ZEJNULLAH HALILI SHPALOS FLAMURIN E DASHURISË PËR ATDHEUN
Çasje në krijimtarinë poetike të Zejnullah Halilit
Zejnullah Halili (1945-2004), emër që nuk mund të anashkalohet asnjëherë, sidomos kur ka të bëj me përfaqësimin në grupin e autorëve nga letërsia për fëmijë. Këtë vlerësim e tumirin rreth tridhjetë tituj librash, shumica e të cilave janë pjesë e pandarë e botës fëmijërore, ku autori për dekada ka zbrazur gjithë arsenalin motivues për të ndërtuar botën e tij krijuese për më të dashurit, fëmijët, të cilëve ua sjell në çantat e tyre librat plot me lule, me diell atdheu, dashuri prindore, me lojëra e këshilla nga më të ndryshmet. Fjalë pak e punë shumë, do të karakterizohej figura e tij prej krijuesi plot pasion e vullnet deri në ndarjen nga kjo botë, duke na lënë një thesar nga më të çmuarit në letrat tona. Në një aktivitet letrar ku temë bosht ishte vlerësimi i fushëveprimtarisë krijuese të Zejnullah Halilit, në kumtesën e tij ,,Vepra letrare dhe publicistike e Zejnullah Halilit”, Prof. dr. Shyqri Galica, ndër të tjera thotë: ,,Kurdo që do të bëhej ndonjë histori e letërsisë shqiptare, pa dyshim që një vend të veçantë do ta zërë shkrimtari e publicisti Zejnullah Halili. Vërtet, vepra e tij letrare dhe gjithsesi ajo publicistike do të trajtohen posaçërisht duke pasur parasysh nivelin letrar e artistik, duke përfshirë përmbajtjet specifike dhe një mënyrë ligjërimi të mëvetësishme”. (,,Metafora”, nr. 3/2020, fq.3).
Nga lista e gjatë e librave të botuara, do të citoj disa prej tyre për tu njohur sa më afër me krijimtarinë e tij letrare, si: ,,Ylberi”, ,,Shitësja flokartë”, ,,Ç’thonë pulëbardhat”, ,,Eshkë e dritë”, ,,Lamtumirë shkurtabiqë”, ,,Vendlindja shihet me zemër”, ,,Përralla lozonjare”, ,,Qirinj të ndezur”, ,,Pikaloshja”, ,,Mollëkuqja”, ,,Ylli t’na hyj në mes”, ,,Udha kah agu”, ,,Luleshqiponja”, ,,Ëndërr e këputur”, ,,Si u bë pikalorja bletë”, ,,Dallga”, ,,Djaloshi brenda mollës”, ,,Pres orën tënde”, ,,Unazë”, etj., të cilat sjellin jo vetëm poezinë, por edhe tregimin, romanin, fabulën, përrallën dhe gjini e zhanre tjera letrare që do t’i ketë lëruar në intervale të ndryshme kohore. Ndonjëra prej këtyre librave kanë përjetuar edhe nga disa ribotime, si vepra të kërkuara vazhdimisht nga lexuesit, në mesin e të cilave edhe ,,Luleshqiponja”, të cilën do ta bashkëlexojmë, për të shijuar kënaqësinë e këtyre prurjeve poetike, që në një mënyrë mund të konsiderohet si çasje reprezentative në krijimtarinë e tij poetike.
,,Luleshqiponja” flatron në botën fëmijërore
,,Misioni i letërsisë për fëmijë është shumë më i ndërlikuar dhe më i vështirë në arritjen e qëllimit, se sa ai i letërsisë së përgjithshme artistike. Kjo shpjegohet me arësyen se lexuesit e vegjël, megjithëse janë fëmijë, ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri për arësye të moshës.”, thotë Bedri Dedja. Në përmasa të këtij vlerësimi e takojmë pothuajse gjithë opusin letrar të Zejnullah Halilit, krijimtaria e të cilit trajton tema e ngjarje të nduarnduarta nga bota fëmijërore. Krijimtaria e tij letrare, me disa përjashtime, pothuajse tërësisht i dedikohet moshave të reja, që nga parashkollarët, që kërkon trajtim të kujdeshëm tematik, ku lexuesi i joshur nga ato imazhe që pasqyrohen në vargun e poetit, do të thithë gjithë nektarin e kësaj krijimtarie artistiko-letrare të krijuar me invencion dhe përkushtim. Nuk gabohemi kur theksojmë edhe një realitet tjetër për këtë krijimtari, se në vazhdimësi është mirëpritur dhe është shijuar me ëndje veprimtaria krijuese e Zenës edhe nga lexues të moshave të tjera, meqë pasqyrimi i ngjarjeve, i fenomeneve natyrore, imazhet e shumta plot kolorit, lexuesin e bëjnë që të ndihet i ambientuar mirë me temat e trajtuara, me pasqyrimin e mrekullive të stinëve, me fushat blerake ku cicërimat e zogjëve dhe aroma e luleve mbushin hapësirat e vendlindjes, prej nga çdoherë do ta ketë burimin kryesor të motivimit, që në vazhdimësi ia shtojnë adhurimin e kësaj prodhimtarie letrare. Është e natyrshme të adhurohet kjo krijimtari nga të gjitha shtresat e lexuesve, që për dekada rrjedh si gurrë e pashterrshme, jo vetëm në poezi por edhe në tregimet, romanet, përrallat dhe fabulat që subjekti krijues i sjell në fondin e tij produktiv letrar.
,,Shqiponjë në dhomë
Në qiell shqiponjë
Mbi Malet Tona
Më e rënda Zonjë”
(,,Luleshqiponja”, fq. 9)
Një përkufizim i tillë përmes këtyre vargjeve e personifikon shqiponjën me të gjitha tiparet e një qëndrueshmërie stoike gjithandej në hapësirat gjeografike të Ilirisë. Kjo simbolikë e njeriut tonë i qëndron përherë ballë çdo sprove e rreziku në poezitë e kësaj përmbledhje. Ajo vepron me të gjitha atributet e liridashësit, ku ngritja e vlerave të jetës nuk ka çmim. ,,Afër është”, thotë poeti, derisa beson se ,,Prapa malesh diçka lind/ Përtej Detit diçka rritet/ Djalëbardhi vetë e bind/ Se Lulëmira përtëritet”. Ai tashmë sheh gjithçka edhe përtej mundësive që mund të shoh syri, meqë ato pamje ia fikson mendja dhe imagjinata e tij, si pjesë e pandarë e njeriut, si një veprim i përhershëm, sidomos në ndjeshmërinë e të bukurës, ,,Mu te rrënjë e Mersinit/ Vjen e pastër, Vajzurinë,/ Afër është Valë e Drinit/ T’ma bulëzojë fëmijërinë” (po aty, fq.5).
Të udhëtosh me imagjinatën e fëmiut nuk është rrugëtim pa sakrifica. Kjo mbase është trajtuar në poezinë ,,Pse na i hap dyert mali”, ku ndeshim nëpër sprova nga më befasueset, por gjithnjë duke u qëndruar pranë kurreshtarëve, fëmijëve, të cilët në çdo çast duan të kuptojnë për gjithçka i rrethon në përditshmërinë e tyre. Ata sikur identifikohen me gjithçka e takojnë, për ta kuptuar gjuhën e tyre, për t’u mishëruar me veprimtaritë dhe për të shijuar të mirat që ndodhin përreth tyre. Sidomos, ua zgjojnë kërshërinë ngjarje e fenomene të ndryshme në natyrë. Edhe poezitë ,,Eja të dalim”, ,,Ku e zëmë pranverën”, ,,Pashë njëherë”, hedhin vallen në të njëjtin ritëm me atë që veçuam më lartë, duke u orvatur që ta zbërthejnë çdo imtësirë në ambientet që i preokupon. Këtu do të veçohen ,,Dy vogëlushe”, që të pandara ,,Kapërcejnë malet/ Si dy rreze mëngjesore/ Hapërojnë nëpër bregore”, ku në rrugëtim për të mësuar sa më shumë për atdheun:
,,Njëmijë e një fshehtësi
Në Blerinë
I presin!”
(Po aty, fq. 12)
Po ku mund të ndihet më i sigurtë Gimi, se ,,-Në prehër/ të nënës/ bëj pushim,/ këtu s’frikësohem/ nga askush” (,,Cak trimërie”, fq. 14). Si kjo poezi janë të shumta që trajtojnë ngjarje e veprimtari jetësore, duke i dhënë mundësi lexuesve të vegjël t’i kuptojnë saktë, që pastaj t’i mbajnë gjatë në kujtesë si këshilla të qëndrueshme në përballje me mësimet, lojën, me mirësjelljen ndaj të rriturve, me ardhmërinë, etj. Ndryshe nga këto, poezitë ,,Ujku e kali” dhe ,,Eli, Eli”, shpërfaqin vese e përvoja nga më të veçantat, por gjithnjë me qëllimin e edukimit të fëmiut si të tejkalohen befasitë në raste të tilla. Nuk janë të rralla edhe kryeneqësitë që ngulmojnë fëmijët t’i reflektojnë gjatë veprimeve të tyre, qoftë edhe padashje, por këmbëngulës se nuk janë shkaktarët apo fajtorët e ndodhive, si ndodh edhe në poezinë ,,E pafajshmja”.
Shpeshherë fëmijët bëhen kurreshtarë të dijnë edhe më shumë për veten, për vendin që u takon në mesin e të rriturve, për mundësitë e gjetjes së shumë zgjidhjeve enigmatike, prandaj me të drejtë dhe pa hezituar pyesin veten: ,,Ç’jemi?” Kësaj pyetje i gjejnë shumë përgjigje, por gjithnjë duke qëndruar pranë të dashurve të tyre, ngrohtësia e të cilëve ua lehtëson çdo situatë dhe u jep forcë të ecin tutje: ,,Njomëzakë t’nënave/ Me shumë lëfytë/ Lepurushë bëhemi/ Sa çil-mbyll sytë” (Po aty, fq. 23).
A pikëllohen fëmijët? Gjithësesi, pikëllohen. Ata dijnë të shprehin edhe gëzimin në çaste të bukura, por kundruall kësaj, në një situatë tjetër, kur u shemben urat e miqësisë, atyre sikur iu përmbyset e gjithë bota. Kështu, me ,,Shokun e mirë” nuk ngurrojnë ta ndajnë përgjysmë xhevrekun, por ndodh që në një situatë tjetër ,,Përgjysmë pikëllimin/ Ia sheh në sy.” (po aty, fq. 24). I tillë është edhe në ndonjë ,,Çast pikëllimi”, ku, siç e shpjegon autori, pas një kohë qëndrimesh në bregdet, ,,Se ç’ndodhi, ç’u bë/ vajti në dhomën tjetër,/ Qe pikëlluar, qau me zë/ u nda nga miku i vjetër”. (po aty, fq. 26). Shpirti i virgjër i fëmiut nuk din të krijoi skena. Ai gjërat i ndërton dhe i përjeton ashtu si i takon në përditshmëri, në jetën e tij fëmijërore, ku ndërton ura miqësie, por edhe përjeton çaste pikëllimi kur humb diçka për të cilën tashmë ka krijuar një besim dhe ka sforcuar një dashuri.
Ngjarje dhe fenomene të ndryshme që ndodhin në natyrë dhe rreth saj, imagjinata e fëmiut i fikson menjëherë, duke ua dhënë kuptimin e lojës, por ndonjëherë edhe mund t’u frikësohet atyre situatave të befasishme. Ai bën shoqëri edhe me zogun, krijon çaste argëtimi e loje me qengjin, me kecërit, etj., ashtu si do t’i takojmë në poezitë: ,,Thirrje”, ,,Lojë”, ,,Zogu dhe gjeli i llamarinës”, ,,Çerdhja”, ,,Bukurezë”, ,,Pse nxiton bleta”, ,,Puthja e butëz”, etj.
Vështirë është të përmbyllet një botë kaq e larmishme fëmijërore, ku gjithçka ndrynë brenda këtij libri, ku sjell bukuritë e natyrës, gëzimin e lojës, dashurinë prindore dhe mbi të gjitha, llastimin në pambarim të fëmijëve që sa më shumë të kapin çaste gëzimi e të mësojnë gjëra të reja. Prandaj, nuk është e rastësishme që në mbyllje të librit ndodhet poezia ,,Udhembarë o nismëtarë”, ku reflekton mesazh për rrugëtimin e ri të fëmiut, i cili e shpreh hapur: ,,Unë po vete/ Unë po vete ndër lastarë” (po aty, fq.44). Ai tashmë e din se duhet të vazhdoj atje ku e joshin risitë, dëshirat, ëndrrat që hapin shtigje të reja.
Ka edhe shumëçka tjetër të shpaloset në poezitë që nuk u zunë goje këtu, por me besimin se lexuesi tashmë është zhytur në botën imagjinative të fëmijëve për të mësuar gjithçka e preokupon kjo lëndë poetike, me synimet që të prek universin e kësaj krijimtarie të begatë artistiko- letrare.
Kupola e një vlerësimi
Zejnullah Halili kaherë e ka shpalosur flamurin e dashurisë, i cili vazhdon të valoj gjithandej hapësirave gjeografike të atdheut, për t’ia trasuar brezave rrjedhat e jetës. Ky vlerësim rrjedh spontanisht nga njohja e gjithë opusit të tij krijues, ku trajtohen tema e ngjarje nga historia e lashtë stërgjyshore, nga mbresat e pafund për bukuritë e vendlindjes, të cilën e vizitonte shpeshherë dhe mbushej me frymëzime, për të krijuar imazhin vizuel të vendlindjes, gjithnjë në rindërtimin imagjinativ të jetës së tij fëmijërore, kujtimin e lojërave, vrapimin pas fluturave nëpër luadhet e fshatit, kujtimet e viteve të hershme shkollore, e shumë mrekulli që do t’ia kthejnë kujtesën në fëmijëri, për ta shfrytëzuar vazhdimisht edhe në krijimtarinë e tij deri në çastet e fundit të jetës.
Një shoku i tij i lagjes në vitet e hershme të rinisë, me të cilin kishte bashkëpunuar edhe në frymën e aktiviteteve letrare – krijuese, do të evokon kujtime në një ditë shënimi të jetës dhe veprimtarisë së Zejnullah Halilit, ku në mesin e shumë kujtimeve, veçova edhe këtë: ,,Nga kjo largësi kohe, prej gjashtëmbëdhjetë vjetësh, e mungesës fizike të Zejnullah Halilit, mund të pohoj me çiltërsi se poeti ynë kapërceu vetveten. Gjithsesi, Ai shkrimin poetik e pati vokacion të pandalshëm shpirtëror... Meqë arti i të shkruarit i ngërthen sakrificat, nazet dhe huqet e veta, Zejna ishte i gatshëm për t`ia dhënë tërë dashurinë, tërë përkushtimin atij pasioni... Andaj, për ngadhënjimin e së bukurës, Ai shkeli edhe mbi kohën, thesarin më të çmuar të jetës së vet!” rikujton Mehmetali Rexhepi në shkrimin e tij ,,Zejnullah Halili në tri pamje”.
Në përmbyllje të këtij vështrimi me të drejtë vlerësoj se bota emocionale e autorit nuk do të ndalojnë asnjëherë në përmbushjen e misionit të tij prej krijuesi. Ai në vazhdimësi orvatet t’i qetësoj dallgët e trazuara të jetës, që ia provokojnë unin e tij krijues, prej nga lindin vepra të realizuara me pedantërinë e njeriut të devotshëm dhe të përkushtuar në botën letrare.
Leksiku i pasur, figuracioni i bollshëm stilistik dhe struktura e vargut e karakterizojnë krijimtarinë e Zejnullah Halilit, veprimtaria letrare e të cilit mbetet përfundimisht emër dhe vlerë e pakontestuar.
Comments