top of page

POEZIA E LLAMBIT


Dr. Bardhyl Maliqi


POEZIA E LLAMBIT SI NJË KURORË DIAMANTEH


Për poetët e vërtetë poezia është shpirt, ajo shkëlqen prej brendësisë dhe dritësimit të natyrshëm të vlerave, ndaj me të drejtë Llambi e titullon një prej librave të tij “Diamante të thyera”. Llambi e ka pasur gjithmonë dritën në emër, qysh ditën e pagëzimit edhe në pasmort, edhe në ditët tona.

Ai e shkroi poezinë kur ishte i ri, por e botoi në moshën e pjekurisë, atëherë kur mbarojnë punët kryesore burrat, pasi krijojnë familje, lindin, rritin dhe shkollojnë fëmijët. Jo se për botimin s’u ka shkuar ndërmend, por gjithmonë ka një kohë të dytë, që njeriu të bëjë bilancet edhe për jetën, por edhe për artin e vet. Përgëzimet e rastit për poezitë e tij të arrira ai i ka marrë shpejt dhe jo nga kushdo, por nga personalitete të kulturës sonë kombëtare. Ja çfarë i shkruan Kadareja atij më 36 janar 1075:

“E lexova me kujdes tufën e vjershave tuaja dhe m’ u krijua përshtypja se i keni të gjitha mundësitë që ta filloni mbarë udhën poetike. Ju shkruani thjesht, ngrohtë dhe qartë; nuk përdorni fjalë pompoze dhe figura të kërkuara dhe nuk keni asnjë shenjë të mbylljes në guackën poetike.” Megjithatë ai nuk u nxitua të botonte, Libri i tij doli 20 vjet më vonë, më 1995.

Llambi është poet i lindur në bregdet. Si pararojë e Shën_Vasilit të madh, Hundecova e tij e vogël, e kundronte detin ditë e natë, asaj i llamburisnin valët edhe në emrin e poetit, edhe në arëzat e vogla ku rritej bereqeti, edhe në zilet dhe këmborët e bagëtive të imta. Llambit dallgët i mërmërinin fjalë të pathëna, me rërën nëpër duar dhe dritën e yjeve që bashkë me natën merrnin shtigjet e arratisë, ndaj poezia e tij vinte si nimfë e bukur. Dhe ai ngutet të hedhë vargjet në letër, se ato nxitojnë të shkojnë me bishtalecat e shkumës së dallgëve dhe erës, që rimbush dejet e qiellit mes ngjyrash dhe stuhish. Atë e përshëndesin nga deti lulealgat, si të rëna nga duart e nimfave të bukura, nën kostumin e kuqërremtë të muzgjeve të mbrëmjes.

Më tej Lukova ngjan si një nuse e re e dalë prej detit. dhe njëherësh “Lukova një portokalle e ndaluar për detin", fshehur në abazhurin e kuqërremtë të horizontit, e zhveshur nga avujt e vesës, dashuruar përjetësisht me diellin.” Në kështjellat e vogla të rërës fshihen vështrimet që sjellin verbimin e zemrës. ndaj shpesh poeti u thotë miqve të mos e kërkojnë gjetiu, veç në një tatuazh ëndrrash. Ndaj deti shpesh na duket i pambarimtë, plot gulçe e dallgë, me qiellin e zhveshur nga pemët e reve, ku brofin pëllumbat dhe stërkalat vijnë në sytë e vajzës veshur me blu dhe ndizet zjarri i shpirtit të poetit që i do dritaret e hapura në çdo stinë. Vajzat janë bërë për t’u puthur thotë poeti, ndaj mbajeni në kraharor pëllumbin e shkruar, që ai të rendë pas pëllumbeshave në hapësirat blu.

Vajzat edhe kur janë si mbesa e vogël, Arlinda, janë lojcake nga natyra, të etura për të qenë të bukura, ndaj u ngjajnë mëmave, por si pëllumbesha fluturojnë më lart dhe më shpejt se ato. luajnë me hënën, diellin, yjet dhe portokallet, u ngjajnë drenushave dhe pëllumbeshave dhe kjo është fare pak, ato synojnë më shumë se kaq. Ato duan që të thyej brirët degë argjëntë dreri që rend pas tyre, kështu ato ndjejnë se djemtë i duan vërtet. Them djemtë, duke filluar nga djali që e quajnë baba, apo vëlla, që me vajzën bijë apo motër i lidh gjaku, natyrshmëria e marrëdhënieve familjare. Këtu përfshihen edhe djemtë, shokë shkolle apo pune, me të cilët krijojnë lidhje shpirtërore të natyrshme dhe ndodh edhe të dashurohen dhe martohen me ta.


Mbi vajzat e dashuruara bien petalet e bajameve të porsaçelura, të trazuara prej erës ndjenjësore. Nuk ka rëndësi nëse vajza është e bardhë apo cigane, me flokë të drejta apo kaçurrela, ajo gjithsesi në sytë e dashurisë është veçanërisht e bukur. “Ndaj dridhet flaka nën yje, puthja mbushur dridhërimë, sy më sy u zhduk një hije, në një zjarr me psherëtimë.” shkruan me emocionin e bukur e ndjenjën solemne poeti.

Kjo natyrshmëri lidhe së pari me atdheun, me dashurinë e vërtetë amtare, me gjërat e bukura, që ka ndjesia atdhetare, ndaj poeti thotë me të drejtë për të: “O zogu im , me plagë në trup, që rrjedh e rrjedh, gjak pa pushim e më thërret gjer në zgjim. Shqipëri!” Kjo është arsyeja pse edhe në poezi edhe libra të tjerë autori shkruan se jeta për njeriun është përrallë apo mistifikim dhe vdekja një ëndërr…ndoshta e brishtë, por edhe e bukur! Jeta dhe vdekja rrinë në buzë të njëra-tjetrës.

Dhe gjithkund, në Beratin ku Llambi punoi si veteriner i mesëm, duket sikur madhështia e brezave kacavirret në shkëmb, ndoshta për të lënë pas një trashëgimi të pavdekshme, bukën e pastër e të ndershme dhe vilat e rrushit të pjekur, Kjo e bën atë që të derdhë verën e kuqe të shpirtit, në lumin e mesditës së shenjtë. Ndaj sonte lahen yjet e pafund dhe horizonti ngjyrë karafili. Prandaj duket se edhe gugatjet e pëllumbave rendin në statujat e pagdhendura të gurëve. Çuditërisht, edhe unë kur kam shkuar në Berat një ndjesi të tillë kam provur.

Llambi së pari respekton poetët, si poeten italiane Maria Kolumbari dhe Agim Maton që bisedon dhe e përkthen atë. Jemi në të njëjtën tavolinë, të një lokali të thjeshtë, që e zbukuron fryma e poezisë, lirizmi dhe ngrohtësia shpirtërore e saj. Kështu, tejet njerëzor dhe të komunikueshëm e kam njohur edhe unë Llambin, kjo ndjesi na bëri miq, ai po përgatiste librin e një gjimnazistje të Sarandës për botim, ndërsa unë e konsultoja dhe e përgatisja vajzën për konkurrimet për letërsi dhe gazetari. E kemi festuar të gjithë, familja bashkë me ne, fitoren e vajzës në të gjitha konkurrimet si dhe botimin e librit të saj të parë me poezi.

Llambi nuk na konsideronte miq vetëm ne poetëve të Sarandës, por edhe poetët e Ballkanit, pavarësisht vendit ku jetonin apo shkruanin poezinë e tyre prestigjioze. Ai përmend në vargjet e tij Soreskun, Elitisin, Kërlezhën, Pelinin dhe Tahsin Saraçin. Ai shkruan se ne poetët jemi njëlloj nën këtë qiell përtëritje, nën këtë qiell që shpesh e kanë përshkuar re të zeza. por të gjithë aspirojmë për liri dhe paqe! Në muzeun e luftës italo-greke të vitit 1940, në-letrat e të dashuruarve dhe në letrat e zverdhura të ushtarëve, si nëpër ëndrra, në kopshtet e fatit shfaqen buzët e pa puthura, në errësirën e luftës. Ku është jeta e ku fillon liria? - pyet poeti. E pra, të gjitha kanë një përmbajtje. Aktin e kthimit në paqe! Diku gjetkë poeti ndihet i lumtur në klimën poetike, ndaj shkruan: “Tërfili mbi gjethe mban sumbulla të kaltra, si për t'i thithur vetëtimat e stërgjata të prillit. Jam me Erëza Paundin, Gijon Apolinerin dhe Uollt Uitmanin i lumtur në këtë ditë, ku humbëtira është bërë e bukur.”

Poeti na mëson se është më keq të mbulosh fytyrën e të zbulosh këmbët apo të kapin si shpend për të të zënë zërin, të të presin krahët të mos ngrihesh më në qiell, të të presin këmbët të mos ecësh më në rrugë. Pse pak poetë e pësuan kështu në regjimet totalitare? Dhe kjo ndodh kur vriten buzëqeshjet edhe në gjumë, kur përgjohen ëndrrat si në “Pallatin e ëndrrave”, romanin e famshëm të Kadaresë dhe në realitetin e Shqipërisë. Pse nuk u përgjua ëndrra e babit të një poeti për t’u dënuar me burg për agjitacion e propagandë, pikërisht në qytetin tonë jugor, në Sarandë?!

Cenzurës nuk i shpëtonte askush. Ajo iu priste krahët zogjve, që ta ëndërronin, por mos ta preknin dot fluturimin. Por edhe kur ndodhte që e preknin, ju prisnin këmbët dhe i çonin në pjatancë të pjekur në hell për diktatorin. Dhe kjo jo vetëm tek ne, por në të gjithë Lindjen. Në të gjitha manifestimet u unë kam shkuar në të gjitha vendet ballkanike kam pyetur dhe kam marrë po këtë përgjigje ”të piqnin në hell të gjallë”. As të dashurën nuk guxoje të shihje në ëndrra. Çdo lloj kënaqësie cenzurohej.

Llambi është mjeshtër i njohjes. jo vetëm të njerëzve, por edhe i njohjes së vendeve, legjendave, historive reale dhe të jetuara, hapësirave të vëzhguara me sy të lirë, apo të përfytyruara. E pra, nëse do të merrja si argument poezitë për qytetin e Beratit bindesh fare mirë për këtë. “Mangalemi”. Një zog mbi rrugët e ngushta dhe dy sy që shuajnë mallin e detit, borzilokët në njëmijë dritare si mbi njëmijë këngë, më të lashta se të antikitetit. E bardha si një kërcimtare pikuar nga loti i diellit. Dhe Berati lind fëmijët e pranverës si në vjershat e Robert Bërnsit. Ndodh që kur lindin vajza dhe djemtë bien në sevda me to, mbase iu duhet të presin mbi njëzetë vjet si në vjershën për Kristanthin.

Protagonistë në poezinë e Llambit bëhen njerëzit e thjeshtë të popullit. Po të lexoni poezinë për Aleks Hundecovitin, bini edhe ju në një mendje me mua. Djem fukarenjsh, por të lindur si listat dhe të qëndrueshëm si ata. Por kur duhet t’i japin dermën dushmanit bëhen mjeshtra të nagantit dhe ta numërojnë në lule të ballit. Mund të ndodhë që ndonjë të qesëndiset ndanë kazanit me raki si në poezinë e Kapo Rrusht Kapedanit. Vajzat trimave ju qëndrojnë besnike, kur lidhen me ta, edhe kur ata i tret kurbeti apo kur barkat e tyre i përpin deti me dallgë. por ndodh që ata kthehen edhe pas pritjeve të gjata, kur zjarri në gji është bërë prush.

Një temë e qenësishme në poezinë e Llambit është tema e emigrimit, malli dhe dhimbja, e qeshura dhe loti, kënaqësia dhe brejtjet e saj. Ishin ditët kur u shkulën telat me gjemba, kur brezat e butë u bënë të fortë se në to shkuan këmbët e shumë refugjatëve. Llambi e përshkruan atë siç e njohëm ne shqiptarët në vitet e para pas nëntëdhjetës, kur na vrisnin në kufij, kur na rrihnin dhe na masakronin, por ne nuk jepeshim, por rendim pas ëndrrës. Ndodhi që ata që i kapën brigjet, shuan kureshtjet, emocionet dhe drithmat seksuale në bordelet e njohura të qyteteve evropiane. Dhe pas kësaj puna prej skllavi, viktimizimi dhe grabitje e djersës. por kjo është pak, se na grabitën edhe fëmijët për t’i bërë drogmenë, edhe gratë për pastruese e prostituta. Dhe kjo është e dhimbshme!

Llambi si poet i është përkushtuar njeriut, posaçërisht shpirtit, por dhe kulturës së tij endemike. E pra, një nga elementët bazë që e bën kombin komb është gjuha dhe për gjuhën shqipe ka shumë vjersha, të bukura e të përkora, Naimi, Mjeda, Lazgushi, Kadareja e mjaft të tjerë. Ka edhe një poezi dystrofëshe Llambi, po të bukur dhe konkurruese ama! Pse? Sepse kjo poezi ka të veçantat e saj prej diamanti rrëzëllitës, që vjen nga shpirti i bukur e i dhimbsur i poetit. sepse kjo gjuhë e shenjtëruar, ky mall shpirtëror, kur je në mërgim, që të mban zgjuar qenien tënde si shqiptar, buçimën e lumenjve dhe të dallgëve të detit, lisat plot me degë dhe lulet dritë prilli, aromën e dheut të porsa pluguar, të gështenjës dhe tërfilit. E pra s’kanë pse të ndihen jetimë emigrantët tanë nëpër botë. Ata e kanë një atdhe, që i mirëpret, një këngë zogjsh që ka mall për ta, një gjuhë që tingëllon bukur, një gjuhë parake evropiane, që ka më tepër tinguj dhe fonema se gjuhët e tjera. Fatkeqësisht ka dhe gjuhë-shprishur, se pyll pa derra s’ka!

Gjithmonë më ka intriguar ideja e gjuhës njerëzore, mijëra artikulimeve të saj jo brenda llojit, si gjuhë, por ekuivalencat e saj në botën tonë shqisore, por dhe brenda nesh në shtresëzimet e kujtimeve apo të ndjesive tona të hershme. Po ta lexoni me kujdes poezinë “Kthimi”, do të bindeni se edhe ju vet në nënvetëdijen tuaj, pavarësisht profesionit parësor, e keni një qasje ndaj saj. Njeriu e ndez një qiri për të parë rrugën e varrezave, ku prehen prindërit, rrugën e lartësive blu ku ai rend që nga fëmijëria e vet, por edhe dëshirën për të ndriçuar çatinë e përhime të botës. Kjo është arsyeja pse “Pranë ky njeri ka të ndezur një qiri, për të ndriçuar çatinë e përhime të jetës, të nxirë nga bloza e viteve dhe lodhja, për pak dritë, për pak lumturi, fytyra e tij një uri që pret të shuhet, pas tridhjetë vjetësh zije dhe internimi.” Dhe mos harroni se ne jemi ata që ecim në udhën e shiut dhe adhurojmë diellin...

Por një gjë ta dini, ne sërish ,mbetemi bij të pragjeve tona të vjetra. Ditët shkojnë, rnuajt dhe viti, gjethet bien. çelin stinën tjetër dhe ndodh të shkojmë në emigrim apo si Haxhi në Mekë, porse kthehemi sërish këtu tek ky prag i vjetër. Dhe një ëndërr nis na zgjohet prapë, ndaj rendin fluturim të lajmërojnë zogjtë njëri-tjetrin: - Ç' bën këtu ti i pa fat, Ajo iku, nuk të kish të vetin. Faqe dritëza erdh’ këtu sa net, derdhte puthje vere e ëmbëlsi, gjoksi i saj një rubin i qelqtë, si lëndinë e mbjellë dashuri. Por ti nuk e dijr se një ditë pa pritur, ajo e pabesa, pa fjalë e pa zhurmë do largohej.... Gjurma, lulen çeli te qerpiku Sa dhe dega dridhet e trishtohet...

Mendojmë shpesh se çfarë do të thotë të jetosh? Mbase të rezistosh, të grisësh të vetmen këmishë, të gërvishësh gjithë trupin mes telash. të gdhihesh si grua e mjerë, që ke harruar delikatesën, të presësh në bregun e muzgut, si unë anija jote e zhgërryer, me pasaportën, fytyrën e imtë të ngjitur në errësirë në ato pak orë në dhomën e takimit si të mbahej një premtim i vjetër, që nuk lulëzoi në këtë burg me ironinë e emrit Përparim? Besoj se e dini se ShënVasili i pardjeshëm dhe i sotëm dje ishte ri pagëzuar, por ç’e do se ky emër nuk i ngjiti. U popullua edhe me të internuar, u hapën shkolla, si fasada e dritës që ndriçon errësirën, por qenë pa themel, dhe me të ardhur demokracia u shpopulluan plotësisht dhe sot, ka vetëm një shkollë fillore dhe një mësuese fillikate.. Të vjen të qash, more miku im!

70 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page