top of page

Populli i Trebishtit ka kundërshtuar qeverisjen nën Serbi


Populli i Trebishtit ka kundërshtuar qeverisjen nën Serbi

Hasan M. Shahinaj


Komisioni i kufirit ka ardhur në Trebisht në prill 1923. Populli i Trebishtit ka kundërshtuar qeverisjen nën Serbi, ndaj tek vendi i quajtur Kosharisht, Ali Riza Topalli, përkthyesi libohovit, ka sugjeruar të hartohet një lutje a protestë. Dhe në fakt ashtu u bë, e ka shkruar në frëngjisht mësuesi ostrenas Hamit Muça (aso kohe, ai ka qenë mësues i parë i shkollës së porsahapur në Ostren të Madh më 22 nëntor 1922).

Kërkesa- protestë u hartua në emër të popullit të Trebishtit si vijon: “Ashtë një padrejtësi e madhe me në’a hjedhë nën zgjedhë të një anmiku të kombit dhe shpirtit tonë, kundër dëshirës tonë, tue marrë për bazë nevojat e rrejshme të serbëve. Pra, presim, vazhdon telegram-protesta-me na e shpëtue vendin tonë prej lakmive të pangopuna të serbëve dhe kërkojmë mos me n’a ndamun prej gjinit të dashun të nanës Shqipni…” (Arkivi i Muzeut historik Dibër, Dosja 32, fondi 846, Tiranë 2 dhjetor 1921).

Kërkesën – protestë e ka çuar në Dibër të Madhe fshatari Kamber Krosi Zhepishta, i cili ka marrë edhe numrin e protokollit. Sqarojmë se në vitin 1921, ustallarët guximtarë të Trebishtit me punë në Vlorë, i kanë dërguar telegram, Lidhjes së Kombeve në Gjenevë në shenjë proteste, sepse Konferenca e Paqes e Parisit (v. 1919), ia ka dhënë rrugën automobilistike Strugë – Dibër e Madhe, Serbisë.

Në vjeshtë të vitit 1923, kanë ardhur në Trebisht forcat shqiptare me kapterin Ali Kuqin në krye. Kufiri ka qenë caktuar kështu siç është sot. Në fakt, ardhja e Ali Kuqit me kufitarët është pak më vonë se sa ardhja e parë e forcave shqiptare me Matraxhiun nga Zerqani nëpërmjet Ostrenit të Vogël ku ka qenë gjithashtu vetë Ali Sula, qëndrestar i kohës, i kamur, kryeplak dhe me autoritet në zonë; ka qenë gjithashtu edhe vetë Jusuf Sinan Meta, i cili ka shërbyer si hoxhë autoritar në Trebisht shumë vite me radhë.

Kështu pra në dy periudhat e mësipërme, për shkaqet objektive të fqinjëve pushtues (shënimi im H.SH.), mësimi i shqipes u ndërpre në Trebisht, ndonëse ishte bërë edhe përpjekja e dytë e madhe gjatë vitit 1917 dhe ka pasë vijuar ca me ndërprerje gjuha shqipe me kërkesën e popullit e natyrisht të nxitur si kundërpërgjigje ndaj okupatorëve serbo – bullgarë, tek impononin gjuhët e tyre së toku me bajonetën e helmatisur.

Më 1923-1924 për një periudhë të shkurtër, mësues i shqipes ka qenë Ibrahim Tërshana nga Dibra e Madhe. Kurse nga fillimi i vitit 1925 ai ka shkuar nëpunës tek gjendja civile e Zerqanit dhe më vonë është transferuar për në Kukës. Gjatë vitit 1924 dhe 4 muajve të parë të 1925-ës me intervale shqip ka dhënë dhe Xhevat Fido Sadiku nga Trebisht – Çelebia.

Si konkluzion, nga sa përshkruam më lart, del se: data e fillimit të rregullt e shkollës së parë shqipe në fshatin e madh Trebisht të Dibrës është 18 Maji 1925.

Prej kësaj date të shënuar e deri më sot, për 1 shekull radhazi, shkolla e mësimit shqip në Trebishtin tonë ka vazhduar për çdo vit shkollor rregullisht dhe pa asnjë ndërprerje, qoftë edhe 1- ditore. Mësimet aso kohe zhvilloheshin në shtëpinë e madhe dhe karakteristike me harqe qemeri e guri të Idriz Hajredin Muçinës në qendër të fshatit që quhej Trebisht – Muçinë. Shkolla frekuentohej nga tri lagjet e Trebishtit dhe nga fshati Vërnicë. Interesante është për t’u kujtuar se për një periudhë kohe sipas traditës dibrane që thërriste Gollobordën Malësia e Epërme ose Dibra e Epërme; edhe fshati më i madh Trebishti mbiquhej administrativisht: Treanës i Poshtëm (Trebisht - Muçina, pra qendra), Treanës i Mesëm (Trebisht – Çelebia) dhe Treanës i Epërm (Trebisht – Balaja). Ky ndryshim toponimik me siguri është sugjeruar e zbatuar nga qeveria e Zogut për pamjen piktoreske të Trebishtit në formën e një albumi të hapur me tri këndet e tij, tri fshatra të bashkuara nga dy përrenjtë malorë e nga dy ish- xhamitë me minaretë e larta e ballkone- sherifetë e tyre në formë harku. Si mësues i parë dhe mjaft i zellshëm në Trebisht ka qenë Ramadan Sefedin Kodra nga Dibra e Madhe, me arsim gjimnazi turk jo të plotë, por që kishte kaluar në disa kurse pedagogjike të shkurtëra në Shkodër, Berat e Tiranë dhe që ka pasur aftësi teoriko – praktike pedagogjike e kulturore mjaft të arrira për kohën.

Ndaj, edhe si fshat i madh, Trebishti arriti të grumbullojë mbi 80 nxënës, që të gjithë djem me mosha të alternuara e jo fikse. Mësimi zhvillohej në dy dhoma – klasa. Kur mësuesi merrej direkt me një palë nxënës, të tjerët mësonin në heshtje në dhomën tjetër nën mbikëqyrjen e një nxënësi më të rritur. Ai vit i parë shkollor u mbyll më 4 korrik 1925 dhe nxënësit më të përparuar rreth 45 vetë, që kishim pasë mësuar edhe më parë me Xhevat Fido Sadikun dhe Ibrahim Tërshanën, kaluan nga klasa e parë në të dytën. Me urdhër të qeverisë së Zogut, krahas mësimeve në gjuhën shqipe deri në vitin 1930, nga 2 orë në javë jepej edhe mësimi i fesë nga (hoxha) Mulla Elez Pupuleku nga Trebisht – Çelebia.

Me gjithë poropagandën fetare të trashëguar dhe nga sundimi 5 shekullor turk, populli i thjeshtë trebishtar preferonte mësimet në gjuhën shqipe (Tekstualisht, për sa thamë, shih foton e shkollës së parë me numrin e madh të nxënësve dhe personelin mësimor e fetar. (shënimi im, HSH). Më 20 shtator 1925 filluan mësimet për vitin shkollor 1925 – 1926 me kl I-II, tani në lokalin e ndërtuar posaçërisht për shkollë në Trebisht – Muçinë qysh nga synimet e qarta të 1909-ës (sipas orientimeve të Kongresit të Dibrës të 23 korrikut 1909. Ndërsa në vitin e mëparshëm shkollor, lokali shkollor ka qenë i vënë në dispozicion të postës së xhandarmërisë për të ruajtur rendin dhe qetësinë në fshat.

Interesant ka qenë qëndrimi i vendosur i patriotit Hysen Destani (Plaku), i cili nuk ka rënë pre e planeve dhe ryshfeteve të lakminë serbe. Ai konkretisht ka thënë: “Unë as livadhin tim më të keq nuk e jap për dinarët e kapidan Ristos e jo më të shes krahinarët e vatanin!” Dihet se ata (serbët) nuk kursenin mllefin edhe ndaj “partnerëve” bullgarë të raprezaljeve të Luftës së Parë Botërore duke iu sulur forcërisht banorëve trebishtarë e gollobordas në tërësi: “Do gde sunce grejet, sveje serpsko!…” (Shenimi im H.SH. dmth. Deri atje kur ndriçon dielli, është gjithçka serbe!…).

Në vitin shkollor në vijim 1925-1926, shkolla ka pasur 93 nxënës sipas dokumentacionit bazë të amzës. Kryemësuesi Ramadan Sefedini mësonte klasën e dytë dhe mësuesi tjetër Rahman Marqeshi nga fshati Lis i Matit, me arsim fillor, ka mësuar klasën e parë. Ligj detyrimi nuk ka pasur, por as kuadër mësimor; lokali jo i bollshëm së toku me orenditë didaktike shkollore kanë qenë të pamjaftueshme për të gjithë fëmijët e shumtë të Trebishtit tonë.

Bangat e dërrasat e zeza kanë qenë të pamjaftueshme e të papërshtatshme. Megjithatë, të frymëzuar nga patriotët – qëndrestarë me armë në dorë siç cituam më lart, për t’iu përgjigjur flakë për flakë shovinizmit serb e më pas jugosllav (i cili qysh gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore lakmonte të mbante të pushtuar territorin e Trebishtit); populli, mësuesit dhe nxënësit veç zellit të madh në mësime, zhvillonin herë pas here aktivitete artistike sikurse skeçe, recitime, valle e këngë veçse me përmbajtje atdhetare e kombëtare shqiptare. Kanë qenë të veçanta sidomos veprimtaritë konkrete për 28 Nëntorin, ditën e Flamurit, kur nxënësit të rreshtuar lëviznin nëpër 3 lagjet- fshatra me pishtarë vajguri në duar e vargjet në buzë të këngëve e vjershave të përzgjedhura.

Në vitin shkollor 1926-1927, kryemësuesi Ramadan Sefedini mësonte kolektivisht klasën e dytë e të tretë, ndërsa Ahmet Ymer Piluri nga fshati Pilur i Bilishtit të Korçës mësonte klasën e parë. Në atë kohë shkolla fillore e Trebishtit u bë me 110 nxënës.

Në vitin shkollor 1927 – 1928, kryemësuesi Ramadan Sefedini mësonte kolektivisht klasën e tretë dhe të katërt; mësuesi normalist Ali Beqiri nga qyteti i Elbasanit mësonte klasën e dytë dhe mësuesi Aqif Vahiti nga Dibra e Madhe jepte mësim në klasën e parë dhe kopshtarët. Pra, në këtë vit shkollor, u praktikua parapërgatitja e fëmijëve nismëtarë që, në krye të vitit, do të hynin në rendin e parë (klasën e parë, siç thirrej hera – herës në gjuhën didaktike të kohës).

Në këtë vit shkollor në fjalë, shkolla e Trebishtit u ngjit në kuotën e 120 nxënësve.

Në fund të qershorit 1928 u shënua evenimenti më i gëzueshëm për fëmijët, prindërit, mësuesit e shkollës: doli e para klasë e katërt nga shkolla fillore 4 klasëshe e Trebishtit të madh me 22 nxënës gjithsejt.

Nga nxënësit e parë që mbaruan të parën klasë të katërt në fjalë, kanë qenë Mustafa Zeqir Shahinaj nga Trebisht – Muçina i datëlindjes 01.01.1914, pra 14- vjeçar dhe me numër amze 5. Bashkënxënësi Lutfi Mehmeti nga lagja Kadriu e Trebisht – Çelebisë figuron me nr.1 të amzës, regjistrit themeltar të shkollës së Trebishtit. Këta dy nxënës vazhduan mësimet më gjatë me bursë të shtetit dhe dolën arsimtarë me maturë.

Mustafa Shahinaj nga Normalja e Elbasanit, kurse Lutfi Mehmeti nga dega normale e Gjimnazit të Shtetit në Shkodër. Mustafa Shahinaj shërbeu si mësues qysh më 19 gusht 1935 në Fushë – Lurë, në Burgajet të Malit (fshatin e mbretit Zog), në qytetin e Peshkopisë, në Trebisht si kryemësues nga tetori 1940, prapë në Peshkopi si inspektor arsimi në vitin shkollor 1946 – 1947, prapë në Trebisht si drejtor shkolle, në Ostren të Madh si mësues e drejtor i parë i 7- vjeçares së atjeshme dhe pastaj prapë në Trebisht qysh prej tetorit 1953, si mësues e drejtor i parë i 7- vjeçares që ishte hapur atë vit dhe më pas mësues i gjuhës shqipe dhe leximit letrar dhe zv/drejtor i Shkollës 8- vjeçare “10 Dëshmorët” Trebisht derisa doli në pension më 1 shtator 1971. Lutfi Mehmeti, ish- nxënësi tjetër i dalluar i fillores së Trebishtit ka shërbyer si mësues në Pleshisht të Pogradecit, në Burrel, në Dibër të Madhe, në Tiranë. Mbas çlirimit të vendit, ka shërbyer si sekretar në Kryeministri, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më vonë ka qenë i ngarkuar me punë Ad interim në Ambasadën shqiptare në Pekin (Kinë) dhe pastaj në Budapest (Hungari). Ai ka vdekur në Tiranë më 1962.

Në vitin shkollor 1928-1929 në Trebisht kryemësues ka qenë Aqif Pasholli dhe arsimtarë Aqif Vahiti dhe Halil Golja, që të tre kolegët të ardhur nga Dibra e Madhe.

E shoqja e kryemësuesit Aqif Pasholli, Nazmie Pasholli, ka qenë emëruar mësuesja e parë e shkollës fillore femërore (e vajzave) që u hap atë vit shkollor me 36 vajza si shkollë e veçantë në Trebishtin, (Treanësin e kohës, siç cituam më lart, shënimi im H.SH.).

Ajo mësuese e parë e shkollës femërore, që ka qenë dhe si aneks i shkollës fillore mashkullore, Nazmie Pasholli, nga Dibra e Madhe ka qenë me arsim të ulët e me mentalitete të vjetra fetaro – patriarkale, saqë ajo vetë nga shtëpia e gjer në shkollë shkonte e mbuluar me perçe në fytyrë, po ashtu dilte edhe në festat kombëtare midis nxënësve e popullit arsimdashës trebishtar.

Vazhdon…


Vitet 70 shkolla fillore Trebisht Bala

87 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page