top of page

Pranë mikut tim të çmuar Prof.dr. Fatmir Terziu


Prof Dr Eshref Ymeri


Sapo u zgjova sot në mëngjes, hapa kompjuterin, ku lexova një njoftim nga Vlora të shkrimtares dhe të publicistes së shquar, zonjës Vilhelme Vranari Haxhiraj. Njoftimi ishte trishtues: kishte ndërruar jetë në Elbasan nëna e Profesor Fatmirit. U pikëllova. Brenda pak muajsh, Profesor Fatmiri i përcolli për në pasjetë të dy prindërit e shtrenjtë. Profesorin e kërkova menjëherë në programin videotelefonik koha ballë për ballë (face time), por çasti qëlloi fare i papërshtatshëm: po zhvillohej ceremonia mortore në varrezat e qytetit.

Në këto çaste të rënda që po përjeton Profesor Fatmiri, unë dhe ime shoqe, Havaja, dëshirojmë t’i ndodhemi pranë me shpirt dhe me zemër. Nuk është fort i lehtë përballimi i një prove kaq të rëndë, siç është largimi për në botën e amshuar i njeriut kaq të shtrenjtë të jetës tënde, siç është Babai apo Nëna. Të duket sikur trualli të rrëshqet nën këmbë se e kupton që vdekjes nuk je në gjendje t’ia presësh rrugën në misionin që ka nisur ta çojë deri në fund. Zemrën ta kaplon pikëllimi cep më cep kur e kupton se s’ke për ta parë më fytyrën e njeriut aq të shtrenjtë të jetës tënde, s’do t’i përjetosh më përkëdhelitë e magjishme të duarve të tij të ngohta, s’ke për t’ia dëgjuar më ëmbëlsinë e zërit që dikur të bënte me flatra për të ecur nëpër rrugët e jetës me plot vendosmëri dhe optimizëm. Të duket krejtësisht e pamundur ta mbushësh me gjësend boshësinë që të krijohet në shpirtin e plagosur. Furtuna e dhembjes së zemrës, ndoshta edhe po të qetësohet me kalimin e kohës, përfundimisht s’ka për t’u fashitur kurrë. Nga kujtimet dhe mbresat e herëpashershme, tallazi i saj vjen e bëhet edhe më i fuqishëm në honet e kujtesës tënde.


Mbi vendprehjen e përjetshme të nënës së dashur të Profesor Fatmirit, sot janë vendosur shumë kurora. Një kurorë ka vendosur aty vetë Profesor Fatmiri, një kurorë kjo që më kujton ca fjalë plot afsh ngushëllimtar të shkrimtarit të njohur rus Ivan Bunin (1870-1953), i cili thotë:

“Kurora në nderim të çdo jete njerëzore është shenjë kujtimi për të, është gjëja më supreme që i premtojnë një njeriu mbi vendprehjen e përjetshme, është kujtimi i përjetshëm. Dhe nuk ekziston ndonjë shpirt i tillë që, me përvuajtje, të mos e ushqejë në fshehtësi ëndrrën për një kurortë të tillë”.

Jam fare pranë Profesor Fatmirit, pavarësisht se na ndajnë fizikisht mijëra e mijëra kilometra. E kam shumë të lehtë ta përjetoj dhe ta ndiej thellë në qenien time gjendjen e tij të rënduar shpirtërore, sepse dikur i kam përjetuar edhe unë stuhi të tillë të dhembes shpirtërore, kur në vitin 1970 dhe në vitin 1980 pata përcjellë Babain dhe Nënën për në botën e përtejme. Kur largohen prej teje ata që i ke dashur aq shumë, të duket sikur toka po shembet poshtë këmbëve të tua. Të duket sikur zëri nxjerr nota ulëritëse, por ata vazhdojnë të largohen pa ta dëgjuar ushtimën e tij. Nga zemra të shkëputet një copëz që ata e marrin me vete, tek po “mbyllin derën’, duke të lënë lamtumirën e fundit.

Prindërit e Profesor Fatmirit ikën drejt përjetësisë, ikën të qetë dhe krenarë për trashëgimtarët që lanë pas plot dinjitet njerëzor, ikën shumë kryelartë për birin e tyre të shquar, i cili sot është një personalitet i ndritur i artit dhe i kulturës mbarëkombëtare në Perëndimin evropian, pikërisht në Londër, në njërin nga metropolet më rrezatuese të kulturës mbarëbotërore.

Unë dhe Havaja i shprehim ngushëllimt më të thella mikut tonë të çmuar Prof.dr. Fatmir Terziu, si edhe të gjithë pjesëtarëve të familjes së tij të nderuar.

Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

10 maj 2021



42 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page