top of page

Prof. Dr Eshref Ymeri: Prof. Dr. Shpresa Delija me një karrierë  ...


Eshref Ymeri: Prof.dr. Shpresa Delija me një karrierë  të shkëlqyer pedagogjiko-shkencore

 

Pas mbylljes së vitit shkollor 1973-1974, të shoqëruar me përfundimin e provimeve të maturës, zonjusha Shpresa Doçi, një bukuroshe elegante, me shtatin si selvi, në shtatorin pasardhës do të fillonte studimet në degën e gjuhës angleze të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës. Asokohe isha pedagog në katedrën e gjuhës dhe të letërsisë ruse të atij fakulteti, i cili, pas vitit 1990, u shkëput më vete, si Fakultet i gjuhëve të huaja.

Me zonjushe Shpresën jemi njohur më nga afër gjatë kohës që, si fakultet, kryenim së bashku stërvitjet ushtarake dhe aksionet e punës fizike. Në degën e gjuhës ruse kisha një studente mjaft të talentuar, zonjushën Nikoleta Mita, tani pedagoge në Departamentin e psikologji-pedagogjisë së Fakultetit të shkencave sociale të Universitetit të Tiranës, me titullin “Profesor-doktor”, e cila ishte shoqe e zonjushës Shpresa.

Gjatë viteve studentore, në fakultet Shpresa binte në sy për edukatë dhe sjellje shembullore, si edhe për rezultate të larta në mësime. Departamenti i gjuhës angleze, i themeluar në vitin 1960, me nismën e Profesor Skënder Luarasit, ka një traditë të admirueshme në përgatitjen e trupës pedagogjike dhe të specialistëve të talentuar të kësaj gjuhe, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre në fushën e mësimdhënies, e studimeve gjuhësore, e përthimit dhe interpretimit (përkthimit gojor).

Profesore Shpresa kujton me respekt dhe mirënjohje të thellë brezin e pedagogëve që i patën dhënë mësim dhe e patën përgatitur që të bëhej një mësuese dhe pedagoge e talentuar.

Pasi mbaroi fakultetin në vitin 1978, Shpresa u emërua mësuese e gjuhës angleze në qytetin e Lezhës, ku punoi  gjatë një periudhe pesëvjeçare. Paskëtaj, duke pasur parasysh rezultatet e larta në fakultet, mësuese Shpresën e emëruan pedagoge të anglishtes në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Këtu punoi vetëm një vit, sepse e transferuan të jepte mësim në Akademinë e Rendit, ku punoi, pesë vjet. Pas kësaj pune 11-vjeçare, Shpresa u emërua pedagoge në Departamentin e gjuhës angleze të Fakultetit të gjuhëve të huaja, ku vazhdon punën deri tani.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, pedagoge Shpresa mbrojti disertacionin për gradën “Doktor i shkencave”. Ajo u dallua për një veprimtari mjaft të dendur në procesin e mësimdhënies, të konkretizuar me botimin e shumë artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit, për botimin  teksteve mësimore për shkollat dhe për universitetin, në autorësi dhe bashkautorësi, për zhvillimin e një sërë aktivitetesh shkencore, në bashkëpunim edhe me univesitete të huaja. Për karrierën e saj mjaft të suksesshme pedagogjiko-shkencore, dëshmon më së miri jetëshkrimi i saj i pasur, i cili zë një hapësirë prej 12 faqesh kompjuterike. Duke pasur parasysh punën e saj si pedagoe e talentuar dhe gjithë krijimtarinë e saj shkencore, Departamenti i gjuhës angleze, Këshilli shkencor i Fakultetit dhe i Universitetit, e patën vlerësuar pedagoge Shpresën me titullin “Profesor i Asociuar” dhe “Profesor-doktor”. Pra, sot Prof.dr. Shpresa Delija është një figurë emblematike, e cila, me punën e saj të palodhur, e ka pasuruar dhe e ka çuar më tej traditën mbresëlënëse të mësimdhënies së trupës pedagogjike të Departamentit të gjuhës angleze, duke filluar nga Profesor Skënder Luarasi deri në ditët tona.

Në dhjetëditëshin e fundit të shtatorit të vitit të kaluar, ish-studentja ime, Prof.dr. Nikoleta Mita, më njoftonte se, së bashku me Prof.dr. Shpresa Delija, kishin ndërmarrë nismën për të festuar 45-vjetorin e përfundimit të studimeve për të gjitha gjuhët e huaja të fakultetit. Festa do të organizohej në mjediset e fakultetit më 06 tetor 2023 dhe më ftonin të merrja pjesë. Në pamundësi për të qenë i pranishëm për shkak të largësisë së madhe, i falënderova nga zemra, duke shkëmbyer letra me to.

Profesore Shpresës i dërgova letrën në vijim:

“Shumë e dashur dhe shumë e respektuar Profesore Shpresa!

Letra Juaj më ka mallëngjyer tej mase. Ju jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe, ashtu si ndaj Profesore Nikoletës, edhe ndaj Jush e ndiej vetem tepër të  detyruar. Rrëfimet Tuaja për ato vite fort të largëta, më ngjallën një nostalgji të paimagjinueshme për vitet e punës në Fakultet dhe më nxitën kujtime boll emocionuese, të cilat më bënë ta kthej kokën prapa dhe të sjell ndër mend Presidentin e parë të Shteteve të Bashkuara - Xhorxh Vashingtonin, i cili ka thënë:

       “Vështrimin drejt së kaluarës mund ta hedhësh vetëm për hir të dobisë që ke pasur nga përvoja, të cilën “e ke blerë shtrenjtë””.

       Dhe Ju, moj e dashur Profesore Shpresa, përvojën Tuaj shumë të çmuar në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze në nivel akademik, e keni lënë të skalitur përjetësisht me trashëgiminë që po u lini  brezave pasardhës - sallën e re për lëndën e didaktikës, të ngritur krejtësisht me kontributin Tuaj dhe të Familjes Suaj të Nderuar. Ajo sallë, në karrierën Tuaj emblematike, do të shërbejë si një Dritare dijeje për lidhjen e studentëve përmes seminareve online me profesorë të universiteteve të huaja. Ju dhe Familja Juaj keni sakrifikuar shumë për pajisjen e asaj salle me materialet e nevojshme, një sakrificë kjo, të cilën nuk e bën dot dokushdo. Mendoj dhe propozoj që salla e re për lëndën e didaktikës - Auditori 305 - pas largimit Tuaj për në pension, duhet të emërtohet “Auditori Prof.dr. Shpresa Delija””.

            Në tetorin e vitit të kaluar, Televizioni “euronews albania”, i përcolli publikut një emision të posaçëm, në nderim të Prof.dr. Shpresa Delija, pikërisht në respekt të punës së saj prej pedagogeje me shpirt të madh, për trashëgiminë mjaft të vyer që Ajo po u lë brezave pasardhës të studentëve - sallën e pajisur për lëndën e didaktikës. Emisioni u transmetua pikërisht nga auditori 305. Në atë emision, gazetarja theksoi:

“Prej katër dekadash Shpresa Delija do të kontribuonte në fushën e gjuhës angleze. Profesoren në Fakultetin e gjuhëve të huaja e njohin  të gjithë studentët dhe profesorët. Ata sot kanë ardhur për ta falënderuar jo vetëm për kontributin e dhënë në dijet e tyre, por edhe për dhuratën që po u lë auditoreve të universitetit me kontributin e saj personal nga paga e profesorit dhe ndihmën e familjarëve. Shpresa Delija ka mundur të ndërtojë një sallë të re për lëndën e didaktikës. Studentët do të mësojnë gjuhën e huaj me metodat e reja praktike, duke u lidhur përmes emisioneve online me profesorë të universiteteve të huaja. Pas disa muajsh ajo do të dalë në pension dhe thotë se e kishte ëndërr të realizonte këtë sallë për studentët dhe t’ia linte trashëgim fakultetit, ku punoi për më shumë se gjysmën e jetës. Mbledhja e fondeve në vite, për të arritur këtë qëllim që i kishte vënë vetes, ishte e vështirë, por, siç e thotë edhe vetë ajo, nëse ke dëshirë, mund ta bësh. Janë 120 studentë që arsimohen çdo vit në fushën e gjuhës angleze, të cilët do të përdorin tashmë këtë auditor për të  mësuar metodat bashkëkohore të mësimdhënies”.

Në vazhdim të emisionit, gazetarja intervistoi Profesore Shpresën, e cila u shpreh me emocion:

            “Do të kenë mundësinë të hulumtojnë, të studiojnë dhe të marrin të rejat shkencore në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze në vend. Ka qenë një ëndërr e dikurshme, të cilën, më në fund, e realizova me ndihmën e familjarëve të mi dhe tani, në prag të pensionit, u lë studentëve të mi një vend ku ata të kenë mundësi të hulumtojnë dhe të studiojnë, në mënyrë bashkëkohore, si gjithë moshatarët e tyre që janë nëpër botë. Nëse ka një dëshirë nga njerëzit, gjithçka realizohet, gjithçka bëhet”.

            Prof.dr. Shpresa Delia ka gëzuar dhe vazhdon të gëzojë gjithë respektin e studentëve për nivelin e lartë shkencor të përgatitjes së saj si pedagoge dhe edukatore e shkëlqyer. Në të njëjtën kohë, edhe Profesore Shpresa ndihet krenare për ish-studentët e saj, të cilët, me punën dhe me përpjekjet e tyre këmbëngulëse, kanë ditur ta gjejnë veten në jetë dhe të arrijnë suksese kudo që japin kontributin e tyre në vendin tonë. Ja një rast konkret:

            Më 04 nëntor 2023, në sallën e Muzeut historik u zhvillua një aktivitet festiv me rastin e 10-vjetorit të Akademisë së Gjuhëve Europiane (AEL). Drejtuesja e atij aktiviteti ishte Eva Çota, ish-studentja e Profesore Shpresës, e cila ishte e ftuar në atë aktivitet. Në fjalën e saj Profesore Shpresa tha:

            “Një ditë e veçantë ishte për mua dje, të isha e ftuar nga ish-studentja ime e mrekullueshme dhe mikja e kolegia ime sot, Eva Çota, në 10-vjetorin e themelimit të Akademisë së Gjuhëve Europiane (AEL) në sallën e bukur të Muzeut historik. Sa e lumtur dhe krenare ndihem kur studentët e mi ecin përpara në profesionin e mësuesit dhe me bindje të plotë them se Eva mbetet një shembull i bukur dhe me plot entuziazëm e shpresë se Shqipëria do të eci përpara me këtë brez të mrekullueshëm. Eva, sa herë bisedojmë, shumë e më shumë më rinon dhe më jep forcë për punën që bëj me studentët. Të jam mirënjohëse dhe falënderuese që ato pak dije dhe përvojë që e kemi bashkëndarë në auditoret e fakultetit, janë transmetuar në vlera dhe virtyte të larta njerëzore, intelektuale, profesionale dhe drejtimi në qendrën tuaj AEL në Tiranë. Jeni shembulli më i mirë për të gjithë”.

            Fjalët e Profesore Shpresës plot afsh frymëzues në adresë të ish-studentes së saj të talentuar Eva Çota, e cila ka sukses në punën e saj, të cilën e kryen me plot dëshirë dhe përkushtim, të kujtojnë një aforizëm bukur të goditur të Tomas Xhefersonit (Thomas Jefferson - 1743-1826), njërit nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe hartuesit e Deklaratës së Pavarësisë të vitit 1776. Ai ka thënë:

            “Mendoj se sa më shumë punoj, aq më shumë më ecën fati”.

            Kaliforni, 04 maj 2024

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page