top of page

POETI I ÇMENDUR DHE MIU



TREGIM POETIK1) NGA MYSLIM MASKA


Unë jam ditë, qënkam dhe natë, qënkam dhe diell dhe hënë, qënkam dhe dritë që vezullon, dhe terr, që të shpërbën. Qënkam! Po ç’qënkam? Nuk e di! Një univers? Grimcë, rërë? Një hiç?! A Perëndi? Ndoshta jam djalli vetë! Njeriu është gjysmë djall?! Më fal, o Zot, o Perëndi! Birin tënd s’e fal? Unë s’di se ç’bëj, s’di ku shkoj. Më fal, o Zot, më fal! Unë dua botën ta shkallmoj, të re ta ngre pastaj. Por nuk më lënë, po më grijnë, si mishin në makinë! Kur bëhem dele e lind një qëngj, më thonë “s’e ke fëmijë!”. Më thonë e ke me tjetër burrë, me tjetër cjap, a dash. Me cilindo është biri im. S’merr vesh kjo botë e trashë! Se unë jam nëna, që mos qënça! Pa hade mbushua mendjen. Dhe s’kam durim, s’kam vullnet. Për dore kam marrë dhimbjen. Dhe s’e di mirë! Unë e kam marrë? A më ka marrë mua? Herë më ngjan vetja si mi, herë – herë si përrua. Dhe kur bie mbi shkëmbinj, thërmohem në stërkala, bëhem ç’dua dhe ylber dhe mijëra pulëbardha. Herë – herë kaprolle përmbi shkëmb, herë – herë asteroid. Herë – herë ç’ka shoh për tokë më shemb, ndjej dhimbje gjer në ind!... Dhe rrokullisem si kometë në univers, pafund. Kërkoj POETËT e vërtetë. POETËT i bënë si unë. Ndaj dridhem, qaj ebëhem lotë, bëhem oqean! Ose vërtet nuk më kuptojnë, ose janë sharlatanë. Ata që janë në pushtet, ata nga mendt më nxorën! Kush s’di të qajë me lotë të nxehtë, kurrë s’mund ta ndreq botën…Dhe s’di ç’të bëj nga t’ia mbaj, lart më djegin yjet, kë të mburr e kë të shaj, s’po më duan as pyjet. Se në pyjet ku flenë yjet, unë kam miq për kokë; ku derdhin poezi burimet, bëhem Penelopë. Por Penelopa, e shkreta grua, qe njëlloj si unë: Priti e priti, u thinj gjithë jetën, në fund eshkretuan…

Qesh e qaj, qaj e qesh, kështu më shkoi kjo jetë! Dhe merre vesh ç’është poshtërsi dhe ç’është e vërtetë. Kështu fola, ndaj më rrasën brenda në qeli. Lavdi Zotit, s’isha vetëm Brenda ish një mi. Një mi i madh sa një maçok. Tigër thuaj më mirë, m’u bë mik e m’u bë shok, si rreze në errësirë. Kur mbyllja sytë, më merrte gjumi, ai bëhej poet. Nëpër damarë bridhte Osumi, më tundte si në djep. Më mbushte DRITË, Në pala rrobash, kisha dallgë deti…Të tilla rroba dhe Perënditë, në festa i veshin. Pastaj më sillte radhë – radhë, poetët, shokët, miqtë; Dhe të vdekurit, dhe të gjallët, të më jepnin shpirt.

-Ç’bën këtu? – tha Shën Jovani* , me baltë përmbi trup. Plot me erë jargavani, qelia m’u mbush…

-A s’të thosha, dhe nga varri, për hall do të vijë?

-Nejse! – i thashë,

Jeta ecën, rrotullohet bota. Të bukurit, dhe të vdekur, të të vijnë te koka. Edhe atëherë kur ti bëhesh mi. Dhe kur bëhesh yll e mes yjesh rri…

Dhe më doli gjumi, përballë meje një mi. Edhe miu dridhet dhe unë po mbërdhi. E shikoj e më shikon në sy. Kush është mi i them, jam unë apo ti? Ai vetëm hesht, unë gati po ngrij. Përse shpirti im, gjithë kjo tragjedi? Hën’ e pikëlluar, sa s’qan në frëngji. Qielli i tavanit, pikon trishtim, mërzi! “Kush je?” – miut i them. Pse hesht? Ç’djall të trëmb? Kur vdiqa më ngjalle me frymë të shpirtit tënd…

“Kush je, o vëlla” dhe vështrova hënën. Ajo hapi derën, atë të argjëndën. U bëra pyll me rreze, sapo pashë nënën. E mira, nëna ime, e shënjta nëna ime! Të gjitha nënat kanë diçka prej Perëndie…Më mori mua miun, më puthi duke qarë, si unë delja qëngjin që ma therën në kasapanë!...E putha dhe unë, siç di të puthë miu, por puthja e nënës, më bëri lot, më shkriu. Më bëri lumë, e u derdha në det. S’dua t’ia di fare, për qeveri e president!

Diçka më kanë bërë, që pyll me erë ndjej kokën…Jam mi, mace, qen, që së prapthi e shoh botën?

Më bëni NJERI, ju lutem..! Fundja, më bëni lule, shkëmb…Të gjitha më dhëmbin, sa nuk e di ç’më dhemb…

Përse vallë moj nënë?...

*Jovan Buli – Shkrimtar

1) Nga cikli me tregime për ngjarjet tragjike të vitit absurd 1997

148 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page