top of page

Profesor Ali Buzra një shembull



Kujtesë me rastin e 70 vjetorit të lindjes


ALI BUZRA ka përvjetorin e tij. Ai ka lindur më 20 gusht të vitit 1953 në fshatin Gizavesh të rrethit Librazhd. Arsimin fillor e kryen në fshatin e lindjes, ndërsa atë 8-vjeçar në fshatin fqinjë, Dorëz. Në vitin 1968 iu dha bursë studimi për në Shkollën e Mesme Pedagogjike Elbasan (Shkolla normale), të cilën e mbaroi në vitin 1972. Në gushtin e këtij viti emërohet mësues në fshatin Prevall, zona e Lunikut. Në nëntor të vitit 1973 mobilizohet për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pas lirimit nga ushtria u emërua me punë në fshatin e thellë malor të Kostenjës, mësues me klasa kolektive në lagjen Dranovicë, ndërsa vitin tjetër në fshatin Qarrishtë.

Më pas i jepet e drejta e studimit për në Institutin e Lartë Pedagogjik të Gjirokastrës, ku diplomohet për histori e gjeografi. Në vitin 1978-79, ai ka kryer kursin njëvjeçar të filozofisë në Durrës, me specialitet organizim e drejtim të rinisë dhe emërohet me detyrë funksionale; Instruktor në Komitetin e Rinisë së Rrethit. Aty u njoh më nga afër me problemet e kohës e të funksionimit të sistemit komunist. Pas tre vitesh, largohet me kërkesën e tij duke kaluar përsëri në arsim.



Aliu ka punuar mësues në fshatin Librazhd-Katund, shkollën e mesme Dorëz e që nga viti 1987, mësues dhe drejtues shkolle në fshatin e tij Gizavesh. Në vitin 2015, me rastin e 70-vjetorit të hapjes së shkollës së parë në fshatin e tij, ai ngriti muzeun e shkollës, ku pasqyrohet historiku i arsimit në Gizavesh. Në vitin 2018, vit në të cilin do të dilte në pension, Aliu ngriti “Kabinetin muze”, me dy ambjente, i cili ishte dhe është aktualisht i vetmi muze në rrethin e Librazhdit. Në murin përballë me shkronja të mëdha është shënuar shprehja, ashtu sikurse e ka ndjerë vetë ai: “DUAJE VENDLINDJEN, ZBULO VLERAT E SAJ DHE I PASQYRO ATO”.

Në muze, ndodhen mbi 400 objekte tradicionale të dhuruara nga familjet e fshatit. Në të pasqyrohet në mënyrë të koncentruar, me periudha; Historia e Shqipërisë, historia e rrethit, e zonës si dhe ajo e fshatit Gizavesh. Në ditën e përurimit të muzeut, morën pjesë; Kryetari i Bashkisë Librazhd e drejtues të institucionit në fjalë, Përgjegjësja e Zyrës Arsimore, drejtues shkollash, mësues të historisë si dhe shokë e miq të tij. Në këto vite pas daljes në pension, ai vazhdon të pasurojë më tej muzeun me materjale të ndryshme historike dhe etnografike.

Ali Buzra, është autor i disa librave siç janë: “Gizaveshi në vite”, “Jetë nën trysni dhe vuajtje”, “Vajtim i heshtur”, “Ndriçim Koxha dëshmor i Kombit” dhe tani vjen për lexuesin me librin; “Mjekja Humane Xhemile Mana”, kushtuar mjekes librazhdiote, emrin e së cilës mban spitali i Librazhdit.

Profesor Aliu edhe pse në pension ai nuk ndalet në fushën e krijimtarisë. Ai është dhe mjeshtër i tokës bujqësore që ka në fshat. Në këtë përvjetor i urojmë profesor Aliut jetë të gjatë e plot shëndet!

203 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page