top of page

POEZI SHPIRTI TE NJE EMIGRANTJE


POEZI SHPIRTI TE NJE EMIGRANTJE


O NENOKE!!!


“O nënoke… si mu gdhive?

Mbrëmë u ktheva natën vonë, vonë, shumë vonë e s’të fola,

kisha frykë se gjumi i ëmbël të kish zën e mos të zgjoja

Më djeg malli, shpirti sytë, mi zbrrun me lotë,

vi tek ti me vrap si shqipe, e kur iki…

ohhh, dallandyshe, krahë prerë e zemër copë…


Oh Nënoke, falëm që s’të fola mbrëmë,

kam punuar shumë dhe larg, e u ktheva natën vonë,

Thuam zemër si mu gdhive, e vetmuar në vendlindje?

Bijtë e tu ndër botë janë ndarë,

emigrantë, rrënjë cungur, e ngelur si degët, tharë…

O Nënoke, më beso! Të mendoj e kam merak,

mos kalon natën e dimrit, trup mërdhifur, e jam larg…

Të zgjas dorën, të të ngrej kuvertën qafës,

të t’mbuloj shpinën e lodhur e të krrusur…

të të marr erë e ballit tënd, ti vë buzët për ta puthur!”.


“Ah, more bir, unë nuk flë gjumë,

mbaj merakun e fëmijëve

Në shtrat mbledhur si kërrcuri i djegur shkrrumb,

hedhur sytë nëpër trarët e shtëpisë,

kërkoj emrat e fëmijëve, pika yjesh në ndriçim.

Se kur lindët … të dy bashkë me babën tuaj, të gëzuar

thoshnim;” erdhi prap dhe një fëmijë,

na u shtua dhe një tra të mbaj shtëpinë…

Jo, more bir, nuk më zë gjumi, ma largon një merak tjetër,

mos këtu e mbledhur krruspull,më vjen mysafire,“Vdekja”,

E t’më gjeni, o të qelbur, o të krrymbur,

o të kalbur e të pa prekëshme,

mos t’më hidhni dot’ as dorën,

të më shpini në shtëpinë e përjetëshme…


Bir i nënës! Ditën dal, ulem në prak,

shpinën e mbështes pas murit, pres të vij një rreze dielli,

të më ngroh zemrën kallkan,

flas me vete të vras ndarjen. Unë këtu, rri e vetmuar,

ju larguar, të rropatur e pa vatan”.



DIALOGU I FUNDIT...


Si pemë e thyer, palosur dysh,

fytyrë re nxirë, në dridhërimë,

me duar mbështetur mbi sup të së bijës

nënë mjera fliste me zë këputur, sikur s’kish frymë

sikur i dilte thellë nga një pus,

me shpirt të shuar, në mërmërimë…


“O ime bijë!

Kjo javë u zhduk si në fluturim, si pika e ujit në shkretëtirë,

ndënjëm shumë pak, tani do të ikësh, unë kam uri…

Shpirti s’m’u ngop,

prej dhimbjes së mallit, që s’do më jesh pranë,

bark edhe zemër m’u hapën gropë.


Pastaj ndaloi sikur thellë në gji,

një gozhdë e shpoi e i hapi një vrimë,

dhe e përgjëruar, shikonte të bijën.

Një pikë pështymë, me shumë vështirësi,

sikur të ish kockë e kaloj më të poshtë...

e nëpër lotë, me fjalë në grykë, prap bëlbëzoj si me rënkim.


“Nëm gushën, o bijë, të të marr erë,

ta mbaj sa më gjatë në krahëror thellë,

jeta vështirë më ka helmuar, jam pa fuqi dhe e vetmuar

ti në mërgim, ehhhh… nuk e di...

kur të vish prapë, do më gjësh vallë

me frymë, të ngrohtë e akoma me fjalë?”.


Ky qe dialogu i ndarjes së fundit, nënë edhe bijë,

me puthje e mall, helm e ëmbëlsirë…

E që atëhere të mërguarën e mjerë

s’e pret më nëna tek pragu në derë,

s’i thotë më fjalë, s’e përqafon

e gushën për erë, më s’ja kërkon.


Me dhimbje zemre,

mjaftohet me puthjen mbi varrin e ftohtë

të fotografisë me sytë pa shpirt, thëngjij të shuar,

e me larjen e mermerit me lotët si krua.

E zhgënjyer me zbrazësirën e nënës humbur,

kthehet e merr, rrugët e mërgimit, me kokë këputur.



ZEMER E PERGJYSMUAR…


Ulur mbi një gur në breg, me shikim në horizont,

mbushur sytë liqen me lotë, me mjekërr, që dridhej fletë

duar lidhur e kryqëzuar përmbi gjoks,

me ca fjalë në ngashrim, qan me zemrën e i thotë:

“Ah, moj zemër e përgjysmuar,

foli e mos i rri ftohtë, gjysmës tjetër, që s’të ndoqi

këtu larg në dhe të huaj…

S’kishte faj, se s’shkulej dot’

kishte rrënjët ngulur thellë, në vitet atje kaluar”.


“Eh, ç’ti them e ç’të më thotë”, rënkon zemra e mbytur lotë,

“Ajo pjesë, atje e ndarë, ngelur tharë, jeton vetëm të kaluarën…

Unë këtu gjysëm e vrarë, rrukullis ditë edhe vite

e do të vdes e përgjysmuar”.


U fry deti dallgë ngjethur e i flet duke gulçuar:

“Ah, moj grua, më dërrmove…

pse s’gjete ndonjë vënd tjetër, pse s’nise një tjetër punë

po vjen e qan, këtu tek unë?

Fjalët e zemrës tënde dysh, mijra metra në thellësi, timen shpojn.

Lotët krua, që s’shterojnë, ujin e krypur ma helmon”.


Si vetë dallgët, ju ngjeth trupi, u rrënqeth e u befasua ajo grua,

por s’iu ndënj. Psherëtin e me fjalë vrarë e amanetin jep ngadalë;

“Oh, moj gjysma e zemrës time, që më ndoqe në mërgime

mos harro pjesëzën tjetër, që ka ngelur atje larg, si jetime …

zgjati duart e të paktën, përqafoje me mendime”.


Forcoj veten, shtrëngoj dhëmbët, lotëve ju ndryshoj udhën,

i gëlltiti më të poshtë e ju thotë;

“Rrini brënda thellë në zemër, se trishtimi i emigrimit,

qarë me lotë edhe detin helmon sot”.




JETE ME ARRNA…


Këtu jam shumë e s’jam askush,

një botë e kotë, që më rrethon,

hapat më lodhen e shpesh ndalojnë,

se rrugët prishen, më bëhen hon.


Harrova vallet, që shumë i doja,

s’këndoj më këngët e anës time

më myket gjuha kur jam përjashta,

se rri e rrudhur, pa fjalën shqipe


Mëngjezet gdhihen sikur është ngrysje,

me qiellin nxirë, pa diell qeshur

mërgimin e shkrret, si fustan grrisur,

dua ta heq, s’e mbaj dot veshur


S’e mbaj dot’ veshur, por çfarë të vesh

atje ku dua, asgjë s’ka ngelur,

zemër e shpirt rrinë me siklet

në jetën, ku jam, me arrna hedhur.



S’KA REHAT…


Ah, ç’dialog, çfarë tronditje atë ditë,

kur nana la Amanetin edhe thotë:

“Në dhe të huaj, s’prehem dot’, kur të ndahem nga kjo jetë

të marrë fund gjithë ky udhëtim,

kurmin, të më rehatohet, ma shpini në vendin tim”.


Ç’tha kjo nënë zemër vuar, ndoshta mirë s’ish menduar

a për vete, egoiste qe treguar?

Se si dallgët e përplasura mbi shkëmb

sentimenti, lidhja bukur, gërshetuar që në rrënjë,

bijë e nënë… çoroditur humbi udhë.

Zemra nanës u trondit, kur pa lotët e të bijës mbi fytyrë

Që i thotë në dridhërimë:

“Oh, moj nënë, s’i jap dot’ udh, amanetit, që më thua.

Po për bijën këtu larg, qe të do pranë, s’ke menduar?

Kur aq shumë do t’më mungosh

edhe malli të më djegë, ku të të gjej?

Të të lëshohem mbi mermer,

sikur të jetë krahrori yt e të të marr erë…

Ku të të gjejë, unë do të jem larg,

kur të më lypset një këshillë, se ti vet më ke thënë,

që asnjë s’këshillon si nëna…


Ku të të gjej të qaj një hall, unë këtu e ti atje, larg?

Lulet, që në këtë jetë,

i do shumë, i kujdes e me to flet,

ku ti gjëj ti freskoj e t’ju shërbej?

Oh, moj nënë!

E kur të vi mbas kohës gjatë, do qaj shumë, gati do plas

kur të shof mbuluar varrë nga gjëmbat e bari i tharë.

Eh, ç’fare goditje!

dhimbja e vajzës ishte për nanën, më e fortë se dhimbja e vet

ju dridh zemra e ju nda në dy pjesë.

Një pjesë zemre, la mënjanë ç’kish dëshiruar

e pranë vajzës duke e puthur, ju afrua

e i thotë: “Hesht, mos qaj, mos rri trishtuar

kur të vijë ora, vendos vetë, bëj ç'të duash”

Pjesa tjetër copë-copë,heshtur i flet vetes:

“Ç’pretendon moj e ngratë?

Ke harruar që veç emrit, që të quajti, nënë e babë,

je pagëzuar dhe me emrin, EMIGRANTE…

Eh, të shkretët dhe mbas vdekjes, dhe në varr, s’gjëjnë rehat”.


89 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page