top of page

Poezia e dhimbjes njerëzore në pesë libra të Demir Rusit


Katër librat me poezi të Demir Rusit: "Ura e fjalës”; "Mos ik të lutem”; "Anja"; "Mos perëndo o dielli im” dhe libri me tregime e rrëfime "Djali që bleu vdekjen” janë promovuar bujshëm dhe mirëpritur nga lexuesi




Halil RAMA – Mjeshtër i Madh


Artistja e Popullit Margarita Xhepa, Presidente Nderi e Shoqatës Kulturore “Jehona Shqiptare” i jep çmimin e parë për poezinë “Sa shpejt ikin vitet”



Nga libri i parë “Djali që bleu vdekjen”, tek i dyti “Ura e fjalës”, si dhe në tre vëllime me poezi të botuara në harkun kohor të dhjetë viteve të fundit, poeti e publicisti Demir Rusi, identifikohet si poeti i dhimbjes njerëzore



Nëse në librin e parë me titullin sinjifikativ “Djali që bleu vdekjen”, sipas recensentit Namik Selmani, “Mbetet në gjithë sipërfaqen shkronjore dhimbja, mbetet drama, mbeten viktimat dhe fajtorët e një tragjedie që quhet kurbet i paligjshëm. Mbetet emocioni i rrëfimit…”, në vëllimet me poezi "Ura e fjalës”; "Mos ik të lutem”; "Anja"; "Mos perëndo o dielli im” është trashëgimia e bukur që mund të gjesh në gjuhën shqipe”. Duke lexuar poezitë e këtyre vçllimeve nuk është e vështirë të konstatosh krijimtarinë produktive e cilësore të këtij autori, duke evidentuar kulturën e lartë gjuhësore, në ditaret, përshkrimet e poezitë e tij. Profilin e tij të e veçantë krijues D.Rusi e shpërfaq sidomos në poezitë që përçojnë plagët e rënda sociale që perjeton shoqëria e sotme.

Kështu nëse kriza globale e shkaktuar pas agresionit rus në Ukrainë reflektohet në vargjet e tij: “Kriza tek ne, për fajin tonë/ Mirë ta ndreqim sa nuk është vonë/Kriza për naftën s'mund të besohet/Nëntoka jonë me naftë mbulohet...”, kur vjen puna tek shkaktari i saj, vargjet e tij kanë nota të theksuara revolte: Si nuk i mbaruam hallet njerzimit/ Mangut kishim dhe këto të Putinit/ Fashist i ndyrë, xhelat i pashpirt/Vret e pret dhe gratë e fëmijët”.

Po ashtu pas vëzhgimit e investigimit të realitetit të trishtë, të krijuar nga veprimtaria e krimit të organizuar, fjala poetike e D.Rusit është alarmuese: “Paksa te SPAK-u njerzit shpresojnë/ Po të vakët duken e spo veprojnë/Ata që ishin, po ato janë/ Veç po shtyjnë kohçn e gja s’po bajnë..”

Vargje revolte krijon poeti edhe në poezinë “Mëkatarin, mëkati ndjek”: “ Dëgjuar e kam e s’e mbaj mend/ Madje dhe lexuar në ndonjë vend/ "Shemben malet ngritën halet"/ Ndaj e keqja nuk po ndalet.../ Se nga vijnë këto të këqija/Topi mbetet tek qeveria/Bëhen zgjedhje ndërron partia/ Hiqen të aftët vjen hajnia!!!”

Poezia e Demir Rusit është poezi që recitohet, madje që interpretohet me ndjenjë, siç e ka inpertretuar atë Artistja e Popullit dhe Nderi i Kombit Margarita Xhepa në promovimin e librave të tij. Nga katër vëllimet e tij të promovuara njëherazi mund të përzgjedhësh si të tilla poezitë e titulluara: “Shteti vret”, “ Se ke hall askush s’ta var”, “Paraja dihet se të ngroh xhepin”; “ Helmi”; Pse bën keq o njeri”; “Mos luaj me punën” ; Karrikja ime”; “Skizofrenia” e “Vitet nëpër libra”. Madje nuk qe rastësi që në takimin jubilar të 15-vjetorit të krijimti të Shoqatës Kulturore “Jehona Shqiptare”, poeti Demir Rusi të nderohej me çmimin e parë të Konkursit ndërkombëtar të shpallur nga kjo shoqatë për poezinë më të mirë, ku si e tillë u vlerësua poezia e D.Rusit “Sa shpejt ikin vitet”, çmim që iu dorëzua nga Presidentja e Nderit e kësaj Shoqate, ikona e teatrit e kinematografise Margarita Xhepa – Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit.

Nëse lexon poezinë e autorit Demir Rusit nuk ke nevojë të vërtitesh rreth qëllimit për të cilin shkruan autori. Poezia e tij e nxjerr prej dhimbjes njerëzore është si mushti.

Por nga libri "Mos Perendo o Dielli im" mund të veçojmë edhe poezinë me titull: “Epitaf për vehten”, kur poeti shprehet në vargje se “nuk do t’ia shkruajnë të tjerët epitafin e pasvdekjes...”

Le të ndalemi së fundi tek libri i tij i parë me tregime e rrëfime “Djali që bleu vdekjen”, një botim produktiv dhe cilësor ku rrëfehet intelektuali që përjetoi strese të fuqishëm shkatërrues, por që nuk u tundua nga grishja për veprime aventurore në fushën e kontrabandës mafioze…. Në këtë libër rrëfehet intelektuali i mirëfilltë që kishte shërbyer me devotshmëri si oficer dhe si publicist ushtarak e si kryeredaktor i gazetës “Minatori”, të cilin koha e gjykoi së mbrapshti, duke e dëbuar nga puna me motive krejt absurde dhe pa asnjë mbështetje, as juridike dhe as logjike. Duke përshkruar si askush tjetër emigranët që i janë lënë rastësisë, të jetojnë ku të mundin e si të mundin, të fituar apo të humbur, të gjallë apo të vdekur, pa një mbrojtje juridike siç e kërkojnë Kartat Ndërkombëtare, D.Rusi shpreh njëherazi dhimbjen për djemtë e mbetur deteve, kufomëprishur, ushqim për peshqit!. Ndjeshmëria e mërgimtarit shprehet qartësisht sidomos në rrëfimin për hollësitë e asaj nate pus të zezë në Grykën e Otrantos. Në librin “Djali që bleu vdekjen”, (si edhe në vëllimin poetik) autori dallohet dhe për gjuhën e pasur në përshkrimin e personazheve dhe sidomos të miqësisë së tij me profesorin e nderuar italian, Xhovani Karbone. Pikërisht kur shpreh admirimin, respektin e mirënjohjen për këtë personalitet të shquar italian, teksa ai e takon me një nga miqtë e tij që kishte shërbyer në Shqipëri gjatë luftës së lavdishme nacionalçlirimtare, evidenton edhe kontributin e partizanëve të batalionit “Antonio Gramshi” dhe veçanërisht heroizmin e Tercilio Kardinalit. Dashuri të pakufishme shpreh autori sidomos për nënat që janë njësoj në gjithë botën, që një emër dhe një zemër kanë. Duke lexuar me vëmendje librin e D.Rusit “Djali që bleu vdekjen”, edhe më pesimisti gjen forca për t’u bërë optimist, pasi përvoja e tij jetësore na mëson se “njeriu duhet të bëhet i fortë dhe t’u bëjë sfidë vështirësive që i dalin përpara; duhet të jetë optimist nëse dëshiron t’i mposhtë pengesat…Edhe kur është keq, njeriu nuk duhet t’i nënshtrohet së keqes….”. Ndërkohë autori është mjaftë bindës në konkluzionin për ekzistencën e të gjitha mundësive që Italia dhe Shqipëria të kthehen në simbole të vërteta miqësie e solidariteti. Kësisoj Demir Rusi prezantohet si vëzhgues i mprehtë i realitetit shqiptar dhe atij italian.



231 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page