top of page

Pra, Librat!


Pra, Librat!

Pra, Librat!


Dr Fatmir Terziu


Disa njerëz zgjedhin të emigrojnë. Disa, nën presion të luftës apo persekutimit, nuk kanë zgjedhje tjetër. Sidomos për fëmijët, disa situata dhe ngjarje të tilla, nën riskun e imigracionit mund të jenë objekte dhe aspekte të frikësimit dhe kështu e bëjnë jetën e tyre të vështirë. Shqyrtimi i çështjeve të tilla me fëmijët që nuk kanë përjetuar vetë traumat nëpër të cilat ata në fakt kanë mbërritur në emigracion, ndihmon për të zgjeruar perspektivën e tyre dhe i fut një aspekt të mëshirshëm dhe një farë dëshire për të parë rrugën e prindërve deri në këtë pikë. “Edhe pse duket empathetike në planin e parë, në një drejtim tjetër dhe në këndin edukativ mbetet një arsye e logjikshme”,- thotë Marcy White, duke gjetur një lidhje mes librit dhe konceptit psikoanalitik të Frojdit.

Duke kaluar nga avantazhi i mendimit të White tek koncepti psikoanalitik i Frojdit, apo Lacan, ne gjejmë pikërisht atë hapësirë për të kuptuar qartë lindjen e arsyes për të ndërtuar urra të qëndrueshme me fëmijët në të gjitha aspektet, dhe më së shumti në lidhjet prindër-fëmijë, si aspekt i rrëndësishëm i botës ku jetojmë, si domosdoshmëri e karakter-jetës që na rrethon në ambientet e reja të ripërshtatjes. Aq më shumë në ato aspekte që lidhen me fatet e jetës sonë, me emigracionin. Po të shohim më konkretisht, pra një pjesë e teorisë psikoanalitike të Frojdit përqëndrohet në teorinë e “fiksimit” që kanë fëmijët me prindërit e tyre, dhe pjesa e çrregullimeve tona të thella psikologjike, këto çrregullime që rrjedhin nga ankthi dhe joshëndoshmëria e marrëdhënieve prindër-fëmijë. Frojdi pohon, se shumë nga këto vijnë si një pakënaqësi. Sipas Frojdit, tendencat e nevrozës mund të jenë të lidhura prapa në kohë me një vartësi të sëmurë dhe kjo varet nga mbështetja mbi figurat prindërore. Pra, në konceptin e kësaj lidhjeje me emigracioni, librin dhe marrëdhëniet prindër-fëmijë, siap White kjo është krejtësisht me ka tjetër, merr nga faktori i prindërve, duke hequr çdo koncept të nënës, apo babait nga jeta e fëmijëve. Shoqërinë e tyre ata të gjithë e shikojnë pa konceptin e njësisë sonë tradicionale të familjes bërthamore dhe trazirat psikologjike që normalisht u zhdërvjelltësohen, ashtu si Frojdi pohon, “vijnë me këto lidhje”. Lidhje që mund të lexohen edhe në tregimin “Zhgënjim” të Betim Muços, kur vë në skenë pianistin-kaposh: “Kaposhi nisi një nga pjesët e tij më të famshme dhe atij i cingëriti diçka në shpirt, ndonëse kishte vite që e kishte kompozuar e luajtur atë pjesë. Vështroi përsëri përqark dhe nervozizmi u rrit, ndërsa një e qeshur përhapej nga një tavolinë, me ca akorde femërore seksi dhe bënte të kthenin kokat shumë maska kafshësh e perëndish” (fq. 47-48). Dhe më vonë kaposhi u gjend i vdekur poshtë një ure…Pra, nuk prodhohet gjenetikisht lumturi, në një botë ku veshin e shurdhon qejfi spontan. Jo më kot, Lazër Stani, gjen vend të citojë Moris Dryon, në parathënien e “Hijet e Virgjëreshave” të #Faruk Myrtaj: “një shoqëri mund të duket e lumtur, sado që shumë nga anëtarët e saj vuajnë”. Kjo lloj filozofie e vulos më shumë emigrimin, madje e shton plagën dhe dhimbjen e tij. Ndërton atë emigrim të pashpirt, që ndodh edhe në disa hapa larg, edhe në disa metra më tutje, atë emigrim që nuk varet nga distanca, por nga instanca. Këtë e shpjegon fjala filozofike e #Myrtaj: “jam yt bir…” i thashë. Për t’a kujtuar, për ta kthjelluar. Sytë i digjeshin. Vështrimi rregullohej në tym. Mos isha trembur dhe e luta të më falte? Për cfarë të më falte? Jam yt bir, ej…!, thashë përsëri. Duke klithur, se ndjeva që nuk reagoi. Aq më keq…, m’a priti ai….

“…Ne jemi romë, tha ai, “nuk duhet t’i dimë varret.”

Kjo në aspektin e Frojdit e ka kuptimin e vet psikoanalitik. White, nga ana asaj shton se librat janë ata më së shumti që ndihmojnë në këtë përshpirtje rrugëzimesh jetike. Librat janë një botë që afrojnë botën ndryshe, për të ndihmuar lexuesit dhe më së shumti fëmijët, në gjuhën e White. Dhe aty natyrshëm duke kërkuar dhembshuri dhe ndjeshmëri të vërtetë shtrihet një botë e pakursyer në sfida. Duke iu afruar fëmijëve sa më shumë libra ne u kemi premtuar në heshtje se më mirë do të jetë bota, u kemi çliruar një pjesë nga ecja e errët që natyrshëm rriskohet nga emigrimi.

Kam parasysh novelën “Burgu i Qelqtë” të shkrimtarit #Astrit #Bishqemi. Një novelë që në thelb ka karaktere të ndryshëm, me mbretër, mbretëreshë, njerëz të vuajtur e të thjeshtë, me Lartmadhëri e prefekt, por edhe lalë Tafën anadollak, e xhandarë e ministra dhe që është në fakt për fëmijë. Një vovelë që flet rreth fabulës së një ‘ftoi në poç”. Një lidhje që sillet mes këtij ‘poçi me ftua’ dhe ‘vezës së Kolombit’, duke sjellë një imigrim idesh nga logjika tek mendimi i pjekur, tek filozofia që ndihmon fëmijën në këtë rast. Diku Bishqemi, dhe pikërisht në faqen 33 të këtij libri thotë me gojën e Kolombit në debat e sipër me zotërrinjtë e tjerë: “Mori një vezë të zier nga tryeza e shtruar. Zotërinj, a mundet ndonjëri nga ju të vendose këtë vezë të qëndrojë pingul? E provuan me radhë. Veza kaloi dorë më dorë, nga e djathta në të majtë, derisa u kthye rishtazi te Kolombi. Asnjeri nuk mundi ta detyronte atë të rrinte në këmbë. Të gjithë hapën sytë si do të vepronte kudërshtari i tyre. Kristofor Kolombi e rroku vezën, e përplasi lehtë mbi tryezë, dhe ajo qëndroi në ekuilibër. Ngado thirrën të pakënaqur: Ooo, ashtu mund ta bëja edhe unë! Kjo nuk është aspak e vështirë! E drejtë zotërinj, foli lundërtari. Po kjo duhej menduar. Kështu është edhe puna e zbulimit të Amerikës…”

Kështu shembulli i mësipërm i cituar bukur në versionin e tij letrar, nga Bishqemi dhe që gjen hapësirë në librin e tij për fëmijë, mund të interpretohet ndryshe, në kuptimin tonë, pasi ai vjen edhe me ndihmën për të ‘zbuluar’ rrugën tonë për brezat e ardhshëm, për të mbajtur gjallë traditën, kulturën, gjuhën e më gjerë.

Ndryshe, duke lexuar #Bahri Myftarin tek “Qyteti Iriq” shihet qartë një rrugë paksa e tillë: “nga ai qytet i vogël buzë detit, në se hyje në lidhje me ndonjë nga ata kapidanët e motoskafëve, për dy orë gjendeshe në bregun tjetër të Jonit” (Myftari, faqe 3, Onufri 1996). Duke vazhduar më tej mësojmë edhe këtë në faqen 10: “U ngrit në mëngjes si i rrahur me kopan rrobash. Më e keqja ishte se dhe mbi sasinë e caktuar për pazarin me kapedanin e motoskafit, ishte vënë dorë dhe madje rëndë.” Dhe në faqen 11: “Aq më tepër biondja… Rrugëve të Athinës…rrugëve! Po a nuk po merrte vetë rrugët?

Pastaj le të mbesim ca çaste tek “Arena” e #Betim Muços, e shkëputur nga “Rrëfenjat e Hamburgut”: “sigurisht unë nuk jam demi i vetëm që çuditem me sjedhjen e çuditshme të njerëzve. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se ç’i shtyn ata të sillen kështu me ne demat, të na mbyllin në atë shesh të pluhurosur që e quajnë arenë dhe të na detyrojnë t’i vrasim apo edhe të na vrasin pasi sigurisht, ata janë më të zotët se ne…”

Nëse nuk do të kishim këtë rrugëtim të shkurtër letrar me tre emrat e letrave shqipe, natyrshëm nuk do të dukej me vend të shkëpusnim edhe “Vdekja e kulakut” shkëputur nga vëllimi me tregime i #Thani #NaqoKabina e kuqe”, për të parë këtë distancë në kohë, hapësirë e vend. Naqo në tregimin e tij zgjedh një imigrim ndryshe, një imigrim që në gjuhën e tij letrare mbetet i tillë në faqet 51-52: “Mendonte kështu dhe sillte ndër mend të birin, që ishte arratisur bashkë me bandën e Dedosh beut, dhe nuk i kishte dërguar as edhe një copë letër. Xhitan Kutrës, sa herë që dëgjonte krisma pushke në kufi, i dridhej zemra. “Do ta varin për gjuhe po e kapën, - mendonte gjithnjë. – këta të varin për gjuhe… O Zot, mos dërgo në këto anë!... Shko thuaji o Zot, t’i therë këmbës për nga fundi i botës…”

Kështu ikja shqiptare s’është e sotshmja. Ajo ka qenë e hershme. Ka ekzistuar dhe ka mbetur në legjenda, historira, tregime e rrëfenja. Atëherë a e vlen harresa jonë për të bërë detyrën me librin për fëmijët tanë? A ia vlen të bëjmë rolin e heshtur ndaj brezave? Librat, pra librat më shumë se çdokush flasin dhe sjellin botën e panjohur në sofrën tonë plot etje. Pra, Librat!


13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page