…Por unë e di se jam puro Arbëror!


…Por unë e di se jam puro Arbëror!

I dashur Profesor Fatmiri,

Te Fjalori i 80-s, mbiemri “derëhapur” përdoret në shprehjen “shqiptari është derëhapur për miqtë”. Pikërisht ajo që biseduam në “Face time”, kur përmendët shprehjen e kanunit “shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”. Më vonë pararendësit tanë, siç e dini shumë mirë, e pasuruan me shprehjen “shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”, ose “shtëpia e bujarit është e mikut dhe e shtegtarit”. Shprehje të tilla, revoltuese për shqiptarin me dinjitet kombëtar, nuk i kam hasur absolutisht në asnjërën prej katër gjuhëve të huaja, me të cilat jam marrë për hartimin e fjalorëve frazeologjikë. Pellazgët u treguan bujarë dhe mikpritës me evgjitërit e luginës në Nilit dhe të Sinajit që u dyndën në gadishullin tonë dhe mandej përfunduan në skllevër të tyre. Ilirët u treguan bujarë dhe mikpritës me tributë sllave që kaluan Danubin, duke u dyndur drejt Ilirisë, mandej përfunduan në skllevër të tyre. Duke u shdërruar në skllevër të ardhacakëve, iliroshqiptarët fituan zejen e mercenarëve dhe mandej në gjuhën shqipe u krijua shprehja vetëposhtëruese “shqiptari për kolltuk dhe ylefe shet shtëpi e shet atdhe”.

Cila është arsyeja, xhanëm, që kjo etnia shqiptare, tradicionalisht, ka dashur dhe ka respektuar vetëm të huajin dhe jo njeriun e etnisë së vet? Madje këtë të fundit e ka urryer dhe vazhdon ta urrejë edhe sot. A nuk mendoni se smira ndërshqiptare është e përjetësuar në shprehjen aq dashakeqe për njëri-tjetrin “u bë dhe ky!”, e cila përcjell xhelozinë e të tjerëve ndaj një njeriu të talentuar? A shpresoni se mund të vijë koha kur shqiptarët do të jenë çliruar nga smira për njëri-tjetrin dhe të gëzohen për aftësitë, sukseset dhe talentin e tjetrit?  A nuk mendoni që kjo fatkeqësi shumëshekullore për etninë shqiptare përbën një temë mjaft interesante për një subjekt romani në të ardhmen, përmbajtjen e të cilit ju mund ta qanit mrekullisht?

Miqësisht, Profesor i nderuar.

Eshrefi”


I dashur Profesor Eshrefi

Kjo është një temë e gjerë, debatuese, mjaft delikate, por e domosdoshme. Duhej të kishte ndodhur me kohë. Por, kohërat na lanë ne, si Pellazgë, Ilirë, Arbërorë, Albanë, Shqiptarë… e

nga të gjitha nuk kemi pasur mundësinë të shkojmë në zgjidhje dhe në zgjedhje. Kemi mbetur në vetvete krenarë dhe të pastabilizuar nga moria e emrave, aq sa ende dhe sot jemi me “Albanian-Albanezë” dhe me “Shqiptarë” në dy kornizat e komunikimit gjeografiko-politik. Jemi shtetarë të “Republic of Albania” dhe shtetarë të “Republika e Shqipërisë”, jemi shtetarë dhe në shtete të tjera. Tek “Shpia e shqyptarit ásht e zotit dhe e mikut” (Kanuni i Lekë Dukagjinit) ka që nga origjina  e saj mjaft ndërhyrje, arnime dhe përqasje, oreksëllëqe, qejfbërjesi, kurse ndodhi së fundmi me komunizmin, që si shtet laik e largoi “Zotin”. (Dhe kur e largon Zotin dihet…), largohesh nga Zoti dhe pastaj e vuan, pa e kuptuar, ose i bashkohesh vetvetiu, Povetësisht asaj që e ke thënë Ti si popull që në genezën tëndë… “Pra merr torbën dhe degdisesh, si çifuti në shkretëtirë”. Po “Çifuti” është ndryshe! Ne e zbrazim që nga lindja dhe krijimi Tokën tonë të Shenjtë! Iliria! Kujto mrekullinë e një Perandorie që nuk shkeli askënd me këmbë si të Tjerët! Shko më tej në Histori… “E mikut?”, se na duheshin “miq” në mesin e gjithë atyre armiqve të panumërt, deri këtu duket e kuptueshme, por më tej… “E kujt miku?”… Ku shkuam vetë? Cila shtëpi mbeti e jona? 

Pastaj le të shkojmë tek e huzuara nga turqishtja, që na bën palë dhe me boshnjakët kur themi “Bujrum”, ndërsa tjetri na gjen duke ngrënë racionin tonë të ushqimit… E ne, e ndajmë atë që kemi për barkun tonë me atë që vjen e na gjen duke ngrënë. Është mirë, bëjmë mirë? Kjo nuk ka shpjegim tjetër, përveç thelbit, kur nuk do veten tënde, kur nuk do barkun tënd, si mund të duash tjetrin?! Është temë, është dhe e cekur disa herë nga romanet e mia, por një roman më vete, shkon në “debat” kross-kulturor. Le të bashkëbisedojmë më mirë. Ne kemi një fjalë të urtë popullore  me rizomin e gramit dhe me hardhinë…, ndaj na kanë bërë vend në krye sot mjaft…, nuk dua të shaj kërkënd. Le të jetojmë paqësisht, por me një ligjësi e mirëkuptim të bazuar në origjinë. Kjo është dobësi e të gjitha sistemeve shqiptare, dhe ashtu sikurse thoni Ju i nderuar  “fatkeqësi shumëshekullore për etninë shqiptare”. 

E kam thënë dhe herë tjetër. Po e risjell. E pështyjmë për ta mbrojtur “fatkeqësinë, fatkeqësjelljen me ne shqiptarët, pellazgët, ilirët, arbërorët…Albanian-asit?! Pa e kuptuar ne e kemi bërë këtë. E kemi bërë pa e ditur, pa e njohur efektin e saj. E kemi pështyrë tri herë këtë dhe atë qeveri, të gjitha qeverisjet, të gjitha kur i kemi dhe s’i kemi pasur, si të tilla. E pështymë kur na mashtroi me premtimet e saj, e kemi pështyrë kur na hodhi rrugëve të Botës me torbë në krahë, e pështymë dhe së fundi kur na la pa të drejtën tonë legjitime, jo vetëm këtë, por të gjitha në këta vite ekzistencë me “qeverisje”. Dhe kemi kuptuar se pështirja është një dëm që i bëjmë asaj. Jo. Ne e kemi mbrojtuar atë në të gjitha kohët…, e kemi ligjëruar atë me pështymën tonë.

Pështyrja, ose më saktë tingulli i pështymës (ptu, ptu, ptu … gjithmonë tre herë për të përfaqësuar Trininë e Shenjtë) besohet se mbron kundër mallkimit të syrit të lig. Dhe pos kësaj a nuk kemi thënë disa herë se Ai, i … tilli dhe i atilli, …. sillet si ndonjë fëmijë me ne? Pra kemi shkuar tek dukuria më e zakonshme që lidhet me bebet, ku njerëzit e bëjnë zhurmën e pështymës për ta mbrojtur fëmijën nga çdo dëm që mund t’i bëhet asaj. Pra ne pështyjmë për ta mbrojtur këtë qeverisje, me një neverisje, me një padije? Pra ne shkurt jemi padashje për më të keqen e vetvetes. Pse? 

E mora me vëmendjen më të mirë kërkesën tuaj rreth “u bë dhe ky”, në të njëtën kohë u ndjeva mirë që e keni lexuar prurjen për Myzyrin, problematik në sjellje dhe “talent” në këngë “orientale”, tipike të Elbasanit post-turkoshak të asaj kohe. 

…u bë dhe ky!” (po do pikëçuditëse në fund). 

Shprehja u bë dhe ky! Si shprehje ngërthen në vetvete dy kuptime?

Vjen nga kuptimi parësor, “u bë ky.” Që është për një prodhim, “u bë ky fiku i kopshtit tonë, ose kjo molla jonë, kur i biet shkurt u poq”; për një Njeri, shembull: “u bë ky për nuse tani, duhet të mendojmë si prindër!” etj

Me shtesën lidhësore ose lidhëzet “edhe”, ose “dhe” ka kuptimin ku shprehet qëndrimi ndaj një njeriu të paaftë që kërkon të hiqet si i ditur ose që kërkon të dalë mbi të tjerët, paçka se, në të vërtetë, qëndron shumë më poshtë se ata? Dhe në këtë rast shprehja shoqërohet me një nuancë mospërfillëse. 

Edhe kjo qëndron: Në kuptimin e dytë ajo shprehet qëndrimi ndaj një njeriu të aftë, qëndrim që ngërthen në vetvete smirën dhe xhelozinë dhe që, padrejtësisht, mbart nota negativizmi në vlerësimin e dijeve dhe, përgjithësisht, përgatitjes së tij.

Vjen nga folja bëri dhe në disa raste shkon dialektore, u ba, u bë, u bo…

Ka një sens vëzhgimor, negativ, sepse adresohet në drejtim të njohur për bisedorët. Sidoqoftë ne e kemi prodhuar atë kulturologjikisht!

Kohët e fundit realizova një studim që më kushtoi vite e vite, “Toponimia e Gollobordës: diskursi i dygjuhësisë dhe derivati i origjinës”. E përfundova kur mjaft të tjerë mund të shfrytëzonin paratë e botës meskine për një oreksollogji me titullin “Prof. Dr.” Dhe e di, të ndërmarrësh një studim të tillë në një kohë kur Komisioni i Ligjeve të Parlamentit të Shqipërisë ka miratuar tashmë ligjin “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, në të cilin ka përcaktuar se minoritetet në Shqipëri janë nëntë, përfshirë dhe pakicën bullgare, të cilësuar si të tillë popullsinë e fshatrave të zonës së Gollobordës, (që është brenda truallit shqiptar) natyrisht shtohen akoma më shumë vështirësitë. Ashtu sikurse vështirësi të tilla ka pasur dhe më parë, ashtu sikurse problematika e këtyre vështirësive gjithnjë ka lënë në mes të gjitha iniciativat, studimet, ndërrmarjet e mirëfillta studimore në të gjitha kohërat dhe për të gjitha mendimet dhe idetë e bazuara në atë që ka ardhur si e thënë apo e folur në ditët tona mes gjuhës. Ndaj që në krye të herës e kam thënë atë që është thelbësore në atë studim, atë që më detyronte të forcoj bindjen time personale se të thuash atë që është realitet, atë që mendon personalisht dhe që e bazon në mjaft fakte të ardhura deri në ditët tona, nuk është thjesht angazhim, nuk është domosdoshmëri për debat, as edhe ndonjë kundërvënie mendimeve të tjera, por një detyrë të cilën duhet ta bëjnë mjaft të tjerë, qofshin nga ajo zonë, apo që kanë arsye të tjera me atë trevë historikisht të njohur, po aq dhe në kuadrin e mendimit të lirë dhe kontributit aq të domosdoshëm për të larguar sadopak errësirat e shekujve.  

Ndërsa përgjigjja nuk mund të jepet kaq shpejt, as edhe kaq shkurt, ajo duhet të kalojë së pari në të gjitha pikat ku ravijëzohen ritet familjare, lindja, dasma, lamtumira, mbyllja e rrethit të jetës njerëzore, të gjitha ato që bëhen momentet më të rëndësishme në tërësinë e një lidhjeje shekullore, ato që shënojnë tranzicionet e saj kulturore më të rëndësishme. 

Vdekja bëhet jetë, errësira sillet në dritë, kaosi në hapësirë, vetëm nëse ne mundohemi sadopak të bëjmë detyrën tonë që na takon. Ky është kuptimi i thellë i gjithçkaje që i ndodh një personi në aspektin shoqëror. E shkruara sot, sadopak është një histori për ciklet e jetës njerëzore, për pamjet mitike “fëmijërore” të shkruara në mendjet dhe kulturat transmetuese të njerëzve. 

Të tjerat janë paratë e Akademisë së Shkencave, që mban kryetarë të lljamosur e të paaftë, e mjaft instanca të tjera që sot paguhen nga Fondet e BE-së për mëkatin më të madh nga Kombit tonë të dashur. Marrin fonde të turren e të shpërngulen duke u quajtur të tillë e të atillë…Nejse! Po kujtoj një fjali të një miku tim: “Më duhej pasaporta, ndaj e bëra këtë…, Por unë e di se jam puro Arbëror!”. 

0 views

Shkrimet e fundit