk mund të shpëtohet nga ndonjë ndërhyrje hyjnore, por me mjetet dhe forcat e veta”. Dhe mjafton kjo, jo vetëm për ta quajtur madhështor siç na e thotë dhe emri i tij në arabisht, por edhe për ta konsideruar atë një Fisnik të vërtetë të kohës moderne drejt demokracisë.

217 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page