top of page

Profesor Jup Kastrati, SHOTA DHE AZEM GALICA



Pesë vjet më parë, nën instenacionin “Të njohim traditat patriotike dhe luftarake të popullit tone”, u botua libri “Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës”. Vepra u prit shumë mirë nga lexuesit e ndryshëm, për arsye të përmbajtjes së shëndoshë ideore. Kësaj radhe, i njëjti autor po boton veprën “Shota dhe Azem Galica”.

 Ajet Haxhiu është një nga studiuesit e figurave të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare dhe të periudhës së pavarësisë. Përmes luftëtarëve të shquar të tokës amtare, Shota dhe Azem Galica, autori ka ditur të japë, në masën e duhur dhe brenda kuadrit, që i kërkon vepra në fjalë, historinë e Kosovës, sidomos të shekullit tonë. Vepra e re e Ajet Haxhiut është një kontribut i vyer për historinë e Shqipërisë. Ajo shqu¬het për frymën e thellë njerëzore, për syrin kritik, për ndjenjën e së drejtës, për interpretimet e holla histo¬rike, për argumentimet e shëndosha, për fuqinë e analizës dhe të sintezës, për konkluzionet logjike.

Mbarë veprën e karakterizon atdhedashuria e pakufishme për vëllëzërit tanë kosovarë, për tokën shqiptare të Kosovës, për dëshmorët kosovarë, që ranë fli për idealin e shenjtë dhe fisnik të lirisë. I gjithë libri, që u kushtohet Shotës e Azemit, shquhet nga kjo aspiratë e lartë, nga kjo dëshirë e madhe dhe legjitime, nga kjo ndjenjë e thellë njerëzore.

Studimi i Ajet Haxhiut karakterizohet për objekti¬¬vi¬tet historik. Etnografia, folklori, toponomia, gjeografia fizike dhe politike, psikologjia dhe letërsia janë shkrirë në një të vetme për të dhënë një vepër shkencore aq edhe letrare. Punimi është shkruar me dinjitet shkencor dhe me të gjithë seriozitetin e duhur, që kërkon një temë e kësaj fare.

Vepra dallohet për frymën thellësisht kombëtare, shqiptarinë, të njëjtën kohë për urrejtjen ndaj pushtuesve të huaj të çdo ngjyre dhe marke qofshin këta. Vepra është shkruar me pathos, me dashuri për kosovarët e shtypur, por trima e luftëtarë të paepur për liri, për bashkëvëllëzërit tanë të robëruar, por guximtarë, liridashës dhe të papërkulur.

Punimi që kemi në dorë, nuk është thjeshtë biografia e Shotës dhe e Azemit, përkundrazi: ajo është një pjesë e historisë së Kosovës shqiptare, një traktat letrar - shkencor, që dëshmon qartë për luftërat liridashëse të kosovarëve shqiptar. Biografia këtu është një mjet, një qëllim më vete.

Libri pohon qenjen shqiptare të kosovarëve, pohon shqiptarësinë e Kosovës martire. Patriotizmi i kosovarëve për lirinë dhe pavarsinë e mëmëdheut të robëruar nga turqit, austro - hungarezët, bullgarët serbët, malazezët: Ja ky është thelbi i veprës.

Autori është një njohës i thellë i viseve shqiptare të Kosovës dhe i historisë së luftërave dhe përpjekjeve të kosovarëve për liri dhe të drejtat shoqërore. Toponimia e përshkruar në vepër me aq hollësi dhe lehtesi dëshmon më së miri për një gjë të tillë. Në të njëjtën kohë është një dokument autentik dhe i pakontestueshëm i autoktonisë së shqiptarëve në Kosovë.

“Në bazë të të dhënave të shkencës së gjuhësisë Dardania qe djepi i lashtë i shqiptarëve në Ballkan. Ky është mendimi i dijetarit dhe albanologut të shquar Norbert Jokl. Beteja e Kosovës (1389) është lufta e parë e shqiptarëve kundër pushtimit të Shqipë¬risë nga turqit. Në vitet 1878-1880, në periu-dhën e artë të Lidhjes së Prizrenit dhe të Rilindjes sonë Kombëtare, Kosova u bë qendra e kryengri¬tjes së madhe shqiptare. Trimëria e vëllëzë¬rve kosovarë ishte aq e madhe sa i dha shpirt e zemër krejt Shqipë-risë. Trimat e saj rrokën armët dhe dolën maleve për të fituar lirinë. Mjafton të përmendim vitet 1909-1912, kryengritjen e madhe kosovare me atdhetarët e luftëtarët e shquar Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj.

Në themel të veprës është lufta për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me mëmëdheun e vet, me nënën Shqipëri. Autori përshkruan me vërtetësi histo-rike dhe tregon me ngjyra të gjalla dhe prekse gjakun e derdhur nga kosovarët për këtë ideal të shenjtë, sublim dhe legjitim, kallëzon varrezat e shumta, zjarrin e hirin e shtëpive të djegura, britmat e lotët e nënave kosovare, që mbetën pa bijtë e tyre të çmueshëm, gjëmën e motrave të shkreta që mbetën pa vëllëzërit e tyre të dashur e të shtrenjtë, vajin e fëmijëve jetimë, që mbetën rrugëve, pa plang, pa shtëpi, pa prind.

Vepra ka shumë merita. Ajo ka vlerë njohëse, dokume¬ntuese edukative.

Libri ka rëndësi të madhe politike, ideologjike, shkencore, historike dhe letrare. Në qendër të vëme-ndjes së autorit janë dy personazhe historike: Azemi dhe Shota.

 Rreth këtyre dy figurave të përmendura për liri shtjellohen të gjitha ngjarjet e veprës.

Azemi lindi nga një familje e varfër në Galicë të Drenicës. Vendlindja e tij ka qenë e njohur për luftërat çlirimtare kundër pushtuesve të huaj. Megjithëse autodidakte për nga shkolla, këta dy luftëtarë të shquar kishin kuptime të qarta politike e shoqërore në luftën për liri, që bënin grupet dhe çetat kryengritëse. Në këtë drejtim, tek ata ndikoj shumë Hasan Prishtina. Në tetor 1919, në emër të çetave të Drenicës, Azem Galica paraqiti këto kërkesa: Të njihet e drejta e popullit shqiptar të Kosovës për t'u bashkuar me Shqipërinë. Të lejohet hapja e shkollave shqipe. Gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë. Me atë rast, Azemi deklaroj: “Çetat kosovare janë për luftë deri në fund kundër pushtuesve, sepse kjo është rruga e vetme për shpëtimin e bashkimin e Kosovës me nënën e pavdekshme Shqipëri. Nuk kemi dalë maleve për grada e pasuri, por për Atdhe e liri! Ne, shqiptarët kosovarë, e duam lirinë dhe jemi shumë të etur për të. Atdhedashuria në zemrën e çdo kosovari është e madhe. Liria e Atdheu janë gjithçka për ne. Më shumë duam vdekjen e të nderuar, se jetën e të pushtuar. Më shumë duam luftën për liri, se paqen në robëri. Politika jonë është politika e pushkës dhe e luftës për liri, sepse kjo na nxjerr në dritë dhe na shpëton nga robëria. Derisa vdiq në korrik 1924, ai iu përmbajt këtij parimi, këtij botimi.

Shota lindi në Radishevë të Drenicës. E ëma, Sala, e edukoi me ndjenjën e punës. I ati, Halili, e rriti pranë vetes, në mbledhjet e kuvendet e burrave, në odën kosovare. Kjo edukatë që mori në fëmijëri, la gjurmë në gjithë jetën e saj. Katundi ku lindi Shota, Radisheva, brenda dhjetë vjetëve (1909-1919) u dogj tri herë. Secila nga djegjet u lidh ngusht me jetën e saj. Në moshën 14-vjeçare mbeti pa shtëpi dhe së bashku me të tjerë, iu ngjit bjeshkëve. Ajo u rrit në mjerim e në vaje, pa vatër e pa plang.

Në këtë shkollë të madhe u edukua dhe u kalit ajo. Në krye të dy javëve të martesës, ajo filloi luftën me armë. Qysh atë ditë, lufta për liri u bë beteja e saj.

Ajo hyri në vallen e luftës së gjatë, të ashpër e të pamëshirshme. U nda nga ëndërrat e ndjenjat e nusërisë dhe hyri në radhën e burrave dhe të çetave të lirisë. Autori ynë ka dhënë disa karakteristika psi-ko¬lo¬gjike të përgjithshme dhe të veçanta të Shotës, që meritojnë të riprodhohen në këtë Para¬thënje, për të kuptuar edhe më mirë personalitetin e saj.

 Gjatë gjithë jetës së vet, - shkruan hartuesi i veprës, ajo pati pranë vetes për shokë të përhershëm pushkën, luftën dhe Azemin. Jeta e tyre u shkri në një jetë e luftë të përbashkët kushtuar lirisë së atdheut. Motivi që e shtyri heroinën të marrë pushkën në dorë, ishte motivi i atdhedashurisë, urrejtja ndaj pushtuesit, etja për liri dhe ndjenja e besnikërisë së pafund ndaj të shoqit. Këto motive të larta janë ato që e shtyjë këtë nuse shqiptare të shkelmojë ligjet e ashpra të fesë dhe të kanunit, të veshë rrobat e burrave dhe të jetojë për 12 vjet me radhë si grua e vetme midis burrave dhe luftëtarëve të çetave kryengritëse të Kosovës. Dalja e saj në mal qe luftë dhe vepër heroizmi e dyfishtë, sepse ky veprim nuk ishte vetëm një akt trimërie me pushkë në luftën e gjatë kundër pushtuesve të huaj, por njëkohësisht, edhe një akt i madh guximi kundër zakoneve prapanike mbi gruan. Në luftën, Shota u bë e njohur, e dashur dhe respektueshme. Në përpjekje e në beteja, midis luftëtarëve të çetave kryengritëse, ajo krijoi personalitetin e vet. Me luftë e saj, duke u radhitur në mes të luftëtarëve të lirisë, ajo nderoi fisin, shtëpinë dhe gjirin e nënës së vet. Ajo ngriti më lart figurën e gruas shqipëtare, ngriti lart nderin trimërinë dhe besnikërinë e pastër të nuses koso¬va¬re. Shota, ngase qe e vetme, me vështirësi, me luftë e përpjekje të mëdha mundi të hyjë në histori. Në këtë mënyrë, ajo u bë lulja më e bukur e kohës që gruaja kosovare i dha kombit dhe çështjes së madhe të shpëtimit e të bashkimit të Kosovës së robëruar me mëmëdheun tonë, Shqipërinë.

Lexuesi sheh te kjo grua e re luftëtaren e lirisë, bashkëshorten e urtë, rojen besnike të të shoqit, bashkëpuntoren e ngushtë të Azemit në të gjitha luftimet, betejat dhe aksionet e tij më të vështira dhe më të guximshme, sheh trimëreshën e zgjuar (inteli-gjente). Janë raste të rralla në letërsinë artistike botërore, që flasin për heroizma të tilla grash. Bëmave të kësaj natyre të Shotës nuse të elitës shqiptare, luftëtare trime, kalorëse të stërvitur të luftërave për liri meritojnë t'u kushtohen romane, drama dhe poema të tëra nga shkrimtarët tanë.

Autori na tregon se Çeta e Azemit dhe e Shotë Galicës, apo sikurse e quanin luftëtarët e Drenicës "Nana e çetave", ishte shembulli më i lartë i çetave kryengritëse të Kosovës, si për nga fryma e thellë patriotike e revolucionare, ashtu edhe për nga cilësitë e saj politike, luftarake e morale. Ajo shqu¬hej për urrejtjen e luftën e pandërprerë ndaj armikut, për papajtueshmërinë e ndëshkimin e rreptë të tradhëtarëve e spiunëve, për lidhjen e mbështetjen e saj fuqimisht të populli, për qëndrimin e drejtë e plot respekt ndaj elementeve të pakicës nacionale serbe e malazeze në Kosovë. Çeta është shquar gjithmonë për organizimin e mrekullueshëm, për rregullin, diciplinën dhe moralin e saj shembullor.

Në vepër jepet edhe fizionomia morale - politike e çetave të Kosovës. Dokumenti me titull: "Program i përgjithshëm për veprimtarinë e kryengritjes " ose "Kosova në vitin 1919" – shkruan Ajet Haxhiu, - është një dokument me vlerë të posaçme për vepri-mtarinë politike e luftarake të lëvizjes së armatosur të çetave kryengritëse të Kosovës. Doku¬menti përca-kton e hedh dritë mirë mbi qëllimet, karakterin, orga-ni¬zimin, diciplinën e moralin e fortë, që përshkroi lëvizjen e çetave kryengritëse të Kosovës dhe të Drenicës, në të cilën Azemi e Shota janë figura që mbizotërojnë. Rëndësia e këtij dokumenti është e madhe. Ai paraqet karakterin nacional – revolu¬cionar të çetave shqiptare në Kosovë. Përhapja e këtij programi ose statusi nëpër çetat vërteton jo vetëm shtrirjen, por edhe qëndrue¬shmë¬rinë, vazhdi¬mësinë e luftës së armatosur popullore në formën e çetave. Programi luajti një rol të madh dhe shërbeu si platformë e përbashkët e çetave në Kosovë.

Lëvizja e çetave të Kosovës, na njofton autori, ka qenë një lëvizje e gjërë, masive, thellësisht patriotike e nacionale. Ajo pati rrënjë të thella shoqë-rore e kombëtare. Përkrahja e popullit, sido¬mos e masës fshatare, i bënte të pathyeshme ato. Qëndresa e armatosur ishte rrugëdalja e vetme dhe shfaqja e ligjshme e vetëmbrojtjes së një populli kundër kolonizimit. Në vitin 1920 ka pasur më shumë se 10.000 (dhjetëmijë) ilegalë nëpër malet e Kosovës. Gjatë atij viti lufta e çetave mori pamjen e një lëvizjeje të përgjithshme. Vise të tëra u kthyen në zona përleshjeje. Kosova ishte shëndrruar në një kazan, ku vlonte pandërprerje kryengritja në një kazan që lëshonte valët e veta përvëluese herë në njërën anë, herë në anën tjetër. Gjaku prodhonte gjak, kyengritja - kryengritjen, pushka thirrte pushkën, trimi - trimin dhe dëshmorët thërrisnin dëshmorët. Kudo ndeshej etja për liri kundër tiranisë.

Vepra e Ajet Haxhiut është një dokument i gjallë historik. Studiuesi i vëmendshëm, përmes ngjarjeve që përshkruhen aty, mund të nxjerrë në pah një seri atdhetarësh kosovar, që dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Në qoftë se do të kishim të dhëna për secilin atdhetar, me një biografi sado të shkurtër, historia e përpjekjeve të Kosovës për liri dhe pavarësi do të dilte edhe më mirë në dritë, do të njihej edhe më thellë.

Vepra ka një bosht kryesor: luftërat e parre¬shtura të kosovarëve trima për të drejtat e tyre. Por brenda këtij kuadri, ka një tematikë të gjërë. Në mes të tjerash, aty shqyrtohet edhe patriotizmi i grave të thjeshta, malësore dhe qytetare. Motra e atdhetarit Zhuj Selmanit nga Rogova mbeti dëshmore në sheshin e luftës, duke u përleshur fytafyt me armi¬qtë, në mbrojtje të tërësisë tokësore, në dimrin e vitit 1878-1879. Sherife Galica, nëna e Azemit, simbo¬li-zon nënën heroike shqiptare. Ajo e këshillon Shotën në këtë mënyrë: “Kurrë mos e hiq atë pushkë prej dore! Ka ardhur koha me i dal zot kësaj toke! Pa atdhe nuk jem asgjë!”. Me pushkët e djemve të saj të vrarë, Seferit dhe Zenelit, ajo luftoi përbri djalit tjetër, Azemit, dhe së resë së vet, Shotës. Gjatë gjithë jetës Sherifja mbeti e strehuar nëpër Drenicë, tek miqtë dhe shokët e të birit. Ajo e çmonte shumë aktin heroik të Shotës, prandj thoshte: Kur gruaja del malit për liri, nuk është marre, por është trimëri. Është grua përmbi burrat". Ditët e fundit të korrikut të vitit 1920, një batalion i ushtrisë serbe rrethoi në Galicë Shotën dhe nënën e Azemit, Sherifen. Dy gra shqiptare luftuan aty trimërisht kundër një batalioni armik. Sherifja dhe Shota përsëriten një legjendë tjetër si ajo e Sopotit, një legjendë për trimërinë e gruas shqiptare, të cilën shekujt do ta ruajnë. Kur vandalet shovenistë e qonin për ta ekzekutuar së bashku me gra e vajza të tjera trime kosovare, nënë Sherifja tha këto fjalë: "Çfarë prisni, katilë? Bëni çfarë kini ndërmend të bëni! Mos doni të më trembemi, mos doni t'ju lutemi, të shkyejmë teshat, të nxjerrim flokët e të qajmë? Apo mos pritni të mallkojmë djemtë e burrat tanë, të mallkojmë gjirin e qumështin që u kemi dhënë atyre që po luftojnë? Jo, kurrë, me lot nuk del gjë në dritë. Nuk e mallkon nëna Azemin, as nusen e shokët e tij. Hallall e paçin qumështin, që u ka dhënë nëna. Dijeni, katilë, se nëna shqiptare edhe para plumbit nuk ia bën haram gjirin trimit të vet. Nuk jam pishman që po vdes, dhe as që e linda dhe e rrita Azem Galicën, por më mbetet peng që nuk linda edhe të tjerë si ai, më mbetet peng që nuk munda edhe një herë të porosisë që jo vetëm për së gjalli, por edhe për së vdekuri të mbetet tmerr për armikun. “Me keto fjalë në gojë u vra nëna e hekurt e Azem Galicës, Sherifja. Aty mbari edhe Sofije Bainca me të bijën, motra e Azemit, Mihanja, mbi trupin e së cilës mbeti e larë në gjak e bija 3 (tre ) vjeçare.

Kështu mbaruan gjashtë femra shqiptare të Kosovës.

Që në fillim të regjimit monarkist jugosllav, kallëzon hartuesi i monografisë, armiku, me barba-rizmat e tij në Kosovë, nuk përfilli as pafajsinë e njomë të fëmijëve, as jetën e gruas shqiptare. Në këto rrethana, me dhjetëra vajza e nuse shqiptare mohuan jetën për të shpëtuar fëmijët e nderin e tyre. Këto ngjarje janë një tmerr i pashembullt në histo¬rinë e Evropës dhe njëkohësisht përbëjnë një turp për armikun. Autori ynë i përshkruan disa nga këto ngjarje rrënqethëse që preken jetën e nderin e gruas shqiptare të Kosovës.

Ajet Haxhiu na tregon edhe shembuj të tjerë nga patriotizmi i grave kosovare. Në katundin Qafe, afër Gostivarit, Sulltana, 15-16 vjeçare, e bija e atdhetarit Mazllum Qafa, tregoi heroizmin e vet suprem. Në Gjilan, e bija e atdhetarit Sul Hasku nga katundi Kremenatv vdiq në mënyrë tragjike. Bija e Lekajve nga katundi Krajnidell mori pushkën dhe doli në mal bashkë me luftëtarët e lirisë. Një nuse trime nga katundi Begracë e Gjilanit, e quajtur Hasime, mbasi veshi rrobat e burrave, i ngjeshi armët brezit dhe mori hakun e dy vëllëzërve të vrarë. Në burgun e Nishit, kur një nga oficerët serbë u përpoq të dhunoj trupin dhe bukurinë e nuses shqiptare, ajo e goditi në kokë me shtambën e ujit dhe e la të vdekur. Kështu Hasimja provoi se gruaja shqiptare, edhe në burg, edhe e vetme nuk e lejon veten ta trajtonte si robëreshë. Në Plavë, pëkrah burrave, luftonte gruaja e njohur Bade Alushi.

Në veprën që kemi në dorë, dënohet pa mëshirë tradhëtia ndaj atdheut. Autori na tregon se si u vra me tradhëti komandanti i çetës Mulla Agan Kraja i Plavës. Vrasja u bë me ndërmjetësimin e spiunit Ali Hyska nga Plava. Kjo ngjarje e shëmtuar i zemëroi pa masë dy vëllëzërit e tij, Vejsin e Deli Hyskën, si dhë nënën e tyre. Atëherë e ëma e vrau djalin e vet tradhëtar.

Autori i veprës sonë ngrihet në mbrojtje të së drejtave shqiptare, që iu mohuan kosovarëve me të padrejtë, akuzon Evropën imperialiste dhe shoveni¬ste për mungesë ndërgjegjeje dhe drejtësi ndaj popullit tonë, dënon borgjezinë evropiane të vjetër dhe të re, dënon politikën serbomadhe, parashtron me ngjyra të gjalla, të forta dhe rrënqethëse tragje¬dinë e Kosovës martire, që mbeti e robëruar jashtë trungut të përbashkët të nënës Shqipëri, riprodhon zërin e protestës së të gjithë opinionit publik shqiptar për këtë fatkeqësi të madhe. Në vepër përshkruhen me vërtetësi masakrat e shoveni¬stëve serbë dhe malazezë mbi popullatën e pafajshme shqiptare. Me të drejtë ngrihet edhe kundër këtij kanibalizmi të shekullit të njëzet; kritikon politikën imperialiste cariste ruse, që bekonte politikën shfarosëse të Beogradit mbi kosovarët shqiptar. Masakrat serbo - malazeze, vrasjet, djegjet plaçki¬tjet, mizoritë, fushat e përqëndrimit, burgjet dhe internimet janë të panu-mërta. E të gjitha këto ai na thotë pa kurrfarë pesimizmi, por me besim se çështja e drejtë e Kosovës do të fitojë.

Ajet Haxhiu në këtë botim, demaskon propa¬ga-ndën e huaj të ideologëve serbomëdhenjë në lidhje me të ashtuquajturën "Stara Serbia", duke filluar që nga Jovan Bugaresku e duke ardhur deri te Pashiqi. Në ta njëjtën kohë, hedh poshtë pohimet e historia-nëve dhe etnografëve të sotëm jugosllav, si Vukosa-vjeviç, Trifunovski, Stoilkoviç, Martiç, të cilët ecin në gjurmët e historianve të vet dhe të etnografëve shovenist serbonëdhenjë, si Cvijiç, etj. Kësaj ideolo-gjie imperialiste panserbe autori i vë përballë mendi-met e drejta të revolucionit serb Kosta Novakoviç i cili, duke mbështetur në fakte historike të pamohue-shme, pohon me plot gojën se "Kosova është vend thjesht shqiptar”. Autori sulmon me plot forcë historiografët serbë për tezat e tyre antishken¬c¬ore dhe për gënjeshtrat e tyre, demaskon karakterin fals dhe subjektiv të pohimeve pansllaviste në lidhje me Kosovën. Kritikon apologjetet imperialiste panserbe për teoritë e tyre shoveniste, reaksionare dhe që janë në kundërshtim me historinë.

Autori mban qëndrim kritik ndaj elementit reaksionar kosovar, ndaj bejlerëve, tregëtarëve, kapi-ta¬li¬stëve, si dhe ndaj asaj pjese të klerit mysliman, ndaj hoxhallarëve xhahilë, që vënin fenë mbi kombësinë, si Mulla Mustafa i Shalës. Kritikon me vend qëndrimin serbofil të Begollëve të Pejës. Dënon pa mëshirë spiunët, veglat që viheshin në shërbim të kësaj pakice njerëzish të degjeneruar. Hartuesi i veprës lartëson figurat e atdhetarëve popullor, zbulon solidarësinë reciproke, dashurinë e pakufishme ndaj njëri - tjetrit, tregon sakrificat supreme, altruizmin e kosovarëve për njerëzit e afërm të luftëtarëve të lirisë, gatishmërinë dhe mike¬pritjen e ngrohtë të vegjëlisë së maleve shqiptare për vëllëzërit kosovar. Në këtë drejtim, vepra merr një vlerë edukative të veçantë, me një kuptim të thellë ideologjik.

Një optimizëm i gjallë e karakterizon mbarë librin. “Stuhia e pushtimit ogurzi e mbuloj Kosovën, por pranvera përsëri do ta vijë, e bashkë me të, edhe shpresa për liri do të rritet nën jehonën e krismave të pushkëve; sepse e këtillë është historia e Kosovës: pa u ftohur gryka e pushkëve, nisin kisma të reja, dhe shpresa mijëvjeçare për liri përtrihet çdo pranverë. Sa e moçme dhe sa e re - kjo shpresë e kosovarëve, që nuk fiket kurrë.

Autori, në përpilimin e kësaj vepre të rëndësi-shme, është mbështetur, kryesisht, në Arkivin Qendror Historik të RPSH, në kujtimet e njerëzve, që i kanë njohur për së afërmi Azemin e Shotën, që kanë jetuar disa dhe disa prej tyre, që kanë luftuar së bashku me ta. Ai ka bërë një punë shumë të mirë dhe të vlefshme, duke marrë të dhëna gojore nga ata që i jetuan ngjarjet historike, që përshkruhen në libër. Kujtimet e tyre e kanë pasuruar dhe plotësuar mono-g¬ra¬fi, duke i dhënë, njëkohësisht, edhe vërtetësinë e duhur. Nga ana tjetër, duke përfshirë në vepër, ato të dhëna historike kanë shpëtuar një herë e përgji¬th-monë, janë fiksuar dhe do të jenë një mbështetje e mirë për studiuesit e ardhshëm të historisë së Koso-vës. Janë shfrytëzuar me vend këngët popullore shqiptare të Kosovës. Teksti është ilustruar edhe me vargje e përshkrime poetësh e shkrimtarësh. Është vjelë (spoluar) lënda nga një shtyp i shumtë periodik.

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page