top of page

POEZIA VJEDH KOHË NGA TERRI


Vasil Klironomi

Alush Avduli

“Plagë Qeramike’’ kështu e ka pagëzur librin me poezi të përzgjedhura Vasil Klironomi. Është natyrshmëri krijuese që e vendos Klironomin në një plan ku poetët janë rrallësi. Si thjeshtësi vitale shkëlqen nga margaritarët e saj dhe njëherësh meriton aftësinë e leximit si fitore të pabujshëme mbi skribanizmin dhe idiotizmin delirant të Faceboo-karëve të projektuar si një Vaterlo. Kësisoj pa penguar askënd thesari poetik i Klironomit shpërfaqet lirshëm i ngarkuar me potencial kujdesi dhe shpirt gjerësie. Po ç’është ky Vasil Klironomi?!.. "Kujtesën si oktapod ta përplasësh, diçka do të sjellë nga vitet’’... Në Jug të ëndrrës një djalosh. I hareshëm, flokë biond, fytyrë me ndrojtje virgjërore e shpirt vagabond deri në dlirësi, velë e qeshur në lundrim dhe fluturim i përhumbur mes vrenjtësirave në fillesat e tij poetike. Kështu e kam njohur. Por, tani më i pjekur ai ujit me optimizëm poetik atë që e shkuara e kolektivizuar e la të pa vyshkur dhe e dinë mirë se sa e vështirë është të çvendosësh verbërinë deri tek vështrimi, mbulesën deri tek lakuriqësia dhe më tej në ardhmëri të gërmosh përfytyrimet. ‘ ‘Për një xhaketë dhe pantallon/ më vunë të ndjek vetëtimat/ të hyjë në lojrat e tyre të rrezikshme./Për një palë këpucë/ më thanë të vë në gjumë Dimrin/ dhe t’u sjell Pranverën’’. ‘ ‘Plagë Qeramike’’!.. Fjala e shkruar mërgon metaforike. Dua të hyjë në këtë botë poetike duke lënë jashtë paragjykimet si myslimani që lë këpucët jashtë kultit të tij për të pohuar paditurinë time të çiltër se "Plagë Qeramike’’ gjason me një organizëm të gjallë që ligjëron rrjedhshëm me vibrime thellësie, me ngjyrime të freskëta e begati mitologjike, me sinqeritetin e figurshëm të gjuhës se dehur në çastin hyjnor të frymëzimit. Këtë nuk e ke të vështirë ta ndjeshë në ritualin vetmitar të leximit, në dhjetra poezi të librit si p.sh:

Në këtë vend që quhet Greqi

Po të thyesh një degë ulliri

Dikush do të lotojë.

Me çfarë mbjellin, shkruajnë fjalë të urta.

... Në këto brigje

Po të pish një gotë me verë, qetësohet deti

dhe shikon në thellësi grepin e gurtë

në buzët e skorpionit të litografisë...

Po të pishë më shumë

të shoqërojnë të gjithë në këngën tënde.

Apo në një poezi tjetër:

Ju kujtohet balerina

që me këmbët e saj mbështetej në dy kodrina?

Që me renë ngjyrë rozë mbështillte hënën

Dhe e sillte rreth belit?

Janë vargje mahnitëse, si vegime sipërore në avullime onirike. Realiteti i pushtuar nga shpirti thërret joshjen për trishtimin, imazhin për tretjen e mugëtirës. Talenti brenda rrëmbesës së qetësisë bëhet i dukshmëm. Nuk mund të lë këtu pa përmendur edhe fragmente nga lirikat erotike që me shprehi të çlirët në vlim shpalosin rrenësinë e së vërtetës:

Quaje të nxituar, quaje çmenduri

Atë që kërkoj prej teje

Një ditë në sheshin qëndror

Duke të përkëdhelur, duke të puthur

Të të bëj lakuriq

Fustani i hollë

I zhubrosur në këmbët e tua

Të jetë era

Që çliron lëkurën tënde

Thua, mashtrimi mbaroi. Dashuria e vërtetë për gruan e bën të fshehtën publike shëtitëse në realitetin dëshirues edhe pse poeti këtu tradhëton dashnoren (Poezinë) me gruan e tij. Besnikëria e dritës çvoshkë vetveten dhe ne kundrojmë të përhumbur pamje poetike si femra lakuriqe që ndriçojnë errësirën tonë të uritur. Larg falimentimeve pnevmatike poezia e Vasil Klironomit shpjegon vetveten në vijime, ngaqë goja e sotshmërisë përgjason me luftë civile. Poezia vjedh kohë nga terri... Τhua për shpëtimin?!...

ALUSH AVDULI

73 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page