Poezia që recitoi në ceremoninë e përurimit të Presidentit të Amerikës Joe Biden.


Amanda Gorman

Poezia që recitoi në ceremoninë e përurimit

të Presidentit të Amerikës Joe Biden.


Kur zbardh dita ne pyesim vet me vete

ku ta gjejmë dritën në errësirën që nuk po mbaron?

Dhimbja që mbartim

sa një det që duhet kapërcyer.

Kemi përballur oreksin e kafshës

kemi mësuar se qetësia nuk është ngahera paqe,

rregullat dhe idetë ashtu siç janë

nuk janë gjithnjë të drejta.

Megjithatë, para se ta dinim

i yni është agimi.

Disi ne e bëmë.

E kemi përballur disi dhe kemi dëshmuar

se një komb nuk është thyer,

por thjesht është i papërfunduar.

Ne jemi pasardhësit e një vendi

ku një vajzë lëkurëzezë

prejardhur prej skllevërish dhe rritur

vetëm nga nëna

mund të ëndërrojë të bëhet presidente

dhe e gjen veten tek i thotë gjërat një për një.

E megjithatë jemi larg nga thjeshtësia

e ardhme shkëlqimtare.

Por kjo nuk do të thotë se po përpiqemi

të formojmë një bashkim që është i përsosur.

Ne po përpiqemi të formojmë një bashkim me qëllim,

ne do të formojmë një vend kushtuar

të gjitha kulturave, ngjyrave, karaktereve

dhe kushteve të njeriut.

Dhe kështu hedhim vështrimet

jo tek ato që qëndrojnë midis nesh

por tek ato që qëndrojnë para nesh.

Ne i mbyllim ndasitë sepse

dimë të vemë të parën të ardhmen tonë,

ne duhet së pari të lëmë mënjanë dallimet.

Ulim duart poshtë dhe takojmë krahët

me njëri tjetrin.

Nuk duam t’i bëjmë keq askujt

kërkojmë harmoni për të gjithë.

Lëreni rruzullin e tokës ta thotë

këtë që është e vërtetë,

se ndonëse u brengosëm ne ia dolëm,

madje u lënduam, por shpresuam

se ndonëse u lodhëm, u përpoqëm,

se ne jemi përgjithmonë të lidhur

së bashku, fitimtarë.

Jo sepse kurrë më nuk do ta njohim humbjen,

por se kurrë nuk do mbjellim përçarje.

Shkrimet e Shenjta na thonë të këqyrim

që gjithkush të ulet nën pjergullën e tij

dhe nën drurin e fikut të tij

dhe askush nuk do t’i frikësojë.

Në se ne do të jetojmë kohën tonë

atëherë ngadhnjimi nuk do të mbahet në një fije.

Por në të gjitha urat që kemi ndërtuar

ky është premtim për t’u gëzuar.

Ne do e ngjitim kodrën

vetëm po të guxojmë.

Sepse të jesh amerikan është

më shumë se një krenari që trashëgojmë,

është e kaluara në të cilën çapitemi

dhe se si e rregullojmë.

Kemi parë një forcë që donte

ta thërmonte kombin tonë

më saktë ta përçante.

Të mundnin të shkatërronin kombin tonë

do të thotë të vononin demokracinë.

Dhe kjo përçapje për pak u arrit.

Po ndërsa demokracia mund

të shtyhet herëpashere

ajo kurrë nuk mund të dështojë përngaherë.

Ne besojmë në këtë të vërtetë, në këtë fe.

Përderisa i mbajmë sytë tek e ardhmja,

historia i mban sytë mbi ne.

Kjo është epoka e shpërblesës së drejtë

ne u trembëm në fillimin e saj.

Nuk qemë të përgatitur për të qenë

pasuesit e saj

të një ore kaq të tmerrshme,

por brenda saj ne gjetëm forcën

të krijonim një fillim të ri.

T’i jepnim shpresë dhe gëzim vetvetes.

Kështu ndërsa një herë pyetëm se si mundëm

ta mposhtnim fatkeqësinë?

Tani pohojmë:

si do të mundtte gjëma të na mposhtte?

E nuk do marshojmë pas atje ku ishim,

por do të ecim përpara që të jemi.

Një vend që është lënduar, por jo i tëri

mirëdashës dhe guximtar

i rreptë dhe i lirë.

Ne nuk do të kthehemi prapa

apo të ndalemi nga kërcënimi

Sepse e dimë ndërveprimin

dhe plogëtinë tonë

që do të jetë trashëgimia e brezit tjetër.

Gabimet tona u bënë barrë për ta

por një gjë është e sigurt

Në se bashkojmë faljen me forcën

dhe fuqinë me të drejtën

Atëherë trashëgimia jonë bëhet dashuria.

A mund të ndryshojmë të drejtën e lindjes së fëmijëve?

Pra, le të lëmë pas një vend më të mirë se sa

ai që na ishte lënë neve.

Çdo frymëmarrje nga gjoksi im i bronztë jehon:

Ne do ta ngremë këtë botë të plagosur

në një vend të mrekullueshëm.

Ne do të ngrihemi nga kodrat

kraharta të perëndimit

dhe do të ngrihemi nga veri-lindja

rrahur prej erërave

ku stërgjyshërit tanë bënë revolucionin.

Ne do të ngrihemi nga qytetet buzë liqenit

të shteteve të perëndimit të mesëm.

Ne do të ngrihemi nga jugu i pjekur nën diell.

Ne do të rindërtojmë, do t’i shtrohemi punës

Dhe do ta përmirësojmë.

Dhe çdo cep të njohur të kombit tonë,

çdo qoshe të quajtur vendi ynë,

populli ynë i ndryshëm dhe i bukur

do të ripërtërihet e zbukurohet.

Kur të vijë dita, ne do të dalim nga hija

të përflakur dhe të patrembur,

një agim i ri po vjen se i dhamë krahë.

Sepse gjithnjë ka dritë vetëm në se

kemi guxim ta shohim.

Vetëm në se jeni aq trima

për të qenë drita.

Në shqip nga: Meri Lalaj

Aanda Groman ka lindur më 07.03.1998, është

Aktiviste për çështjet e shtypjes, feminizmit, racës etj.

Ajo është personi i parë i shpallur: Laureat Kombëtar

i Poetit Rinor..Ka botuar librin : “Kodra që ngjitim”

90 views0 comments

Shkrimet e fundit