top of page

Prof. Dr. Myqerem Tafaj: Konceptimi i sotëm i arsimit profesional ...





Prof. Dr. Myqerem Tafaj: Konceptimi i sotëm i arsimit profesional në vendin tonë është i vjetruar

 

 

Në vazhdën e konferencave të mëdha, sot filloi një konferencë tjetër për arsimin dhe formimin profesional (AFP) me pjesëmarrje edhe ndërkombëtare. Në parantezë, është pozitiv zhvillimi i konferencave të tilla, dhe sidomos kur bëhet fjalë për lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës dhe sipërmarrjen. Duke parë programin e kësaj konference, vihet re që në fillim, edhe problemin kryesor që ka AFP në vendin tonë, kalimi i këtij (nën)sektori kyç si jetim nga një ministri në tjetrën, çka bën që edhe politikat e këtij sektori të mos kenë shkallë të lartë prioritare për ministrat, përballë sektorëve të tjerë me peshë shumë më të madhe që ata mbulojnë. Psh., në rastin e ministrisë së tanishme, ky sektor bëhet inekzistent përballë ekonomisë, kulturës dhe inovacionit që duhet të mbulojë ministri, edhe pse AFP lidhet jo vetëm me këta sektorë, por edhe me çdo sektor tjetër të ekonomisë së vendit. Por, ajo që mua më duket më e rëndësishme është konceptimi i AFP në vendin tonë. Po lexoja fjalën e kryeministrit dhe ai i referohet vetëm arsimit të mesëm profesional (vocational education).

Pra, qeveria vazhdon që të zhvillojë koncepte dhe reforma për arsimin e mesëm profesional dhe jo për Sistemin e Arsimit Profesional. Janë dy koncepte shumë të ndryshme. Në konceptimin e sotëm, Sistemi i Arsimit Profesional është një kolonë më vete e shkollimit parauniversitar (vocational education) dhe të lartë tercial profesional (vocational higher education) dhe ai përfshin nivelet e shkollimit të ulët e të mesëm (vocational education), si edhe atij të lartë profesional (pas të mesëm dhe të lartë profesional – vocational higher education). Ose e thënë më thjesht: arsimin e mesëm 2, 3 dhe 4-vjeçar pas arsimit të detyruar (9- vjeçar), arsimin e lartë jouniversitar 2-vjeçar, bachelorin profesional dhe masterin profesional. Që këtu kuptohet se sa i vjetruar është konceptimi i arsimit profesional në vendin tonë. Kjo duket edhe në aspektin formal të konferencës: aty nuk ishte i ftuar asnjë rektor universiteti, asnjë referim nuk kishte nga universitetet.

Madje, edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit është e ftuar në fund të ditës së dytë të konferencës, pas ministrave të tjerë, edhe pse, nga këndvështrimi i përmbajtjes, edhe arsimimi profesional është një formim arsimor por i orientuar në një profesion (vocation education). Për më tepër, Shqipëria, pas implementimit të Procesit të Bolonjës që filloi në 2003-‘04, e ka formalisht edhe Sistemin e Arsimit Profesional, sepse krahas arsimit të ulët (2-vjeçar ose niveli III i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve KSHK) e të mesëm profesional (3 dhe 4-vjeçar, madje me Maturë profesionale – niveli IV i KSHK), ekzistojnë edhe 3 nivele të arsimit të lartë profesional, përkatësisht: niveli V i KSHK ose arsimi pas i lartë jouniversitar profesional; niveli VI i KSHK ose bachelor me orientim profesional Dual, dhe nivel VII i KSHK ose masteri profesional.

Që këtu, unë mendoj se duhet ndryshuar tërësisht e gjithë qasja dhe duhet rrokur jo vetëm niveli i arsimit të mesëm profesional, por i gjithë Sistemi i Arsimit Profesional ose sistemi i arsimit të mesëm dhe të lartë profesional. Ky konceptim i vjetruar ka bërë që edhe politikat e arsimit profesional të mos jenë bashkëkohore.

Pavarësisht nga propaganda e madhe, në arsimin e mesëm sot studiojnë më pak se 14% e numrit të përgjithshëm të nxënësve të arsimit të mesëm. Sforcimi i bërë për t‘i çuar me detyrim nxënësit nga gjimnazi në shkollat profesionale nuk është zgjidhja, aq më pak një strategji e duhur. E gjithë kjo buron nga një koncept tërësisht i tejkaluar, sipas të cilit “nxënësit që vijojnë arsimin profesional nuk duhet të vijojnë arsimin e lartë”! Kjo është një tezë tashmë e tejkaluar edhe në vendet e origjinës së arsimit profesional, si Gjermania, Zvicra dhe Austria. Politikat e sotme të arsimit profesional kanë ndryshuar tërësisht edhe në këto vende. Nxënësit që vijojnë shkollën profesionale të nivelit IV të KSHK në Gjermani kanë të drejtë të vijojnë arsimin e lartë profesional në nivelet V, VI dhe VII të arsimit të lartë në Shkollat e Larta të Shkencave të Aplikuara (University of Applied Sciences) dhe Shkollat e Larta Duale (Dual Higher Education) ose programet Duale apo te integruara me praktikën.

Madje, studimet e muajve të fundit, pikërisht në Gjermani, evidentojnë se rritja me e madhe e numrit të studentëve u përket shkollave të larta dhe programeve profesionale dhe ato të integruara me praktikën (Duale). Ekspertët e arsimit profesional në Gjermani kanë konstatuar se niveli i arsimit të mesëm profesional pa maturë profesionale, edhe në këtë vend të origjinës së arsimit profesional ka një të ardhme jo të sigurt, sepse ai po ndiqet, ndryshe nga tradita e hershme, nga nxënësit më të dobët. Nxënësit me nivel mesa tar dhe ata me nivel mbimesatar dhe familjet e tyre nuk e preferojnë arsimin profesional. Ky ndryshim radikal i qasjes së shoqërisë ndaj arsimit profesional klasik shoqërohet edhe me rrezikun e destinimit të këtij lloji ose modeli të arsimimit si shkollim për shtresën e varfër, çka do të ishte tërësisht e dëmshme për pozitën dhe shanset e të rinjve të kësaj shtrese në shoqëri.

Ekspertët e arsimit profesional konstatojnë se modeli klasik i arsimit profesional nuk mund të përmbushë aspiratat e të rinjve në këtë shekull për dije dhe karrierë profesionale. Gjithashtu, zhvillimi shumë i shpejtë i teknologjisë në këtë shekull, kërkon një formim më të gjerë dhe me një nivel shumë më të lartë, çka u mundëson të rinjve orientimin dhe riorientimin e shpejtë profesional edhe përmes “Të mësuarit Gjatë Gjithë Jetës” (Lifelong Learning – LLL). Sot nuk duhet të kemi frikë që të rinjtë, që dëshirojnë dhe kanë kapacitetin intelektual të vijojnë të arsimohen, pas nivelit të mesëm profesional, edhe në nivelin e lartë jo universitar dhe universitar profesional (Bachelor dhe Master profesional). Sektorët e ndryshëm të ekonomisë kanë hapësirë dhe kërkojnë kompetenca profesionale në të gjithë nivelet, nga punëtor, punëtor i kualifikuar, teknik i mesëm, teknik i lartë, sepcialsit dhe menaxher. Në këndvështrim e mësipërm për arsimin profesional, unë mendoj se ka ardhur koha për një rikonceptim të zhvillimit dhe modernizimit të të gjithë Sistemit të Arsimit profesional në vendin tonë.

E them këtë, sepse të gjitha nivelet e këtij sistemi kanë probleme të thella dhe kërkojnë një reformim të thellë. Në një shkrim të tillë, nuk është e mundur që të parashtrohen të gjitha problematikat. Më së pari, arsimi i mesëm profesional dhe ai i lartë jouniversitar profesional në vendin tonë konsiderohen sot si shkollime për nxënësit dhe studentët më të dobët që vijnë nga familjet më të varfra. Kriteri i notës 6.5 për pranimin në Bachelor e thelloi akoma më shumë këtë paragjykim dhe ata studentë që ndjekin nivelin e arsimit jouniversitar profesional (V), konsiderohen të rinj me shanse të humbura profesionale. Studentët më të dobët detyrohen të ndjekin masterat profesionalë dhe jo ata që dëshirojnë vetë të zgjedhin profesionin. Orientimi i programeve kah kërkesave të tregut të punës është gjithashtu sfidë e madhe. Ndoshta në arsimin e mesëm profesional, kjo situatë është më e mirë, por orientimi i programeve jouniversitare profesionale, bachelorit dhe masterit profesional ka nevojë urgjente për rishikim.

Akoma shumica e programeve i përkasin periudhës së fillimit të implementimit të Procesit të Bolonjës, pas para 15 – 20 viteve. Sfida tjetër shumë e rëndësishme është formimi shumë i dobët praktik që afrojnë këto programe, çka ul cilësinë e formimit në tërësi dhe vështirëson shumë punësimin e të rinjve. Formimi i pamjaftueshëm praktik buron nga kurrikulat teorike dhe lidhja e dobët e shkollave dhe universiteteve me praktikën, biznesin. Vetëm nga parashtrimi i këtyre problematikave më kryesore të shkollimit kuptohet se sa e domosdoshme është ndërmarrja e një reforme të thellë të gjithë sistemit të arsimit të mesëm dhe të lartë profesional. Sot ka mundësi shumë më të mëdha për të realizuar një reformë të tillë, e cila duhet të jetë pjesë integrale edhe reformimit të arsimit të mesëm dhe të lartë. Vetë qeveria e ka shkruar në Strategjinë e Arsimit 2022-2026 prioritetin e reformimit të arsimit kah kërkesave të tregut të punës. Ajo duhet filluar sa më parë, sidomos në arsimin e lartë.

Universitetet dhe shkollat e larta duhen mbështetur për të kryer një reformim të thellë të ofertës së tyre akademike të vjetruar. Koha kërkon programe më afër tregut të punës, me një formim shumë më solid, jo vetëm teorik, por edhe praktik, çka bën të domosdoshëm një bashkëpunim të ngushtë të shkollave dhe universiteteve me firmat dhe kompanitë. Ky bashkëpunim duhet mbështetur financiarisht nga qeveria. Zhvillimi i programeve të formimit të lidhura ngushtë me praktikën mbështetet me përparësi edhe nga programet e BE. Duke lexuar fjalën e ambasadorit të BE në Tiranë në konferencë, vura re se ai nuk e flet vetëm për arsimin profesional, por për orientimin e arsimit ndaj kërkesave të tregut të punës.

Në përfundim, unë mendoj se është koha për të ndryshuar qasjen dhe konceptimin e arsimit profesional, nga arsimi i mesëm profesional në shkollat e mesme profesione dhe formimi profesional në qendrat e formimit profesional në Sistemin e arsimit të mesëm dhe të lartë profesional. Vetëm një reformë holistike e të gjithë niveleve të këtij sistemi mund t‘u përgjigjet sfidave të sotme dhe të së ardhmes për formimin me nivel të lartë, teorik dhe praktik profesional dhe punësimin e vetëpunësimin sa më të shpejtë të të rinjve pas diplomimit.

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page