top of page

PROFESOR EQREM ÇABEJ



PROFESOR EQREM ÇABEJ VLERESIME PËRMES KUJTIMESH (Me rastin e 42 vjetorit të ndarjes nga jeta) Ndjehem fatlumtur që kam pasur rastin të njihja nga afër Prof. Eqrem Çabejn, personin tek i cili shprehjet Shkencëtar i Madh dhe Njeri i Madh ishin në harmoni të plotë; ndryshe nga sot, kur togfjalshat shkencëtar i Madh, njeri i Madh, artist i madh, analist i madh, etj i hasim nëpër fqet e medias, në TV, FB, etj. Sa herë sillja në mendje kujtime për të, ndjeja kënaqësi. Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por u stepa, sepse mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë se unë si profesorët Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj etj, mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo në vitin 2011, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, z-njën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrojta e i botova kujtimet e mia. Duke parë se këto kujtime vijojnë të lexohen me interes, në shkurt-mars të vitit 2016 i ripunove dhe i pasurova më tej. Por kujtime të ndryshme për Prof. Çabejn vijuan të më vinin herë pas here dhe në fund të majit 2018 i shtova e i ribotova. Tani në gusht të këtij viti (2022) po i pasuroj edhe më... * * * Në vitet 1962 – 1966, isha student në “Fakultetin Histori dhe Filologji” të UT. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e veta “Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë” dhe “Instituti i Folklorit”. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani, ose Itali. Ashtu si Prof. Çabej edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe nga gazeta dhe libra të ndryshëm. Prof. Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i të gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen tek një person i vetëm pamja fizike madhështore, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike, talenti dhe shpirti i lirë. Mbasi u shpall dështimi i diktaturës, shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura ndaj personave që kishin bërë emër në vitet 1945-1990, por Prof. Çabej ishte një nga personalitetet e paktë të shkencës e kulturës, ndaj të cilit nuk u shpreh asnjë kritikë, dëshmi e vlerave të tij. Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Pëshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe pasi perulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. (Nervoz e pashë vetëm një herë gjatë një mbledhjeje në Institutin e Gjuhësisë s të Letërsisë, që do ta tregoj më poshtë.) Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë tek katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim të mendimeve të stujuesve të tjerë, i lexonte. Kur lexonte, vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë. Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se..., e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te balli i tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një europiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as te të krishterët e as te muhamedanët e përkorë. Ora e fundit e leksioneve. Ora e fundit e mësimit me të ndodhi aty nga fundi i dhjetorit 1965. Më kujtohet si sot. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej... Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi: -Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni jo vetëm me fjalë, por edhe përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun. Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhur. Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja. Gjithçka shikojeni me sy kritik. Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. Mos bëni asnjë punë shkel e shko. Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë. Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kyreysore.... Profesor Çabej nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Ngjarjesh Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studjuar në Grac të Austrisë. Aty për më se një vit, ai, Eqremi e Lasgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi të ndryshme (pensione) nëpër familjet e vendasve. Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte. -Unë me Lasgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i regullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha: -Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor. (Ing. Mitrushi, profesor Aleks Buda dhe Lasgush Poradeci, e përdornin formën e shquar të mbiemrit me 'u': Çabeu / Çabeut / Çabeun, njësoj si Skënderbeu / Skënderbeut / Skenderbeun dhe jo si e përdorim ne sot: Çabej / Çabejt / Çabejn). Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri nuk kishte qenë një student i mbyllur, nga ata që ne i quanim “peshkop”, por kishte qenë dhe qejfli e modern, që dinte ta vlerësonte shoqërinë me vajzat e bukura. Unë kisha idenë se Çabej kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar Ing. Mirtushin thashë: -Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar. -Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato... Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935. Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare, u kishte thënë nxënësve në fund të orës mësimore: -Eqremi ka le m' u ba klerik, por i asht' kushtue shkencës. Si redaktor i Radjos, për të përgatitur emisionet unë shfrytëzoja përveç bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nja dy revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Science et Vie (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj. Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha: Shiritat janë mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha... Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabejn. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Vend takimi ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit, ku i kishin dhënë pak vjet më parë një apartament me tri dhoma e një kuzhinë. Aty, gjatë ditëve te djela në tetor-nëntor 1969 njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap, si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrike të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte kombinati Misto Mame, të cilat i gjeje në apartamentet tona. Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte. Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë e meditativ si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet. Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm në Radio Tirana. Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës. Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh e për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj. Të djelën e parë të dhjetorit ’69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj. Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, pra unë mund të transferohesha nga Radio Tirana tek Instituti i Historisë e i Gjuhësisë (në atë kohë ky institut varrej nga Universiteti i Tiranës). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë të rilindasve tanë, të cilët i admiroja. -Gëzohem, që ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe shtoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë... Gjatë viteve kur punova në Institut: Prof. Çabejn e admironim të gjithë. Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio TiranaInstitutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spikerë të talentuar si Haki Bejleri, Vera Zheji, Kiço Fotiadhi, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë. Në institut fillova punë në sektorin e letërsisë shqiptare, ku ishin punësuar para meje Klara Kodra, Jorgo Bulua, Luan Kokona, Floresha Haxhia (Dado) me shef Koço Bihikun. Profesor Çabej, për të më uruar mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte kamjonët që parakalonin për festën e 1 Majit. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re: -Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Tani je në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja... Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i dij jo mirë. -Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim. Unë, pas pak, për t’u treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog, dhe thashë se ai duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën. -Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë fytyrën e asaj femre te dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryse, ose e çuditshme. Ne shqiptarët gjejmë gjithnjë shkaqe jashtë vetes sonë për prapambetjen tonë. Në kohën e Mbretit Zog e dëgjoja shpesh thënien “fajin na e ka Turqia që na la shumë prapa”, pas Luftës (ai nuk e përdorte togfjalshin Luftës Nacional Çlirimtare), kemi shtuar dhe thënien “fajin na e ka Ahmet Zogu që na la prapa”. Ne duhet t'i shohim shkakqet e prapambetjes sonë së pari te vetja jonë, duhet të punojmë më shumë. Pasanikët shqiptarë, në kohën e Turqisë dhe të Mbretërisë i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose industri. Çdo gjë do kohën e vet... Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Ia kujtova me respekt treshen shkodrane Pashko Gecin, Anton Krajën dhe Filip Fishtën. -“Ata u nxorrën në pension për arsye moshe, por aftësitë e tyre nuk u shfrytëzuan si duhej, tha profesori. Njeriun e kualifikuar, vijoi ai, po ta vësh të bëjë punë të thjeshta, e shkualifikon. Kështu ndodhi dhe me ta. Pashko Geci dhe Filip Fishta mund të hartonin fjalorë të pasur gjermanisht – shqip dhe latinisht - shqip, ose mund të hartonin dhe artikuj shkencorë në fushën e leksikografisë. Kurse Anton Krajni ishte një enciklopedist i vërtetë, njohës i thellë i historisë së disa vendeve europiane. Ai na mahniste me kujtesën e tij për histori e ngjarje të ndryshme, që i tregonte bukur. Bisedat e mia me ta mund t'i quaj biseda pune. Shpesh diskutonim bashkë edhe për origjinën e fjalëve të shqipes... Me fjalë të tjera profesori desh të thoshte se shteti i diktaturës së proletariatit duke vënë politikën në plan të parë, zgjodhi bij e bija punëtorësh e fshatarësh të varfër për t'i kualifikuar si punonjës shkencorë, kurse bijtë e borgjezisë që ishin kuadro të gatshëm shkencorë të formuar në Europën Perëndimore, nuk i shfrytëzoi, por i shkualifikoi, ose më keq i burgosi e i internoi. Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, po puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi: -Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë... Në vitin 1974 u hartua regullorja e kualifikimit shkencor, u dhanë orjentime se si do të kandidonim për të mbrojtur gradat shkencore Kandidat i Shencave Filologjike dhe Doktor i Shkencave Filologjike. Ne që do kandidonim në fushën e letërsisë për gradën e parë na u caktuan katër provime dhe hartimi i një vepre studimore si disertacion. Për provimin e zgjeruar të historisë së letërsisë na u dha një listë shumë e gjatë veprash letrare, ku pëfshiheshin edhe veprat e disa autorëve të ndaluar si Ernest Koliqi, Pader Gjergj Fishta, Faik Konica, etj. Mirëpo midis veprave me studime nuk na u dha asnjëra prej veprave studimore të profesor Çabejt ku ky kishte trajtuar probleme të letërsisë, si “Për gjenezën e literaturës shqipe”, “Studime italo-shqiptare” dhe “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”. Kur ia hapa bisedën rreth këtij problemi, profesori nuk shprehu asnjë shqetësim dhe nuk dha asnjë sqarim mbi arritjet e tij në fushën e studimeve letrare. Ai nuk donte të më impononte mendimet e tij. Unë duhej t'i lexoja e gjykoja vetë ato vepra. Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga pedagogët e studiuesit e tjerë, profesor Çabej në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit. Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë hapi luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurët. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabejt. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde. Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltëuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë: -Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode. Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, që ishte studente, shkoi në aksion, mirëpo atje u godit në gju dhe ky i mblodhi gjuri ujë. Në fakultet, në vend që t'i qanin hallin për këtë aksident, i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikuan se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore... Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i kishte mbetur profesorit pas vdekjes tragjike të djalit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Partia shtet e kish metodë sundimi prekjen e privatësisë, sidomos sulmet ndaj familjes. Përmes terorrit partia ia kishte arritur të na kallte frikën në mendjet e në zemrat tona dhe ne ishim pajtuar me mbyllagojën sikur të ishte një ndjenjë e qëndrim i moralshëm. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin nga zemra admirimin që ushqenim për profesorin. Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabej nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua me vonesë në Bukuresht, ku u botua po atë vit. Kurse sjellja e saj në atdhe u vonua edhe disa vjet. Atë e dërgoi amabasada jonë nga Bukureshti më 1967, kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë ishin shprehur me superlativa, por në atdhe nuk shpërnda e u shit askund. Kjo vepër mbahej e paketuar si kishte ardhur te një nga dhomat e sektorëve të gjuhësisë te kati i tretë. Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha Çmimi i Republikës i klasit të parë. Kopjet e kësaj vepre u mbajtën në depo me pretekst se ajo mund të përdorej si vepër liturgjike nga besimtarët e krishterë... Vepra, së cilës ky studjues i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist, pasionin dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve me karakter etimologjik në revistën shkencore Studime Filologjike dhe në revista të huaja, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e parë, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me preteksin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së tij, kur nxënësit e tij ia redaktuan (hoqën) ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më 1990 e më vonë... Ata që donin ta përulnin Himalajën e shkencave albanologjike, përpiqeshin si e si të mos ia botonin veprat, sidomos kryeveprën, ose kur detyroheshin t'ia botonin, të mos ia nxirrnin në qarkullim. Profesor Çabejn, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, pedagogët e Fakultetit Filozofik dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabejt gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krjijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur. Në vitin 1975 mua më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv. ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili u arrestua atë vit me grupin e shpallur armiq në ekonomi. Unë, si shumica e atyre që u ndodhi kjo fatkeqësi, u ndava nga bashkëshortja, kuptohet nga frika se mos pësoja, bashkë me vëllain e dy motrat e mia, pasojat e mospajtimit me dënimin e partisë. Por ky veprim i imi nuk i kënaqi sa duhej anëtarët e partisë së Institutit. Ata vendosën të më qarkullonin. Shokët filluan të më rrinin ftohtë... Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabej dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur. -Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, kemi një favor, njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore. Për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje: -Qarkullimi, për kuadrot e rinj është i dëmshëm, sepse ua shkëput procesin e kualifikimit. Qarkullimi për rastin tënd është çkualifikim, sepse ti nuk ke marrë ende kualifikimin e duhur. Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë... Im vëlla, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesorit, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, te z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist (drejtor filmi). Ky duket se ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Mbasi disa rrethe u përgjigjën se nuk kishin vende pune, qarkullimi im u la në qetësi. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli, po të kisha shkuar diku mësues fshati. Figura e profesor Çabejt ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen korekte, me kulturën profesionale dhe thellësinë e analizave shkencore. Ai rezatonte kulturë jo vetëm me pamjen elegante, veshjen e kujdesëshme, me dëshirën për të ndihmuar, por dhe me çdo lëvizje e me çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat e atij instituti. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve... Vite më vonë, kur profesor Çabej kishte vdekur, erdhi në Shqipëri z. Henrik Genscher, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë Federale dhe tha se Gjermania është gati t'i japë Shqipërisë vit për vit nga 4.000 (katërmijë) bursa studimi për shkolla të mesme profesionale, për shkolla të larta dhe studime pasuniversitare. Unë, si simpatizant i kuadrove me kulturë gjermane, e pyeta Prof. Kostallarin, drejtorin e institutit, kur u ndodhëm bashkë: -Pse nuk e pranoi udhëheqja e partisë sonë propozimin e z. Genscher? Të studjojnë katërmijë shqiptarë në Gjermani do të thotë të rigjenerohet inteligjenca shqiptare. -Po në Shqipëri kishte vetëm disa kuadro me kulturë gjermane dhe ne nuk i mposhtëm dot, ma ktheu ai. Të formohen 4.000 kuadro në Gjermani vit për vit, do të thotë që fëmijët e udhëheqjes që janë formuar e po formohen në Francë të mos kenë më vlerë dhe drejtimin e Shqipërisë ta marrin njerëzit me kulturë gjermane. Eqrem Çabej e jepte opinionin e tij për të tjerët me fjalë jo fyese. Në mbledhjet e sektorit dhe në mbledhjet e Këshillit Shkencor të Institutit, sa herë bëheshin diskutime artikujsh ose veprash të punonjësve shkencorë, binte në sy ndryshimi midis diskutimeve të profesor Çabejt dhe studiuesve të formuar në shkollën sovjetike, ose në atë të vendit që ishte një shkollë në formim e sipër. Profesori, së pari përpiqej të vinte në dukje vlerat e punimit dhe vështirësitë që kishte kaluar studiuesi, pastaj ndalej për të vënë në dukje dhe dobësi e mangësi, pa hyrë në hollësira, jepte dhe ndonjë rrugë për kapërcimin e tyre. Raporti midis pjesës vlerësuese dhe asaj kritike ishte gati në proporcion të barabartë. Kurse profesorët dhe shefat e sektorëve që ishin formuar në shkollën sovjetike ose që po formoheshin gjatë punës në Institut, shquheshin për vëmendjen e madhe që i kushtonin diskutimit të dobësive, për të cilat jepnin shumë hollësira, kurse vlerat e punimeve i përmendnin me dy a tre fjali. Kjo frymë diskutimi, duke i dhënë rëndësi të dorës së parë kritikave, mendoj se ishte krijuar nën presionin e ideologjisë sunduese të luftës së klasave, ose fshehte egoizmin e diskutantëve dhe dëshirën për të treguar se ata ishin shumë të aftë, kurse artikullshkruesi ishte inferior. Kultura europiane sipërore manifestohej tek profesori në çdo veprim e bisedë. Ai nuk merrej kurrë me thashetheme dhe nuk komentonte punën ose karakterin e dikujt në mungesë të tij. Nervozizmi, hakmarrja, mosmirënjohja, ishin të huaja për të. Në ato vite drejtor i institutit ishte profesor Androkli Kostallari, studiues i formuar në shkollën ruse, në Universitetin Lomonosov. Në moshë të re kishte mbetur jetim, shkollën e mesme e kishte kryer në gjimnazin e Shkodrës. Aty ishte lidhur me idetë komuniste dhe pastaj kishte dalë partizan. Mbas L2B u dërgua për studime në Moskë, ku përvetësoi arritjet e shkencës gjuhësore sovjetike. Mbas kthimit në atdhe udhëheqja e partisë e emëroi në Institutin e Shkencave, pastaj drejtor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Këtu mori dhe detyrën e shefit të sektorit të leksikologjisë, atë të kryeredaktorit të revistës Studime Filologjike dhe të kryetarit të Këshillit Shkencor të institutit. Ky studjues shquhej për ambiciet shkencore, për formim solid në fushën e leksikologjisë, aftësi organizative, etj, por si karakter njerëzor linte për të dëshiruar... Gjatë bisedave private me të, ndjehesha shpesh herë ngushtë, por nuk ia kundërshtoja pasionin me të cilin ai shprehte kritikat e tij ndaj kolegëve, sidomos ndaj profesorëve Çabej e Mahir Domi, në mungesë të tyre. Duke kritikuar këta profesorë, ai synonte të krijonte idenë se ai ishte më i zoti se ata. Për fat të keq këtë ves të tij e morën dhe disa punonjës shkencorë, sidomos shefa sektorësh. Kurse gjatë bisedave të mia private me këta dy profesorë nuk dëgjova kurrë pakënaqësi e kritika personale ndaj Androkli Kostallarit, apo dikujt tjetër. Kur u kthye profesor Dhimitër Shuteriqi prej Italie, ku ishte dërguar për të bërë një ekspeditë kërkimore nëpër fshatrat arbëreshe, mbajti në Lidhja e Shkrimtarëve një takim ku tregoi për rezultatet e kësaj ekspedite. Midis tjerash ai tregoi se kishte gjetur, pra se i kishin dhënë për të dorëzuar në Arkivin e Shtetit, mjaft dorëshkrime poezish dhe veprash të poetëve arbëreshë. Profesor Shuteriqi e mbylli bisedën duke thënë: -E shikoni këtë çibuk, dhe tregoi çibukun me të cilin pinte vetë duhan, ky është çibuku i Jeronim De Radës, ma dhanë bashkë me dorëshkrimet dhe penën e poetit, të cilat i dorëzova në Arkivin e Shtetit... Ne që e dëgjuam ulëm kokat. Nuk na erdhi mirë që ky personalitet i letërsisë dhe i shkencës shqiptare kishte mbajtur për vete një relike me vlerë muzeale të De Radës. Të nesërmen rastisi që të pinim kafe me profesor Eqremin dhe ia treguam ato që dëgjuam prej Prof. Shuteriqit. Po prisnim që dhe ai ta quante atë hajdut, si e kishim quajtur ne në bisedat tona. Mirëpo profesori e formuloi mendimin e tij pa fjalë fyese: -Nuk është mirë që njeriu të mos dijë ç'është e tija dhe ç'është e shtetit. Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar Në nëntor të vitit 1979 profesor Çabej u sëmur rëndë. Sapo ishte kthyer nga Vjena, ku ishte dërguar për të mbajtur leksione, i shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Doktorët e përcaktuan sëmundjen: kamcer në mushkëri, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme dhe përparonte shumë shpejt. U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinë, i vetmi ambjent me ngrohje. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj. Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me bashkëshorten time. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq te çezma. Kur i takuam duart ndjemë se i kishte akull të ftohta. -Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, tha Shyhreti. Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë. Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë me zë të ulët, me ato rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si engjëj. Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari engjëllin që kishim para syve tanë, të cilin nuk kishim për ta parë më... Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim. Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte shumë i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet vërtet të madh, që e donte pa ndërhyrjen e organeve të shetit... Profesor Çabej u nda nga jeta më 13 gusht 1980, në moshën 72 vjeçare, kur ishte ende shumë i gjallë e me kapacitet të plotë mendor. Ai u largua nga kjo jetë pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues. Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesorit, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që nga viti 1949, që kur ishte krijuar Instituti i Shkencave. Ai ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. Ai më kishte treguar se si e kishin sulmuar profesorin në vitet e mbrapta 1967-1968. Në mbledhjen e organizuar në institut për të dënuar shfaqjet e huaja, në prani të Manush Myftiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Fadil Paçramit, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Tiranës, drejtori i institutit, Androkli Kostallari e sulmoi profesor Çabejn duke e quajtur kuadër që i nënshtrohej shkencës borgjeze. Si argument ai përmendi se Çabej në studimet e tij nuk citonte rezultatet e arritura të shkencës shqiptare që po zhvillohej nën kujdesin e partisë; dhe se me rastin e vdekjes së albanologut gjerman Maximilian Lambertz, ai kishte shprehur në shkrimin nekrologjik vetëm lavdërime, kur dihej se ky studjues borgjez kishte përkthyer në gjermanisht poemën Lahuta e Malsisë të poetit reaksionar Gjergj Fishta. Profesori e kishte mbrojtur veten me pak fjalë: -Për citimet në veprat e mia shkencore unë ndjek parimin ndërkombëtar, sipas të cilit në studime shkencore citohen vetëm veprat e botuara në shtypin e lartë, pra në libra dhe revista shkencore. Unë nuk kam cituar e nuk mund t'i citoj rezultatet e studjuesve tanë që janë botuar nëpër dispenca, sepse artikujt e botuar në to konsiderohen jo përfundimtare, mbasi janë në përpunim e sipër. Botime të tilla nuk i ruan as Biblioteka Kombëtare. Për studjuesin Maximilian Lambertz dhashë vlerësime pozitive, sepse në shkrime nekrologjike nuk shprehen kritika e rezerva. I ndodhur ngushtë Manush Myftiu e mbylli diskutimin duke thënë se partia e ka vlerësuar Lambertz-in me titull të lartë dhe në nekrologji vërtet shprehen vetëm vlera dhe jo kritika... Duke kujtuar të tilla momente gjatë ecjes në këmbë i thashë Palokës se duhej t'i shkruante kujtimet e tij për profesorin dhe t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt duhej të shkruanin kujtimet për profesorin. Kur arritëm në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe një vëlla të profesorit, avokatin Ferid, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë. Ai jetonte në Lushnjë bashkë me vëllain tjetër Ihsanin, mjek. Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabejt është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: po, po, duke na lënë të kuptonim se ajo e vlerësonte këtë mendim dhe se një ditë do të ulej për t'i shkruar kujtimet. Profesor Çabej më ndihmoi edhe i vdekur. Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor i Shencave Filologjike dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, punëtor fabrike në turnin e tretë, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoja anglisht në nivelin që ta flisja dhe ta shfrytëzoja për studime. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që më mbeti pa bërë në rini. Tani nuk jam më fillestar, ky qarkullim nuk do të më çkualifikojë, prandaj duhet të filloj të merrem dhe me punë shkencore. Dhe fillova të lexoja e të grumbulloja materiale për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo Shën Pali gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire, gjë që ai vetë e kishte pohuar në letrën drejtuar besimtarëve të Romës. Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare, e cila thoshte se Shën Pali kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim para meje e kishin formuluar me disa të dhëna, por pa sjellë prova bindëse disa historianë, si italiani Daniele Farlato (1817), amerikani E. Jacques (1995) dhe shqiptarët Marin Barleti (1520) e Kristo Frashëri (2001). Duke ditur se në mbarë Mesdheun, pra dhe në gadishullin Italik deri në shekullin e IV përdorej greqishtja si gjuhë predikimi midis besimtarëve dhe se latinishtja u bë gjuhë fetare, gjuhë e kishës, vetëm mbasi u përkthye Bibla prej Shën Jeronimit në fund të shek IV fillim i shek V, më lindi një mendim. Përhapja e Krishtërimit në qytete ilire prej vetë shën Palit e nxënësve të tij që në shek. I dhe pastaj në shek. II-IV duhej të ishte kryer në gjuhën greke, gjuha e predikimeve fetare të atyre shekujve, herë herë duke përdorur dhe përkthyes nga greqishtja në ilirisht. Në këtë proces predikimi, terminologjia fetare në ilirisht duhej të kishte hyrë fillimisht prej greqishtes duke u përshtatur në gjuhën vendase. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha ilire (pra dhe pasardhësja e saj, shqipja) i kishte marrë, ashtu si latinishtja, drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV dhe jo nga latinishtja, ndikim i së cilës në këtë fushë kishte filluar vetëm gjatë shek V e këtej. Mirëpo, hipoteza se shqipja i kishte marrë fjalët e terminologjisë fetare prej latinishtes ishte formuluar prej disa studjuesve gjermanë në kohën kur sundonte mendimi se krishtërimin në popullin ilir e kishin sjellë misionarë të ardhur prej kishës së Romës. Këtë mendim e kishte pranuar dhe profesor Çabej. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishëtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij: -Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen. Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabejt dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia se disa fjalë si apostull-i, ungjill-i, engjëll-i, kish,ë-a, e disa fjalë të tjera të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, edhe ilirishtja (nëna e shqipes) i kishte marrë drejtpërdrejt prej greqishtes dhe jo prej latinishtes. Më 2007 e botova librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re dhe shkova në Tiranë ku organizova promovimin e tij te Muzeu Kombëtar. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, si Seit Mancaku, etj, vlerësuan aspekte të ndryshme të veprës, por u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë. Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabejn në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar. Ai vetë kishte thënë në praninë time dhe të kolegëve të tjerë se edhe gjuhëtarë të tjerë mund dhe duhet të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, por puna e vazhdueshme e me pasion. -Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, na thoshte ai, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë... Me të tilla këshilla dhe me punën e tij, profesor Çabej më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij, aq të vështirë...

32 views1 comment

1 Comment


Astrit Lulushi

Sa mirë që na e kujton, prof. Thanas Gjika!

Eqrem Çabej është figurë e ndritur, pa hijet që mbuluan pas-diktaturës shumë intelektualë (akademikë e shkencëtarë, të ashtuquajtur.

Sa më shumë kohë kalojnë aq më të largët bëhen njerëzit me të cilët jemi rritur, i kemi çmuar dhe jemi edukuar, kur për nuk shkruajmë dhe për ‘ta nuk kujtohemi.

Edhe të presësh që dikush tjetër që e ka njohur më mirë mund të shkruaj, është naivitet ose justifikim. E ke thënë si e ke ndjerë, të domosdoshme.

“Nëse doni të jeni shkrimtar”, thotë Stephen King, “duhet të bëni dy gjëra mbi të gjitha: të lexoni shumë dhe të shkruani shumë”.

Nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur këto dy…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page