PORTRETI I NJË ESEISTI


Nga Vangjush Ziko


Gjinia e esesë është një ndër zhanret më të rinj letrarë në letërsinë tonë.

Në fjalorin enciplodik gjeta këtë përcaktim për të: "Zhanër i gazetarisë thellësisht i personalizuar, duke ndërthurur pozicionin individual të autorit me prezantimin e tij të përqendruar në audiencën masive. Baza e zhanrit është një fillim filozofik, gazetaresk dhe një mënyrë e lirë e narracionit. Eseja u përket zhanreve me karakteristika të përcaktuara lirshëm ”.

Eseja, për shkak të natyrës së saj “të lirshme”, i zgjeron kufijtë e letërsisë. Interesi kryesor i saj, qëndron, pikërisht, në atë se i ofron lexuesit një këndvështrim origjinal

dhe të papritur, një bisedim konfidencial me lexuesin. Pra, është një gjini shumë komode dhe komunikuese, e cila, sipas themeluesit të saj Montaigne, karakterizohet nga “rastësia” dhe krijon “një atmosferë të natyrshme, momentale, krijon besim dhe stimulon përgjigjen”.

Këtë ligjërim teorik e bëra për të përcaktuar kornizën e këtij shkrimi rreth një gjinie kaq “të brishtë” dhe po aq “të diskutueshme” dhe shumë pak ose të patrajtuar te ne.

Kam në duar vëllimin e shkrimtarit Fatmir Minguli “Udhëtime eseistike”, botuar nga Menada, Tetovë, 2018.

Autori ka përmbledhur 39 shkrime eseistike. Tematika e eseve të tij është e larmishme: filozofike, morale, sociale, shkencore dhe letrare. Ky ravëgim i tij eseistik përfshin periudha të ndryshme historike deri në ditët tona.

Në esetë e tij kemi takimin e autorit me një kujtim intim apo historik, me një përvojë personale, një kontakt të vetëdijës personale me botën rreth tij, një narativë ose një arsyetim filozofik, një faqe nga ditari intim ose nga historia.

Në vëllim gjejmë ese për babanë, për Rrapin e Nivicës, për emocionet dhe ëndrrat, për këngën Vajza e valëve, përsiatje nga vizita në vende të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, për zogjtë shtegtarë, për një dokument të rrallë me vlerë historike, për sende të përdorimit utilitar, për një takim me një poet, që fizikisht nuk jeton më, fotografi të të zhdukurve, për “ringjalljen” e monumenteve, ese për dritën dhe të tjera.

Kjo tematikë e bën interesant dhe me vlera të veçanta vëllimin, e cila na flet për një krijues me një diapazon të gjerë ineteresash krijuese dhe shoqërore, për një kronist të përditësisë shoqërore dhe personale.

Është, pikërisht, ky nerv krijues, që u jep frymëzim dhe jetë eseve të Fatmir Mingulit.

Por, le t'i kthehem, artit të esesë, art i cili ka të veçantat tematike dhe stilistike, ligjërimore dhe kompozicionale. Kufijtë e këtij arti, për hir të së vërtetës, janë kaq të brishtë dhe fluidë, të papërcatuar rigorozisht si te tregimi dhe romani, te të cilë, mbi të gjitha, janë personazhet që e përcaktojnë, jo vetëm subjektin e veprës, por edhe mishërimin artistik.

Në esetë e Mingulit trajtohet një ngjarje e beftë, një kurozitet, një mendim, një ide filozofike apo metafizike. Pra, ajo ka në themel të saj kuriozitetin gazetaresk dhe komunikimin e aty të përatyshëm me lexuesin. Është një informacion që ka në vetvete befasinë dhe kërshërinë. Ajo është një monolog i shkrimtarit drejtuar lexuesit që ka si qëllim njohjen e lirë të botës dhe, në ndryshim nga tregimi apo romani, nuk ka për qëllim rikrijimin e një realiteti integral artistik

Ligjërimi eseistik i Fatmir Mingulit, mbi të gjitha, është emocional. E veçanta e këtij ligjërimi është rastësia dhe befasia.

Për çdo njeri dhe, konkretisht, për lexuesin, kjo rastësi është shumë e rëndësishme.

Këtë çast autori e kërkon dhe e gjen me mjeshtëri.

Kështu, për Rrapin e Nivicës, shtysë bëhet një ekspozitë dhe, pikërisht, një pikturë me një pemë.


Për të medituar për ëndrrat dhe për përrallat bëhet shkak një palimpsest i lashtë.

Vizita e tij në Montechio Maggiore e shtyn autorin të rikujtojë tragjedinë e Romeos dhe të Xhulietës dhe kjo t'i yshtë paralelizmin me Vajzën e valëve, tragjedinë e tyre të përafërt, tragjedinë e Shekspirit dhe këngën për shqiptaren e bukur e fatkeqe.

Në ese të tjera motiv bëhet meditimi filozofik mbi dritën ose Lejleku për një tematikë sociale.

Shkak për të shkruar një ese tjetër është një ceremoni letrare, dhënia e një titulli letrar, ose një sentencë e një filozofi, e cila e shtyn autorin të flasë për Whitmanin e të tjera.

Arsenali krijues eseistik i autorit është i larmishëm dhe interesant.

Lexuesi ka shumë për të mësuar mbi të kaluarën dhe të tashmen, mbi ngjarje dhe dukuri të ndryshme të jetës. Fatmir Minguli i ofron lexuesit këndvështrime origjinale, të papritura për tema të ndryshme.

Një vlerë e padiskutueshme e eseve të këtij vëllimi është se ato janë dinamike, mendimi dhe opinioni i autorit varion dhe ndryshon gjatë ligjërimit, duke ngritur pyetje dhe duke dhënë opinione të ndryshme për të njëjtin objekt.

Eseja, si krijim letrar, mbetet një gjini shumë e brishtë, me kufij shumë të lirshëm dhe të lëvizshëm.

Kritiku letrar, eksperti kulturor dhe filozofi M.N. Epstein shkruan: "Eseja mbahet si tërësi pikërisht nga energjia e kalimeve të ndërsjellta, kalimi i menjëhershëm nga figura në konceptualitet, nga abstraktja në të përditshmen".

Shmangja e saj nga kjo “energji”, e shemb atë si gjini letrare. E shndërron atë në një narrativë fiction ose një arsyetim filozofik, një ditar intim ose një përsiatje historike.

Kjo ka ndodhur edhe me ndonjë shkrim të këtij vëllimi, ku eseja, gjatë shtjellimit, shndërrohet në një portret letrar, në një fiction, ose kur një pyetje për konsideratën e krijimtarisë së poetit, shndërrohet në një koment të krijimtarisë së tij.

Fatmir Minguli është një krijues me një spektër të gjerë dhe të spikatur krijimesh letrare dhe shkencore, autor i disa vëllimeve me ese, me studime, tregime, roman, dramë. Por ai ka edhe temperamentin e gazetarit të pasionuar ndaj përditshmërisë, pas udhëtimeve dhe meditimeve për të kaluarën. Ai ka një prirje elokuente për të folur, jo vetëm me një gjuhë të pasur dhe të figurshme, por edhe me gjuhën dinamike, konkrete të gazetarit dhe të kronistit.

48 views

Shkrimet e fundit