Timo Mërkuri
Në një moment e çfletova librin “Heraldikët e borës”te poezia “Kujë e zezë”, titull që më bëri tepër kureshtar ndaj e lexova me vëmëndje të shtuar poezinë;
Thanë se s’do të vajtonin për mua të mitë në hieroret e pikëlluara të kryqëzimit dhe nuk do të çirrnin gratë mollëzat e fishkura të idolatrisë nga muret mbrojtëse. Po, ç’mund të bëjnë më parë prapa mureve gratë?Të vajtojnë trupat e bijve apo t’i çojnë të savanosur krahëve t’i blatojnë mbi turrat e zjarrit, t’u mbledhin hirin? E di, thashë me vete, nëse nuk do të qajë për mua Priami, mbase do të vajtojë frëngjive mbi muret për mua Hekuba. A e dini ç’do të thotë të mos të të qajnë të tutë? A e dini ç’do të thotë të të qajnë të huajt? (f.461)
Qysh në krye duket që motivi është marrë nga Iliada e Homerit, pikërisht në momentin kur Priami ka hyrë te çadra e Akilit dhe i kërkon trupin e Hektorit për ta varrosur me nderimet që i takojnë si bir i tij, princ e kryekomandant i Trojës. Debati mes tyre është i njohur, madje është i njohur edhe vajtimi i Akilit mbi trupin e Hektorit, para se t’ja japë Priamit. Poezia është vajtimi onirik i Hektorit të vrarë, i cili, mqse trupin e tij e ka Akili dhe “trembet” mos nuk ja dorzon të atit, do mbetet pa u vajtuar nga gratë e Trojës,nga i ati Priami ose e ëma, Hekuba: “A e dini ç’do të thotë të mos të të qajnë të tutë”? dhe i tronditur kur dëgjon që Akili po vajton mbi trupin e tij vajton dhe ai: “A e dini ç’do të thotë të të qajnë të huajt”? Nuk e di pse kjo poezi më kujtoi disa raste emigrantësh shqiptarë që, në vendin e huaj ku kanë emigruar kanë gjetur mbështetje dhe ndihmë nga vendasit (të huajt) dhe janë “luftuar” e penguar nga bashkë atdhetarët e tyre, dhe ata emigrantë. Përtejë kuptimshmërisë së poezisë dhe metaforës së saj, më bëri përshtypje të madhe forma e e paraqitjes si një poezi në prozë dhe kjo ishte një shtysë e fortë për ta lexuar gjithë ciklin “Blatimet e borës” me vëmëndje të madhe. Në poezinë shqipe njihët dhe është lëvruar vargu epik njëmbë-dhjetë rrokësh, vargu i rregullt, vargu i thyer dhe vargu i lirë, madje mu kujtua se në vitet gjashtëdhjetë, poetët e rinj që lëvronin gjerësisht vargun e lirë u ndodhën përballë një “sulmi” të poetëve më të “vjetër”, lëvrues të vargut të rregullt. Akuzat dhe kundërakuzat ishin simetrike të njera tjetrës, por koha e zgjidhi këtë problem në favor të vargut të lirë. Duhet të pranojmë dhe të themi se poezia në prozë pak është e njohur në vendin tonë, kryesisht si teori stili dhe ca më pak e përdorur. Poezia në prozë së pari është lëvruar në poezinë moderne në Francë nga Bodler, Rembo, Valeri. Në fqinjët tanë ky lloj vargu është lëvruar nga Elitis, Empirikos, Engolopulos dhe ndonjë tjetër. Interesant është fakti se në poezinë shqipe poezinë në prozë e ka lëvruar Martin Camaj, por në Shqipëri shumë pak është e njohur ky fakt. Një numër i vogël poetësh shqiptarë, emigrantë në Greqi kanë eksperimentuar këtë variant, por më së shumti ata kanë synuar të imitojnë poetët grekë në këtë varg se sa përdorimi i këtij lloj vargu ishte një nevojë e brendëshme e shprehjes poetike. Pikërisht te tentativa për imitim duhet kërkuar mos suksesi i tyre në poezinë në prozë. Është rast që meriton një vëmëndje dhe studim të veçantë suksesi dhe origjinaliteti i Niko Kacalidhës në poezinë në propzë, e cila është përdorur kryesisht te cikli i pabotuar më parë“Blatimet e borës” dhe disa pak poezi ndodhen në librat e mëparshëm të botuar, që përfshihen në këtë përmbledhje. Poezia në prozë e Niko Kacalidhës, dallohet mbi letren e bardhë për një strukturë morfologjike të veçantë në formë proze të dendur, me një rrëfim mjeshtërisht të fshehur midis reshtave që zëvendësojnë vargjet, nëpërmjet një figuracioni të shkallëzuar dhe ritmit të brendshëm rigoroz të poezisë. Vargu këtu duke dhe quhet fjali e zgjeruar, sikur rëfehet diçka me një frymë të tensionuar për të aritur në destinacionin përfundimtar, pa ndalesë, duke shoqëruar ndjenjën dhe meditimin, duke e marrë me mend ku duhen shenjat e pikësimit, ku duhet mbajtur fryma, si duhet vazhduar më tej leximi, duke u bërë lexuesi pjesë e poezisë dhe krijues i saj. Kjo poezi ka një ritëm të brenshëm, por ky ritëm ka lidhje me frymëzimin e heroit lirik, si rrjedhojë e vlagës krijuese në lidhje me objektin që e frymëzon, ndryshe nga rëfimi klasik i prozës së zakonshme. Le të shohim këtë te poezia: “Sytë e Homerit”
Mijëra herë u kam thënë qëkurse ka rënë Troja: se sytë m’i dogjën zjarret afruar pranë mureve, ndonëse unë isha ake e mbaja anën e trojanëve. Ky ka qenë zakoni i perëndive në bërjen e botës mua më lanë pa sy, me një sy ciklopin e tërbuar. Po unë kam në irid të njërit sy diellin përbrenda një monokël që ua kam fshehur ditën perëndive edhe në iridin tjetër kam hënën natën, o të uruar Unë përgënjeshtroj variantin tuaj se jam i verbuar. Ditën kam diellin, natën hënën, aed i kompletuar. (f.446)
Kemi thënë dhe më parë se Niko Kacalidha i jep një rëndësi të veçantë fjalës në poezinë e tij, por në rastin e poezisë në prozë kjo vëmëndje dhe rëndësi arin deri në skrupulozitet në përzgjedhjen e fjalës, e cila siç kemi thënë është baza e poezisë së tij. Fjala merret si një pasuri gjuhësore në themel të motivit dhe përdoret si prej një ustai të përpiktë për të ngritur godinën e tij estetike të poezisë, dhe në bazë të motivit fjala herë ka nuanca vrazhdësie, herë brishtësie. Po ta lexosh me vemendje, ritmi dhe fjala, si dy elemente të formës, të çojnë në qëllimin final, ku përfundon organizimi dhe sistemimi i kësaj forme. Është si një përrua që fillon me një prolog befasues dhe duke rjedhur të çon në një epilog te delta e lumit, me rrokjet, me gurgullimat e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve, me përsëritjet, aliteracionet, me tonet e brendshme të muzikalitetit, që e bën lexuesin jo vetëm subjekt për ta shijuar, por edhe për tu thelluar si kureshtar dhe për të gjetur gjurmat e fshehta të laboratorit krijues të poetit qëndistar për të parë me shqisat e tij, lojën e harmonisë së poezisë: ‘si e shtjellon poeti atë që do të thotë’. Një mori elementesh të tilla stilistike, si organizimi dhe strukturimi, do të thoshja me përpikmëri gjeometrike, optike, shqisore, sintaksore, ritmike, janë mjetet origjinale të kësaj forme poetike të Niko Kacalidhës që shënojnë pa frikë dhe një kuotë të lartë në poezinë moderne shqipe. Poezia në prozë e Niko Kacalidhës, edhe në formën tipografike vizuale të kujton fragmente tekstesh biblike që të çojnë drejt një enigme, si ato të Ungjillit që kërkon të zhbirosh me durim dhe kuriozitet për të zbuluar brendinë. Surealizmi i Niko Kacalidhës këtu është një shartesë e poezisë me prozën, nga del një vlerë e re, ku merret diçka nga brendia që kërkon proza dhe nga ritmi i veçantë që kërkon poezia, pa rënë në hermetizëm. Le të shohim te poezia : «Netët e Noes”
Barka lundronte mbi ujërat e turbulluara, të ngjizura me rrebeshe e bubullima ditënetëve të pafundme dhe Noe me duart drejt qiejve, lutej t’i vinte fundi kataklizmës. Por në dhomat e tyre speciale, deheshin protoplastët orgjive, dhe Zoti i pezmatosur afrohej me ndrojtje herë majë gishtërinjve, herë shputave prapa çdo dritareje, tërhiqte perden me një degë ulliri dhe brenda orgji, orgji, orgji. Dhe kërkonte Noen, t’i shkulte veshin për përzgjedhjet e gabuara të çifteve mes orgjive. (f.462)
Poezia e Niko Kacalidhës është një poezi surealiste metaforike tepër e tejdukshme, kristalore, si ujrat e lumit të pastër , ku mund të shikosh nga sipërfaqja fundin e tyre, poezia e Niko Kacalidhës nuk është poezi e errët surealiste, abstrakte e subkoshiencës, por është poezi transparente e koshencës, që drejton gjithë elementët e sistemit të formës, poezi me një kompozicion dhe strukturë të studjuar mirë, një arkitekturë e milimetruar, ku rallë gjen çarje e difekte stilistike në këtë tempull të fjalës.
Lojrat e dimrit
E zhveshi plepin vjeshta për t’ia çuar dimrit lakuriq në shtratin e verdhësirës apo u zhvesh vetë e flaku fletët, kjo është dilemë tjetër. Vetëm një gjë mbase nuk dinte vjeshta. Dimri nuk e donte plepin lakuriq se prishte estetikën endërrtare të vegimit. Dimri e donte ta shijonte vetë çastin solemn të zhveshjes dimërore.Prandaj e riveshi me të bardha, e mbuloi me brymë, e mbështolli me dëborë, shijoi bukurinë, ngadalë-ngadalë ia hoqi vetë kombinezonin e dëborës. (f.440)
Poezia në prozë e Niko Kacalidhës do të thoshja është poezi e syrit, e shskruar për një lexues elitar që kërkon vëmendje, rilexim të saj dhe jo lexim të përciptë, paçka se e shijon që në leximin e parë. Kjo e çon lexuesin atje ku e drejton poeti dhe jo ku dëshiron lexuesi i paraprirë me shije shablloniste. E gjithë kjo lojë estetike me pasurinë e fjales poetike, qoftë dhe të absorbimit natyrshëm të fjalëve të huaja, apo përsëritjen e disa tingujve nëpërmjet shkronjave të veçanta për poetikën shqipe si rr-gr-dr, br, sjell një nivel substancial të një modeli për admirim që tregon se si mund të realizohet mrekullisht lidhja e formës me përmbajtjen. Niko Kacalidha ka aritur vërtet në nivelet më të larta europiane në formën e paraqitjes dhe përmbajtjen metaforike të poezisë së tij moderne dhe nuk jemi nxituar kur kemi thënë se poezia e Niko Kacalidhës është është një shkollë moderne e poezisë. Prania e kësaj poezie në mjediset letrare europiane, vlerësimi dhe suksesi i saj aty, na bën krenarë dhe ne lexuesve të tij.
Sarandë, më Nëntor 2022- shkurt 2023
Comments