top of page

Portreti i një mësuesi


Portreti i një mësuesi, që u të dashurua me profesionin e tij të bukur

Nga SEJDO  HARKA

Ibrahim Hajdarmataj është një nga mësuesit më të palodhur, i cili  me profesionin e tij të bukur, u dashurua që në një moshë tepër të re. Dëshirën për t’u lidhur ngusht me këtë profesion, sa të vështirë, aq dhe të bukur, siç thotë dhe vetë,  ia nxiti sentenca filozofike: “Dija ndriçon mendjen, ndërsa mendja ndriçon botën”, të cilën e ai e citon shpesh herë, në jetën e përditshme. Shkolla  dhe mësuesit janë misionarët kryesorë që përçojnë tek brezi i ri dijet, të cilat u  kthjellojnë mendjen dhe u ndriçojnë shpirtin. Me pasionin për dije dhe dashurinë  për nxënësit, mësuesi Ibrahim Hajdarmataj, punoi një jetë tërë. Ishin këto dije të thella e të qëndrueshme, të cilat do t’u shërbenin nxënësve, si arma më e fuqishme për  jetën. Mësues Ibrahimi, edhe pse ka dalë në pension, nuk ndahet, për asnjë çast, nga kolegët, fëmijët dhe ish-nxënësit e tij. Është kjo arsyeja që, edhe pse ata sot kryejnë detyra të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit, i drejtohen atij me respekt:”Eja ta pimë një kafe, o mësues Ibrahimi”! Dhe ai, kurrë s’ ua u bën fjalën dy. Emrin e bukur të mësuesit, ai e ka ruajtur dhe ushqyer me respektin dhe punën e tij të  palodhur me nxënësit dhe njerëzit e këtyre anëve. Fëmijët, thotë mësues Ibrahimi, nuk mund të edukohen e  rriten si fidanët e mbjellë në kubikë. Ata duhen trajtuar, jo thjesht si objekt, por dhe si subjekt i mësimit dhe edukimit. Nxënësit, metaforikisht, ngjajnë me fidanët e bimëve. Si të tillë, ata, po nuk i “kalite” në fushat e gjera të jetës reale, dhe po nuk i ushqeve me ”ajrin dhe ujin e pastër”, nuk do të rriten mendërisht dhe fizikisht të shëndetshëm, por do të zvarriten si “shkurret dhe barërat e këqija”. Ashtu si bujku punëtor dhe i mençur, që rrit bimë të shëndetshme dhe plot bereqet, ashtu dhe mësuesi i ditur dhe i pasionuar Ibrahim, në bashkëpunim me familjen dhe shoqërinë, përgati nxënës të aftë dhe të dobishëm për veten, familjen dhe shoqërinë.

Mësues Ibrahimi rrjedh nga një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Gjyshi i tij, Arif Ahmet Hjadarmataj, për një kohë të gjatë, ka qenë shok dhe bashkëluftëtar me Bajram Currin. Ai, bashkë me disa shokë të tjerë, e ngritën të parët trupin pa jetë të plakut të maleve, atje  ku ra heroikisht, në Shpellën e Dragobisë, për ta përcjellë ditën tjetër me nderime në banesën e tij të fundit. Mësimet e para ai i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Shkodër. Më pas, ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe. Prej këtej, ai nisi rrugën e gjatë, mbi 55-vjeçare, herë  si mësues dhe herë si drejtues në disa shkolla të zonës së Bytyçit të Tropojës, pa u ndarë për asnjë çast, deri sa doli në pension. Me pasionin dhe vullnetin e tij, ai u mësoi nxënësve dhe banorëve të këtyre anëve si të vrasin analfabetizmin dhe varfërinë, gjakmarrjen dhe egërsinë, pensimizmin dhe pasigurinë  dhe u dhuroi atyre përkushtimin e gatishmërinë për t’u qëndruar pranë edhe në momentet më të vështira të jetës. Duke qenë për disa vite me radhë drejtor i shkollës së mesme të Zogajt, arriti të krijojë lidhje të ngushta bashkëpunimi edhe me gjimnazet e disa shkollave kufitare të Kosovës, si ato të Gjakoves, Deçanit, Pejës dhe Prishtines. Përmes fondacioneve bamirëse, ai siguroi dhe disa ndihma për nxënësit, mësuesit dhe banorët e këtyre anëve. Është kjo një nga  arsyet që ata e  duan dhe e respektojnë edhe sot e kësaj dite. Ibrahimi, për disa vite, punoi edhe si drejtues kulture, në zonat më të thella të Tropojës. Veprimtaritë e shumëllojshme kulturore, puna me traditat, lufta kundër gjakmarrjes dhe puna me librin, kanë qenë disa nga drejtimet parësore të punës së tij, në fushën e kulturës. Në veprimtaritë e tij kulturore, ai s’e ka shkëputur për asnjë çast bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me shkollën dhe nxënësit. Me ndihmën e tyre organizoi estrada dhe shfaqje teatrale, festivale folklorike dhe ekspedita për të mbledhur dhe studiuar traditat më të mira të këtyre anëve. Një punë të veçantë ai bën për njohjen dhe propagandimin e librit të ri. Sa herë vjen në Tiranë, ai mbush çantën me libra, të cilat ja dhurojnë miqtë dhe shokët e tij të shumtë krijues, për t’ja u falur me kënaqësi lexuesve dhe bibliotekave në zonat përreth Tropojës dhe Kosovës.




Ibrahimi, krahas punës si mësues u bë edhe një publicist i njohur në ato anë. Ai ka një jetë të tërë që shkruan dhe boton në shtypin e ditës. Sot ai kujton me nostalgji gëzimin e veçantë që ai ndjeu, kur pa të botuar në gazetën “Pionieri”, shkrimin e tij të parë. Pas këtij shkrimi, dora e tij s’pushoi së shkruari kurrë. Këto shkrime, të cilët janë me qindra, ai do t’i botonte në gazetat dhe revistat më të njohura të kohërave të ndryshme të vendit. Për shumë vite, duke filluar që nga viti 1990, ai drejtoi gazetën lokale të vendlindjes së tij, të cilën e pagëzoi me titullin e bukur “Ylberi i Zogajve”. Në krijimtarinë e tij publicistike, vend të rëndësishëm zënë reportazhet dhe skicat, opinionet dhe analizat, por veçanërisht temat me përmbajtje pedagogjike dhe edukative, të cilat i ka referuar në konferencat shkencore, që janë zhvilluar në Tiranë, Kosovë, Plavë, Mal të Zi, Preshevë, Shkup, Fier, Shkodër, në Kukës dhe Tropojë. Vitet e fundit ai ka përgatitur edhe libra me analiza artistike, si ai me titullin “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”. Ka në proces botimi libra të rinj, me shkrime nga përvoja e punës së tij shumëvjeçare si mësues dhe drejtues shkolle. I. Hajdarmataj është dhe një bashkëshort dhe prind shembullor. Edhe pse me vështirësi, ai ka rritur dhe edukuar 5 fëmijë të mirë, të cilët me kujdesin dhe ndihmesën e tij të pakursyer, sot kanë përfunduar të gjithë arsimin e lartë dhe punojnë në sektorë të ndryshëm të jetës dhe ekonomisë brenda dhe jashtë vendit.

Figurën e mësuesit dhe publicistit Ibrahim Hajdarmataj e lartësojnë shumë cilësi, por ato që shfaqen më dukshëm, janë sinqeriteti dhe bujaria, mikpritja dhe dashuria që ushqen për të gjithë njerëzit. Kur ai vjen në Tiranë bëhet iniciator i takimeve dhe bisedave të ngrohta me shumë miq dhe shokë. Kur kalon me të rrugëve të Tiranës apo Tropojës, janë të shumtë njerëzit që e përshëndesin dhe ftojnë për për biseda të ngrohta e kafe. Ai, jo vetëm që askujt s’ja bën fjalën dy, por dhe nuk lejon askënd, që të fusë duart në xhep. Ibrahimi, thoshte shkrimtari dhe Mësuesi i Merituar Bardhyl Xhama, me zemërbardhësinë e tij të rrallë, të jep edhe shpirtin. Për këto cilësi të rralla dhe veçanërisht, për punë të mirë në fushën e arsimit, kulturës dhe edukimit të brezit të ri, Ibrahim Hajdarmataj është dekoruar me disa  Urdhra dhe Medalje.

Ibrahim Hajdarmataj është dhe një veprimtar i palodhur shoqëror. Ai, bashkë me shumë mësues të tjerë të Tropojës  dhe të fshatit të tij, Zogaj, bën një punë të mirë atdhetare për njohjen dhe vlerësimin e Luftës e të heroizmit shqiptar në shekuj për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit nga pushtuesit.

43 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page