top of page

FATMIR TERZIU: PORTRETI I DUÇES ...

Updated: Jul 8, 2023


PORTRETI I DUÇES GDHENDUR NË SHKËMB DHE POEZIA


Nga Timo Mërkuri


I-Kujtimet e adoleshencës u ngjajnë farëzave të rëna në tokë e të mbuluara nga gjethet e vjeshtës, të cilat u krijojnë një ambient të ngrohtë për shpërthimin e tyre dhe nxjerrjen e filizit të pemës apo biskut të lules, i cili nxiton të hedhë shtat. Koha e këtij shpërthimi kujtimesh është e ndryshme, nga një deri në disa dhjetvjeçarë: në varësi të moshës së përjetimit të ngjarjes e cila ka nevojë për asimetrinë kohore të shpërthimit të saj.

Kështu i ka ndodhur Fatmir Terziut në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, në një ditë vere në Linoz ku u mahnit me një masiv shkëmbor, në të cilin ishte gdhendur një portret njeriu, te i cili njohu fytyrën e Duçes, fotografia e të cilit me helmetë ushtarake në kokë ishte shumë e njohur nga filmat e kohës. Djaloshi Terziu i ndiqte shumë filmat, të cilat ishin një pasion i tij, që do të lulëzonte shumë vite më vonë, ndaj ishte i familjarizuar me dukjen e portretit të jerarkut fashist, por që ta gjente të gdhendur diku në Linoz në një masiv shkëmbor , këtë nuk e kishte menduar. Ishte koha kur ai si shumë moshatarë të tij synonin të ndihmonin familjet, qoftë dhe duke siguruar disa të ardhura sa për të mbuluar shpenzimet e shkollës, ndaj punonte në periudhën e verës. Fakti që i ati i tij ishte drejtor në Ndërmarrjen Rruga Ura të Elbasanit i jipte “privilegjin” e gjetjes së punës shpejt, por ata që e dinë se çdo të thotë të punoje në Ndërmarjen e Rrugëve në ato vite do ti shprehnin keqardhjen djaloshit për zgjedhjen, në vend që ta kishin “zili”. „Isha djalosh i ri dhe hallet më sillnin Rruga Urës /të bëja ndonjë para për librat, leksionet, /e muajt e verës më gjenin në krye të punës“. Gjithsesi më shumë se fitimin financiar djaloshi do mësonte se të mirat materiale të jetës sigurohen me punë dhe jo në rrugë të tjera, arsye dhe mësim që ndikoi në karakterin e tij, i cili dhe në Londër u bë një “puntor i palodhur” i artit dhe letërsisë.

Ishte koha që hapej rruga Brosh Bardhet, Linoz dhe Shëngjergj i Martaneshit, kur në një moment në Linoz u “përball” me Duçen. Ishte një Duçe i gurtë, me një pamje impozante me kokën e ngritur paksa, sikur shikonte diku në largësi, pozë tepër e njohur nga fotografimet dhe filmimet, por që këtu në Linoz dikush i kishte thyer hundën, madje i kishte lënë dhe një blagë grushti në mjekër e në buzë, ndaj me atë kokën pakëz të ngritur ai dukej si një boksier në momentin që po binte nokaut nga një goditje e fuqishme. Dukej jo vetëm i mundur, por edhe i braktisur aty në ringun natyror të Linozit, humbje dhe braktisje që e bënte më të theksuar e kaluara e tij si një autokrat i zhurmshëm dhe ca më tepër e theksonte këtë ndjesi peisazhi piktoresk ku ndodhej.

Pyetjes se si u krijua kjo skulpturë e kreut fashist italian në këtë vend, ne do ti shpjegojmë se në vitet e pushtimit aty pranë ishin gazermat ushtarake italiane dhe një ushtar, me gjasë skulptor i mobilizuar ndërmori nismën e gdhëndies në shkëmb të portretit të Duçes, si pasion të vetin apo për të përfituar ndonjë lehtësim në shërbimin ushtarak. Historia na dëshmon se ky ushtar skulptor shpëtoi në luftë, madje pas kapitullimit të ushtrisë italiane jetoi në disa familje shqiptare deri në çlirimin e vendit, kur më pas u largua.

Për ne ka rëndësi se këtë imazh djaloshi Terziu e mbarti në kujtesën e tij dhe e solli sot mes nesh në formën e një poezie duke na e dhuruar si një trëndafil të çelur, që na dëshmon se fara e trëndafiltë e frymëzimit ka qëndruar në gjumë përmbi 40 vjet. Te poetët çdo kujtim shndrohet në krijim, pavarësisht nga koha.

II-Duçes sigurisht do ti ketë pëlqyer lajmi i gdhëndjes së portretit të tij në një shkrep shkëmbor në Linoz, pse diktatorët kërkojnë gjithnjë që të përjetësohen me të gjitha format. Nuk janë të pakta rastet kur diktatorët në përjetësim të pushtimit ushtarak të një vendi, të ngrejnë në këmbë pushtuesit e detyruar (ushtarët e urdhëruar) të përdorin artin për të përjetësuar dhe zbukuruar portretin dhe veprën e tyre në vendin e pushtuar. Janë shkruar libra, janë bërë portrete, janë përjetësuar në monumente e plot gjëra të tjera. Kështu ngjashëm është dhe rasti që citon poeti dhe studiuesi Fatmir Terziu në poezinë e tij të fundit "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit", ku: „Ai ishte i gdhendur në një shkëmb,/ishte bërë art nga ushtarët e tij“,

Qysh në krye të poezisë vargjet të krijojnë idenë e një zbrazëtie që udhëton nëpër të ftohtën e gurit, bashkohet me zërat dhe gojët e të vdekurve, tashmë të heshtur. Edhe pse diktatorët pushtues nuk shohin, ka një zi të pafundme. Në transfertat gurore, dhuna ndërton atë art të momentit, të mbivlerësimit të diktatorit pushtues, duke bërë që një shkrep i gurtë i shkëmbit të tërbuar nga gdhendja e ushtarit, të mbushet me heshtje dhe baltë. Nga kjo heshtje del një hakmarrje, e cila shtrihet në dy kohë: njëra është në kohën e realizimit të artit me këtë gdhendje në gurë, dhe tjetra në kohën kur një diktator tjetër, në rolin e fituesit të luftës, kërkon të çgdhend atë art pushtuesi. Hakmarrja në të dy rastet ka dhimbje, ka shpërqëndrim, por më kryesorja është se mbart mesazhe të ndryshme.

Dhjetë rreshtat e parë të poezisë fokusohen në vendosjen dhe vënien përballë dy mjedise shumë të ndara, ku njëra është skena e moshës në kuintat e saj, ku janë shpërndarë lidhjet, arsyet, substanca e ngurtë, arti që ka mbetur, për aq sa mund të quhet art dhe e dyta është komoditeti i mbyllur i një rrethi vicioz ku madhështohen dhe humbasin në asgjë diktatorët. Këtu, në gjysmën e dytë të punës, këto dy cilësime konvergojnë dhe kjo ilustrohet përmes një krahasimi. Terziu i bashkon skenat së bashku me imazhet e zërit që perceptohet, duke e portretizuar tingullin si një forcë lëvizëse, pothuajse të mishëruar. E ndezura heshtazi e qiririt: „ me të ndiznin heshtazi qiri ndonjë natë“ është një formë komode e diktatorëve që takohet me fatet e të vdekurve, me përjashtim të faktit se toni dhe funksioni i tyre është heshtur. Kjo heshtje na kujton se ata janë në botën tjetër, por ka gjithashtu një domethënie më metaforike, duke u kujtuar lexuesve mënyrën se si fashizmi dhe diktatura mund të heshtin mospajtimin dhe shprehjen, sidomos kur ata që heshtin janë ende gjallë.

Pas kësaj pike, poezia bëhet edhe më e ndërlikuar nga ana metaforike, duke u kthyer në alegorike dhe spektakolare misterioze në rreshtat e saj në vazhdim. Së pari, Terziu e krahason pikëllimin e njerëzve që jetojnë nën diktaturë me fatin e një qiriri të ndezur.

Tretja e qiririt është një faktor tjetër që vjen, ose ndoshta vetë pikëllimi i ushtarëve fashistë, mqse sintaksa e poemës e lë këtë pikë paksa të fiksuar tek dashuria „për të dashurat që i kishin lënë në shtëpi,/për nënat e baballarët e tyre detit matanë“ dhe kjo nxit rritjen e urrejtjeve të reja. Këto, nga ana tjetër, krijojnë edhe më shumë errësirë dhe ngatërrim në ambientin ku gdhendja e gurit tashmë është më shumë se një mit, një faktor që ka heshtur nga kundërpërgjigjja tjetër.

Ky përshkrim ngjall një peizazh natyror të harlisur, intrigues pranë vendit të vuajtjes njerëzore, aty ku në një vend mjaft piktoresk si Brosh Bardheti apo Linozi, të qëndrojnë ende: “në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar“ e një të shkuare të dhimbshme shqiptare. Në mënyrë metaforike, Terziu vë në dukje se qasja alegorike e fytyrës të lënë në errësirën e prishjes mund të jetë ciklike në kohë diktature ose vetëpërjetësuese, si guri që gurëson vetveten. Errësira dhe verbëria e përshkruar këtu mund të jenë referenca ndaj frikës gjithnjë të pranishme të krijuar nga diktatura, e cila mund të krijojë një autocensurë aq efektive sa çdo e detyruar nga jashtë: „nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/ e lodhur, e dërmuar/e braktisur me muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar /ndjeja atë ushtri të sprapsur“.

Aty ka dhe gjetje të tjera, shihen kuaj, kazerma, imagjinohen ushtri, që vijnë nga leximi: „ m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri,/nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj“, nga përhumbja tek libri, i cili ka një funksion tjetër, është një pjesë simbolike komplekse, e shumë-anshme, misterioze. Ndërkohë që poezia e Terziut na tregon për natyrën e saj simbolike, nuk është e lehtë të përcaktohet se çfarë përfaqëson ai: një libër historie apo një libër që në kohën e diktarit e zhvetëson vetë historinë:“ në fakt se isha duke lexuar kisha harruar /dhe librin e kisha lënë gjysmë të hapur“. Në fakt, konfuzioni që lexuesit mund të ndiejnë në lidhje me librin pasqyron konfuzionin dhe mungesën e qartësisë së lidhur me vetë përdorimin e kësaj forme arti të pushtuesit në një vend të pushtuar. Thua synon e beson vërtet në përjetësimin e pushtetit të tyre apo pushtimin e përjetshëm të këtij vendi?

Ashtu si të gjithë elementët simbolikë të lartpërmendur, libri ka disa role metaforike njëherësh. Krahasohet me dhimbjen, lotin, vajtimin, por përshkri-mi i librit vazhdon më pas, duke u ngarkuar me imazhe dhe simbolikë. Terziu përshkruan librin që lexon si vetë kohën, apo kohërat që ngjeshen aty, i cili nga ana tjetër bën që të prodhohen më shumë kuptime. Këto kuptime rriten në errësirë dhe rriten "verbërisht", pa vetëdije dhe pa qëllim të përacaktuar, mjafton që të gjejnë faktorin e aftë për ilustrim. Është interesante që Terziu përdor të gjithë këtë nëntekst për të prezantuar leximin e historisë, duke nënkuptuar se ajo tashmë është e njohur ose e pranishme, edhe nga ky fakt, ku portreti i gdhendur në gur është i destinuar të zvetënohet. Duke pasur parasysh lidhjet e tij me errësirën dhe pakuptimësinë, është e arsyeshme të konkludohet se ajo simbolizon natyrën njerëzore gjithnjë të pranishme, shtypëse të diktaturës dhe mënyrën se si ajo vulos kuptimin dhe diskursin në subjektet e saj, mes marrëdhënies midis shprehjes dhe shtypjes.

Marrëdhënia midis shprehjes artistike dhe shtypjes së qeverisë shkon prapa shumë më gjatë se shekulli i njëzetë: monarkitë absolute të Evropës së Hershme Moderne luftuan, me njëfarë suksesi, për të kontrolluar fjalimin politik në teatrin e vetë jetës që dirigjojnë ato, madje dhe në teatër ku pritej art. A nuk janë në të dy rastet duart e diktatorëve që drejtojnë këtë art-kaos? Në rastin e gdhendjes në gur të Duçes, është ushtari pushtues italian, dhe në rastin e zhbërjes së tij, është ushtari i xhenjos, i reparteve të Enver Hoxhës, të vendosura në Bizë të Martaneshit.

Edhe Shekspiri shpesh merrte masa krijuese për të diskutuar çështjet e kohës së tij pa tërhequr zemërimin e monarkisë. Ai përshkruante monarkë absolutë të paqëndrueshëm e të rrezikshëm përmes thjerrëzave të trillimeve historike, ose duke vendosur shfaqjet e tij në vende të largëta. Megjithatë, ai u përball me një urdhër të prerë, pra që e detyronte atë, dhe kjo është më shumë se sa një fakt, në faktorin e diktarëve në kohë, hapësirë dhe vend. Aty vepron memorja, pra të gjitha këto vijnë nga një memorje e shëndoshë, nga njohuria dhe nga koha kur autori i kësaj poezie ka mbajtur gjallë bredna vetes të gjithë rekursin e një forme që ritregon, dhe na rizgjon edhe në këtë kohë.

Për sa më sipër mund të themi se në strukturën poetike ne lexojmë më shumë se sa kujtimet e adoloshencës terziane për një vepër arti gdhendur në gur edhe kulturën e të shkruarit të njohur në adoloshencën e tij të këtij elbasanlliu të ri pse dihet që Elbasani qysh në ato vite rezatonte një kulturë e qytetari europiane të të shkruarit artisik, kulturë të cilën Terziu e përsosi dhe e shndroi në stil modern të artit të tij. Kjo duket dhe te kjo poezia, vargjet ngjasojnë me pemë të dëndura të një pylli të hershëm, sa që të krijohet përshtypja e një pamundësie kalimi nëpër atë, por mjafton nisja e udhëtimit dhe shtegu i kalimit çuditërisht të duket jo vetëm i qartë por edhe shumë panoramik, sa që të imponon ndalesa soditjeje.

III-Në perceptimin artistik sheh se poezia fillon me një atmosferë misteri dhe kureshtjeje adoloshenti: “Eh, ishte mosha kur kureshtja shkonte përtej natyrës,/me substancën e gjetjes së artë dhe të gurtë”, kohë kur autori ndihet tërhequr nga substanca e artit dhe substanca e gjetjes së artit të gurtë. Portreti i Duçes: “… ishte i gdhendur në një shkëmb,/ishte bërë art nga ushtarët e tij” duke na shfaqur poetikisht idenë se diktatorët e të gjithë kohërave nxitonin të ngrinin sa më shumë statuja vetes së tyre, përkundër njerëzve të dijes dhe të shkencës, të cilët vetëm për përjetësimin e tyre në mermer e në bronx nuk kanë menduar, madje kanë ironizuar çdo propozim të bërë nga bashkëkohësit për bronximin e tyre qysh në gjallje.

Koha e mëpasme i ka rrëzuar të gjitha statujat e diktatorëve kudo në botë, ndërsa ka përjetësuar ata që asnjëherë nuk kanë menduar për lartësim, pse ata kanë qënë më të mëdhenj se statujat, madje edhe se vetë koha kur jetuan e krijuan., ndaj dhe djaloshi: “pyes ende, a mund të kthehen gurët e shkelur nga diktatorët në art,/vetëm memorja më përgjigjet prerazi vëngër:/Jo! Aspak”, duke shprehur përfundimin llogjik, jo të kureshtjes së djaloshit të djeshëm, sot një intelektual dhe poet i njohur, por të së vërtetës se diktatorët më së pari janë armiqtë e artit, të dijeve dhe progresit.

Thyerja e shtatores së një diktatori pushtues në kohën e një diktatori vendas (me urdhër apo porosi të tij) është ironia që koha u rezervon atyre, pse ne jemi dëshmitarë të kohës që tërhoqi zvarrë statujën e diktatorit vendas.

Terziu përjeton ndjenja të furrishme para shtatores së gurtë ku revolta është ndjenja e parë: “U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën /të dalloja … Duçen/m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri/nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/e braktisur me muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar/ndjeja atë ushtri të sprapsur”, madje duhet të themi se gjithë struktura e poezisë është ndërtuar me ndjenjat e këtij djaloshi. “Isha djalosh i ri …//ishte mosha ime, ishin refleksionet,/profili i panjohur që sfidoi motin e egër/të harruar edhe nga Lart,/nuk është thjesht për të thënë ishte kohë tjetër” shkruan poeti duke shprehur se edhe sot tensionet nuk e lënë të qetë mendjen e tij dhe ai shikon kohën, lexon kohërat.

Është interesantë ajo pjesë e poezisë ku autori përshkruan ndjenjën e revoltës: “E në tërë atë përhumbje ndjeja flakë,/kur Kroi i Kuq, Biza e rrethinat e saj,/kishin ngrirë ishin plak,/e Uji i Burimit pastaj,/me një forcë të madhe tështinte gjak,/në barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë”, pse ai sheh të vërtetën historike në portretin e Duçes të shprehur me vargjet: „e Uji i Burimit pastaj/me një forcë të madhe tështinte gjak“.

IV-Poezia "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit" është e pasur me figura artistike për të forcuar mesazhin dhe për të krijuar imazhe të fuqishme, ku disa nga figurat artistike të përdorura në vargje janë:

Në poezinë përdoren metafora për të përshkruar imazhet dhe ndjenjat, psh. "Ai ishte i gdhendur në një shkëmb" është një metaforë që e përshkruan portretin e Duçes si të ngulitur në një shkëmb, duke dhënë një ndjenjë të përhershme dhe të pandryshueshme të figuras së portretit, çka ishte dhe synimi i skulptorit, pa-varësisht se koha rrodhi ndryshe.

“U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën/të dalloja .., Duçen" shkruan poeti duke përdor metaforën e fytyrës së Duçes për të përshkruar portretin e tij, pasi fytyra simbolizon identitetin dhe personalitetin e Duçes.

Te vargu "shikoj kohën, lexoj kohërat pas të shtunës" përdor metaforën e "leximit të kohës" për të treguar se si poeti po reflekton mbi kalimin e kohës dhe përvojat që ajo sjell

Te vargu "në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar" kazerma e rrethuar dhe e shkatërruar përdoret si metaforë për të përshkruar situatën e trazuar dhe të dëshpëruar të ushtarëve të panjohur, të mbetur mënjanë dhe të braktisur, ndërsa metafora "retë që mbështilleshin në Tiranë"përshkruan praninë e vështirë të trishtësisë dhe tundimit që poeti ndjen në Tiranë.

Këto metafora shtojnë imazhin dhe emocionin në poezinë e Fatmir Terziut dhe i japin asaj një dimension më të hollësishëm dhe të thellë, duke shërbyer njëkohësisht për krijimin e një stili të pasur e tërheqës për lexuesin, duke e bërë poezinë më përfshirëse dhe të kuptueshme.

Ne mund të renditim këtu dhe figura të tjera letrare si psh hiperbola te vargjet "nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen" që e përforcon ndjesinë e të qenurit të revoltuar dhe të përplasur me situatën, simbolizmi psh “Uji i Burimit" që simbolizon forcën dhe vitalitetin, ndërsa "Mali me Gropa" përfaqëson pengesat dhe sfidat, simbole që ndihmojnë në thellimin e kuptimit dhe në krijimin e një atmosfere misterioze dhe të ngarkuar emocionalisht.

Përdorimi i zërit "sh" në vargjet "shërronin me lutje qindra plagë" dhe "shkulja retë që mbështilleshin në Tiranë" është një shembull i aliteracionit, përdorim i ripërsëritjes së tingullit që krijon një efekt të rrëmujshëm dhe thellon ndjesinë e dëshirës së poetit për të ndryshuar situatën.

Interesant është përdorimi i konstrastit visual në përshkrimet e poetit, si "barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë" dhe "mantel i lëmuar në malet përkarshi", imazhe të kundërta që e bëjnë poezinë të rrëfyer, të imazhueshme dhe të pasur vizualisht.

V-Fjala, gjuha dhe vargu i poetit në poezinë "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit" janë të veçanta dhe të fuqishme. Autori përdor një gjuhë poetike dhe imazhore për të shprehur ndjenjat dhe vizionin e tij në mënyrë të ngazëllyer.

Fjala që përdoret në poezi është e pasur dhe e veçantë, poeti zgjedh fjalë me kujdes për të shprehur ndjesitë dhe idetë e tij në mënyrë pikante dhe të thellë, ashtu siç janë të përziera me ndjenjën e trishtimit, revoltës dhe melankolisë, duke krijuar një atmosferë të ngarkuar emocionalisht që e përforcojnë temën dhe imazhet e poezisë.

Gjuha që përdoret në poezinë e përmendur është poetike dhe e pasur me imazhe, pse poeti përdor imazhe të fuqishme dhe simbole për të përshkruar emocionet dhe situatat. Gjuha e tij është e imazhueshme dhe krijon një përvojë vizuale dhe emocionale për lexuesin, ku përdorimi i figurave artistike dhe simboleve ndihmon në thellimin e kuptimit dhe në krijimin e një atmosfere të veçantë.

Vargu i poezisë është i strukturuar dhe i rregulluar me kujdes, ato kanë një rrjedhë të lirë, pa sforcime, duke krijuar një melodi poetike. Autori përdor ritmin dhe rimën në vargje për të krijuar harmoni dhe rregullsi në poezi, ku zgjedhja e fjalëve krijon një intensitet emocional dhe thellësi në vargje.

Kam përshtypjen se kjo poezi është shkruar me “një frymë” shpërthyese ashtu si shpërthen uji nga honestra e tejmbushur në një burimin e ri veçse ky „ujë“ i freskët ka një stili modern poetik në një shtrat filozofik, çka e bën poezinë të misterëshme në shumë vargje, por edhe plot ngjyrime. Për sa thamë në krye, kujtesa djaloshare e Fatmir Terziut e mbajti në brendësi të saj imazhin e këtij portreti të gurtë në Linoz, imazh që brenda kujtesës shtoi e shumoi veten gjer në shpërthimin e kësaj poezie që lexohet dhe përjetohet së tepërmi pas leximit.

Sarandë, më korrik 2023


POEZIA E FATMIR TERZIUT:


Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit

nga Fatmir Terziu


Eh, ishte mosha kur kureshtja shkonte përtej natyrës,

me substancën e gjetjes së artë dhe të gurtë,

Ai ishte i gdhendur në një shkëmb,

ishte bërë art nga ushtarët e tij,

të cilët mbanin frymën e tyre në një barangë,

e uji i freskët i Linozit u sillte drithma në sy,

shërronin me lutje qindra plagë,

e Biblën e kishin po aty,

me të ndiznin heshtazi qiri ndonjë natë,

për të dashurat që i kishin lënë në shtëpi,

për nënat e baballarët e tyre detit matanë,

e Shëngjergji, Martaneshi më shfaqej përsëri,

sikurse ishte sërrish kall.

U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën,

të dalloja Viktor Emanuelin, Duçen

m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri,

nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen

një ushtri e panjohur, me kuaj,

e lodhur, e dërmuar,

e braktisur me muaj,

në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar,

ndjeja atë ushtri të sprapsur,

në fakt se isha duke lexuar kisha harruar,

dhe librin e kisha lënë gjysmë të hapur.

E në tërë atë përhumbje ndjeja flakë,

kur Kroi i Kuq, Biza e rrethinat e saj,

kishin ngrirë ishin plak,

e Uji i Burimit pastaj,

me një forcë të madhe tështinte gjak,

në barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë,

shihja qindra ushtarë të vrarë,

pastaj një herë, në një natë me stuhi,

me shfaqjen e borës së parë,

një mantel i lëmuar në malet përkarshi,

mbi kalë, atje, larg,

më sillte Malin me Gropa fare pranë,

isha një djalosh kureshtar,

më dukej se shkulja retë që mbështilleshin në Tiranë.

Isha djalosh i ri dhe hallet më sillnin Rruga Urës

të bëja ndonjë para për librat, leksionet,

e muajt e verës më gjenin në krye të punës,

sot nga mendja nuk më hiqen tensionet,

shikoj kohën, lexoj kohërat pas të shtunës,

ishte mosha ime, ishin refleksionet,

profili i panjohur që sfidoi motin e egër,

të harruar edhe nga Lart,

nuk është thjesht për të thënë ishte kohë tjetër,

pyes ende, a mund të kthehen gurët e shkelur nga diktatorët në art,

vetëm memorja më përgjigjet prerazi vëngër:

Jo! Aspak.




40 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page