top of page

POEZI SHQIPTARE


Nga Bajame hoxha Çeliku

POEZI SHQIPTARE - POESIES ALBANAIS

Namur 8 nëntor 2012

Përkthyesit Vasil Capeqi që duhet falënderuar

Lexues të dashur,

Zanafilla e këtij shkrimi vjen si rezultat i prishjes së kompjuterit tim dhe humbja e të gjitha punëve të mia të të gjitha viteve. Siç thonë: Një e keqe e ka dhe një të mirë mbrapa dhe kjo e mirë nënkupton dhe nisjen e këtij shkrimi, i cili duhej të qe shkruar këtu e 12 vjet përpara.

Kompjuterin e zëvendësova me një të ri dhe duke nisur nga e para që ishte në total bosh, për çudi kishte shpëtuar vetëm një libër i harruar tashmë me poezi të miat e të poetit Faslli Haliti, që unë asaj kohe i kisha përkthyer në frëngjisht. Duke biseduar me një drejtor belg i flas për poezitë e përkthyera e kur ai i lexoi, i pëlqeu shumë. Atëherë më lindi ideja se mund të realizoja një antologji shqip-frëngjisht. Përsëri duke biseduar e afruar poezi të përkthyera nga unë, i thashë përsëri drejtorit:

- Kam menduar që të realizoj një antologji. Ai bëri interesim të mëtejshëm e më tha:

-Një antologji shqip-frëngjisht është gati në përfundim nga përkthyesi Vasil Capeqi.

Nuk u ligështova po menjëherë u lidha me Vasilin dhe që nga ajo ditë ku i urova punën e nisur kemi mbetur miq.

Është vërtet krenari! Një antologji me 80 poetë nga te gjitha trevat shqiptare, përkthyer nga Vasil Capeqi, me profesion inxhinier i cili ka dhënë prova të pa tjetërsuara fisnikërie duke çmuar e futur dhe poetët e persekutuar, të burgosur dhe të pushkatuar.

Ju kujtoj se afro 8 vjetësh, me rastin e 100 vjetorit te shpalljes se Pavarësisë, në bashkëpunim me poetin belg Francis Chenot, Vasil Capeqi përktheu dhe botoi antologjinë e poezisë shqipe, te vetmen në llojin e saj. Në këtë antologji u përmblodhën poetë nga të gjitha trevat shqipfolëse në botë, përfshi me shume bujari poetët shqiptarë të Belgjikës. Atëherë e deri më sot, kanë kaluar bajagi vite dhe është për të ardhur keq se, askush nga "shoqata e shkrimtareve shqiptare të Belgjikës", nuk u ndie për ketë antologji me 363 faqe, të paktën të shkruante me mirënjohje dy rreshta të vetëm në shenjë të një urimi e falënderimi. Duke pasur parasysh se: përkthyesi ka bërë një punë shumëvjeçare ku është munduar me shpirt të na vendosë aty ku e kemi edhe ne vendin, në Antologjinë shqip-frëngjisht.

Ne antologjinë për të cilën po ju flas, për herë të parë janë bërë bashkë poetë si Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Visar Zhiti, Ali Podrimja, Faslli Halitin, Ismail Kadare...

Ne këtë antologji Vasili përktheu dhe botoi edhe poezitë e mia, duke i venë ato përbri poeteve që përmenda më lartë. Siç thamë, kanë kaluar afro tetë vjet nga ajo kohë dhe ajo që më ka bërë më shumë përshtypje në rikthim të kujtesës sime, vjen dhe lind edhe një pyetje e heshtur: si është lënë në heshtje një përkthim kaq i vyer? Një punë këmbëngulëse shumëvjeçare siç është Antologjia shqip-frëngjisht me 80 poetë të zgjedhur, duhej të kishte tërhequr sadopak vëmendjen e kritikës.

Vasil Çapeqi ka investuar në këtë punim titanik pasionin e tij për poezinë në përgjithësi, njohjet personale të krijimit poetik në gjuhën shqipe dhe aftësitë e tij si përkthyes. Poeti dhe përkthyesi Francis Chenot ka investuar përvojën e tij prej dyzetë vjetësh si poet dhe botues i poezisë, por gjithashtu kuriozitetin dhe admirimin e tij të madh për poezinë shqipe.

Antologjia është konceptuar si një eveniment në kuadrin e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë  28 nëntor 1912-2012. Është në fakt data historike më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Prej nga gjeografia e antologjisë bëhet planetare. Poetët e përfshirë në këtë antologji janë me origjinë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Çamëria, Arbëreshët e Italisë. Një e katërta e poetëve janë nga diaspora : Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Gjermania, Franca, Greqia dhe Belgjika. Ne duhet të jemi krenarë e të falënderojmë me zemër përkthyesin Vasil Capeqi që botoi për herë të parë në Belgjikë një antologji të poetëve nga trevat e të gjithë botës ku prodhohet poezi shqipe.

Përkthyesi është për t’u admiruar se ka punuar gjatë pesë vjetëve pa u ndalur, pa u lodhur e pa asnjë interes. Një punë jo e lehtë por që kërkon njohuri të thellë të gjuhës frënge si dhe këmbëngulje e durim shumëvjeçar.

Tetëdhjetë është numri i poetëve të përfshirë në këtë antologji. Tekstet e më shumë se katërqind autorëve u lexuan dhe u analizuan prej përkthyesit. Aq sa me totalin e përkthimeve të bëra, do të mund të dilnin të paktën dy antologji si kjo. Pesëdhjetetre autorë u kontaktuan direkt ose indirekt, tetëmbëdhjetë kanë vdekur, vetëm nëntë poetë ai nuk mundi t’i kontaktojë.

Poetët e njohur botërisht : 

Migjeni, Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Ismail Kadare, Agim Vinca, Esad Mekuli,  Fatos Arapi, Xhevair Spahiu, Arshi Pipa, Frederik Reshpja, Martin Camaj, Azem Shkreli. Kjo antologji është vepra e të cilëve e ka vendosur poezinë shqipe në nivelet më të larta të literaturës botërore të kohës sonë.    

Rezistentë të vërtetë ndaj çdo lloj diktature.

Kjo që i ngre vlerat më tepër përkthyesit është bashkimi i poetëve të pushkatuar si: Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Trifon Xhagjika, poetët e burgosur : Arshi Pipa, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Flora Brovina, Jamarbër Marko, Maks Velo. Dhe poetët e internuar për 45 vjet, prej regjimeve totalitare të Ballkanit, të cilët përbëjnë praktikisht shumicën absolute. Ne kemi në Belgjikë dy pre tyre: Lek Pervizin dhe Bajame Hoxha- Çeliku.   

Brezi i ri i cili imponohet me dinamizmin e tij, me mjetet moderne të shprehjes artistike, por që ri gjen në gjuhën e tij të amshuar themelet e identitetit të vet.  

Poetët e diasporë së re. Emigracioni shqiptar i këtyre njëzetë viteve të fundit është një fenomen i rrallë në historinë e emigracioneve të të gjitha kohërave. Dhe kjo për numrin e personave të emigruar në raport me popullsinë shqiptare, por edhe për numrin e poetëve që e kanë shoqëruar këtë emigracion. Ata kanë meritën që ushqejnë lidhjet me Atdheun dhe që rilidhin kulturën shqiptare me Perëndimin të cilit ajo i përket. Ata janë kthyer në përkthyes të poezisë në të dyja drejtimet, botues librash dhe organizatorë evenimentesh kulturore në vendet pritës. Mund të citoj Adnan Mehmetin, Elinda Markun dhe Kolec Traboini në Shtetet e Bashkuara, Lindita Arapin dhe Ferdinand Lahollin në Gjermani, Romeo Çollakun në Greqi, Flurans Ilian në Kanada. Në Belgjikë Bajame hoxha-Çeliku e Shqiponja Duro e bëjnë këtë me virtuozitet dhe profesionalizëm.

A nuk është mjerimi më i madh kolektiv i një populli, i vetmi në botë, ku bëhen akoma dy pyetje ekzistenciale: “a do te behet ndonjëherë Shqipëria?” dhe “a do te bëhemi ne shqiptaret njerëz?”

Kësaj pyetje i jep kuptim dhe përgjigje më së miri përkthyesi ynë i nderuar Vasil Capeqi me realizimin dhe kompozimin e kësaj antologjie ku ka përfshirë ide të larta pa dallime politike dhe krahinore por të gjithë shqiptarizmin, të gjithë botën e krijuesve.

Pra, në antologji shfaqen vlerat më të mira, më të larta, më të përsosura dhe që duhet marrë si model i përkryer i së bukurës dhe ideales.

Falënderimet nga përkthyesi Vasil Capeqi

Ne falënderojmë miqtë tanë Eric Brogniet, drejtor i Shtëpisë së Poezisë dhe Gjuhës Frënge të qytetit  Namur, dhe Yves Namur drejtor i Shtëpisë botuese Taillis Pré, të cilët besuan në ndërmarrjen tonë dhe e botuan antologjinë në dy versione : në internet në revistën « Sources » dhe në letër.  

Një falënderim të veçantë personaliteteve të pranishme, kjo na inkurajon që të mos ndalemi me kaq.

Faleminderit të gjithë juve që keni ardhur të shumtë sonte, ne ju urojmë të kaloni një mbrëmje të këndshme në harmoni me shprehjen poetike shqipe.

56 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page