top of page

PRANVERA PËRTEJ DRITAREVE


Vulnet Mato

Shpirtrat tanë janë zënë në leqe,

nga ky virus i skëterrës

dhe kjo pranverë e re, fatkeqe,

tej dritareve, lulëzon pa njerëz.

Ndjehen keq dhe zogjtë në qiell,

pa lëvizje njerëzish përposh,

tek flatrojnë të vetëm nën diell,

ku pranverojnë hapësirat bosh.


Aktorët e solistët kanë heshtur,

në skenat e podiumet orkestrale,

futbollistët lanë bluzat pa veshur,

në stadiume, minjtë hedhin valle.


Të sëmurët pa kurora e autobusë,

përcillen në vetminë, pa funerale,

mermerin s’ka kush ta shkëpusë,

nga rrasat e guroreve në male.


Si kjo pranverë mos ardhtë kurrë,

asnjë stinë tjetër e lulëzimit,

trëndafila s’mbledh asnjë burrë,

për gruan, në muajt e çiftimit.


Vogëlushët s’dalin në lëndina

të mbledhin tufa me luledele,

për nënat mbyllur në kuzhina,

edukatoret, pa kopshte e çerdhe.


Pluhuri mbretëron mbi banka

mbi katedra të serta profesorësh,

shkollarët, me celularët pranga,

shtyjnë kohën, pa leksione orësh.


Në klube nuk lidhen më të rinjtë,

me një kafe të ëmbël dashurie,

bukuroshet nuk shpërthejnë gjinjtë,

për tërheqjen magnetike të tyre.


Dashnorët e zjarrtë nuk dalin dot,

të puthen mbrëmjeve nën hënë,

pasi ky virus dashuri-vrarës, sot,

postbllok gjithë rrugëve, u ka vënë.


Por dashuria e shpirtrave njerëzore,

ka mposhtur viruse, të çdo egërsie,

ka ndryshkur plane luftërash botërore

dhe mbijeton në shekuj pavdekësie...

23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page