top of page

Poetja flet për misterin


Poetja flet për misterin


Fatmir Terziu



Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai ishte me Zotin në fillim. Përmes tij u bënë të gjitha gjërat; pa të nuk u bë asgjë që është bërë. Në të ishte jeta dhe ajo jetë ishte drita e mbarë njerëzimit. Drita shkëlqen në errësirë dhe errësira nuk e ka mundur atë. ” (Bibla)



***

Puntorie Muça Ziba, gjithnjë ka një histori për të treguar. E tregon, e zbërthen, e rikthen dhe e bën që Fjala e saj të bëhet poetike, si në prozë. Si në poezi, pra të bëhet Fjala, që erdhi si filozofi e Fillimit. Prej Fillimit i sillet rrotull ftillimit dhe meton për të treguar historinë e e ndodhinë, „misterin“ përmes riformatimit dhe formimit të një mitologjie personale, ose të një ngjashmërie tjetër. Kështu ndodh dhe me stinën e shirave, ku:

„Kipci mërzimadh

nduk flokët në stinën e shirave

zaliset nga bubullima shurdhuese

gëlltit rrufetë,

kur përsëdytet trokitja e llahtarshme.“

Dhe e ndjen lexuesi. E gëlltit dhe mes kësaj ndjen dhe shijen. Sija të përcjell në mister. E në mister udha është e gjatë. Në këtë udhë ka pjesë udhëjeta.

Ndërsa udhëtojmë nëpër jetë, jeta jonë ndryshon. Zhvendosjet tona të identitetit, ndjenja jonë se kush jemi ne si person, kthehet me stinët e ngjarjeve dhe njerëzit që hyjnë në atë jetë. Kjo është impermanenca e vetvetes, të cilën e mëson filozofia, me të cilën në fakt ndikohet edhe tërë poezia, që enkas „nduk flokët në stinën e shirave“ dhe:

„Thonë se

në cep të stinës së shirave

asnjë luftë nuk filloi.“

Kjo referencë na drejton drejt konceptit të Zbrazëtisë. Aty është hapja e mesazhit të gdhendur në Zemrën e hapësirës. Papërmbajtja e zbrazëtisë në këtë hapësirë të ndjeshme na mëson se ndjenja e vetvetes si e përhershme është e rreme, ëshët ikanake, zhdukëse, shpërfillëse, cfilitëse në tërësinë e mendimit. E aty Uni bën rrokadën e vet. Uni, me të cilin identifikohemi në mënyrë aktive, është bosh nga një qëndrueshmëri e tillë. Kjo i referohet kësaj „une të rremë“, si jo – vetja, ose jo – vetja, por rrjedha, shiu, ndodhia, hapësira, sytë, forma e drithërimit, lëngata e hënës, e së fundi zhdukja: „lëngata e tokës ia tret shkëlqimin…“.

Nrenda Njeriut është një ego. Është një ego që kapet pas vetes, që çon në vuajtje, keqperceptime dhe parashikime mashtruese. Është përjetimi i misterit, përjetimi i shiut, rrënies, tretejes, ikjes së tij në thellësi të Tokës.

Kjo është Hyjnore. E kjo ka filozofinë e vet…

Në traditën e krishterë, ekziston një koncept i ngjashëm, kenosis, fjala greke për zbrazëtinë. Kenosis është 'vetë-zbrazur' vetë vullneti i tij për t'u bërë i pranueshëm ndaj hyjnores, për të qenë në unitet dhe bashkim me hyjnoren. Si parajsa, ashtu edhe nirvana janë njësoj kur ne i kuptojmë ato si një rrugë shpirtërore drejt jo-dualitetit, drejt këtij bashkimi me misterin përfundimtar hyjnor, nga e cila lindin të gjitha gjërat.

Duke e lexuar këtë poezi, poetja, tashmë me një emër të vetin në krijimtarinë e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kalon nëpër faza dhe ndjenja të shumëfishta, duke hartuar e bërë mjeshtërisht fjalët e saj së bashku, derisa vetë poezia e mirëkuptueshme, e pëlqyeshme të marrë fundin e saj. Sikurse kuptohet në këtë kontekst, poezia e kësaj poeteje, duket sikur nuk është përfunduar asnjëherë. Është pothuajse gjithmonë e paplotë në një farë kuptimi. Është vazhduese. Është një trptik prozaik me thelbin poetik. Poetja thjesht e ka lënë atë që të besojë se procesi krijues vazhdon brenda njerëzve që mund të lexojnë përpjekjet e tyre të përulura.

Çdo poezi e Puntories në vetvete, fillon në heshtje, në qetësi, në zbrazëti, në një vend të hapur që pret të mbushet, në një faqe të zbrazët, ose si një kujtim edhe më i thellë hyjnor mbase. Dhe ajo shkurt mbetet një pjesëmarrëse e plotë në krijimin e kësaj vlere poetike. Mendoj se këtu ekziston një mister më i thellë, një frymëzim. Të frymëzohesh në mënyrë krijuese, do të thotë të mbushesh nga fryma e diçkaje më shumë, diçka përtej kësaj bote dhe vetvetes.

E këtë e bën edhe një poezi, qoftë ajo e një formati dhe e një filozofie të tillë. Në këtë rast ka firmën e poetes Puntorie Muça Ziba:


STINA E SHIRAVE


Kipci mërzimadh

nduk flokët në stinën e shirave

zaliset nga bubullima shurdhuese

gëlltit rrufetë,

kur përsëdytet trokitja e llahtarshme.

Thonë se

në cep të stinës së shirave

asnjë luftë nuk filloi.

Koha e lulimit është larg

syri s’është i qetë

lëngata e drithërave

lëngata e hënës

lëngata e tokës ia tret shkëlqimin…


Strugë, 13 qershor 2021

124 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page