top of page

Problemi


Problemi

Astrit Lulushi


Mburrja, kjo veshje e bukur që rëndon e të merr frymën, të bën të kërkosh me kaq këmbëngulje a fanatizëm prejardhjen tënde, por i tregon botës se je ende foshnje, ose se trashëgimia të është mohuar, kur në fakt duket se ajo është gjetur a vjedhur pasi ti nuk ishe në gjendje t’i dilje zot, jo se ishe i shtypur, por nuk ishe zgjuar.

Ndodh të dëgjosh shpesh se shqiptarët kanë prejardhje të lashtë, pa dëgjuar ndonjë zë të thotë se ç’rëndësi ka, kur dihet se traditat filluan me pellazgët, njerëzit e parë që jetonin në Ballkanin e sotëm, e më gjërë, në lindje e perëndim.

Por pak flitet që grekë, romakë, serbë, kroatë, bullgarë e të tjerë, të gjithë këta ruajnë emrat e tyre, me përjashtim të maqedonasve të sotëm që përvetësuan emrin e lashtë.

Me shqiptarët ka ndodhur ndryshe; çdo pushtim i ri, një emër i ri - pellazgë, ilirë, albanë, arbër, shqiptarë, disa thonë edhe kosovarë. Sepse për Kosovën, kur ishte rasti për t’u kthyer në prejardhje, përveç ndonjërit largpamës, si Ibrahim Rugova, thuajse askush tjetër nuk kërkoi të quhej Dardani.

Shqiptarët janë të fundit që krijuan shtetin e tyre pas shpërbërjes së perandorisë osmane. Të gjithë fqinjët e kishin nga një shtet shumë dekada para tyre, por shqiptarët ishin bërë një me pushtuesin ose ia kishin dhënë besën atij.

Gjithashtu duhet pranuar se shqiptarët që shpallën pavarësinë ishin një grup elitë që vinte nga kryeqyteti osman dhe gjeti në vend njerēz kombëtarisht të paformuar. Shqipëria atëherë ngjante me një vend-qëndrim të autobusëve që kishin ardhur nga Stambolli me udhëtarë të cilët humbën toruan pasi autobusët u prishën, perandoria u shpërbë, dhe ata nuk dinin ku të shkonin. Pasagjerë nga të gjitha rajonet e perandorisë, ku autobusët kishin ndaluar për të zbritur disa e hypur të tjerë, mbetën rrugëve, dhe kështu u detyruan të rrinin aty ku i gjeti shteti i ri. Kjo është arsyeja që përpjekjet e para, etërit e kombit i bënë për ringjalljen e gjuhës shqipe, e cila ishte atëkohë një gjuhë thuajse e vdekur, duke u ndeshur me vështirësitë që vinin nga turqishtja e futur në mentalitet dhe në jetën e përditëshme, administratë, shkolla e xhamira.

Dhe procesi i krijimit të kombit që duket ende i pakonsoliduar, vazhdon. Këtë e kupton kur dëgjon se ‘është vështirë të gjesh dy shqiptarë që merren vesh”, dhe jo pastaj të mendosh se ç’ndodh me ata në parti, parlament, qeveri, popull e turmë që kurrë nuk kuptohen.

Pas përpjekjes për gjuhën, rradha u erdhi emrave, disa të rilindur e të tjerë emra të rinj të krijuar duke marrë parasysh traditën, por gjurmët e pushtimit vazhdimisht dalin herë në mbiemër, herë në emër. Fryma shekullore mes shqiptarëve ka mbetur, por ajo është frymë e pushtuesit, shqiptarizimi i tyre i plotë s’ka ndodhur, dhe as ka gjasa, kjo ëndërr tani është thjesht utopi.

Por sa të lehtë e kanë shqiptarët të marrin emra të rinj në vendet ku emigrojnë. Për këtë askush nuk i detyron. Ata integrohen, dhe nuk ndjejnë asnjë keqardhje, pasi nuk bëjnë asgjë të keqe. Megjithatë në Shqipëri, shqiptarët nuk gjejnë dot emra që t’i përshaten natyrës dhe karakterit të atdheut, dhe as që përpiqen të kryejnë asimilimin brenda vetes.

Thuhet se ndryshimet bëhen me breza - dhe atëherë prejardhja e tyre nuk mund të mohohet, as të vidhet. Sot Europa e sheh Shqipërinë si një vend rrëmujë - as pellazgë, as ilirë, as arbër - pasi nuk e di që janë, sepse shqiptarët vetëm bëjnë sikur duan të ndryshojnë e përmirësojnë mendësinë e tyre - problemin e shtruar për zgjidhje e kanë kapur nga bishti dhe jo nga koka, siç thotë një fjale e urtë e lashtë e jona, kur shohim se punët nuk shkojnë mirë.

20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page