Pranverë


Irini Nanushi

Pranverë

U kthye mallzhuritur

Dallëndyshja nga shtegtimi

Dhe pjergull e krasitur

Lëshon lot mallëngjimi.

Dhe dielli ngroh me frymë

Çdo foshnjëz e çdo bimëz,

Dhe shkrin çdo ngricë e brymë

Dhe puth çdo bisk të stinës.

Më herët i del gjumi,

Më lart fillon e ngjitet

Me afsh përqafon dheun,

Me mallin që i rritet

Mahnitka bukuria,

Atë, që prush lëshon,

Dy hije mbi liqen,

I puth, i përqafon.


Zemra

Nuk e di. Nuk e kuptoj

Pse rri mbyllur zemra ime

Ish dikush që të dënoi?

Kujt i shkele mbi premtime?

Kush ta mohoi dritësinë?

Të dënoi përjetësisht?

Të mos shohësh dashurinë!

Ta ndiesh vetëm shpirtërisht!

Trup e mendje, sy e veshë

Janë e bukura harmoni

Po veç ti je mbretëreshë

Dashurinë e ndien veç ti.


Lasgush Poradeci


E mrekulluar para teje

Nga dorë e ngrirë buzën s’e ngrita

Ndjeva pulsin nëpër deje

Kur vargun tënd e pëshpërita.

Dhe nuk e di nga se u zgjove?

Mos kodi lasgushian të ktheu?!

Mos thashë vargje që s’i shkrove

Dhe që s’i kishte tretur dheu?

Nuk di se me ç’magji të ngjalla

Si një çudi prej pikash loti,

Ndoshta, që para Teje u fala

Si para Krishtit që ngjall Zoti...